Tërmetet e minatorëve të Bulqizës


Bulqiza, miniera më e madhe e kromit në Shqipëri, është gjymtuar nga varfëria. Foto: © Atdhe Mulla / K2.0.

Vështirë se Bulqiza do t’i binte ndokujt në vesh po të mos ishte për “gurin e zi me xixa”. Vendasit e qytezës veri-lindore të Shqipërisë kështu i referohen kromit, që gjendet me bollëk aty, në minierën më të madhe të këtij minerali në vend. E gjithë jeta e tyre është e lidhur me minierën, ashtu siç u ndërtua edhe qyteza rreth saj.
“Vështirë se mund ta gjesh dikë në Bulqizë që s’ka dikë të afërm a që s’ka punuar vetë nga miniera”, thotë një bulqizak.
Prodhimi i kromit në Bulqizë nisi gjatë pushtimit fashist italian, diku kah viti 1942, duke shfrytëzuar mineralin mbi sipërfaqe të tokës. Pas disa vitesh, në fillim të 1948-ës nisi punën miniera nën qeverinë komuniste shqiptare, e në dekadat pasuese kërkimet për krom u avancuan në “kërkime vertikale”.
Aty u punësuan qindra minatorë — banesat e para në qytezë, dy e tri katëshe, u ndërtuan për ta në vitet ’60 – ’70. Përveç minatorëve, në Bulqizë bënin punë të detyruar edhe të burgosurit e asaj kohe, siç ishte praktikë përgjatë regjimit komunist.
Përgjatë dekadave, Shqipëria ka eksportuar miliona tonë të gurit të zi me xixa. I përdorur gjerësisht në industritë globale, sidomos në atë të çelikut, kromi është një ndër burimet më të rëndësishme minerale të vendit.
Sot minierat janë ende pjellore — nga thellësitë e tyre nxirren në sipërfaqe mijëra tonë krom. Por, për dallim nga koha e regjimit të Enver Hoxhës, tani shumica e minierave në Shqipëri menaxhohen nga kompanitë private, pasi shteti shqiptar vendosi t’i jepte ato me koncesion.
Sipërfaqen më të madhe të galerive e ka nën shfrytëzim kompania “AlbChrome”, për të cilën punojnë mbi 600 minatorë.
Kjo kompani, bashkë me dhjetëra të tjera, bëjnë pjesë në “Balfin Group”, një ndër konglomeratet më të mëdha të investimeve private në Evropën Juglindore. Përveç industrisë minerare, ky konglomerat ka biznese në disa fusha të tjera, si pasuri të patundshme e menaxhim të hapësirës tregtare e industriale. “Balfin Group” është në pronësi të personit më të pasur në Shqipëri, Samir Mane, i cili shquhet si figurë kontraverse dhe akuzohet nga aktivistë të shoqërisë civile se i shkelë të drejtat e nëpunësve minatorë.
Pavarësisht pasurisë nëntokësore, Bulqiza vazhdon të jetë një ndër rajonet më të varfëra të Shqipërisë; sipas Zyrës së Punës në Bashkinë e Bulqizës, më 2016, 28% të banorëve ishin të papunë.
Gratë janë më të prekurat nga papunësia. “Dikush edhe mund të na paragjykojë se gratë s’punojnë, por s’kanë se ku”, është përgjigja e një vendasi në pyetjen se kush i punon nga familjarët.
Përtej shifrave, Bulqiza edhe në shikim të parë ta jep përshtypjen e një vendi të varfër. Shumica e ndërtesave janë të vjetra, rrugët të ngushta e të paasfaltuara. Rreth sheshit, shumë lokale janë të mbyllura e në xhama kanë të ngjitura lajmërimet “Lëshohet me qera”.
Qyteza gjallërohet gjatë mëngjesit të hershëm, para se minatorët ta nisin turnin e parë të punës, dhe pak para mesnatës, kur shumë prej tyre e përfundojnë turnin e tretë. Për më pak se një orë gjatë këtyre kohëve të ditës, kafiteritë “Duriçi” e “Cupi” vlojnë nga minatorët, e pastaj zbrazen sërish deri në turnin tjetër…
* Ky artikull është prodhuar për Kosovo 2.0, ku edhe është publikuar fillimisht. Botimi i këtij artikulli në versionin print është bërë me lejen e Kosovo 2.0.
Për të lexuar reportazhin e plotë ndiq linkun e botimit origjinal:
https://kosovotwopointzero.com/minatoret-e-bulqizes/?fbclid=IwAR2osrEi3tRs7TRSxAJdH-rUa7rI-vUctw0gdNEVOlFHGplw7A0dJ6dIXec