Në Bulqizë ka rënë dëborë e madhe


Pamje nga Bulqiza. Foto Sami Curri / Facebook / Bulqizaime

Bulqiza është qyteti më interesant, jo vetëm në qarkun e Dibrës, por në mbarë Shqipërinë e më gjerë. Me siguri që, po të ishte gjallë shkrimtari i njohur Dostojevski do të kishte plot material për qytetin minator, që vazhdon të lëngojë nga plagët e saj, që njohin vetëm tmerre e vuajtje. Kjo është Bulqiza dhe për sa kohë ky qytet të jetë në këmbë, përherë do të ketë lajme, përherë do të ketë jetë, përherë do të ketë histori, ku brenda saj patjetër që do të jetë edhe kromi, floriri i qytezës, minatorë më në zë të Veriut.
Kromit po i dëgjohet sërish zëri, në largësi dhe në thellësi të maleve të kësaj zone, që e rrethojnë qytetin, e ngjan sikur e kanë zënë përposhtë. Malet nga ana tjetër janë edhe krenaria e burrëria e Bulqizës, e Dibrës mbi të gjitha.
Kështu, sërish minatorët janë ngritur në protestë, ata kërkojnë të drejtat e tyre, që puna t’iu paguhet, që të mbrojnë djersën dhe gjakun që lënë në galeritë e nëntokës, ku kanë lënë mish e kocka, kanë bluar mendje e shpirt. Tashmë që miniera ka kaluar në duar të tjera, raportimet thonë se pagat janë ulur, duke thënë se kjo bëhet që kushtet të jenë më të mira.
Aty ka paga normale për Shqipërinë, në një punë që është e barabartë disa herë me vdekjen, ku vdekja vjen përballë, shpesh herë duket nëpër male si një fantazmë e poshtër, që ngrihet përmbi sy e ballë. Ky është fati i minatorit bulqizak e dibran, në një jetë plot ngërcë e vështirësi, të cilat duket se është vështirë të mbarojnë. Më shumë duhet bërë për minatorët, palcën e krenarisë kombëtare, që nxjerrin floririn e vendit, të shtetit, të mbarë kombit shqiptar. Paga më të mira duhet të kenë minatorët, që hyjnë në galeri dhe nuk e dinë më a do të dalin prej andej apo jo. Miniera flet sot, flet me gjuhën e vuajtjes, me gjuhën e dhimbjes krenare, me gjuhën e bukës të përditshme, me gjuhën e djersës që derdhet përditë në tokë dibrane, bash në atë vend ku ka luftuar Gjergji ynë i madh, Skënderbeu.
Në Bulqizë, në mënyrë figurative ka rënë borë në male, duke penguar të mirën, duke ia zënë frymën, e dielli nuk po shihet, nuk shihet zjarri, nuk shihet prushi, nuk shihet ndriçimi dhe ngjyrat. Ka vetëm zezonjë, dëborë e shi. Por kjo duhet të marrë fund, e pushtetarët të bëhen më njerëzorë, më humanë, për të paguar minatorët aq sa iu takon, aq trup e shpirt sa japin, aq të kthehen në para, që janë të tyret, duhet të jenë të popullit, të këtij populli të vuajtur që jeton mes malesh, në ato male të heroit tonë kombëtar, nga Valikardha në Korab, në malet që nuk u tundën as nga turqit, as nga serbët dhe as nga pushtuesit më të egër që kanë kaluar në këto zona. Bulqiza duhet ta zhbëjë dëborën e të ndriçojë dielli e hëna e bukur, në fushat e në kodrat e malet të popullatës që është ngritur gjithmonë në mënyrë rebele ndaj të huajve pushtues, ndaj së keqes, pjesë e popullit më të vjetër në Ballkan, e në Europë, të lashtë sa stalaktiket e shpellave të zonës.
Ndaj minatorët meritojnë trajtim me respekt, jo paraja të shkojë në duart e pak njerëzve, jo sistem skllavo-pronar në kohën e modernizmit, jo më shkelje me këmbë, por bukë e dinjitet normal, të rrosh me nder e jetë plot ndriçim e diell, mbi të gjitha diell, atë që duan të gjithë e duhet ta duan edhe të pasurit, edhe pushtetarët.
Edhe këta të fundit duhet ta duan diellin e jo borën, sepse kjo botë rrotullohet e ku i dihet nesër janë ata që kanë nevojë për ndriçim, për pak rreze, andaj dielli e vetëtima e fortë, vezullimet duhet t’i predikojnë të gjithë, për të jetuar si njerëz, si familjarë, si minatorë, ndershëm, si bulqizak, si dibran e shqiptar me dinjitet.