Mysafir i ri në çadër


Me 6 qershor të vitit 1980 erdhi në ekspeditë apo ekip një mysafir i ri, stazhieri Alban (Ahmet) Çollaku. Ishte student në vit të dytë të Fakultetit të Gjeologjisë dhe të Minierave në Tiranë. Me banim ishte nga fshati Sllatinë i Sllovës së Dibrës. Fshati i tij ka një histori të madhe, për të cilën poeti i këngëve patriotike dhe shumë gjinive të tjera letrare, i pavdekshmi Naim Plaku, ka shkruar një libër për të, ndaj këtu nuk kam çfarë të shtoj. Dua vetëm të tregoj një histori të vogël rreth origjinës së emrit Sllatinë. Variante të shumta janë dhënë për përkthimin në shqip të këtij emri. Një mik nga Bullgaria, që kam pasur fatin ta shoqëroj nga fshati Sllatinë në Malin e Korabit e më gjerë, kur i kam shqiptuar emrin e vendit “Sllatinë” me humor më tha: E dini kuptimin e kësaj fjale? Ndonëse e kisha mësuar nga shkrimtari e poeti i talentuar dibran Agron Tufa, atij ju përgjigja se nuk e di edhe pse me të komunikoja në gjuhë sllave.
– Ëmbëlsirë – e ka kuptimin në shqip, – u përgjigj kolegu bullgar.
E saktë, thashë me vete. E falënderova për kuptimin e fjalës. Kështu më kishte thënë edhe i madhi Tufa. Them “i madhi”, pasi ashtu është pozicionuar ai në letërsinë e sotme shqipe.

Në foto: “Mysafiri i ri në çadrën e gjeologëve” të ekipit gjeologjik të hekurit në Sorokol, prof. Alban Çollaku, por me një “ndryshim të vogël”, asokohe ishte fare i ri dhe ballin e kishte plotë e përplotë me flokë, kurse sot vitet e kanë bërë punën e tyre edhe pse ai nuk e tregon moshën falë faktit të angazhimit në punë me plotë pasion dhe shumë energjik.

Albanin e takoja për herë të parë. Një djalë me trup mesatar, elegant dhe me një shikim të ëmbël si vetë emri i fshatit nga vinte. U paraqit ashtu thjeshtë, siç vijnë në fillim gjithë studentët, por me një ndryshim nga të tjerët, që nuk e pata të vështirë ta kuptoja që në takimin e parë. Ndërsa bisedonte me mua dhe më jepte lajmet e fundit nga Tirana, nga përgjigjet që më jepte për pyetjet që i bëja kuptoja se mezi priste të shikonte gurët në qoshin e tavolinës sime të punës. Njeriu kurioz e me prirje të veçanta njihet që në takimin e parë. Më vonë do të mësoja se ishte ndër studentët e shkëlqyer në mësime në fakultet dhe ky fakt më gëzoi shumë, ndonëse nuk e pata të vështirë që në ditët e para të praktikës mësimore, të kuptoja pasionin dhe dëshirën e tij për të përvetësuar sa më shumë në praktikë të fshehtat e profesionit të gjerë e të pafund të gjeologut.
Porosita kuzhinierin (që asokohe kryente dhe detyrën e magazinierit të ekipit, pasi shumica e punëtorëve ishin vendas, kësisoj nuk bëheshim shumë veta që do të na gatuante në ekip), që të merrte masat për ta pajisur me rrobat e fjetjes dhe nuk harrova t’i kujtoj çarçafët e rinj të papërdorur.
– Jo – ndërhyri në bisedë ai – nëse keni vështirësi ka dhe një zgjidhje tjetër, unë jam djalë i ri dhe mundem të shkoj në shtëpi çdo natë e kthehem nesër në mëngjes përsëri në ekip. Më këmbë Sllatina prej ekipit ishte dy orë e gjysmë larg për të ardhur, ndërsa në kthim ishte pak më lehtë, pasi maloret pakësoheshin shumë në rrugën këmbësore drejt fshatit. Asokohe makina nuk llogaritej.
– Jo, – i them unë, – do të qëndroni në ekip për ditët që unë do të jem këtu, pastaj do të veprosh sipas atij varianti, ndonëse ka lodhje të madhe, edhe pse jeni i ri. Me largimin tim nga ekipi do të kesh më pak punë për të kryer si për vete, ashtu dhe për nevojat dokumentuese të ekipit. Ashtu ramë dakord. Atë pasdite, pasi pushoi pak, u mor me lexime dhe herë pas herë vinte pranë meje dhe më ngacmonte me pyetje nga më të ndryshmet rreth mineralit, rezultateve të punimeve gjeologo-kërkuese, perspektivës etj. Ishte kurioz të dinte shumë gjëra ndaj bënte dhe shumë pyetje. Të nesërmen u ngritëm herët. Shkuam në një nga Bjeshkët e Kalasë së Dodës, konkretisht në Malin e Sorokolit fillimisht afër Rrafshit të Radomirës, mbi Kruan e Mbretit dhe pasditen e vonë kaluan në objektin Gurët e Kodrës, ku kishim të përqendruar shumicën e punimeve kryesore gjeologo-kërkuese që do të na garantonin rezervat e planifikuara për atë vit për mineralet oksido – silikate të hekurit, që në zhargonin e kohës thirreshin me emërtimin “hekur pa nikel”.
I shpjegova mendimet e mia mbi zhvillimin e fushës xeherore të Sorokolit (prerjen stratigrafike të vendburimit të cilën e kishim konsultuar me profesor Kodrën edhe me specialistët e ISPGJ në Tiranë), e cila paraqitej si një brahisinklinal i madh i copëtuar nga të gjitha anët nga shkëputjet tektonike deri në pjesë të trupave xeherore të lëvizur dhe të “qerrëzuar”, duke e shoqëruar shpjegimin me një mori skicash. Në këtë strukturë brasinklinale i shpjegova mikut më të ri të ekipit gjeologjik shtrirjen dhe rënien e disa trupave xeherorë kryesor hekur-mbajtës të zbuluar.
U mundova t’i tregoj në detaje tre llojet minerale që dominonin trupin xeheror si shamozitin, hematitin dhe turingitin, minerale silikate dhe okside të hekurit me ngjyrë nga jeshile në të errët deri në të zezë kafe. Në ditët në vazhdim, kur kishim për të dokumentuar kanale apo puse minerare, i vura detyrë të bënte dokumentimet dhe përshkrimet gjeologjike të punimeve që kryenim si dhe gjatë kohës kur punonim në rilevim, atë të dokumentimit të zhveshjeve.
Edhe në marshutat e lira që kryenim në zonën e Sorokolit për të saktësuar me imtësi pjesët e copëtuara tektonike të buzëve të brahisinklinalit të VB të Sorokolit e pata vënë të bënte vetë disa procese pune deri dhe dokumentimin e shpimeve apo hedhjen në hartë të disa detajeve gjeologjike dhe linjave tektonike. Pyetjet që bënte më vunë më shumë në lëvizje për të përshpejtuar punimet në realizimin e detyrave të kohës të ekipit gjeologjik.
Shkurt, me ardhjen e Albanit unë e rrita pak ritmin e punës në terren jo vetëm për faktin se duhej ta ndihmoja në realizimin e programit të tij të praktikës, por ishin dhe punët tona shtetërore që ma diktonin të nxitoja në realizimin e detyrave, pasi gjeologu në verë ka më shumë angazhime në terren se në stinët e tjera. Kësisoj, duhej t’i kryenim me patjetër disa punë aq më tepër në zona malore ku koha të tradhton shpejt. Çdo ditë në terren duhet të punosh sa për dy ditë, ndryshe je i humbur në të gjitha drejtimet e planet të mbetën në letër, plus që jeta ka të papriturat e veta.
Në njërin nga ato ditë pune intensive do të shkoja në terren së bashku me Albanin (në atë kohë ne e thërrisnim Ahmet, por mesa duket, vite më vonë ai e ktheu “Alban”, për t’u identifikuar më lehtë se ishte shqiptar) në një zonë pak larg punimeve ku dhe ngritëm për disa ditë dy çadra italiane me ngjyrë jeshile si bari i Bjeshkëve të Korabit. Punuam pa orar nga mëngjesi deri në perëndim të diellit, aq sa që të dy ndjenim lodhje fizike, pasi lodhjen mendore nuk e llogarisnim. Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse ndodhte kjo gjë sidomos gjatë punimeve fushore. Ndoshta nga terreni i vështirë, lodhja fizike predominonte, e bënte të vetën, duke mos lënë vend për të diskutuar për gjëra të tjera. Në perëndim të diellit, rrugës duke u kthyer në çadër, Albani më pyet: A shkon shpesh në shtëpi inxhinier? Një herë në muaj ose një herë në dy javë, sipas rastit dhe rezultateve të punës – i përgjigjem shkurt unë.
Mirë, mirë, – belbëzoi nën buzë, por nuk më dha shpjegim pse ma bëri atë pyetje. As unë nuk e pyeta. Të them të drejtën, gjatë ditës e vura disa herë në provë në dokumentime të pavarura dhe herë pas here ia verifikoja ato që bënte. Ishin kohë të tjera, kur pa pagesë bënim punë me përkushtim, duke ndjerë përgjegjësi dhe njëherësh dhe kënaqësi, sidomos kur kishin stazhier të përgatitur si Albani.
Në një çast pune të asaj dite i kontrollova vizatimet që bënte në shërbim e sqarim të dokumentimeve gjeologjike që i kisha ngarkuar. Më bëri shumë përshtypje saktësia me të cilën vizatonte. I thashë: “Ju vizatoni apo fotografoni”. Buzëqeshi pakëz, por nuk foli. Dhe vijoi: “Nëse ju më lejoni, dua të kthehem përsëri nesër, se nuk arrita t’i mbaroj të gjitha dokumentimet plotësisht sipas merakut tim” – ma kërkoi me shumë seriozitet. Albanit nuk i kisha shprehur asnjë konsideratë për punën që bënte, pasi desha të mos ndikoja tek ai hëpërhë me opinione, aq më tepër se kam dhe mendimin se nganjëherë opinionet janë perde e realitetit dhe, për të qenë të sakta ato duhet të mbarosh një thes me kripë me personin që punon -thonë fjalët e urta të popullit tonë. Kisha menduar në fund t’i shprehja disa konsiderata të matura nga puna e tij në praktikë dhe vlerësimet zyrtare për të do t’i bëja me shkrim, siç ishin rregullat strikte në atë kohë, që, për hir të vërtetës, për arsimin kishte një kujdesje e rregull, kërkesë të lartë dhe objektivitet sa i përket vlerësimeve, jo si në ditët e sotme ku ka shumë padrejtësi e parregullsi. Gjatë praktikës u mundova të ruaja seriozitetin.
Kjo formë pune mendoja unë i ndihmonte së tepërmi praktikantët për të përvetësuar më shumë dije. Familjariteti me ta duhej t’i përkiste një periudhe më të vonë. Këtë metodë e aplikoja më të gjithë praktikantët. Kisha parasysh edhe periudhat kur kisha qenë vetë student, mendësitë që kisha apo paragjykimet për punën dhe për sjelljet e inxhinierëve të asaj kohe gjatë praktikave që bënim në ekipe të ndryshme gjeologjike të vendit apo dhe përvojën me pedagogët e fakultetit. Desha të isha vetvetja. As që e shkoja ndërmend në atë kohë se do të vinte ajo ditë që unë do të jepja mësim në auditorët e Fakultetit të Gjeologjisë dhe të Minierave, edhe pse e kisha atë dëshirë, por e shikoja si të pamundur.
Ja që jeta ma plotësoi shumë vite më vonë dëshirën. Krahas punës në Institutin e Gjeoshkencave, në vitin 2009 fillova të jepja leksione si pedagog i jashtëm në fakultet në lëndën “Rilevim Gjeologjik dhe Gjeomorfologjik” (në degën e Gjeoinformatikës). Disa vite më vonë edhe në lëndën “Vendburimet e Mineraleve të Dobishme të Ngurta dhe Kërkimi i Tyre” (në degët Inxhinieri gjeologjike dhe Gjeoinformatikë). Kësisoj, ndjeva nga afër përgjegjësinë e madhe të asaj pune me pasion që kisha bërë me gjithë praktikantët në ato vite të largëta dhe që do më ndihmonte aq shumë në procesin e mësimdhënies në drejtim të materializimit të leksioneve. Bëje në det, se e gjen në kripë – thotë një fjalë e urtë nga i pagabueshmi popull.
Ne një nga pasdarket e atyre ditëve të zjarrta të punëve në terren, kur midis nesh kishte filluar të kristalizohej një miqësi e re dhe që premtonte se do të jetonte gjatë, erdhi e u ul pranë meje dhe filloi një bisedë sa shoqërore, aq dhe familjare, duke filluar të më shpjegojë se atë vit kishte qenë kandidat për të studiuar në Francë dhe në momentin e fundit e kishin hequr nga lista. Kishte takuar Ministren e Arsimit të asaj kohe, zonjën Tefta Cami, për të sqaruar përse e kishin hequr. Më shpjegoi me hollësi të gjithë historinë, por dukej i qetë dhe i bindur se një ditë ëndrra do t’i realizohej. Mua më dukej e pamundur, por e dëgjoja me shumë vëmendje, sepse më kujtoheshin vështirësitë e mia për të shkuar asokohe në shkollë të lartë disa vite më parë, jo më jashtë shtetit, që as e kam shkuar në mendje, pasi do duhen shumë faqe libri për ta përshkruar atë kalvar të babait tim për të më plotësuar dëshirën më të zjarrtë të jetës, shkollimin deri në mbarimin e fakultetit.
Më fliste me shumë pasion për historinë e Francës, librat e Jules Verne, Voltaire, Victor Hygo etj., sikur të kishte lindur atje. Unë përgjithësisht lexoj libra dhe jam sistematik në leximin e tyre, por të them të drejtën vetëm Hygoin kisha lexuar në atë kohë që po bisedoja me Albanin.
I thashë që ka pasur raste që studentët që kanë shkuar për studime jashtë nuk janë kthyer ose më saktë shumica nuk janë kthyer. “Unë e dua shumë Shqipërinë dhe familjen dhe asnjëherë nuk do t’i tradhtoj” – m`u përgjigj ai. Pastaj shtoi: “Dibranët nuk ikin, nëse duan të ikin, nuk kanë nevojë për të shkuar në Francë, kufiri me Jugosllavinë është shumë afër”.
Arsyetova pozitivisht përgjigjen e tij, por nuk vazhdova më tej. Asokohe bisedat politike ishin me zarar me vëllanë, jo më me të tjerët. Ai ishte fare i ri dhe me shumë ëndrra për të ardhmen, aq më tepër se një shkëndijë për mirë e kishte të freskët. Pse të mos ishte optimist se ajo shkëndijë do të ndizte zjarrin e perspektivës së tij. Kaluan shpejt ditët e praktikës. Një muaj ikën shpejt, aq më tepër kur është i ngarkuar më punë, me të papritura të shumta e biseda profesionale tepër mbresëlënëse.
Nga kjo kohë e largët një miqësi e sinqertë u vendos midis nesh dhe që premtonte vazhdimin. Ashtu ndodhi. Miqësia dhe bashkëpunimi vazhdojnë dhe sot e kësaj dite. Pas atij kontakti dhe asaj praktike e pune me të, që nuk do t’i harroj kurrë, e kam ndjekur nga larg karrierën e tij jo vetëm si mik, por edhe si dibran.
Në vitin e largët 1983 Albani mbaron me rezultate të shkëlqyera Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave në Tiranë dhe po atë vit emërohet pedagog në Katedrën e Gjeologjisë së Shqipërisë që drejtohej nga i shumërespektuari profesor Luan Peza. Albani ishte pedagogu më i ri në Universitetin Shtetëror të Tiranës, pjesë e të cilit ishte edhe Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave.
Në një nga shërbimet e mia në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave në marsin e vitit 1984, u gjenda për konsultime pranë Katedrës së Vendburimeve të Mineraleve të Dobishme, ku takova profesor Luan Pezën. Ai ishte një nga themeluesit e gjeologjisë së Shqipërisë, gjeologu që përktheu nga gjermanishtja veprat e Novakut, studiuesi i pasionuar, pedagogu i palodhur dhe një figurë e lartë njerëzore. Duke zbritur me të shkallët e mermerta të fakultetit më tha: “Kam zgjedhur një malësor nga zonat tuaja për të më zëvendësuar kur të dal në pension dhe vijoi, deri tani jam shumë i kënaqur nga puna e Albanit”. I përgjigjem: “Është një vlerësim që na ke bërë ne të gjithë studentëve, jo vetëm nga veriu, por nga gjithë Shqipëria, na ke dhënë shpresa se ky vend ka dhe njerëz të drejtë që vlerësojnë punën pa paragjykime, pa miqësira e pa tarafe. Të jesh i sigurt se Albani do ta justifikojë besimin që i keni dhënë”. Tani them me vete: Ka sot njerëz të tillë?! Nuk ka ose ka shumë pak. E ndjeva që fjalët e mia të sinqerta e prekën pa masë.
I shkëlqyen sytë dhe lëshoi një psherëtimë: Ah, ju dibranët, ju dibranët!
– E dini se unë e kam gruan nga Dibra e Madhe – m’u drejtua profesori.
– Jo, – i them. Qeshi pak duke më tundur kokën, por nuk foli. U përshëndetëm duke u përqafuam në shkallët hyrëse të godinës monumentale të fakultetit. Isha ndarë për herë të fundit me këtë personalitet të shquar të gjeologjisë dhe mësimdhënies. Si sot e kam të freskët atë takim. E ku ta dija unë se do ta takoja për herë të fundit të madhin Luan Peza!
Në vitin 1986 shteti shqiptar e dërgoi Albanin për studime pasuniversitare në Francë. M’u kujtua biseda në çadër e vitit 1980 që pata zhvilluar me të. Si një njeri që kam ruajtur gjithmonë në zemër besimin te Zoti, thashë me vete: “Kjo është shenjë e një drejtësie hyjnore që ju realizua ëndrra”. Vitin e parë studion në Universitetin “Claude Bernard” të Lionit dhe nga aty në shtator të vitit 1987 arrin aty ku dëshironte, në Universitetin “Pierre dhe Marie Curie” të Parisit, ku do të punonte nën drejtimin e gjeologut të madh francez Jean Aubouin, i cili me vonë do të emërohet Kryetar i Akademisë së Shkencave të Francës. Një tjetër shkencëtar i madh si Jean Paul Cadet zëvendëson Jean Aubouin në detyrën e Shefit të Departamentit të Gjeologjisë Strukturore në Paris 6.
Në qershor të vitit 1989 takohem në Peshkopi me Albanin së bashku me profesorin francez Jean Paul Cadet që e kishte udhëheqës, të cilët do të punonin në terren në ndihmë të përgatitjes së doktoratës së tij me teme: “Zhvillimi geodinamik i Shqipërisë së Veriut”. Ishin po ashtu edhe të respektuarit profesor Vangjel Melo dhe Aleks Vranaj, udhëheqës të doktoratës së Albanit nga ana shqiptare.
Si sot e kujtoj debatin që zhvilluam para Hotel Turizmit në Peshkopi me profesorin francez Jean Paul Cadet (Albani na përkthente rrjedhshëm nga frëngjishtja me një theks të lakmueshëm), në lidhje me alloktoninë apo autoktoninë e ofioliteve. Në atë kohë isha i ri dhe, kur thonë, i merrja pak me rrëmbim gjërat, edhe pse isha vetvetja në atë ide që mbroja. Edhe sot e kësaj dite jam me po ato mendime, për të cilat profesor Alaudin Kodra dhe unë, kemi dorëzuar për botim një artikull në numrin e parë të Revistës së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për vitin 2019.
Një vit më vonë botoi artikullin e parë me profesorët Jean Paul Cadet, Vangjel Melo, Aleks Vranaj dhe Michel Bonneau mbi dritaret tektonike të Peshkopisë: “Sur l’allochtonie des zones internes albanaises: mise en évidence de fenêtres a l’arrière de la nappe ophiolitique de la Mirdita (Albanie)”, botime të tjera do të kishte nga Albani në vitet në vazhdim.
Në një nga botimet, duke u bazuar në të dhënat fushore si dhe në përcaktimet faunistike nga specialistët më të mirë francezë, Albani propozon hipotezën se gjipset e Malit të Bardhë, flishi paleogjenik me numulite në fshatin Sllatinë, Venisht etj., flishi Jurasiko-kretak me copa ofiolitesh etj., në Kallë, Vleshë, afër Sllovës e Sllatinës etj., që i rrethojnë ato, dalin në formën e dritareve tektonike të emërtuara: “Dritaret tektonike të Peshkopisë dhe të Sllatinës” (sot emërtimi përdoret edhe Dritarja e Malit të Bardhe apo e Përroit të Gramës etj., varësisht nga autorët). Brezat e ardhshëm të gjeologëve do të vërtetojnë nëse kjo hipotezë është e drejtë apo e gabuar.
Në prill të vitit 1992 mbron me sukses doktoratën në Universitetin “Pierre e Marie Curie” (Paris 6) me vlerësimin “Tres Honorable”, vlerësimi më i lartë në Francë. Në shtator të këtij viti Albani kthehet në Tiranë për të rifilluar si pedagog. Shefi i Katedrës së Gjeologjisë së Shqipërisë, profesor Selam Meço, i njohur për kërkesën e lartë dhe korrektesën në mësimdhënie, ia kishte ruajtur vendin e punës. Ndryshimet dhe zhvillimet demokratike të pas vitit 1991 në Shqipëri jua kthyen lirinë njerëzve. Në ato ditë të fillimit, të gjithë e kishin mendjen për të ikur dhe çuditërisht, Albani habit me kthimin e tij në Shqipëri. Në vitin 1994 takohemi përsëri në Tiranë, ku ishte ngarkuar me detyrën e Drejtorit Ekzekutiv të kompanisë franceze “Coparex” për kërkimin e Naftës në Shqipërinë e Mesme, në rajonin Peqin – Tiranë – Milot. Në vitin 2003 kompania “Coparex” blihet nga kompania suedeze “Lundin Petroleum”. Por grupi i ri, i kënaqur nga puna e bërë në Shqipëri, vazhdon ta mbajë Albanin në krye të filialit të saj. Në vitin 2004 “Lundin Petroleum” shet interesat e saj në Shqipëri. Në këtë vit Albani krijon kompaninë e tij “Geoprofil”, e cila realizon disa projekte të rëndësishme me kompaninë zvicerane “Pertomanas” dhe kompaninë kanadeze “Sherhood”.
Në vitin 2006 Albani fluturon për në Bukuresht, pasi pranon ofertën e kompanisë “Schlumberger”, kompania më e madhe në botë në fushën e shërbimeve në naftë, në detyrën e Drejtorit të Studimeve për Evropën dhe Afrikën. Në vitin 2007 “Schlumberger” e dërgon në vendburimin e naftës Hassi Messaoud në Algjeri, një nga vendburimet më të mëdha në botë. Në dy vitet e para drejton ekipin e gjeologjisë dhe gjeofizikës për perspektivën e pjesës jugore të vendburimit, ku propozon disa puse të suksesshme. Me mbarimin e projektit në shtator të vitit 2010 transferohet në Kongo, i bazuar në qytetin bregdetar Pointe Noire, drejton punimet për zhvillimin e një vendburimi nafte. Në vitin 2011, me bazim në Francë, drejton një ekip me një shumicë specialistësh amerikanë për vlerësimin e perspektivës për naftë dhe gazmbajtje të shisteve të Algjerisë.
Me kërkesë të kompanisë kombëtare algjeriane “Sonatrach”, Albani rikthehet përsëri në Algjeri, ku vazhdon kërkimet për naftë dhe gaz me të njëjtin pasion dhe këmbëngulje si në vitet e rinisë, katër dekada më parë gjatë stazhit në Bjeshkët e nalta të Korabit.
Dibra në çdo kohë ka nxjerrë specialistë në fushën e gjeologjisë me kontribute të vlerësuara kombëtare, veçanërisht nga ish punonjësit e ish Institutit të Studimeve dhe Projektimeve të Gjeologjisë. Këtu solla mes kujtimeve Alban (Ahmet) Çollakun me origjinë nga Sllatina e Sllovës në rrëzën e Malit të Bardhë evaporitik, në rrëzën e këtij gjeomonumenti natyror me vlera të jashtëzakonshme rajonale e europiane, me dukuri të rralla erozionale, karstike, mineralogjike, strukturore dhe sidomos tektonike, për të cilat nuk ka harruar të shkruajë profesor Albani në revista shkencore autoritare të njohura të Francës dhe Europës, për të saktësuar “rrënjët gjeologjike të vendlindjes”, autoktoninë apo alloktoninë e tyre. Sa herë vjen në Tiranë, nuk harron të më takojë dhe bisedat “humbasin” në bjeshkët e pafundme të Korabit dhe çadrat me ngjyrën e bjeshkëve që zbukuronin dhe konkurronin natyrën e atyre naltësive malore madhështore e të pafundme.
Marrë nga libri i prof. asoc. dr. Vesel Hoxha “Shënime në çadër”,