Ramiz Lela, drejtuesi i suksesshëm i arsimit


Njerëzit jetojnë në kohë dhe ecin bashkë me kohën. Kohën e bëjnë njerëzit; ata e përcaktojnë dhe i japin jetë kohës, por koha i formon, i njeh, i provon, i çmon dhe i vlerëson njerëzit. Nuk është thjeshtë fat, por është fakt që, vetëm me meritën e tij dhe vetëm për meritën e tij, Ramiz Lela, edhe tani që është në pension, ai është në kohë, është i respektuar dhe dinjitoz, më i respektuar dhe më dinjitoz se vetë koha. Ai ecën me kohën, ecën para kohës, i paraprin asaj. Ndodh kështu, sepse ai, puna, roli dhe kontributi i tij në zhvillimin e arsimit në Dibër, por edhe në Durrës, çmohen dhe vlerësohen maksimalisht, nga njerëzit, të  cilët, kanë njohur Ramizin dhe produktin e punës së tij shumëvjeçare, si drejtues i arsimit.
Megjithëse ishte në moshë shumë të re, kur nisi dhe filloi karrierën e tij si drejtues arsimi, fillimisht drejtor shkolle në shkollën e mesme Zall-Dardhë dhe në shkollën e mesme të përgjithshme Peshkopi, pastaj, për shumë vite me radhë, drejtoi arsimin në rrethin e Dibrës, me detyrën e përgjegjësit të seksionit të arsimit dhe kulturës në Peshkopi, ai, që në fillimet e punës dhe karrierës së tij, tregoi përgatitje të lartë profesionale dhe shkencore, manifestoi vullnet dhe përkushtim dhe dëshmoi aftësi dhe zotësi drejtuese dhe organizuese dhe, shumë shpejt, u afirmua si një intelektual me formim të gjithanshëm dhe si një drejtues arsimi shumë i suksesshëm.
Detyra e përgjegjësit të seksionit të arsimit dhe kulturës, që kryente Ramizi, nuk ishte privilegj dhe detyrë e lehtë, që mund të përmbushej vetëm duke njohur, studiuar, analizuar dhe kalkuluar statistikat arsimore, por përkundrazi, ishte një detyrë me përgjegjësi të madhe dhe shumë e vështirë, sepse kjo periudhë përkoi me një kohë të ngjeshur dhe të vrullshme pune, përkushtimi dhe mobilizimi të gjithanshëm për masivizimin, përhapjen dhe shtrirjen e arsimit të mesëm në të gjithë zonat e vendit, por edhe për rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe të gjithë procesit mësimor dhe edukativ në shkolla, për ta bërë shkollën një vatër të rëndësishme mësimi, edukimi dhe emancipimi shoqëror.
Puna dhe mobilizimi i gjithanshëm, veç të tjerave, konsistonte edhe në zgjidhjen e problemit të infrastrukturës, përmirësimin, përshtatjen dhe zgjerimin e objekteve shkollore ekzistuese, por edhe ndërtimin dhe ngritjen e godinave të reja  shkollore disa katshe, në disa zona të rrethit, si dhe ngritjen dhe pajisjen me laboratorë modern të klasave në të gjitha shkollat. Aq më e vështirë bëhej detyra e drejtuesit të arsimit, nga fakti se Dibra ishte një rreth me shtrirje dhe hapësirë të madhe gjeografike, duke filluar nga Stebleva, në kufi me Librazhdin dhe deri në Kala të Dodës e Reç, në kufi me Kukësin dhe që, megjithë përparimet e bëra dhe sukseset e arritura, përsëri Dibra trashëgonte probleme dhe problematika të shumta, me specifika të veçanta për çdo zonë.
Në punën e tij drejtuese, Ramiz Lela nuk u mbështet vetëm në zbatimin me korrektësi dhe përpikmëri të normave ligjore, të rregullave dhe rregulloreve, por, në radhë të parë, duke qenë vetë shembull dhe model i përkryer i përkushtimit, korrektësisë, këmbënguljes dhe mobilizimit për realizimin e detyrave dhe objektivave. Ai ishte vizionar dhe largpamës dhe i parandiente zhvillimet, prandaj me punë  dhe organizim i paraprinte zhvillimit, duke punuar me objektiva të qarta dhe konkrete për çdo ditë, javë, muaj e vit. Jo vetëm në punë, por edhe në jetën e përditshme, ai ishte njeri autoritar dhe autoriteti i tij, përveç formimit të tij intelektual, lidhej, rridhte e vinte nga karakteri, serioziteti, korrektësia dhe vetëdisiplina e tij shembullore. Në punë dhe në jetë, ai udhëhiqej nga ambicia, që, gjithmonë e vazhdimisht,  të përfaqësohej jo vetëm nga prania e tij, por edhe në mungesë të pranisë së tij, kudo e kurdoherë të përfaqësohej nga puna dhe rezultatet, nga sukseset dhe veprat. Egoja e tij profesionale për punë dhe sukses, për përparim dhe progres shihej me simpati dhe admirim, çmohej e vlerësohej maksimalisht dhe shpërblehej me mirënjohje dhe respekt nga njerëzit.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se tridhjetë vjet, qëkur Ramizi u largua nga Dibra për të jetuar dhe punuar në Durrës, në Dibër çmohet dhe vlerësohet puna dhe gjurmët e kontributit të tij shumëvjeçar në drejtimin e arsimit. Në përgatitjen, në formimin dhe rritjen profesionale, në përparimin dhe suksesin e sa e sa dibranëve të shkolluar e arsimuar në shkollat dhe universitete të vendit tonë, të  cilët punojnë dhe kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë, brenda dhe jashtë vendit, sigurisht është kontributi, mendimi, vendimi, dora dhe firma e Ramiz Lelës.
Pas shumë vitesh pune dhe karriere të suksesshme në rrethin e Dibrës, Ramizi transferohet për të jetuar në Durrës, ku vazhdoi punën dhe karrierën, fillimisht drejtor shkolle në shkollën e mesme, pastaj për shumë vite punoi në Drejtorinë Rajonale të ISSH, Durrës. Ashtu si në Dibër, edhe në Durrës punoi me përkushtim, korrektësi dhe seriozitet. Në punë dhe jashtë punës, ai vazhdimisht ka qenë dhe është mbështetje për komunitetin e madh dibran, në Durrës dhe në zonat përreth.
Nuk e kam vetëm mendim, por e kam  bindje të qëndrueshme dhe të konsoliduar se, në veçanti, ne, Dardha dhe dërnjanët, duhet t’i jemi mirënjohës, ashtu siç dhe i jemi, Ramiz Lelës, i cili, jo vetëm kur punonte në Zall-Dardhë, por edhe pasi u largua, asnjëherë nuk e harroi dhe nuk e shkëputi vëmendjen nga Dardha. Sigurisht, pa mënjanuar, shmangur dhe anashkaluar përcaktimet dhe normat ligjore, Ramizi e ka përkrahur dhe mbështetur me përparësi Dardhën, jo vetëm për arsimimin e djemve dhe vajzave dërnjane, por edhe përmirësimin e infrastrukturës shkollore. Qënia e Ramizit në drejtimin e arsimit në Dibër, për Dardhën dhe dërnjanët ishte një avantazh shumë i favorshëm.
E kam thënë dhe e kam përmendur edhe më parë, në takime  dhe biseda shoqërore rastësore, por nuk e shmang dhe nuk mund ta fsheh mendimin tim kritik për pushtetin vendor Zall-Dardhë, të djathtë dhe të majtë, të cilët, sipas mendimit tim, duhet të ishin kujtuar dhe të kishin menduar që me një vendim, i cili do të ishte plotësisht i arsyetuar dhe i justifikuar, për të vlerësuar dhe për t’i dhënë Ramiz Lelës mirënjohje publike institucionale. Ky shkrim i shkurtër, as nuk synon, as nuk përfaqëson dhe as nuk plotëson mungesën e mirënjohjes publike institucionale për Ramiz Lelën, por thjeshtë  është kujtesë mirënjohje a, ndoshta, nxit dikë a disa, që mund të marrin iniciativë dhe gjejnë ndonjë formë dhe mundësi për vlerësim dhe mirënjohje publike për Ramiz Lelën.
Nga Dr. Xhevdet Sula, ish nxënës i Ramiz Lelës:
P
ër mua  dhe për brezin tim, ishte fat i madh, që u shkolluam në kohën, kur arsimi dhe arsimimi i njerëzve ishte prioritet parësor dhe shumë i rëndësishëm i kohës dhe shkolla ishte shumë cilësore dhe, kjo lidhej e vinte dhe nga fakti se personeli mësimdhënës, përveçse ishte shumë i përgatitur profesionalisht, ishte edhe i përkushtuar maksimalisht për punë dhe sukses.
Në mendimin dhe vlerësimin tim, por edhe të tjerëve, Ramiz Lela ishte dhe mbetet njeriu, intelektuali dhe drejtuesi shumë i suksesshëm i shkollës dhe arsimit në Dibër. Megjithëse karrierën e tij drejtuese e filloi në moshë të re, përveçse shumë i përgatitur profesionalisht, ai ishte shumë i përkushtuar, korrekt, serioz dhe autoritar. Figura dhe personaliteti i tij ishin impresionues dhe shumë të vlerësuar, jo vetëm nga nxënësit dhe mësuesit, por edhe nga njerëzit e tjerë, edhe nga drejtuesit politik e shtetëror, jo vetëm në Dibër, por edhe në dikasterin e arsimit në Tiranë. Megjithëse vazhdimisht ka punuar e drejtuar në institucione të rëndësishme, ai, gjithmonë respektonte, vlerësonte, përkrahte, mbështeste dhe ndihmonte njerëzit e thjeshtë, punëtorin dhe fshatarin, minatorin e muratorin, bujkun dhe blegtorin, …
Vazhdimisht, por veçanërisht, kur ishte përgjegjës i seksionit të arsimit dhe kulturës dhe drejtonte arsimin në Dibër, ai i dha shtytje të madhe cilësore, zhvillimit të arsimit në Dibër, duke i dhënë prioritet arsimimit të nxënësve me rezultate të larta dhe duke krijuar një armatë të madhe intelektualësh dibranë, mjaftë të suksesshëm.
Ramiz Lela ishte, është dhe mbetet njeri shumë i vlerësuar dhe respektuar.