Sheh Sula i  Zerqanit, kleriku patriot, pjesëmarrës në të gjitha lëvizjet kombëtare të kohës


Me dëshirën dhe përkushtimin personal, për të hedhur sadopak dritë, mbi figurat klerikale e atdhetare, me bëma për fe e atdhe, të Teqes së Zerqanit, mora guximin të sjell për lexuesin, veprimtarinë fetare e atdhetare, të njërit prej pinjollëve të kësaj teqeje, Sheh Sulë Zerqanit.  Një ndërmarrje kjo, jo e lehtë, për arsye se sado të shkruash, përsëri do ndjehesh i mangët në atë që do mund të thuash. Kjo për faktin se veprimtaria e pinjollëve të kësaj familjeje të madhe, në udhëheqje të malit të Grykës së Madhe (Zerqanit), të Dibrës,  ka qenë dhe mbetet shumë më e gjërë, nga sa mund të shprehesh në kornizat e një shkrimi.  Në realizimin e këtij shkrimi, jam mbështetur kryesisht nga kujtimet familiare, të lëna me shkrim kryesisht  nga të ndjerët, e kësaj familje të madhe, Hajredin Shehu dhe  Myslim Shehu, si dhe kujtimeve gojore të Xhemile Shehut,  të mbledhura ndër  vite me shumë kujdes nga nipi i Sheh Sulës, Fadil Shehu, në formën e një dorëshkrimi, Po kështu një tjetër mbështetje ka qenë edhe libri  “Zëri i Brezave”, me autor Fadil Shehu dhe Gafurr Zoto, si  dhe dokumenta arkivore e muzeale, shkrime e libra të shumtë, të shkruara për këtë familje të madhe, të Teqesë së Zerqanit, nga autorë e historianë të shumtë.  .Zgjodha kryesisht trashëgiminë gojore ndër breza, të kësaj familje, gjë për të cilën ka merita Fadil Shehu që e ka mbledhur dhe sistemuar në formën e një dorëshkrimi, të cilin unë vetëm e sistemova, për ta bërë shkrimin më të ndjerë e sensitiv për lexuesit, por pa përjashtuar edhe të dhënat dokumentare e historike të kohës, të cilat nuk mungojnë..  .
– Sulejman Mustafa Shehu, i njohur si Sheh Sula i Zerqanit,  lindi në fshatin Zerqan të rrethit Bulqizë Dibër, në vitin 1833.  Lindur  në familjen e madhe dhe të njohur të shehelerëve të Zerqanit, fole e klerit mysliman ( sektit kadri)  e atdhetarizmit, në udheheqje të Grykës së Madhe (Zerqanit), një nga 9 Malet e Dibrës, bëri që ai të përfshihet, veç angahimeve klerikale  edhe  në të gjitha lëvizjet kombëtare të kohës, për liri e pavarësi të vendit..

Në dhe të huaj, që në moshën 10-11 vjeç.

– Ngjarjet e vitit 1844, ku i ati Sheh Mustafa i Zerqanit, udhëhoqi 9 Malet e Dibrës, në Luftën e Gjoricës, kundër Portës së Lartë, e  gjetën Sulejman Shehun vetëm  10-11 vjeç. Internimi dhe dënimi me burg të përjetshëm në Turqi i të atit Mustafait dhe xhaxhait,Mehmetit, në këtë periudhë, krijuan një boshllëk të madh te djaloshi i ri. Në të njëjtën kohë, kjo rriti ndjeshëm edhe urrejtjen e tij, ndaj pushtuesve osmanllinj.. Vrasjet, djegiet, plaçkitjet, dhunimet dhe rrënimet e shkaktuara nga ekspedita e Hajredin Pashës, pas humbjeve të mëdha që pësoi ne betejën e Gjoricës, do ta shoqëronin gjatë atë, në kujtesën e tij.  Pasojat e luftës padyshim që lanë gjurmë të pashlyeshme në të gjithë zonën e Grykës së Madhe. – Ja çfarë shkruan Myslim Shehu në memorien e familjes:  : “…Mbasi ushtria sulltanike i thej kryengrtësit, dogji aso kohe gjithë katundet e Grykës së Madhe. Dëshmi e gjallë e kësaj janë edhe sot shtëpitë-gërmadha të katundeve të djegura”.
Ndërkohë që i ati, Sheh Mustafa i Zerqanit, ishte i internuar dhe burgosur në Turqi (pas luftës së Gjoricës),  rrisku i rënies së djaloshit, pre e raprezaljeve te turqëve, ishte i madh. Në të tilla kushte, pikërisht  për ta shpëtuar atë nga këto raprezalje të ndjekjeve të turqëve, ,djaloshi i vogël me gjithë pjestarë të tjerë të familjes, lëvizin lart e poshtë, ndër miq e shokë, që ishin të shumtë, në gjithë zonën e Grykës së Madhe. Miq e të afërm, i sugjerojnë familjes, që ta nisnin Sulejmanin për në Turqi. Në shkrime të ndryshme,  vendosja e tij në Turqi është quajtur si internimi i parë i tij. Vendosja në Turqi do ta largonte nga persekucioni që e ndiqte për shkak të së kaluarës të të parëve, që kishin dalë kundër reformave Tanzimatiste, si dhe organizuar e drejtuar Luftën e Gjoricës, ku Hajredin Pasha, la në fushën e betejës, të paktën 900 ushtarë, sic thotë edhe kënga.  Familja e madhe e shehelerëve të Zerqanit edhe në Turqi,  kishte shumë miq e shokë, të zënë ndër vite, nga pinjollët e kësaj familjeje,  gjatë shkollimit të tyre atje..  Atje kishin studiuar e veshur Sheh Sulejmani i vjetër,gjyshi nga ana e babait,Hyseni. Ndërkohë në Turqi vazhdonin të ishin në burg me denime të përjetshëme,  i ati,Mustafai dhe xhaxhai,Mehmeti, mjaft të njohur tashmë nga Perandoria Osmane, për disfatën që i shkaktuan Hajredin Pashës, në Fushën e Gjoricës , . Rrugën për në Turqi kohë më parë e kishin marrë edhe shumë  nga Gryka e Mëdhe (Zerqani), të  cilët atje kishin krijuar një farë ekonomie e gëzonin emër të mirë mes bashkëkombasve të tyre shqipëtarë.
–  Me kujdesin e tyre të drejtpërdrejtë, djaloshi u regjistrua në shkollën fillore e më pas në medresenë “Hajdar Fatihu’ të Stambollit..  Që në fillim binte në sy për zgjuarsi dhe intelekt të veçantë.  Interes të madh për të,  vec fesë, ngjallin edhe shkencat e tjera. .Rreth vitit 1860 kreu me rezultate të shkëlqyera studimet. Për rezultate të mira, i’u  akordua  dekorata e “Ylldash Qoshkut” dhe grada  major,, tituj këto vetëm për studentë me rezultate të shkëlqyera.  Pas mbarimit të studimeve u ofrua të bëjë shërbesa fetare në njërën nga teqet e qytetit.  Këtu ruan lidhjet me bashkëkombasit e tij,por edhe me bashkëfshatarë të cilët vinin dendur në teqe. Falë cilësive të spikatura dhe kulturës së gjërë, si klerik musliman,  ai shpejt  u vesh Sheh. Në të njëjtën kohë, shërbesa në teqenë e Stambollit, mundësoi, që Sheh Sula tashmë, të bjerë në kontakt me tregëtarë,nëpunës e intelektualë  të ardhur këtu nga vise të ndryshme të Shqipërisë. Kështu, ai bie në kontakt me rilindasin Hoxha Tahsimin e atdhetarë të tjerë, me të cilët bashkëpunon në dobi të atdheut. Interes përbën për të themelimi i Shoqërisë Kulturore të Shqiptarëve të Stambollit, e cila krahas të tjerave punonte për sigurimin e mjeteve për shtypjen e librave shqip. Në këto shoqëri merrnin pjesë intelektualë dhe njerëz të thjeshtë. Sheh Sulejmani,  tashmemë rreth të tridhjetave,  falë influencës si klerik musliman dhe kulturës së gjërë që zotëronte, jo vetëm që bëhet pjesë e këtyre takimeve, por edhe jep ndihmesë të pakursyer në punën e saj. Ata më së shumti shërbyen për formimin atdhetar e kulturor të tij. .

Kthimi në vendlindje Zerqan.

Në fillim të vitev 18 70-të,  vendosi të kthehet në vendlindje,Zerqan,
Kthimi i tij u prit me shumë dashuri jo vetëm nga banorët e Zerqanit, por gjithë Grykës së Madhe dhe më gjërë. U gëzuan pasi u erdhi kleriku  patriot, prijësi i tyre. Tteqeja e Zerqanit me ardhjen e pinjollit të saj, të veshur Sheh, i sektit kadri, u rigjallërua.  Banesa, por edhe tyrbja, të dëmtuara që në kohë të rezistencës ndaj Hajredin Pashës,  duheshin rindërtuar. E ngriti atë edhe një kat. E rrethoi me mure të lartë dhe brenda avllisë ringriti tyrben
Dijet e thella klerikale muslimane dhe ata në fusha të tjera, të mbrujtura nga urtësia, fjala e matur me tolerancë, e mbi të gjitha me patriotizëm, gjatë ceremonive fetare, me besimtarët, e lartësuan shumë atë., Ashtu si dikur në kohën kur në krye të Teqesë së Zerqanit, ishte Sheh Mustafa, edhe tani me ardhjen e djalit të tij, Sheh Sula, fjala e tij, zinte vend dhe kishte shumë peshë tek banorët e zonës, por jo vetëm.  Sjellim në vëmendje se klerikët e Teqes së Zerqanit, të paktën që nga Sheh Mustafa, janë shfaqur në komunikim e korrespondenca me letra , me krerët e Kosovës dhe Shqipërisë së Mesme. Aktiviteti fetar dhe patriotik i Sheh Sulës në krye të Teqesë së Zerqanit, ka lënë gjurmë të thella , duke e bërë atë jo vetëm prijës të Grykës së Madhe (Zerqanit), por fjala e tij kishte peshë të madhe, në të gjithë malësinë e Dibrës..
Veprimtaria fetare dhe patriotike e klerikëve të Teqesë së Zerqait, e plazmuar dhe zhvilluar në vijimësi nga pinjollët e saj, i lidhte ata pazgjidhshmërisht me shtresat e gjëra të popullsisë,por edhe me krerë e prijesa të tjerë të Grykës së Madhe ,Bulqizës e më gjërë.. Në këtë kuadër, Sheh Sula, i rivitalizoi këto lidhje, ndër të cilat  një vend të veçantë zinte Sheh Aliu, Sheh Fejz Bulqiza, Fazli Malja, etj. ..
I shkolluar dhe me kulturë të gjërë, Sheh Sula,  dallohet edhe si një politikan i mirfilltë, i ccili e kuptonte se me rënien e Perandorisë Osmane, që ishte në prag, Shqipëria kërcënohej seriozisht prej coptimit të saj, nga shtetet fqinje.  Kjo bëri që ai ta kthente Teqenë e Zerqanit, jo vetëm si një vatër të predikimeve të relegjionit musliman, por edhe si një vatër të edukimit patriotik për mbrojtjen e Atdheut.  Duke punuar kështu me moton; -“për fe dhe atdhe”. Në këtë periudhë puna e palodhur e Sheh Sulës, e forcoi edhe ekonomikisht Teqenë e Zerqanit. Për cdo ditë Teqeja kishte hyrje-dalje të shumta, nga banorë të zonës, por edhe nga miq e të ardhur nga vise të tjera.  Emri i Sheh Sulës, tashmë njihej edhe përtej Grykës së Madhe, zonave përreth e Dibrës, duke shtuar kështu, shokë e miq të tij, në të gjithë vendin.
Kjo bëri që Sheh Sula të ndërhyjë në rikonstruksionin e banesës,  duke e ngritur atë  edhe një kat  më lart, duke shtuar  kështu ambiente të reja për banim,, shërbim.për besimtarët dhe pritje-përcjellje të të ardhurve të shumtë. Në katin e dytë u kompozua një dhomë me dimensione 5×7 m. Në krye të saj,përballë derës kryesore, u ndërtua një pjesë e ngritur me dimensione 2X2.5 m dhe lartësi 20cm nga dyshemeja. Në këtë dhomë apo siç quhej ndryshe,selamllëku, rrinte e priste miq të rëndësishëm Sheh Sula. dhe të tjerë pinjollë të familjes. Ndërkohë u ndërtua edhe avllia me mure të larta, brënda së cilës u ngrit edhe “Tyrbja” duke i dhënë kështu ndërtesës, pamjen e një kompleksi ndërtimor, me cilësi të vecanta.
Kujtojmë se nisur nga vlerat ndërtimore e historike banesa komplekse e Teqesë së Zerqanit, është shpallur “Monument Kulture” në vitin 1977  dhe iu nënshtrua një ndërhyrje restauruese nga Instituti  Monumenteve të Kulturës, dega Dibër.  Aktualisht ndërtesa ka nevojë për rindërhyrje, në përpjekje për ruajtjen e vlerave të saj, të vecanta, historike e ndërtimore…
Konaqet e Teqesë së Zerqanit, me zgjerimin e tyre, krijuan  mundësi, për më shumë pritje e përcjellje, ku porta e saj qendronte non-stop 24 ore. Dyndeshin për cdo ditë, besimtarë të shumtë, jo vetëm nga zona, por edhe zona për rreth e më gjërë, në plotësim të riteve fetare, si dhe zgjidhjes së konflikteve të mundshme që ata kishin mes tyre. Autoriteti i Sheh Sulës, rritej vazhdimisht. Fjala e tij në një farë kuptimi, në mungesë të ekzistencës së autoritetit shtetëror, ishte dhe mbetej, vendimi dhe zbatimi i saj nga ana e banorëve. Kjo bëri që në të gjithë Grykën e Madhe (Zerqanin), të mos kishte asnjë lloj hasmërie, konflikti e hamarrje mes banorëve e fiseve  Sheh Sula me vizitorët e ardhur në Teqe, bisedonte e predikonte, jo vetëm për fenë, por edhe për konfliktet mes banorëve e zgjidhjen e tyre, si dhe për atdhedashurinë e fatet e të ardhmes së tij, pas tërheqjes së Portës së Lartë nga Ballkani, gjë që ishte në prag. Duke e kthyer kështu Teqenë e Zerqanit, jo vetëm në një çerdhe të relegjionit mysliman, por edhe të atdhetarizmit.
Në katin e dytë të banesës ishte një dhomë me dimensione 5x6m. Afër oxhakut,përballë derës, si i themi ne, në krye të vendit, ishte një pjesë e ngritur në formë drejtkëndëshi,2 m e gjërë ,2.5m e gjatë dhe lartësi 0.25m. Ajo ishte mbuluar me sixhade e lëkurë deleje dhe  rrethonte oxhakun. Në të dyja anët e oxhakut kishte pjesë në formë dritaresh,të mbyllura.  Këtu mbaheshin takëmet e Shehut.si: cigarishten e gjatë prej fildishi, kutinë e duhanit, veglat për ndezjen e cigares si dhe sende të tjera personale. Pranë mbante libra fetarë mbi të cilët kalonte një pjesë të madhe të kohës.
Në këtë dhomë ose siç quhej ndryshe selamllëku i Sheh Sulës, kalonte mes librave , miqve e bashkëfshatrëve kohën më të madhe. Aty hynin e dilnin miq e shokë të rëndësishëm të familjes nga qyteti i Dibrës së Madhe, Gryka e Vogël, Gryka e Madhe, Martaneshi, Mati e gjetkë.  Mes tyre kish miq e shokë të të atit, Mustafait, por dhe  njerëz të thjeshtë që vinin për sherbesa fetare e zgjidhje konfliktesh gjithfarësh.
Sheh Sula gjatë bisedave e predikimeve fetare, përcillte  tek  të ardhurit e shumtë mesazhin e vllazërimit,,paqtimit  e të atdhedashurisë. Temë e shpeshtë me të pranishmit,  ishte edhe ajo e marëdhënieve mes fesë e kombit. Shpjegimi fetar dhe filozofik që u bënte dukurive të tilla, ngjallnin kureshtjen e dëgjuesve. Gjatë bashkëbisedimeve,  përcillte për  ta,  dallimin esencial mes principit të fesë mbi vllazërimin e kombeve dhe politikës antikombëtare që ndjekin  pushtuesit osman. Tema të tilla që Sheh Sula i përcillte me një gjuhë të pastër e kulturë të lartë, i bënin për vete të pranishmit.pjesmarrës të shumtë në këto dëgjesa.
Falë shkollimit  e formimit të tij intelektual, ai e kuptonte se Atdheu, me largimin e Turqisë, do binte pre e lakmive të shteteve fqinj, që do turreshin per coptimin e tij, në copa për vete. Kështu Sheh Sula, u njoh edhe si një figurë e rëndësishme patriotike me shumë influencë, jo vetëm në Grykë të Madhe (Zerqan), por edhe në Dibër e gjithë malësitë e saj. Veprimtaria e tij patriotike, krahas asaj klerikale, erdhi gjithnjë e në rritje, sidomos pas vitit 1975, kur sundimi i Perandorisë Osmane, sa vinte e dobësohej. Këtë situatë Sheh Sula e kuptonte mjaft mirë dhe vendosi që ta shfrytëojë atë, për rritjen e ndjenjave patriotike, tek banorët e zonës, por jo vetëm.  Në cdo bisedë të tij, me besimtarët, miqt e të ardhurit, ai kurrë nuk harronte të fliste, për çështjen kombëtare shqiptare. Kjo veprimtari e tij, nuk kishte si të mos binte në sy të rretheve të patriotëve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të kohës, me të cilët mbante korrespondencë të rregullt,  ndër  ta  edhe me rilindasin e madh, Abdyl Frashërin.  Viti 1878, ishte viti i ngjarjeve dhe zhvillimeve të mëdha politike,. Ishte koha kur Marrveshja e Shën Stefanit, mes Rusisë dhe Turqisë, pas firmosjes së saj, nuk i njohu Shqipërisë, asnjë të drejtë territoriale. .Kjo krijoi kushtet që Kongresi i Berlinit që pritej të zhvillohej, pas Marrveshjes së Shën Stefanit, nga Fuqitë e Mëdha, me shumë mundësi, ashtu sic edhe ndodhi, do t’i  hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, ndër të cilat edhe Dibra. Në këtë situatë, atdhetarët shqiptarë ideuan të mbajnë mbledhjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman, si dhe mbrojtjen e tërësisë territorial të shqiptarëve..
Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar në Prizren, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë dhe shkëputjen nga sundimi osman.
Sheh Sula i Zerqanit, pjesmarrës në  Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe organizimin e Kuvendit të Dibrës.

Ndërkohë që Lidhja Shqiptare e Prizrenit, përpiqej ta shtrinte autoritetin e saj, në viset shqiptare, ishte rritur dukshëm, rreziku i copëtimit të trojeve nga fqinjët. Një situatë e tillë, bëri që të mblidheshin në Stamboll, nën kryesinë e Abdyl Frashërit, Komiteti i Stambollit, ku mori pjesë edhe Sheh Sula i Zerqanit, anëtar i këtij komiteti. Komiteti diskutoi domosdoshmërinë për krijimin e një vilajeti shqiptar, me ushtrinë e vet kombëtare , administratë e shkolla në gjuhën shqipe, si dhe mbrojtjen e çdo pëllëmbe tokë shqiptare.
Fillimisht vendimet e Komitetit të Stambollit, u shtruan për diskutim në Degën e Lidhjes së Prizrenit të Dibrës, që padyshim, ishte nga më aktivet në vend, duke u bërë kështu edhe qendra e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në një situatë të tillë, krerët dibranë, ju vunë punës për organizimin e një kuvendi të jashtëzakonshëm në Dibër, ku përpos aktivistëve të tjerë dibranë, të Degës së Lidhjes së Prizrenit, një rol të rëndësishëm luan edhe Sheh Sula i Zerqanit. Fakti që në këtë kuvend morën pjesë delegatë nga Fusha dhe Malësia,bënte të besueshme se Sheh Sula i Zerqanit, pati dukshëm ndikim, në organizimin e këtij kuvendi. Ja ç’farë shkruan Kristo Frashëri, në librin Historia e Dibrës: “Në Degën e Lidhjes për Dibrën, krahas Iljaz pashës (Qokut,shënimi im) qendronte edhe përfaqësuesi kryesor i maleve, Sulë Zerqani,biri i Sheh Mustafait, ky i fundit një nga udhëheqësit e shquar të luftës së Gjoricës”.
Kuvendi i Dibrës i mbajtur më 14 tetor 1878, miratoi Rezolutën e Komitetit të Stambollit, që drejtohej kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe posaçërisht kundër copëtimit të trojeve shqiptare. Menjëherë më pas nis puna për mbajtjen e një kuvendi më të gjerë, po në Dibër. Në përmbushje të këtij zotimi, Sula i Zerqanit, zhvilloi një punë të madhe, duke organizuar takime me banorët lokalë, për sensibilizimin e tyre, në lidhje me nevojën e mbajtjes së këtij kuvendi të madh, i cili u zhvillua më 1nëntor 1878. Rozoluta e miratuar nga kuvendi, evidentonte qartë rrezikun që i kanosej Shqipërisë, prej copëtimit të saj nga monarkitë fqinje..-Ndër personalitetet më të shquara që u solidarizuan me këtë rezolutë dhe e nënshkruan atë, ka qenë edhe Sheh Sula i Zerqanit (Kristo Frashëri, Historia e Dibrës, faqe 268).
Në këtë periudhë, Dibra bëhet dukshëm epiqendra e aktiviteteve të Lidhjes së Prizrenit, duke u bërë njëherësh jo vetëm vatra kryesore e rezistencës kundërosmane, por edhe e rrezikuar nga copëtimi prej fqinjëve.

Abdyl Frashëri, në Zerqan, tek Sheh Sula

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pas formimit të saj, dukshëm e zhvendosi qendrën e veprimit të saj, në Dibër, duke e bërë atë një qendër të sigurt, të veprimtarive të saj. Kështu eventet e zhvilluara në Dibër, nuk munguan, ku nga 20-24 tetor 1880, u mbajt në Dibër, një tjetër kuvend i madh, ku morën pjesë 300 delegatë të siguruar nga 5000 vetë të armatosur. Ndër vendimet më të rëndësishme të këtij kuvendi ishte edhe ai për krijimin e një vilajeti të vetëm autonom shqiptar, me një qeveri të përkohshme. Në këtë kuvend mori pjesë edhe Abdyl Frashëri, i cili gjatë kthimit për në Jug, bujti një natë në Teqenë e Zerqanit, tek Sheh Sula. Kjo vizitë e atdhetarit dhe ideologut të lëvizjes sonë kombëtare, veç traditës, ishte një vlerësim për Grykën e Madhe, si zonë e sigurt për atdhetarët. Por natyrisht, qendrimi i Abdyl Frashërit, tek Sheh Sula i Zerqanit, ishte njëherësh edhe një vlerësim për kontributin që kjo teqe, kishte dhënë në dobi të kombit.
Sipas traditës, mikut të largët dhe të nderuar, ju sigurua një mikpritje e ngrohtë. Atë natë, teqeja u mbush plot me burra nga Gryka e Madhe dhe më gjrë, të cilët kishin ardhur për të biseduar me mikun e veçantë për vendimet më të fundit të marra në Kuvendin e Dibrës. Të nesërmen i shoqëruar nga njerëz të sigurtë, Sheh Sula e përcolli mikun e nderuar për në Okshtun tek Hasan (Hoxhë) Moglica.
Që këtu Abdyl Frashëri udhëtoi për në Elbasan, ku edhe u arrestua nga autoritetet ushtarake turke. Ndërkohë Dibra, nën veprimtarinë e patriotëve të lëvizjes kombëtare, ishte ngritur në këmbë, kundër administratës osmane . Në të tilla kushte, valiu i Kosovës, duke e pranuar këtë realitet, kërkon nga Stambolli, që të dërgojë në Dibër, një autoritet të lartë, për ta larguar popullin nga Lidhja Kombëtare Shqiptare. Sheh Sula i Zerqanit, me njerëzit e tij nga Gruka e Madhe dhe Bulqiza, u vu në ballë të rezistencës, për mbrojtjen e administratës, që Lidhja kishte ngritur në këto anë.

Internimi në Turqi, atje ku shumë vite më parë, ishte internua i ati

Forca të shumta ushtarake turke, arritën të shtypin këtë lëvizje të dibranëve, ku më pas autoritetet turke, arritën ta arrestonin edhe Sheh Sulën, të cilin e nisën për në Turqi, në internim, atje ku vite më parë ishte internua edhe i ati.
Në kujtimet e lëna nga i nipi, Sheh Hajredin Shehu, thuhet:
“Pas shtypjes së Lidhjes, i ndjeri Sheh Sula, u kap dhe u internua atje ku shume vite më parë ishte internua i ati, Sheh Mustafa, organizatori dhe udhëheqësi i luftës së Gjoricës, më 1844, kundër Hajredin Pashës. Shehu vuajti shumë vite në internim, por nuk i shkëputi në asnjë moment lidhjet me Komitetin Shqiptar të Stambollit. Shehu vuajti për rreth dy vite në internim.. Gjatë viteve të internimit në Stamboll, Shehu nuk e ndërpreu aspak lidhjen me veprimtarët e lëvizjes kombëtare shqiptare, sidomos me Komitetin e Stambollit, ku ishte edhe pjesë e anëtarësisë së tij. Në këtë kuadër, një nga diskutimet që shtrohej për zgjidhje nga Lidhja, ishte dhe mbetej hapja e shkollave private shqipe. Hapja e shkollave shqipe, ishte një kërkesë e kahershme, nga ana e Komitetit të Stambollit, që para mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit, krahas asaj për pavarësinë e Shqipërisë dhe moscoptimin e trojeve shqiptare. Kështu Sheh Sula, priste me padurim të lirohej nga internimi, për tu rikthyer në vendlindje Zerqan, për të realizuar misionin e shumëpritur për hapjen e shkollave shqipe. Rreth vitit 1885, kthehet në vendlindje Zerqan.
Ishte moment kur autoritetet turke, kishin nisur përpjekjet për hapjen e shkollave turke, në vendin tonë, gjë që e bënte emergjente për veprimtarët e rilindjes kombëtare shqiptare, hapjen e shkollave në gjuhën shqipe, për të realizuar pavarësinë e Shqipërisë. Në përpjekjet e qarqeve osmane, në sanxhakun e Dibrës, arritën që më 1887, të hapen 11 shkolla private sabiane (turke). Përpjekje për hapjen e shkollave turke, bëheshin edhe në Grykën e Madhe (Zerqan), ku dhe u hap një shkollë e tillë. Autoritetet osmane, në përpjekje për hapjen e shkollave turke, kërkonin të siguronin edhe mbështetjen e autoriteteve vendore, nga radhët e pleqësisë. Kështu në ceremoninë e hapjes së shkollës fillore turke, në Zerqan, u ftua edhe Sheh Sula, prania e të cilit ishte e rëndësishme, si prijës i Grykës së Madhe, njeri me kulturë të gjerë, autoritar e klerik i shquar.
Sipas kujtimeve gojore, të lëna nga një prej grave të ndjera, të shehlerëve të Zerqanit, Xhemile Shehu, që thirrej nënë Tija, (kujtime të mbledhura nga Fadil Shehu), thuhet se Shehu e shfrytëzoi këtë rast, ku duke marrë fjalën theksoi: “Edhe kjo shkollë kulturë jep, por do të ishte më mirë të hapej në gjuhë shqipe”.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit të Perandorisë Osmane, mësohet zyrtarisht se kjo shkollë fillore turke, në Zerqan, u hap më 1893.
Në këto momente Shehu i shtoi përpjekjet, në realizimin e misionit, për hapjen e shkollave shqipe, në Zerqan. Kështu, ai shton ecejaket, në Dibër të Madhe, ku takohet me Said Najdenin dhe Shaqir Dacin dhe atdhetarë të tjerë, të cilët kishin shtuar përpjekjet për hapjen e shkollave shqipe në Dibër. Shehu bëhet një pjesëmarrës tepër aktiv, në veprimtaritë për hapjen e shkollave shqipe, sidomos në Grykën e Madhe dhe Grykën e Vogël.

Sheh Sula, drejtues i shkollës së parë shqipe
në Zerqan

Edhe pse autoritetet turke, ishin hedhur në sulm të hapur, kundër çdo përpjekje për hapje të shkollave shqipe, Sheh Sula, vijon luftën pa u ndalur për këtë qëllim.
Pas shumë përpjekjesh, Shehu arriti që më 1893, të hapë në Zerqan të parën shkollë private fetare, në gjuhën shqipe. Por kjo nuk mjaftonte, pasi duheshin shkolla të mirëfillta shqipe. Ndaj Shehu, vazhdonte të punonte pa u lodhur për këtë qëllim. Kështu nën kujdesin e tij, fillon mësimi i gjuhës shqipe fshehurazi, nëpërmjet abetareve që silleshin prej Stambollit. Më 27 shkurt 1899, u mblodh Kuvendi i Madh i Dibrës, në fushën e Qernanicës, afër Sheherit, aty ku mblidheshin zakonisht kuvendet ndërkrahinore të dibranëve, ku si gjithmonë i pranishëm edhe Sheh Sula. Në Kuvendin e Qornanicës morën pjesë më shumë se 1000 vetë, mbase edhe 1500 vetë (Kristo Frashëri, Historia e Dibrës faqe 306). Ndër detyrat e shtruara në këtë Kuvend, krahas të tjerave ishte edhe ajo e lëvrimit të gjuhës amtare, nëpërmjet hapjes së shkollave shqipe (Kristo Frashëri, Historia e Dibrës, faqe 307). Gazeta “Dita”, Sofje, shkruante më 30 nëntor 1901, se veprat shqipe, të botuara jashtë vendit, vinin në Sheher, nëpërmjet Shkupit, shpërndaheshin në fshat me anën e bazave të krijuara në Zerqan, Bulqizë, Homesh, Bllacë, Bohmovë, Lurë, Gollobordë, Rekë e gjetkë (K.Fashëri, Historia e Dibrës faqe 318). Sheh Sula tepër aktiv, predikonte ndër banorë se vetëm me gjuhë mbrohet atdheu, me shkolla mirësohet kombi. Ndaj e gjithë veprimtarisë e tij në këtë periudhë, ju përkushtua përhapjes së shkrimit shqip..
Kongresi i Dibrës, i vitit 1909, ndër të tjera shtroi nevojën e hapjes së 250 shkollave fillore në gjuhën shqipe. Në Grykën e Madhe, hapja e këtyre shkollave, kishte mbështetjen e madhe të Sheh Sulës, i cili vijonte punën prej vitesh për këtë qëllim. Në një raport nga Durrësi, që mban datën 11 maj 1910, nr. 16, mësojmë se Fuat Beu (Dibra), kishte hapur dy shkolla fillore private, një në Tiranë dhe një në Zerqan. Më tej në këtë raport shënohet se drejtimi i shkollës së Zerqanit, është në duart e Shehut Sula. Kështu ndërtimi i godinës dhe e gjithë veprimtaria mësimore e kësaj shkolle, u bë nga Sheh Sula. Godina ka shërbyer si shkollë për vite me radhë dhe mbas çlirimit të vendit, ka shërbyer si PTT, aktualisht edhe sot qëndron në këmbë. Shehu ishte njeriu më i gjetur në këtë detyrë, dashamirës, kontribues, mbi të gjitha falë kulturës së gjerë, një drejtues i vlefshëm. Shkolla shqipe e Zerqanit, ishte ndër filizat e para, të arsimit shqip, në zonën e Dibrës dhe më gjerë. Pas kësaj përpjekjet e Sheh Sulës, në fushën arsimore vijuan më tej. Shehu i shtoi lidhjet me atdhetarë nga Dibra e Madhe, veçanërisht me Haziz Menzelxhiun, Iljaz Pashë Qokun etj. Nga ata siguronte libra në gjuhën shqipe, që fshehurazi vinin në Zerqan. Në këtë periudhë lufta për hapjen e shkollave shqipe, kishin përfshirë dy Dibrat, Malësinë dhe Matin. Hapja e shkollës së parë shqipe private në Zerqan, ishte kurorëzim i përpjekjeve të kahershme të banorëve të kësaj krahine, nën drejtimin e Sheh Sulës. Kjo ishte ndër filizat e para, të arsimit shqip, në këtë zonë, ku terrori i pushtetit turk, ishte shumë i egër.. Shtypi i asaj kohe shkruante se dibranët kërkojnë 500 abetare shqip, sepse i kanë hyrë mësimit të gjuhës shqipe, që është aq e mirë, aq e bukur. Në këto përpjekje, përveç Sheh Sulës, ndihmesë dhanë edhe veprimtarë të tjerë nga gryka e Madhe si, Ismail Kurti, Riza Shehu, Hajdar Sula, Mustafa Sula, Ram Ceka, Mehmet Myrtezai, Ali Kaçani etj. Shkolla shqipe e Zerqanit nuk e pati jetën e gjatë, vetëm dy muaj, pasi u mbyll nga ndërhyrja represive e forcave ushtarake turke, të Shefqet Tërgut Pashës. Masat represive që ndërmorën osmanët, nuk e tërhoqën Shehun për asnjë moment, në përpjekjet e tij, për arsimin shqip. Përkundër kësaj ai vazhdon luftën kundër përpjekjeve të autoriteteve turke, për hapjen e shkollave me arfe arabe.

Sheh Sula, refuzon ftesën e Sulltanit,
për në Stamboll

Kthimi i Sheh Sulës, nga internimi, në vendlindje Zerqan, përkoi me përpjekjet që bëheshin, për thirrjen e Kuvendit të Dibrës, 1899. Komisioni nismëtar që merrej me thirrjen e tij, kishte tek Sheh Sula një njeri të sigurtë, i cili u ofroi atyre gjithë mbështetjen e tij..
Kuvendi formoi një Beslidhje, nga ku u krijua edhe Komiteti i Lidhjes. Gjatë viteve 1900-1901, Porta e Lartë mori një sere veprimesh të ashpra, për shtypjen e beslidhjes së Dibrës. Për zbutjen e situatës, Porta e Lartë, ndërmori një sërë reformash, ndër ta edhe lidhjen me rrugë të Dibrës me Manastirin. Po në këtë kuadër, më 1901, Sulltani, ftoi në Stamboll, krerët e Dibrës, ndër ta edhe Sheh Sulën e Zerqanit. Fakti që në Stamboll, së bashku me krerët e tjerë të Dibrës, ftohej edhe Sheh Sulejman Zerqani, dëshmon se tashmë ai vlerësohej ndër krerët më me influencë, në sanxhakun e Dibrës. Jo vetëm Sheh Sula, por edhe krerët e tjerë, kishin shprehur mosbesim, ndaj reformave që po ndërmerrte Porta e Lartë. Ata nuk mund të harronin rastet kur krerë të tillë të ftuar nga autoritetet e larta turke, kishin përfunduar të asgjësuar fizikisht, në pusirat e ngritura ndaj tyre. Kështu ftesa e Sulltanit, u bë object diskutimesh , në takimet krahinore. Për këtë arsye, populli i krahinave, reciprokisht nuk dha pëlqimin, për vajtjen e tyre në Stamboll.

Pjesëmarrës në lëvizjet atdhetare,
të fillim shekullit të 20-të.

Pas Kuvendit të Dibrës 1909, Sheh Sula e zgjeroi veprimtarinë atdhetare, veçanërisht në prag të kryengritjeve të mëdha të viteve 1909-1912.
Në prill të 1910, Sheh Sula me vullnetarë nga Gryka e Madhe (Zerqani), shkon në ndihmë të Kosovës, kundër ushtrisë turke, të drejtuar nga Shefqet Tërgut Pasha, Gjatë vitit 1911, Shehu i teqes së Zerqanit, bëhet inicues i disa takimeve, ku diskutohet për të ardhmen e vendit. Sipas trashëgimisë gojore, të teqesë, mbledhur nga Fadil Shehu, mësohet se një takim i tillë u organizua e zhvillua nga shehu i Zerqanit, në teqen e tij, në mars të vitit 1911. Erdhën aty për të marrë pjesë krerë nga Gryka e Madhe, Gryka e Vogël, Bulqiza, si dhe njerëz të thjeshtë, atdhetarë të lëvizjes për pavarësi. Autoritetet turke, sapo mësojnë për këtë takim, ndërhyjnë për ta kthyer atë në favorin e tyre. Ndërkaq debatet mes tyre ashpërsohen së tepërmi. Për ta zgjidhur situatën, Sheh Sula, bisedon me Zenel Hoxhën e Gjurasit, i cili u merr leje të pranishmëve dhe del jashtë. Pas pak, Zeneli rikthehet në dhomë ku debatet vazhdonin. Në kokë mbi qeleshen e vjetër, kishte vënë një të re, bardh si bora. Të pranishmit e kuptuan alegorinë e këtij veprimi, që përkthehej; “ se tani e mbrapa, ata duhej të kapeshin mbas të resë (lufta për pavarësi), e të flaknin tutje të vjetrën, që për ta ishte pushteti turk. Myslim Shehu, në kujtimet e tij shkruan; – “ Sheh Sula qe i pari që ngriti 12 katundet e Grykës së Madhe dhe të Bulqizës, kundër turqëve të rinj, t’u kërkuar të drejtat kombëtare, kërkesa këto të njëjta me ato të Kosovës”.
Gjatë pranverës së 1912, tubimet e parisë dibrane, pasojnë njëri tjetrin. Kështu një i tillë zhvillohet në mars të 1912, tek varret e Shupenzës, që ndryshe njihet si “itifaku i Shpenzës”. Edhe këtu, Shehi i Zerqanit, spikat me fjalën dhe fuqinë e mendjes.
Autoriteti i padiskutueshëm, në radhët e krerëve dhe njerëzve të thjeshtë, ishte i nevojshëm, për mbajtjen e këtyre kuvendeve, pasi fjala e tij kishte shumë peshë. Të dërguarit e mytesarifit të Dibrës, në këtë kuvend, i kërkuan besë Shehut të Zerqanit. Përgjigja e tij ishte e prerë: “Ne e kemi lidhur një itifak me Turqinë dhe për këtë jemi marrë vesh. Po u respektuan kërkesat tona dhe ne jemi në itifak”.
Autoritetet turke, në këto takime, nuk arritën asnjë farë marrveshje, përkundrazi në këto lëvizje, dibranët gjithnjë e më shumë ndërgjegjësoheshin në rrugën e kryengritjes së armatosur. Lëvizjet politike, ku prania e Sheh Sulës, ishte shumë e rëndësishme, arritën kulmin, me kuvendin e madh tek Gropa e Ujkut në Homesh, në maj të 1912. Ja ç’farë thuhet për këtë kuvend në Historia e Shqipërisë vol II Tiranë 1984 fq. 196: “Malësorët e Dibrës lidhën besën në kuvendin e dhe’ut, për t’i dëbuar turqit nga treva e tyre”. Në Historinë e Popullit Shqiptarë Vol. II. Tiranë 2002 fq. 478 shkruhet: “ Malësorët e Nëntë Maleve të Dibrës së Epërme e Dibrës së Poshtme, thirrën kuvendin e Dhe’ut te vendi i quajtur Gropa të Ujkut. Këtu u kërkua largimi i forcave ushtarake dhe postave të xhandarmërisë, hapja e shkollave shqipe, anullimi i detyrimeve të vegjëlisë dhe kryerja e shërbimit ushtarak në vend.
Në kryengritjen e përgjithshme dibrane të 1912-ës, Sheh Sula, mbështetësi më i flaktë i kryengritësve nacionalistë të Dibrës.
Fillimi i kryengritjes së përgjithshme dibrane në 1912-ën, u shoqërua me dezertime në masë, në radhët e ushtrisë turke. Komitetet e fshehta, në malet e Dibrës, zhvilluan një propagandë të gjithanshme, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt në fenomenin e kësaj braktisje, të ushtrisë turke. Në këtë situatë Sheh Sula, përveç kontakteve me krerë kryengritës, e shndërron Grykën e Madhe, në bazë ku gjejnë mbështetje ushtarakët e arratisur. Gryka e Madhe, kishte një pozicion të rëndësishëm strategjik, si atë të hapjes drejt perëndimit, përmes Qafës së Buallit, ashtu edhe drejt Shengjergjit, nga Tërnova.
Myslim Shehu, në kujtimet e tij familjare shkruan: “ Më 1912 të gjithë ata oficerë shqiptarë, 14-15 syresh, që ishin në ushtrinë turke, në Dibër të Madhe, u larguan nga ushtria dhe erdhën në teqe, tek Sheh Sula, ku dhe ishin më të sigurt. Ndërsa Haki Stërmilli shkruan: “Të gjithë kryengritësit e Dibrës së Epërme, u tërhoqën në Grykë të Madhe, qendër e kryengritësve caktuar për ta”.
Sheh Sula ishte njeriu më autoritar dhe që gëzonte mbështetjen e kryengritësve, në gjithë Dibrën e Epërme. Me të tashmë lidhej ngushtë edhe çeta që komandonte i nipi, Tush Shehu.
Luftërat ballkanike që nisën në korrik të 1912, çuan në zhvillime të reja, ku vendi rrezikonte copëtimin, si pasojë e lakmive të fqinjëve. Në këto zhvillime të reja, Sheh Sula edhe pse në moshë të thyer, mbi 75 vjeç,ishte koordinatori i rezistencës, të çetave të Grykës së Madhe e Bulqizës.
Myslim Shehu shkruan: “Sheh Sula gjatë luftës ballkanike, me rastin e mësymjes së ushtrisë serbe në vendin tonë, ku Gryka e Madhe ishte porta hyrëse, organizoi mbrojtjen e vendit në dy pika; ura e Spiles, me forcat e Grykës së Madhe, Bulqizës dhe Gollobordës dhe ura e Topojanit me forca të Grykës së Vogël, të udhëhequra nga Mersim Dema. Me formimin e qeverisë së Vlorës, ku pjesëmarrja e Shehut, nuk u mundësua për shkak të moshës së thyer, dilte me rëndësi bashkimi i krahinave rreth saj. Natyrshëm që fjala e Sheh Sulës, ndikonte shumë në këtë drejtim, jo vetëm në Grykë të Madhe, por edhe më gjerë. Për këtë Shehu, kishte gjithë mbështetjen e qeverisë së Vlorës.
Në 1913 e në vijim, aksionet serbe, me sulme të fuqishme ushtarake, në drejtimet Dibër e Madhe – Gollobordë dhe Dibër e Madhe – Zerqan, ndeshën në qëndresë të fortë mbrojtëse, nga banorët e këtyre zonave. Sheh Sula, si gjithmonë, edhe pse mosha nuk ja lejonte, vihet në organizimin e një qëndrese të vendosur, nëpërmjet çetës së Tush Shehut, Hajredin Shehut, nipi i Sheh Sulës, Ymer Previzit dhe Destan Pucës. Kështu në një sulm të trupave serbe dhe mercenarëve të Esat pashë Toptanit, Tush Shehu me çetën e tij, u zuri pritë atyre në Zerqan, për tu dhënë kështu mundësi largimit të fëmijëve dhe pleqve, për të shmangur vrasjet e tyre. Edhe pse fuqitë e lanë, për shkak të moshës së thyer, Sheh Sula, deri sa mbylli sytë, më 1917, në moshën 84 vjeçare, nuk u dorëzua në qëndresën e tij, në mbrojtje të vendit, ku me veprimtarinë dhe bëmat e tij, e ktheu teqenë e Zerqanit, në çerdhe të nacionalizmit
Veprimtaria e Sheh Sul Zerqanit, për liri e pavarësi, edhe pse u zhvilluan në kuadër të një udhëheqësi krahinor, të Malit të Grykës së Madhe, Zerqanit, e tejkaluan këtë pozicion, duke e radhitur atë përkrah atdhetarëve të mëdhenj të kohës kur jetoi.
Për veprimtarinë e tij patriotike, në udhëheqje të malësorëve, në betejat kundër pushtuesve osmanë, si dhe në hapjen e shkollave shqipe, në Grykën e Madhe (Zerqan), është dekoruar, si para ’90, nga ish Presidiumi i Kuvendit Popullor, ashtu edhe pas ’90, nga ish Presidenti i Republikës z. Sali Berisha, në vitin 1993.