Homazh për artistët që nuk janë më, por që kanë lënë pas himne atdhetarie e dashurie për Dibrën


Hazisi, Shabani, Xhevati, Imeri, Qerimi, Sherifi, Naimi e Përparimi nuk janë më mes nesh. sa ishin gjallë bënë më të mirën për vendin dhe Dibrën. Ne do t’i kujtojmë gjithmonë me mall e me respekt, sepse puna dhe jetë e tyre jetojnë mes nesh. Por edhe atje ku janë bashkë, me siguri po e thurin një himn për Dibrën.

Para pak javësh u kujtua ndarja nga jeta e Hazis Ndreut, një nga figurat më të spikatura të kulturës në Dibër. Këngëtar, instrumentist, valltar, mbledhës folklori dhe i fjalëve të urta dibrane, publicist e shkrimtar, një ndër mjeshtrit më të mëdhenj të alegorisë dibrane, të asaj që quhet shpesh edhe “Universiteti i Dibrës”. Në këtë përvjetor ndjen boshllëkun e madh nga humbja e personaliteteve të tilla, jo vetëm te miqtë dhe shokët, por te humbja e fjalës së mençur dibrane, alegorisë dhe “muhabetit” të Odave, këngës dhe valles popullore. Ndjen boshllëkun që ka lënë pas Hazis Ndreu.

Për Hazizin, ose siç i thonë shpesh në mënyrë figurative “Ezopi i Dibrës”, është shkruar shumë. Por sa me shumë studiohet, aq me shume ka vend për të shkruar. Dhe sidomos, kur e sheh personalitetin e Hazis Ndreut së bashku me disa figura të tjera të kulturës dhe artit në Dibër, të cilët nuk jetojnë më. Ky boshllëk bëhet më i madh dhe me më shumë dhimbje. Dikur, kur bënim xhiron në Bulevardin e Blinave, ishim mësuar të takoheshim, të pinim një kafe dhe të bisedonim për punët tona e artin e tyre. Tani, kur kthejmë kokën nga Pallati i Kulturës, na duket se diçka mungon. Mungojnë personalitetet e artit e kulturës, figura artistike të spikatura nder vite, qytetarët e respektuar e të nderuar të Peshkopisë.

Një ndër to është Shaban Xhajku. Ai që në moshë të re merrej me veprimtaritë kulturore në zonën ku ishte mësues, më vonë në institucione, por nga veprimtaritë kulturore nuk hiqte dore. Me fizarmonikë e çifteli, gjithmonë mes shokësh e miqsh, i pranishëm në të gjitha festivalet dhe ansamblet brenda dhe jashtë vendit. Një personalitet i spikatur, korrekt  dhe krijues. Gjithmonë i qeshur dhe asnjëherë hallet nuk e përulën.

Shabanit i kishte lezet vallja, veshur me kostumin popullor dhe qeleshen e bardhe mbi kokë. Ishte virtuoz. Në festivalin popullor të Lushnjës do të merrte titullin “Mbret i valles popullore”. Megjithëse i sëmurë, nuk hoqi kur dorë nga vallet e këngët e tij. Iku para kohe, por të qeshur do ta kujtojmë gjithmonë.

Kur uleshim me Shabanin e Xhevat Fanën, biseda rridhte këndshëm, me humor, me plot ndodhi nga më të bukurat që kishin të bënin me artistët. Njëra prej tyre ishte për Qazim Milen, përgjegjësin e kulturës në Sllovë. Kur e pyeti ministri i arsimit të kohës, Thoma Deliana, se “çfarë plani pune ke për sot”, Qazimi i përgjigjet me thjeshtësi dhe humor: “sot do te pres Ministrin e Arsimit”. Ai e shikonte i çuditur dhe  vazhdon me pyetjet tjetër për shtëpinë e kulturës. Qazimi i përgjigjej: “Mirë i kemi të gjitha kulturat” (godina ishte e mbushur me kultura bujqësore…).

Me Xhevat Fanën jam njohur herët. Ai mbaroi Institutin e Lartë të Arteve. Mori pjesë në Festivalin e Zhionit në Francë, ku pati cilësimet më të mira nga kritika, si një valltar i ri e virtuoz. Me mbarimin e shkollës u caktua në shtëpinë e Kulturës si koreograf. Mblodhi shumë valle folklorike, bëri koreografi për sa e sa valle të reja dhe dha një kontribut të madh në krijimin e ansambleve të zonave. Ishte një zbulues dhe përgatitës i talenteve të reja në shtëpinë e pionierit. Ai bashkë me Hazizin, Avniun, Shabanin, Rufat Roken, Xhelal Çerpën  dhe të tjerë dhanë gjithë shpirtin dhe dashurinë e tyre për zhvillimin e jetës artistike në Dibër….

Një nga ata që ka lënë një boshllëk të madh është edhe Imer Seferi, instrumentisti nga familja e madhe artdashëse e Sefere në Luzni. Kush nuk e njohu Imer Seferin?! Ai me fizarmonikë në krah një jetë në skenë, krijues, me disiplinë të lartë, një vlerë e vërtetë artistike dhe qytetare. Krijues në profesionin e tij, dashamirës me shokët dhe  krah më të rinjve për të lënë në skenën e Pallatit të Kulturës emra të rinj e instrumentistë të talentuar. 

Një dhimbje të madhe na solli edhe ndarja e parakohshme nga jeta e këngëtarit të madh Sherif Dervishi. Dardha dhe Dibra u mbytën në lot. Zëri i tij melodioz nuk do të na ndiqte në festivale, dasma e evente të tjera artistike. U shkrua aq shumë, bukur dhe emocione  për Sherifin në rrjetet sociale. 

Kjo nuk është e gjitha. Vdekja nuk ndalet dhe merr edhe këngëtarin tjetër të madh, Qerim Sula,  bashkë me “xhamadanin e hapur nga sumbullat e tij”. Korabi do të lëshonte “gurë e shkrepa dhe Drini do të mbushej” nga lotët e dibranëve. Në dhjetëra veprimtari artistike publiku do ta ndiqte vetëm në këmbë këngën e të madhit Qerim Sula. Në festivalin e Gjirokastrës oshtiu deri në Zagori e Janinë  zëri i fuqishëm i Qerim Sulës. Amaneti i tij, të cilin ia la gazetarit të RTSH-së Defrim Methasani, ishte që “ta varrosnin në Zall Dardhë, te Lisi i Madh. Dhe të mos qani. Në vend të fjalimit të përmotshëm, të vendosni këngën time”. Dhe kështu u bë. Grykat e maleve luginës së Drinit u mbushën nga zëri i legjendarit Qerim Sula.

Por, nuk kaluan shumë ditë, dhe ikja nga kjo jetë e kompozitorit të madh dibran dhe kombëtar, mjeshtrit të madh Përparim Tomçini, ishte një kob i madh. Mbi pentagram mbeten notat e një këngë të pa përfunduar.

Përparimi, që në Institutin e Larte të Arteve mori pjesë në grupin simpatik të kohës “Na bashkoi kënga popullore”. Me mbarimin e shkollës së lartë, do të niste punën në shtëpinë e kulturës, Peshkopi. Gjithmonë ishte i qeshur, krijues, me humor dhe një veprimtar i shkëlqyer shoqëror. Pollozhani, fshati i tij i lindjes, e ndjeu më shumë se kushdo peshën e dhimbjes. Ai e priti birin e tij në mënyrën më madhështore të mundshme. Përparimi me çunat e Pollozhanit kishte krijuar sa e sa rrengje e gjëra të bukura. Aty lindi dhe u përpunua dhe vallja humoristike, tejet e bukur e Pollozhanit… Prej aty mori jetë edhe ideja e “Odës Dibrane”, festivalit tradicional folklorik të ritit dhe alegorisë.

Kompozitori i mbi 400 këngëve, mbledhës folklori, muzikë për valle, pjesë orkestrale dhe gjithnjë me humor për të gjithë nga Përparim Tomçini. 

Me Përparimin kemi qenë miq e shok të mirë prej kohësh. Në qershor të vitit 2017, bashkë me regjisorin Veli Vraniçi, kompozitorin Edmond Zhulali dhe këngëtarin Arif Vladi, do të merrnim pjesë, me ftesë të këngëtarit Ilir Shaqiri, në shfaqjen e dokumentarit kushtuar këngëtarit dhe artistit të madh Arif Vladi. Një aktivitet shumë i bukur, por e nesërmja edhe me e bukur. Organizatorët na dërguan të vizitonim të gjitha vendet historike, për të cilat kompozitorët dhe këngëtarët tanë kishin krijuar dhe kënduar. Në Prekaz të familja Jashari,më pas tek varri i Azem e Shote Galicës, për të cilën Përparimi kishte kompozuar këngën “O prite Azem Galicen”, me tekst të Naim Plakut e të kënduar nga Arif Vladi.

Përparimi bashkëpunonte shumë me Naim Plakun, autor tekstesh, njeriun e penës, të humorit. Atë që me tekstet e tij u ka thurur himne figurave historike dhe Dibrës. “Fluturon shqipja mbi Korab” shkruar nga Naim Plaku, është e do të mbetet një ndër himnet më të bukura e më të suksesshme…

Hazisi, Shabani, Xhevati, Imeri, Qerimi, Sherifi, Naimi e Përparimi nuk janë më mes nesh. Sa ishin gjallë bënë më të mirën për vendin dhe Dibrën. Ne do t’i kujtojmë gjithmonë me mall e me respekt, sepse puna dhe jetë e tyre jetojnë mes nesh. Por edhe atje ku janë bashkë, me siguri po e thurin një himn për Dibrën.