Ismail Bara,  ish partizan i Brigadës 18 -të, aktivist dhe drejtues  me vlera  shoqërore


KRONOLOGJI

Më 18 gusht 1944, sipas urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm u formua në Sllatinë të Dibrës  Brigada e 18-të S mbi bazën e tre batalioneve të Dibrës, Martaneshit, Çermenikës si dhe të partizanëve të ardhur nga krahina të tjera të vendit.

Në drejtimin e Brigadës në ditën e formimit ishin Esat Ndreu, komandant, vëllai i patriotit dhe luftëtarit Elez Isuf Ndreu, Zëvendës komandant Zoi Themeli, Miço Kallamata komisar dhe Sotir Vullkani zëvendës komisar. Më vonë u bënë ndryshime në komandën e Brigadës. Petrit Dume u bë komandant brigade, Hilmi Causholli, komisar, Xhevdet Petrela, Zëvendës komandant, Teme Sejko, Zëvendës komisar, Milo Qirko Zëvendës komisar. Gafur Korca ishte komandant i batalionit të parë, Qazim Peshku, komandant i batalionit të dytë, Ajet Rusi, komandant i batalionit të tretë dhe Gafur Mehmeti komandant i batalionit të katërt.

Që me krijimin e kësaj brigade, në radhët e saj ishte edhe Ismail Bara, i cili gjithë jetën ia kushtoi çshtjes së atdheut dhe popullit të tij.

BIR I NJË FAMILJE TË NDERUAR DHE ME TRADITA ATDHETARE NDËR BREZA

Ismail Bara lindi më 10.5.1926 në fshatin Manesh të  krahinës  Zall Dardhë të Dibrës në një familje të nderuar dhe me tradita atdhetare ndër breza. Xhaxhai i tij Ismail Avdi Bara u vra në luftën kundër serbëve më 1913 dhe është shpallur dëshmor i Atdheut. Ai ishte shoqërues i përhershëm i patriotëve të njohur Elez Isufi dhe Isuf Xhelili.

I rritur dhe i edukuar nga një familje e tillë, edhe Ismaili që në moshë të re, në pranverën e vitit 1943, u radhit në çetën partizane të Dibrës që komandohej nga Haxhi Lleshi.

Më 18 gusht 1944, me krijimin e Brigadës 18-të Sulmuese, Ismaili inkuadrohet në njësitë e kësaj Brigade me detyrën e përgjegjësit të rinisë të Kompanisë. Mori pjesë në të gjitha aksionet e kësaj brigade si në Dibër, Kukës e Prizren. Ai qëndroi trim dhe i vendosur deri në çlirimin e plotë të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë.

Më 27 janar 1945 Ismaili u transferua në Divizionin e Mbrojtjes së Popullit me detyrë komanduese në ndjekjen e bandave të armatosura kriminale, që vepronin me dhunë për rrëzimin e pushtetit popullor në rrethet e Kukësit, Shkodrës, Pukës dhe Mirditës. Ai punoi dhe luftoi me shumë përkushtim në vendosjen e rendit dhe qetësisë publike. 

NDËR SHEFAT MË TË MIRË TË QARKULLIMIT RRUGOR

Më 10 maj 1947, Ismaili transferohet në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Shërbeu në sektorin e policisë si komandant poste në rrethet Shkodër, Pukë, Dibër e Bulqizë.

Në harkun kohor qershor 1954 – korrik 1956 kreu studimet në Shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe u titullua “oficer”.

Mbas mbarimit të shkollës së Policisë, më 30 korrik 1956 u emërua inspektor i Qarkullimit Rrugor në rrethin e Dibrës për t’u kujdesur në vendosjen e rregullave për lëvizjen me korrektesë të automjeteve në sektorin e ndërtimit të hidrocentraleve Ulëz dhe Shkopet, duke bërë kujdes të madh për mbrojtjen e jetës së vullnetarëve dhe punonjësve gjatë punës. 

Më 20 qershor 1957 emërohet inspektor i qarkullimit rrugor Mat (sektor i ndërtimit të dy hidrocentraleve Ulëz – Shkopet) detyrë të cilën e kreu me përkushtim, profesionalizëm e kompetencë deri në vitin 1963.

Po me të njëjtën përgjegjësi shërbeu Ismail Bara edhe gjatë viteve 1963-1966 si shef i Qarkullimit Rrugor Krujë-Kurbin me gradën “Kapiten i Parë”. Ndërsa në vitin 1967 i erdhi grada  “major”, por për arsye të ndryshme doli në lirim.

Në sektorin e Qarkullimit Rrugor, Ismail Bara punoi me shumë përkushtim e ndërgjegje të lartë, duke e konsideruar detyrën si përgjegjësi për mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Pikërisht pse e konsideronte si të tillë në aksin rrugor Dibër-Mat-Kurbin-Krujë, aksidentet rrugore kanë qenë shumë të pakta. Këtë meritë atij ia njeh më së miri populli i këtyre rretheve.

QYTETARI MODEL I KURBINIT E MAMURRASIT

Për 14 vjet (1967-1981) Ismail Bara kreu detyrën e drejtorit të Parkut të Automjeteve të Fermës “Skënderbej” Mamurras. Këtu ai u evidentua si kuadri që mbante lidhje të ngushta me qytetarët, të cilët i donte dhe i respektonte dhe ata e donin dhe e respektonin.

Familja e Ismail Barës në Mamurras u bë shembull qytetarie e mikpritjeje. Vetë Ismaili ishte qytetar model. Ai kishte një cilësi të veçantë: iu gjendej njerëzve pranë në çdo rast fatkeqësie, I ngushëllonte dhe u jepte kurajo e forcë me fjalë të zgjedhura e shumë të goditura.

Më 15 maj 1981 Ismaili doli në pension. Mbas këtij momenti deri në ndarjen nga jeta iu përkushtua detyrave në organizatat shoqërore të këtij rrethi.

Ismail Bara gëzonte respekt të veçantë nga i gjithë opinioni publik, jo vetëm në ato rrethe ku punoi e jetoi por nga të gjithë ata që e njihnin.

Për merita të veçanta gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe mbas çlirimit, Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka dekoruar me 8 Urdhëra e Medalje.

Në vitin 2004, me rastin e 60-vjetorit të çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazifashiste u dekorua me Medaljen “Për Kontribut të Shquar në Çlirimin e Atdheut”.

MISIONARI SHEMBULLOR I PAJTIMIT TË GJAQEVE

Gjatë kohës që ishte në pension ai dha një kontribut të shquar si Anëtar i Misionit Mbarëkombëtar të Pajtimit të Gjaqeve e në zgjidhjen e konflikteve të ndryshme mes qytetarëve.

Për 15 vjet, brenda e jashtë Kurbinit, me fjalën e tij të urtë e mençurinë e rrallë ka arritur pajtimin e 13 gjaqeve dhe zgjidhjen e dhjetëra konflikteve, të cilat shkonin deri në vrasje, pa llogaritur konfliktet e thjeshta.

Një kontribut të veçantë ai ka dhënë edhe si kryetar i Këshillit Sindikal të Pensionistëve e parapensionistëve të rrethit Kurbin, duke punuar me përkushtim  në mbrojtjen e të drejtave të kësaj shtrese. Janë me dhjetëra qytetarë që shprehin mirënjohjen ndaj tij për rritjen e masës së pensionit e dhënien e ilaçeve falas, për punësimin e djemve e vajzave të tyre, për  ndihmën që u ka dhënë për paratë e humbura në firmat piramidale, për letrat me vlerë etj.

Gjatë tranzicionit të gjatë, Ismail Bara ka dhënë kontribut të çmuar edhe në aspekte të tjera si për çarmatimin e popullsisë, për hartimin e Kushtetutës, në vendosjen e rendit e qetësisë publike dhe veçanërisht në vlerësimin e figurave të shquara, si të Nënë Terezës, Heroit të Popullit Haxhi Lleshi etj.

Ismail Bara u nda nga jeta më 30 qershor 2016, por ne shokët e tij e kujtojmë vazhdimisht si aktivist dhe drejtues me vlera të mëdha.