Kush dëshiron të njohë Lurën, duhet të njohë doktor Ndrecë Vladin


Para pak ditësh u nda nga jeta i dashuri e i shtrenjti miku ynë Ndrec Vladi, mjek i nderuar dhe doktori i parë i Lurës.

Ndrec Vladi vetëm u nda nga jeta, u nda nga bashkëshortja Martinja, fëmijët Irena, Monda dhe Ollga, djemtë Zamiri dhe Graniti, u nda dhe nga vëllezërit – Lenini dhe Deda. U nda nga nipat e mbesat dhe gjithë kushërijtë, dhe nga shumë shokë e miq të tij brenda e jashtë Lurës, Dibër e Mirditë, nga jugu në veri, mandej deri jashtë e larg Shqipërisë.

Familja, mjeksia, kolegët, studentët, miqtë e tij dhe gjithë shoqëria humbën një mjek të devotshëm.

Ai mbaroi shkëlqyer politeknikumin Mjekësor, dhe më vonë u diplomua “shkëlqyeshëm” në fakultetin e lartë 5 vjeçar të mjekësisë Tiranë.

Ndrec Vladi ishte mjeku që themeloi spitalin  URAL -Lura, me shtretër dhe të gjitha shërbimet mjekësore të lindjes, dentistë e farmacistë. E pajisi spitalin me aparat radiologjie.

Ai ishte i specializuar për radioskopi dhe shumë specialitete kirurgjie për rast emergjencash .

Dr.Ndrec Vladi mbahet mend si drejtuesi më i respektuar me duar të pastërta e zemër të madhe. Në vend të bujës e protagonizmit personal e autoritarizmit, ai e demonstroi qeverisjen e shëndetësisë si mision të përbashkët fisnik për shpëtimin e jetën e njerëzve në Lurë.

Dr. Ndrec Vladi ishte kundër lëvdatave e burokracisë dhe manipulimeve. Fizikisht, mendërisht e shpirtërisht jetonte te populli i Lurës. Atyre u shërbeu gjithë jetën si djali i shtëpisë, u shpëtoi jetën të sëmurëve, fëmijëve, pleqve, grave e kujdo që kërkoi ndihmën e tij.

Kam menduar gjithmonë dhe I qëndroj mendimit se në se dikush dëshiron të njohë Lurën, duhet të njohë Doktor NDRECËN.

Nuk e di në se ka kuadër që e ka njohur më mirë Lurën se Dr. Ndrec Vladi. Jo vetëm për gjeografinë, për fshatrat, krahinat e malet, por sepse dora e doktor Ndrec Vladit, me urgjencat e udhëtimet e tij të pa fundme nëpër fshatrat e bashkuara të Lurës, ditën e natën ishin pa fund. Ai e njihte Lurën shtëpi për shtëpi. Kishte të fiksuar e koleksionuar një popull me regjistra mjekësor, me fytyra, me emra, me sëmundje; i kishte sëmundjet me trashëgime brezash e pacientësh që i dinte përmendësh diagnozat.

Pacientët tregonin se diagnoza që përcaktonte Doktor Ndreca, do të dilte dhe në Tiranë. I bazuar në veprimtarinë e gjerë e i përkushtuar si mjek në Lurë, Doktor Ndrec Vladi i ngjiti shkallët e jetës me merita dhe bëri histori, jo vetëm për familjen por për Lurën, vendlindjen e tij.

Ndreca ishte Lura në versionin më të mirë. Ai ndjehej krenar që ishte nga Lura, kjo  “zojë e randë” me bukuri  të rrallë e resurse turistike mahnitëse, me bijtë e saj fisnik të maleve.

Doktor Ndrec Vladi u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë. Për fat të keq mjekësia nuk mundi të bënte gjë për ti shpëtuar jetën. 

Ai ishte dhe mbetet një nga figurat më intelektuale të mjekësisë rrethit Dibrës. Pa dyshim, ai do  i mungojë familjes, do u mungojë vëllezërve dhe gjithë atyre që e deshën e i donte. Do ti mungoi veçanërisht elitës së mjekësisë shqiptare, të etur për figura të nderuara si Dr. Ndrec Vladi.

I paharruar për jetë e mot, o NDREC VLADI!

Ti vërtet u ndave nga jeta, por për ne do mbetesh përjetë i pavdekshëm, simbol krenarie.

Lamtumirë o Ndrec Vladi! Lamtumirë dhe i paharruar qofsh përjetë.