Major Dine Xheka, modeli më i mirë i oficerit të trupës dhe Shtabit të Ushtrisë Shqiptare


Me 27 qershor 2020 u nda nga jeta Major Dine Xheka, banues në qytetin e Shkodrës, pas një sëmundje të shpejtë e të papritur, që pikëlloi thellë familjen e tij, por edhe të afërmit e farefisin,  kolegët si dhe miqtë e shumtë, brenda dhe jashtë vendit.

Dine Xheka lindi më 26 maj 1950 në fshatin Gjoricë të Dibrës, në një familje me tradita të larta atdhetare, ku në vitin 1910 forcat e ushtrisë turke në pamundësi për ta kapur dhe ekzekutuar gjyshin e tij, bashkëluftëtarin e madh të Elez Isufi (Ndreu), pasi ia rrethuan kullën e sulmuan edhe ia dogjën duke e lënë familjen e tij pa strehë. E megjithatë,  ai nuk ia ndau pushkën armikut shumëshekullore për të mbrojtur trojet amtare, në kuadrin e Kryengritjeve të Përgjithshme Shqiptare, që çoi në shpalljen e Pavarësisë më 1912 në Vlorë. 

Dine Xheka pasi përfundoi shkollën shtatëvjeçare në vendlindje, studioi e përfundoi shkollën e  mesme ushtarake “Skenderbej” në Tiranë nga viti 1964- 1968, duke dalë me rezultate të shkëlqyera. Menjëherë pas përfundimit të kësaj shkolle, studioi e përfundoi shkollën e lartë të Oficereve (Shkollën e Bashkuar) dhe u titullua oficer gjitharmësh. U emërua në Brigadën e Këmbësorisë, Rrëshen si oficer trupe me ushtar aktiv dhe oficer shtabi reparti. Duke patur rezultate të larta në punë dhe brenda një periudhe më pak se një dekade studioi e përfundoi në vitet 70-të Akademinë e Lartë Ushatarake (Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë) duke marrë vlerësimin maksimal. Përfundimi i kësaj shkolle e aftësoi për të qenë oficer shtabi. Kështu arriti detyrën e shefit të Shtabit të Brigadës së Këmbësorëve në Rrëshen. 

Për nevoja të Ushtrisë, Dinen e kaluan në shkollën e përgatitjes për oficerë rezervistë në Vaun e Dejës, në Shkodër, ku kreu për disa vite detyrën e shefit të planizimit dhe të katedrës. Me disa riorganizime të njësive e reparteve në ushtri, Dine Xheka u caktua në një detyrë të rëndësishme në Shtabin e Divizionit të Shkodrës, për planizimin dhe gatishmërinë luftarake të reparteve e njësive vartëse, në funksion të mbrojtjes së zonës së Divizionit Shkodër, detyrë që e kreu më përkushtimin maksimal.

Dine Xheka ishte një person tek i cili mishëroheshin cilësitë dhe virtytet më të mira njerëzore e qytetare. Ai ishte i thjeshtë, i  dashur me shokët e vartësit, gojëmbël e zemërgjerë, por edhe me një humor të ëmbël e dashamirës që të bënte për vete.

Dine Xheka ishte modeli i ushtarakut të ushtrisë sonë, komandues e drejtues i aftë për aq kohë sa shërbeu në radhët e Forcave të Armatosura. Mbas daljes në rezervë (pension), ai u bë një aktivist i dalluar në lagjen ku banoi si dhe në bashkëpunimin  me Organizatën e Veteranëve të LANÇL. 

Dine Xheka gjatë viteve të fundit ka milituar në Organizatën e Ushtarakëve (A.K.U.SH) të Shqipërisë, dega Shkodër dhe si anëtarë i kryesisë së saj është dalluar duke marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e organizatës të karakterit atdhetar, argëtues e promovues vlerash. Ai ishte e mbetet “Nderi i Shoqatës”.

Është për t’u theksuar se Dine Xheka ishte një familjar e prind i përkushtuar. Ai e donte Shkodrën, por ç’është e vërteta e donte shumë Dibrën, vendlindjen, njerëzit e tij më të dashur që detyra e ushtarakut ia kishte privuar qëndrimin në gjirin e tyre. Pas daljes në pension i shpeshtoi vizitat në vendlindje.

Pikë të dobët kishte nënën e tij të moshuar dhe ajo që e brengosi për së tepërmi ishte mungesa e pjesëmarrjes së tij në vdekjen e nënës në prill të këtij viti për shkak të pamundësisë që krijoi epidemia virusale e Covid – 19. 

Major Dine Xheka, për rezultatet të larta e merita të veçanta në punë, në kryerjen e detyrave, është dekoruar me urdhra e medalje të ndryshme.

Ndarja nga jeta para kohe e Dine Xhekes, ka shkaktuar dhimbje shumë të madhe te familja e tij, te të afërmit e farefisi, por edhe tek shokët e kolegët e miqtë e tij dhe që e ndajmë këtë dhimbje së bashku. Fakti që në këto kushte epidemie nuk mundësuan të bënim përcjelljen mortore që meritonte, na ka hidhëruar akoma më shumë, por Shoqata jonë (A.K.U.SH) dega Shkodër  në një të ardhme jo shumë të largët do të organizojë një ceremoni përkujtimore të veçantë për të nderuar shokun tonë, tashmë të ndjerë Dine Xheka.

Në emër të Organizatës së Ushtarakëve (A.K.U.SH) dega Shkodër dhe OBVL dega Shkodër i shprehim familjes, të afërmve e farefisit ngushëllimet më të përzemërta për njeriun e tyre të dashur dhe shokun tonë të mirë e të paharruar Dine Xheka.

Zoti i forcoftë për të përballuar  këtë dhimbje të madhe!

I qoftë dheu i lehtë e shpirti i Tij pushoftë në paqe! 

I përjetshëm kujtimi i Tij ! 

*Kryetar i OBVL, dega Shkodër