Neshat Ndreu, organizatori i festës së 18 shtatorit në Zall Dardhë


Organizimi i veprimtarive festive të datës 18 shtator 2020 në Zall Dardhë, ka një emër. Ai është Neshat Ndreu – President i Shoqatës “Ansambli Kuvendi Zall Dardhë”. Nëse para një viti, me rastin e 70-vjetorit të këtij Ansambli, Neshati organizoi një koncert festiv në pallatin e Kulturës Kamëz, ku ky ansambël u dekorua nga Presidenti Meta me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit I, këtë 18 shtator festa mori karakter gjithpërfshirës. Pas afro një muaj përgatitjesh dhe takimesh intensive me këshilltarë të Presidentit Meta, Neshat Ndreu finalizoi projektin e tij, duke dekoruar-personalitetet më të shquara të këtij ansambli. Po ashtu, meritë e tij është dhe organizimi i koncertit madhështor që u shfaq në qendër të Zall Dardhës, si dhe darka festive në oborrin e shtëpisë së tij të origjinës po në Zall Dardhë, me praninë e kreut të shtetit SHT Z.Ilir Meta, autoriteteve vendore të Dibrës: kryebashkiakut Imeraj e Prefektit Shehu etj.
Kësisoj historia riciklohet. Atë që bënë burrat e shquar të Dardhës, para shtatë dekadash, duke themeluar Ansamblin Kuvendi, me në krye shumëtalentuarin Hazis Ndreu, po e ripërtërin Neshat Ndreu-President i Shoqatës “Ansambli Kuvendi Zall Dardhë”, të cilin kreu i shtetit e dekoroi me Titullin “Për merita të veçanta civile” – titull ky që u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për merita të veçanta civile në Republikën e Shqipërisë.
Janë të rrallë burrat si Ai, që edhe në këto kohë të vështira kontribuojnë për ringjalljen e traditës. Realizimi prej tij i vizitës së Presidentit Meta në Zall Dardhë ku u vlerësuan me dekorata të larta artistët më të mirë të kësaj treve: Xhelal Çerpja, Qerim Sula e Sherif Dervishi (pas vdekjes), si dhe Liri Rasha, Sahje Poleshi, Halil Rama, Xhelil Imeraj, Lutfi Ndreu, Shaban Mëziu, Neshat Ndreu e Agim Cani është shembull frymëzimi për të gjithë ata që duan të promovojnë e trashëgojnë traditat e shkëlqyera të Dardhës.
Presidenti Meta duke dekoruar personalitete të etnografisë, folklorit dhe muzikës popullore shqiptare në Zall Dardhë vlerësoi Dibrën si simbol të qëndresës së shqiptarëve, që ka qenë përherë djepi i luftërave patriotike për liri dhe identitet kulturor. Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast kreu i shtetit vuri në dukje se ndihet i lumtur që gjendet në Zall Dardhë, në fshatin me histori të madhe të luftërave për liri, por dhe në krahinën e artistëve, rapsodëve dhe valltarëve të famshëm për mbarë kombin!
H.Rama