Vlerësim për figurat atdhetare dhe kulturës popullore


Gjatë ceremonisë solemne të organizuar para Pallatit të Kulturës së Peshkopisë, Kreu i Shtetit çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën në Republikën e Shqipërisë, atdhetarin Elez Isuf Ndreu (pas vdekjes); me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Ahmet Camin (pas vdekjes); ndërsa me Dekoratën “Nderi i Kombit” Edip Tërshanën (pas vdekjes) dhe Hazis Ndreun (pas vdekjes).
Me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Presidenti Meta dekoroi kompozitorin, orkestruesin dhe producentin muzikor Edmond Zhulali, si dhe artistin e mirënjohur Arif Vladi, ndërsa me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, Muharrem Xhedikun (pas vdekjes). Me titullin “Mjeshtër i Madh” u vlerësua Përparim Tomçini (pas vdekjes), Behar Mera, Vera Duka (Laçi), z. Isak Shehu dhe z. Hysen Ndreu.
“Për shqiptarët Dibra është shumë e shtrenjtë, siç është edhe Atdheu për dibranët. Ajo ka qenë dhe mbetet një nga epiqendrat më spikatura dhe më të flakta të shqiptarizmit dhe betejave për liri!”, tha presidenti i Republikës në përshëndetjen e tij. Pasi evokoi luftën e dibranëve për liri e pavarësi në shekuj, Presidenti u ndal edhe në problemet e aktualitetit.
“Kjo trevë e kaq e bukur, me këtë histori dinjitoze, me këtë panoramë mahnitëse dhe me këtë popull me kaq virtyte nuk duhet të braktiset më!”, tha ai duke iu referuar braktisjes së vendit nga të rinjtë.
“Ky shpopullim është i dhembshëm, pasi braktisja e këtyre krahinave tradicionale që kanë qenë burimi i identitetit tonë kombëtar edhe kulturor, mund të jetë fatal për të gjithë kombin. Ndaj është momenti që të gjithë të kthejmë më shumë vëmendjen ndaj ruajtjes jo vetëm të vlerave më të mira të kulturës e identitetit tonë kombëtar, por mbi të gjitha të njerëzve në këto troje! Në mënyrë të veçantë të rinisë.”.
“Cilësitë e civilizimit dibran sikurse janë organizimi i kuvendeve, alegoria e komunikimit si dhe rregullat kanunore qytetare të trevës së Dibrës përbëjnë shembuj të një shoqërie të emancipuar dhe përcjellin edhe sot mesazhe dinjiteti, progresi dhe zgjuarsie të veçantë popullore”, tha Presidenti i Republikës në Peshkopi.
I.D.