13 dhjetori si ditë e madhe mbarëdibrane


Njëzet e tetë vjet të shkuara, saktësisht më 13 dhjetor 1992, u hap zyrtarisht Pika Kufitare e Bllatës, u përqafuan për të mos u shkëputur më kurrë burra e gra të moshuar që 45 vjet të shkuara ishin ndarë dhimbshëm, me lot në sy, me brengë në zemër, të rinj e të reja që nuk e kuptuan (dhe nuk e kuptojnë) pse në vitin e egër 1913 i ndanë për palce fuqitë e mëdha në Londër, pse 45 vjet i ndau ideologjia e mbjellë në një tokë shterpë që as e ujiste, as e prashiste, as e ushqente…

Më 13 dhjetor 1992 u thye kufiri shqiptaro-shqiptar…

Një precedent pak ndryshe nga thyerja e Murit të Berlinit…

I Dibrës, megjithatë mbeti. Mbeti si një litar i kalbur që nuk mban peshën e një varbeci…

Çdo vit në Gjermani, në ditën e rënies së Murit të Berlinit, bëhet festë e madhe edhe tej tri dekadave të ngjarjes. 

Çdo vit…

Pse, asnjëherë, nga 13 dhjetori 1992, nuk është bërë asnjë festë popullore, nuk kanë vërshuar në të dy krahët dibranët për tu gëzuar e festuar?

Nuk e di por ngjarje më të madhe midis dibranëve të kësaj e asaj ane të kufirit shqiptaro-shqiptar… NUK KA.

Pse Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Peshkopisë dhe Këshilli Komunal i Komunës së Dibrës së Madhe nuk janë mbledhur bashkërisht në Bllatë e të caktojnë 13 Dhjetorin ngjarje të madhe e FESTË POPULLORE?

E përsëris edhe njëherë:

NGJARJE MË TË MADHE SE KJO DIBRA NUK KA PASË…

E mbase nuk do të ketë…

Sigurisht,  PO QE SE E HARROJMË ATË DITË…

Për të ardhë ajo ditë, 13 dhjetor 1992, u desh që një ditë të fillimit të erës së re të shkuleshin gardhet e të rrafshohej kloni, u desh një udhëtim prej më se 480 kilometrave (kur mund të udhëtoje vetëm 8 kilometra) i dy skuadrave me të njëjtin emër, me të njëjtin gjak, me të njëjtën gjuhë, skuadrave të “Korabit” të Peshkopisë” dhe “Korabit” të Dibrës së Madhe, udhëtim që e kam ndjekë me reportazhe e skica dhe me fotografi.

U desh një udhëtim masiv në këmbë në Ditë Bajrami drejt Dibrës së Madhe dhe Dibrës së Vogël për tu gëzuar, për tu çmallur…

U desh pena e gazetarëve për ta bërë publike e për ta shpejtuar hapjen zyrtare të kufirit midis “Dy Dibrave”, ndarë dhunshëm nga Londra 1913…

Personalisht, por edhe kolegët e mi Sami Selishta në Peshkopi, Nefail Spahiu, Ramadan  Telqiu, Kujtime Kica në Dibër të Madhe dhe në Shkup, punuam me penë të fortë, me kamerë televizive dhe me mikrofon radiofonik, duke sensibilizuar qeverinë e Shkupit dhe Tiranës për të përshpejtuar rrugët e bashkimit, për të mbushur me zhavorr e beton përroin natyror të ndarjes, për ndërtimin e pikave përkatëse kufitare…

Dhe dita e kalimit zyrtar të njerëzve erdhi…

Erdhi me një protokoll zyrtar…

Erdhi me një vërshim popullor pa doganë, pa leje kalimi, thjesht si njëherë e një kohë kur nuk ishte vënë gurë kufiri, tela me gjemba e rrjeta elektrike.

Ishte një festë e madhe popullore…

Nga dhjetëra shkrime e fotografi (të mjaftueshëm për një libër) që kam bërë në kërkim të kësaj dite por përcjell, një…

 

Këto shënime, së bashku me shënimet e asaj dite ia përcolla, Kryetarit të Bashkisë së Dibrës, Dionis Ymer… Më premtoi se do të bisedonte me homologun e tij në Dibër të Madhe. Më kërkoi edhe mendimin tim se si mund të organizohej festa, FESTA  E MADHE E BASHKIMIT TË DIBRËS…

Po përcjell emocionet e 13 dhjetorit 1992… Po përcjell edhe një letër drejtuar kryetarit të bashkisë së Dibrës, Dionis Ymeri me dëshirën që një ditë të jem një meditues i thjeshtë në një festë që do të jetojë në shekuj.

 

MEDITIM ‘92

Shënuar në Bllatë, më 13 dhjetor 1992

Bllatë. E diele 13 dhjetor 1992…

Pas asaj nate me shi e borë e atij mëngjesi të ftohtë me mjegull, pason një ditë e bukur.

Një pamje e mrekullueshme fiksohet në retinën e syve të gëzuar, në objektivin e qelqtë të aparateve fotografikë e televizivë. Kërçini dhe dorë për dore me të Malet e Dibrës, të Dibrës së Sipërme dhe të Dibrës së Poshtme, janë veshur në të bardhë.

Kronika zyrtare e 13 dhjetorit 1992 është kjo: Në orën 12 delegacioni shqiptar i përbërë nga Safet Zhulali, ministër i mbrojtjes, Mentor Bunguri, kryetar i këshillit të rrethit, Kadri Rrapi, kryetar i bashkisë së qytetit të Peshkopisë, deputetë, përfaqësues të partive politike etj., kalon Bllatën.

Para kompleksit doganor të sapondërtuar delegacioni pritet nga Beqir Zhuta, nënkryetar i qeverisë së Maqedonisë, Vllado Popovski, ministër i mbrojtjes Qemal Xhafa, kryetar i këshillit komunal të qytetit të Dibrës, deputetë, përfaqësues të partive politike etj.

Përshëndet Qemal Xhafa, kryetar i komunës së Dibrës. Në fillim në maqedonisht e pastaj në shqip. 

Përshëndet Mentor Bunguri, kryetar i këshillit të rrethit të Dibrës. 

Fjalimi i oratorëve në esencë është një: 13 dhjetori 1992, hapja e pikës së kalimit kufitar të Bllatës (bashkë me të edhe i dy pikave të tjera që hapen në të njëjtën ditë) është një ngjarje e shënuar, një ëndërr 45-vjeçare e realizuar.

Pritet shiriti i përurimit. Delegacionet vizitojnë kompleksin e ri doganor. 

Shqiptarët e të dy krahëve të kufirit, pas marrëveshjes së palëve për takim masiv (për atë ditë) “pa rregulla doganore” shpërthejnë drejt njeri tjetrit. Pleq e të moshuar, gra, të rinj e të reja, fëmijë takohen me njeri tjetrin me gëzimin e njerëzve të një gjaku në zemër, me lotin e përmallimit në sy. Drejt Maqellarës e Peshkopisë, drejt Dibrës së Madhe e fshatrave të saj, udhëtojnë njerëz me krahët e hedhur supeve të njeri tjetrit. Arteriet e vjetra të shqiptarëve zgjerohen e në to rrjedh gjaku i pastër i vëllezërve…

Jashtë kronikës zyrtare është e domosdoshme të shënojmë: 

Vonë, në mbrëmje  teksa nata kishte rënë, magjistrali i Bllatës ziente nga lëvizjet e ndërsjella…

Në shënimet e mija të 13 dhjetorit 1992 dua të përcjell kontributin e gazetarëve, luftën e tyre me penë, valë radioje e figurë televizive që kjo ditë të vinte sa më shpejt.

Nefail Spahiu, gazetar i “Flaka e Vëllazërimit” në numrin 4431 të 13 dhjetorit 1992 shënon: “Sot në Bllatë të Dibrës hapet kalimi i rregullt me Shqipërinë.dhe vazhdon “Pas shumë kërkesave dhe negociatave më në fund 13 dhjetori i këtij viti do të shënojë datën kur Bllata merr statusin e vendkalimit të rregullt ndërkombëtar kufitar…”

E takoj Nefailin i cili thotë: “Maja a lapsit të gazetarëve e shpoi murin dibran. Tani duhet të punojë për ta shembur, për ta shkulur…”

Ramadan Telqiu më kujton një moment nga kalimi i dibranëve të Dibrës së Madhe nëpër Bllatë në maj 1992: “Tek kalonim kufirin, thotë ai, emisioni shqip i Radio Shkupit përcillte një reportazh të “Zërit të popullit” për kalimin masiv të 15 prillit për Bajram të Madh. Zëri i spikeres Kujtime Kica i jepte reportazhit emocion të fortë. Për një moment ai ndërpritet dhe pak sekonda më vonë në efir përhapet zëri i Lutfi Turkeshit…

“Kujtimja, tregon Lutfiu të nesërmen e asaj dite në Peshkopi, nga emocionet u bllokua. Ia mora nga dora gazetën dhe vijova leximin…”

Marr nga kujtesa (i kthehem edhe bllokut të shënimeve) diçka nga kujtesa  në maj 1991, kur “Korabi” i Peshkopisë dhe “Korabi” i Dibrës së Madhe takohen në “kryeqytetin” e trevës së moçme, në Dibër.

Atëherë Lutfiut e Ramadanit për të përcjellë në radio informacionin, iu desh të ndiqnin linjën telefonike Peshkopi- Tiranë- Athinë- Beograd-Shkup… 

Tani këto distanca janë shkurtuar. Nga Peshkopia mund të lidhesh e të bisedosh me linjë të drejtpërdrejt me Dibrën e Madhe nëpërmjet linjës Peshkopi-Maqellarë-Bllatë-Dibër në çdo kohë të ditës.

Midis dy Dibrave ka edhe një pengesë që duhet shembur: detyrimet doganore, taksa e kalimit të kufirit. Për xhepin e grisur të dibranit (të të dy anëve të kufirit) taksa e vënë është një pengesë në rrugën e afrimit të vëllait me vëllanë.

Më 14 dhjetor 1992 në mesditë, nga Peshkopia përcolla Nefail Spahiun. Nxitonte për ti dhënë “Flakës së vëllazërimit” reportazhin e vet me mbresa të dibranëve  në të dy anët e kufirit arbitrar të viti 1913… 

A.Ashiku