LAMTUMIRË, MEXHIT MËZIU


Nga HALIL RAMA

Pothuajse, gjithë burrat e djemtë e Muhurrit, si edhe të krahinave përreth, jo vetëm të ardhurit që banojnë në metropolin shqiptar, në Durrës, Laç, Lezhë e Shkodër, por edhe nga trojet autoktone e nga hapësira mbarëshqiptare në botë, ishin më 13 shkurt 2022, në mesditë, në varrezat e Bathores, për t’i dhënë lamtumirën e fundit Mexhit Mëziut. Vetë prania e mijëra dibranëve në këtë ceremoni mortore ishte dëshmia më e qartë e respektit që ata gëzonin për Mexhitin.

Ai kishte lindur në Muhurr, më 1 maj 1942, për t’i mbyllur sytë përgjithmonë, të shtunën e 12 shkurtit 2022. Ndërsa paraditen e kësaj date, si edhe çdo ditë tjetër, ai do të pinte kafenë e mëngjesit me shokët e tij, papritur, një atak kardiak do të bëhej shkaku i ndarjes së tij nga jeta.

Familja, miqtë, të afërmit dhe shokët e tij të shumtë do ta përjetonin me trishtim e dhimbje të thellë vdekjen e njeriut të tyre më të dashur. 

Ndaj s’kishin si të mungonin ata në ceremoninë e përcjelljes së tij për në botën e përtejme.

I rritur jetim, që në fëmijërinë e tij të herëshme, nën përkujdesjen shembullore të nënë Zamanes, Mexhiti do t’i ngjiste me krenari shkallët e dijes dhe do të përballonte me dinjitet punë të vështira për t’i ardhur në ndihmë familjes.

Në moshë fare të re do të punonte në Ndërmarrjen e Shfrytëzimit Pyjor Dibër, për t’iu përkushtuar më pas profesionit të shoferit me pasion e përkushtim të jashtëzakonshëm. Dhe jo vetëm si person, por duke ndihmuar edhe dhjetra djem të tjerë të Muhurrit, që t’i përkushtoheshin këtij profesioni. Kështu, nëse shoferët muhurrakë zinin numër të konsiderueshëm në Parkun Automobilistik të Dibrës, si edhe në Minierën e Mermerit, SMT, NB etj., më i spikaturi, padyshim, ishte Mexhit Mëziu. Një shofer me inteligjencë të rrallë, që shquhej jo vetëm për profesionin, realizimin e tejkalimin e planit me “Saurel”-in e tij, por edhe si një veprimtar i mirë shoqëror. 

Me punën e sjelljet e tij shembullore në shoqëri e familje, ai arriti të integrohej deri në strukturat më të larta të rrethit, duke u zgjedhur deri anëtar i Plenumit të Komitetit të PPSH të rrethit Dibër.

Qytetarët dibranë e donin dhe e respektonin Mexhit Mëziun, edhe kur drejtonte autobusin e linjës Peshkopi-Tiranë, edhe kur ai qe ndër të parët shoferë të eksport-importit të mallërave nga shtete të ndryshme të botës.

Mbi një dekadë, si shofer eksport-importi, ndikuan që Mexhiti të krijonte profilin e qytetarit që përvojën e përparuar botërore ta reflektonte në sjelljen e qytetëruar në familje e shoqëri. Këtë profil do të përshfaqte ai, edhe në dhjetra vite si shofer i autobusit të linjës Peshkopi-Tiranë, duke fituar respektin e mijera dibranëve.

Vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në Valias, mes shokëve e miqve të shumtë, që i donte dhe e donin aq shumë.

Ashtu siç ishte vetë, shembull në familje e shoqëri, ai dhe bashkëshortja e tij, Safia, rritën dhe edukuan tre djemtë dhe tre vajzat e tyre: Ismetin, Idajetin, Violetën, Ylberin, Ervinën dhe Adelinën, të cilët e gëzonin jashtë mase me arritjet e tyre dhe me familjet shembullore që krijuan. U gëzohej arritjeve të tyre dhe lumturohej me nipërit e mbesat, të cilët nuk do të harrojnë kurrë dhe do të trashëgojnë e çojnë më tej trashëgiminë e tij të vyer.

Lamtumirë, Mexhit Mëziu!

Parajsa qoftë vendbanimi yt i përjetshëm!