Duke i thënë “Jo” Skavicës, ne i bëjmë një shërbim shumë të vyer vendit tonë


Sot është e domosdoshme shfrytëzimi me eficensë i tokës bujqësore. Koha ka risjellë në skenë nevojën e prodhimit të drithërave për prodhimet bazë. Skavica do ta mbytë luginën e Drinit, këtë hambar të Dibrës dhe Shqipërisë në veri të vendit. Nesër me Skavicën ajo nuk do të jetë më. Dhe ndoshta nesër do të kuptojmë ne dhe brezat gabimin që është bërë.

Nga Selami Nazifi

Si shumë të tjerë e kam ndjekur me interesim dhe shqetësim problematikën që është ngritur për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Është folur shumë në rrjetet sociale, në media e televizor. Ndjekja e kësaj çështje përmes mediave, sidomos përmes gazetës “Rruga e Arbërit”, më nxiti të shkruaj, për të qenë pjesë e këtij shqetësimi, jo vetëm si dibran, por mendoj se ky shqetësim duhet të bëhet mbarëkombëtar.
Para shumë vitesh kam vizituar Butrintin dhe kalanë e Lezhës dhe kam rastisur të gjej duke punuar ekipe pune me arkeologë, që në duart e tyre mbanin objekte dhe e pastronin me furçë me një përkujdes e përkushtim të veçantë, nën rrezet e diellit përvëlues, kapele kashte në kokë e pantallona të shkurtra. Më bënte shumë përshtypje e largohesha pa u menduar më gjatë. Çfarë durimi?! Ata në profesionin e tyre nuk bënin as më shumë e as më pak, por përpiqeshin të zbulonin të vërtetat historike.
Këto ditë po lexoja librin “Shtyllat e kombit” të Shtjefën Gjeçovit. Në faqen 19 më tërhoqën vëmendjen këto rreshta: “Sa vlerë ka literatura për një komb, aq ka dhe arkeologjia. Arkeologji, sa është punë e lakmueshme e punë e vlefshme, aq më shumë gjendet në rrezik me na shpëtue duarsh. Mjafton një qese e mbushur me objekte të vjetra të zbulueme në tokën tonë prej një të huaji, për me na lanë në errësirë ndonjë pikë të historisë”. Kjo është thënë e shkruar para 100 vitesh nga Gjeçovi, që njihet si etnolog, folklorist, si mësues, historian, arkeolog, shkrimtar e gjuhëtar, luftëtar e atdhetar. Vritet nga plumbat serbe në tetor 1929. “Për me lanë në errësirë ndonjë pikë të historisë…”.

Skavica nuk lë në errësirë një pikë të historisë, por mbyt, sakaton e vret në mënyrë barbare historinë e një krahine. Dhe këtë nuk na e bëjnë të huajt, por e bëjmë ne, me duart tona.
Duhet t’i themi “Jo, Jo dhe Jo Skavicës!”. Nuk zhduket vetëm historia e krahinës së Dibrës, por zhduket një pjesë e mirë e historisë kombëtare. Historia e Skënderbeut nuk i takon vetëm Dibrës, por gjithë kombit dhe më shumë.
Dje dhe sot kemi qenë dhe mbetemi një vend i varfër për të investuar aq sa duhet në lëmin e arkeologjisë, por sot të paktën, nëse s’kemi mundësi të investojmë për të zbuluar të vërtetat historike, mos të investojmë për t’i mbytur e zhdukur ato nën ujërat e Skavicës. Se do të vijë një ditë që do të kërkojnë pasardhësit tanë me polumbarë për të kërkuar të vërtetat historike e visaret që sot i mbulon vetë toka e nesër do t’i mbulojë edhe uji.
Historia e një kombi nuk fillon e mbaron vetëm në 2-3 breza. Do ngopemi me energjetikë, por brezat e ardhshëm do të na mallkojnë për këtë krim që po bëjmë ne e pushteti. Për një anije “Titanik” të mbytur harxhon bota me miliarda dollarë. Po Titaniku ynë Skënderbe, që e mbysim dhe zhdukim të vërteta historike me duart tona?! A ka lidhje ndërtimi i kësaj vepre me “Ballkanin e hapur”? Pas k: tyre pyetjeve q: shtrojn: Abdurahim Ashiku dhe Nazmi Koçi, mund t: shtrojm: pyetjen tjet: r: A jemi në një pikë të errët të historisë?!
Bashkëfshatarët e qytetarët e mi nga Zall-Dardha, Çidhna, Muhurri, Luznia etj., fati dhe rrethanat i kanë vënë në një situatë të ndërlikuar. Çdo njeri e ka një borxh për të shlyer ndaj vendit të tij. Sot para jush shtrohet detyra e madhe patriotike që t’i themi “Jo Skavicës, Po Dibrës”. Skavica do të përmbysë më shumë se 25 fshatra, rreth 30 vende prehistorike, antike e mesjetare, vrasim objekte e visare historike, varret e të parëve, historia, tradita dhe e vërteta. Mendojeni mirë, do t’i bëni ju shërbim Dibrës, Atdheut, familjarëve, duke i thënë “Jo Skavicës”, në respekt të të parëve tuaj. Nëse s’ka respekt për të parët e tu, të familjeve, traditave e kujtimeve tona, mos prit të kenë respekt për ty të tjerët, farefisi apo të huajt. Duke i thënë “Jo Skavicës”, ti i bën një shërbim shumë të vyer vendit tënd, krahinës e atdheut.
Duke lexuar peticionin e hapur për t’i thënë “JO Skavicës’, shkruhej se “dëmi ekonomik në aspektin kombëtar qëndron në plan të dytë, në krahasim me dëmin që shkakton në aspektin gjeopolitik, historik dhe etnokulturor”.
Ai njeri që nuk është i lidhur me vendlindjen e tij, në përgjithësi nuk është i lidhur as me njerëzimin. Ajo firmë e juaja tregon se qëndroni shumë më lart se deputetët, qeveritarët e intelektualët indiferentë, duke dhënë një mësim se qeveria të mendojë më shumë për të ringjallur tek qytetarët rrënjët tona shpirtërore për lirinë, historinë, arkeologjinë, artet.
Edhe nga ana ekonomike nuk besoj se Skavica do t’i përmbushë nevojat tona. Këtij vendi natyra i ka falur mrekullitë natyrore. Vendit tonë s’i kanë munguar pasuritë natyrore, si ato nëntokësore me pasuritë minerale si kromi, bakri, flori etj., dhe ato mbitokësore si deti, lumenjtë, malet e plot pasuri të tjera të rralla. Por ne asnjëherë nuk ngritëm kokë. Ne i kemi shfrytëzuar keq pasuritë tona. Mjaftojnë të sjellim shembullin e shfrytëzimit të minierës së Bulqizës, të ardhurat e së cilës nuk ndikuan në rritjen ekonomike të punëtorëve e të qytetarëve. Kjo për faj të keqqeverisjes.
Sot, në kohët moderne, ka edhe alternativa të tjera të shfrytëzimit dhe prodhimit të energjisë. Ajo e shfrytëzimit të erës dhe diellit po shfrytëzohet shumë pak në vendin tonë, për të mos thënë aspak.
Sot është e domosdoshme shfrytëzimi me eficensë i tokës bujqësore. Koha ka risjellë në skenë nevojën e prodhimit të drithërave për prodhimet bazë. Skavica do ta mbytë luginën e Drinit, këtë hambar të Dibrës dhe Shqipërisë në veri të vendit. Nesër me Skavicën ajo nuk do të jetë më. Dhe ndoshta nesër do të kuptojmë ne dhe brezat gabimin që është bërë.
Ndaj, është koha, para se të merret një vendim i gabuar, të gjykohet ftohtë dhe me arsye. Sepse nuk na takon të gjejmë një zgjidhje afatshkurtër, për brezin tonë; por një zgjidhje afatgjatë në të mirë të brezave që vijnë dhe vendit mbarë.

POPULLI DIBRAN, NË SE DO TË JETË I BASHKUAR, NUK DO TA LEJOJË SKAVICËN

Prof. dr. Eshref Ymeri më erdhi në adresën time elektronike me një mesazh nga Kalifornia. Një mesazh i ngrohtë, një thirrje nga larg, një vikamë për ti thënë JO SKAVICËS dhe PO DIBRËS.
Lexojeni me kujdes thirrjen e tij drejtuar popullit dibran, thirrjen për tu bashkuar si njëherë e një kohë me “Trimin legjendar Elez Isufi”.
Po e përcjell për të treguar se me Dibrën e pro Luginës së Drinit të Zi për të qenë e bukur dhe e begatë siç e ka krijuar natyra dhe siç e ka bërë një popull i shquar për punë dhe mendje, Dibra dhe Dibranët nuk janë vetëm dhe se të bashkuar nuk do ta lejojnë Skavicën.
Faleminderit Profesor Ymeri!
Abdurahim Ashiku
18 mars 2022
* * *
Populli dibran, në qoftë se do të jetë i bashkuar, nuk do ta lejojë Skavicën.
Unë shpresoj shumë te dibranët se ata janë pasardhës të trimit legjendar Elez Isufi, të gjeneralit me shajak, siç e pati quajtur ai anglezi. Sepse Elez Isufi ishte ai, i cili, si askush tjetër në trojet e pushtuara nga ushtria kriminale serbe, Drinin e Zi e pati mbushur me kufoma ushtarësh të vrarë serb, çka Beogradi e kujton me tmerr edhe sot e kësaj dite.
Shëndet dhe mbarësi.
Eshref Ymeri
Kaliforni, 14 mars 2022