Eh, ç’më kujtove veliun e furrës, or mec


Veliu ishte humori i viteve të mia të fëmijërisë. Të “miat” them edhe unë, kur ata ishin jo vetëm të fëmijëve por edhe të rriturve, burrave me një pashë mustaqe. Thashë “të miat” sepse ne ma shumë ia linim e të mëdhenjtë gajaseshin së qeshuri kur ai na ndiqte derisa të na e linte “peçin”.
E ne, në një stafetë njeri pas tjetrit, vazhdonim t’ia linim e ai vazhdonte të na ndiqte…
Peçi, për ata që nuk e gjejnë as në fjalorin e madh të gjuhës shqipe (se nuk e ka) është një lojë popullore në Dibër, lojë e fëmijëve, të rinjve dhe të rejave.
I shkon shokut a shoqes nga prapa, pa u ndjerë, e prek butë mbi shpatulla, dhe i thërret me zë të lartë që ta dëgjojnë të gjithë:
– Ta lash peçin…
Dhe ikën, vrapon, dredhon…
Ai të ndjek, vrapon, dredhon, gulçon…
Të tjerët në kor, mes duartrokitjesh, këndojnë, qeshin, lozin, thumbojnë …
Peç…peç…peç…
Ta lashë…ta lashë…ta lashë…
Veliu në Peshkopi njihej me emër e mbiemër Veliu i Furrës për shkak se ditët e netët, edhe të nxehtat e verës edhe kallkan të dimrit, i kalonte në furrën e Dautit.Ishte një personazh grotesk popullor paraprijës i personazheve që erdhën më pas si Sehiti i Kadiut, Lam Zagradi, Ferrë Doka e që e mbushën qytetin e vogël rrëzë Korabit me gaz e hare, bile, bile edhe me hamendësimepër Ferrën se ishte spiunë i superfuqive.
Veliu herë pas here merrte një sapllak me ujë të nxehtë nga furra dhe në mes të dimrit e hidhte mbi ujin kallkantë përroit. E hidhtepër ta nxeh e për tu la. E hidhte poshtë rrjedhës dhe lahej lart…
Veliu e kishte një merak.
Nuk toleronte ta prekte kush e ti thërriste “Peç or Veli ! ”.
Të ndiqte deri sa të ta linte…
Edhe po nuk arrinte të të kapte në ato çaste ngarendjeje nëpër hapësirën e gjerë sa një stadium të pazarit, ta ruante “në kësulë”. Të mbante mend dhe, kur nuk e prisje, ndjeje mbi shpatulla dorën dhe zërin e tij të trashë “Ta lashë”…
Nuk e di se si më erdhi në kujtesë Veliu me atë mjekrën si thirri i furrës e ato rrobat blozë të zeza, me sapllakun me ujë të nxehtë e vendosmërinë e tij për të ta lënë “peçin”.
Mbase nga beteja e politikanëve që nuk pranojnë ta mbajnë mbi kurriz “peçin” që e kanë përshtatur jo me ndonjë fjalë të shqipes por me një të huaj nuk e di se nga çfarë diksionerësh gjetur, REPLIKË.
Në parlament “peçi” qarkullon aq shumë sa lodhen së ngarendur deputetët, e lodhet deri në stërlodhje kryparlamentarja për ti ndalë e për ti ndarë.
Kjo edhe në dritare televizive, kombëtare e lokale, portale, partiake e të pavarura për këmbësh (vetëm për koke).
Peçi është bërë lojë kombëtare. Jo e fëmijëve që i iknin Veliut me vrap, por i të “rriturve me grada e ofiqe” që e ndjekin njeri tjetrin me nge e me hap. Peçi është bërë lojë edhe qeveritare. Provo po të duash ti bësh një vërejtje kryeministrit.
Prodho thuash: Ta lashë!
Ngarend e ngarend, në tërë Shqipërinë.
Të gjen e thërret me të madhe.
Peç! Ta lashë!
Dhe Peçi vazhdon,
ditë për ditë,nga mëngjesi në mesnatë…
Lojë e bukur.
Të bën të qeshësh,
kur ia le.
Të bën të qajsh,
Kur ta le…

* * *
Mos harroni të luani “peç”,
fëmijë e të rritur,
djem edhe vajza.
Fushave, kodave, maleve…
Nga liqeni,
bulevardit…
Iku Ditë Vera,
Vjen Nevruzi,
Më pas Shëngjergji…
Shënkolli,
Shënmërija,
Shmitri…
festa pagane…
Merr shëndet,
zgjon humor,
ju jep jetë…
KOHË PËR PEÇ…
* * *
Eh ç’më kujtove Veliun e Furrës or mec.
Qesha dhe shkrova me lot!
PEÇ, UA LASHË!
A. ASHIKU, 15 mars, 2022