Hallva për mbytjen e Dibrës në natën e Kadrit


Fejton Nga Abdurahim Ashiku

Sonte është Nata e Kadrit, një kujtesë e veçantë në kalendarin mysliman gjatë kremtimit të muajit të madhnueshëm të Ramazanit.
Në vogli i gëzoheshim kësaj dite sepse ndër të tjera në menynë e iftarit gatuhej hallvë, ëmbëlsira karakteristike dibrane për ngjarje fetare e popullore-pagane.
Për dasmë…por edhe për mort…
Sot, në me biznesmenë nga bota, u zhvillua një tubim solemn ku ministrja e energjetikes Balluku foli shqip, kryeministri Rama foli anglisht, ambasadorja e SHBA Juri Kim foli në gjuhën e supervendit të vet.
Të tre pasi lëçitën një nga një të gjitha burimet e rinovueshme të prodhimit të energjisë elektrike; – të erës, diellit, gazit, valëve të detit, atomit, hidrogjenot etj. u ndalën në Skavicë, hurdhën me mbi 60 kilometra katrore pasqyrë ujore, hurdhën që do të zhysë dhe mbysë luginën e vetme të Drinit të Zi, rreth gjysmën e gjatësisë së lumit më të madh të Shqipërisë, lum që tash nuk e dimë se çfarë emri do ti venë gjeografët.
Nuk u tha asnjë fjalë nga fjalori human njerëzor për njerëzit, për ata që u përfundon nën uji gjithçka; toka, varret, vlerat materiale, kujtesa shoqërore.
Nuk kishte hapësirë për ta thënë. Biznesmenëve të pranishëm nuk u interesonte as toka e luginës më pjellore të Shqipërisë që ka mbajtur me bukë e gjizë breza njerëzorë e breza luftëtarësh, tokë e lakmuar nga pushtimi serb ku dibranët kanë derdh gjak me kova për ta pas atë trashëgim ndër breza, as historia, veçanërisht ajo e betejës së parë të Gjergjit të Gjon Dibranit që ndali vërshimin otomon në Evropë në Fushë Çidhën, Beteja e Torviollit, as luftërat e njëpasnjëshme me serbin e serbosllavinë që e donte për vete luginën e Drinit të Zi si shkallë për të zbritur në bregdet e për ta këputur Shqipërinë për brezi.
Nuk ua thanë…
Dhe nuk kishin si tua thoshin…
Transparenca kishte vdekur…
Sot, Natën e Kadrit, familjet besimtare myslimane dibrane do të gatuajnë hallvë.
Hallvë për festë…
Hallvë për mort…
Në qoftë se dibranët do ta shijojnë…
Megjithatë, sa e njoh unë Dibrën dhe dibranët, vonojnë, por nuk harrojnë.
Unë kam besim tek djemtë e vajzat e reja dibrane, besim se ata, me dijet dhe kulturën e kohës që kanë, do ta çojnë “Skavicën” në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe nuk do të lejojnë që në sofrën e tyre tu serviret “hallva” e mortit për Dibrën.
Si thua ti Farzileta, Adem, Munir, Marjana, Miranda, Margarita, Bujar, Agron, Selami, Selman, Zini, Arif…?
Ju e keni në dorë…
Po e latë të mbytet, do të endeni si çifuti në shkretëtirë e Dibrën, sado ta kërkoni, nuk keni për ta gjet.
27 prill 2022