Mulla Tafik Gjorllaku


Nga Ismen Brika

Tafik Gjorllaku lindi në fshatin Ploshtan të nënprefekturës së Bice në vitin 1865 dhe ka ndërruar jetë në vitin 1971. Ai është njeriu më jetëgjatë në fshatin Ploshtan e në gjithë zonën e Kalasë së Dodës.
Rrjedh nga një familje patriotike, klerikale. Ai ka bërë emër për fe, atdhe, për zhvillimin e arsimit në Ploshtan e në Kala të Dodës. Ai gëzonte veti si njeri me karakter të fortë e me shumë dhunti, gëzonte kulturë fetare me dije të thella të filozofisë islame, si dhe kishte veti të veçanta të një udhëheqësi shpirtëror. Ai gëzonte zgjuarsi oratorike, kishte kulturë në komunikim, urtësi e sjellje shembullore, ishte njeri me vullnet e me dëshirë për profesionin e Hoxhës e të administrimit të punëve në Komunën e Ploshtanit. Mulla Tafiku ishte një organizator i zoti në punët e fshatit e të komunës, të xhamisë e më gjerë të zonës. Ishte besimtar i përkushtuar ndaj fesë, Zotit, atdheut, burrë trim e besnik. I dashur me banorët e zonës e bashkëfshatarët. Këtë dashuri e kishte dhe me nxënësit e xhematin. Ai zotëronte shumë mirë gjuhën shqipe, turqisht dhe arabisht.
Mësimet e para i mori në mejtepin e Ploshtanit nga mësues mulla Sadik Dani e mulla Sejfullah Sefa nga Careni. Në Ploshtan mbaroi shkollën Rruzhdije me rezultate shumë të mira nga viti 1886 deri në vitin1890.
Duke parë përgatitjen shumë të mirë, ai dërgohet në mejtepin e Prizrenit me profil Hoxhë, por dhe për administratë publike, shkollë të cilën e mbaroi shumë mirë. Pas mbarimit të shkollës caktohet sekretar në Komunën e Ploshtanit nga viti 1893 deri në vitin 1898 dhe drejtues i shkollës Iptadije në Ploshtan. Familja dhe administrata turke e dërgon me studime në Stamboll për teologji e administratë, shkollë të cilën e mbaroi shumë mirë. Ai caktohet përsëri sekretar komune në Ploshtan nga viti 1902 deri në vitin 1923. Qenia e tij si sekretar komune dhe imam në fshatrat Ploshtan, Shulla, Bejshe e Dode bëri që ai të njihet me shumë figura të fesë islame, të Mifterisë së Prizerenit si Qazim Laçi, Bedri Pojani e Hoxhë Memeti i Shtiçnit. Ky qe dhe shkaku që ai bleu shtëpi e tokë në Prizren për të jetuar me familjen. Mulla Tafiki ishte njeri me vullnet e dëshirë në profesionin e Hoxhës, ai përgatiste të rinjtë e të rejat në zbatimin e riteve fetare, ishte një ligjërues i vajzave para xhematit, ai qe një komentator i shkëlqyer i Kuranit në gjuhën shqipe.
Mulla Tafik Gjorllaku ka dhënë mësim në shkollën Rruzhdije të Ploshtanit nga viti 1902 deri në vitin 1912 së bashku me Mulla Sadik Potja e Mulla Gafur Brika.
Sa herë që fatet e atdheut kanë qenë në rrezik, Mulla Tafiki ka luftuar me armë në dorë kundra forcave turke nga viti 1890 deri në vitin 1912. Ka marrë pjesë në betejën e Kolesianit kundra serbëve nga data 14 deri me 17 nëntor. Ky qe dhe shkaku që forcat serbe vranë në Caren babën e tij Shaban Gjorllaku e shumë të tjerë ploshtanas e carenas. Molla Tafiki në luftërat e zhvilluara me 1913 kundra serbëve ka kryer dhe rolin e korrierit midis forcave te Lumës e Anes se Epër. Ky qe shkaku që me 5 tetor 1913 u mor peng nga serbët bashkë me Vehap Brikën, Hasan Hidrin e Molla Gafurrin për 6 muaj në Prizren. Ai qe kundra forcave bullgare e austro-hungareze nga viti 1916 deri në vitin 1918, duke mos u angazhuar në asnjë aktivitet të tyre përveç atë të Imamit të Ploshtanit. Mulla Tafiki ka luftuar me armë në dorë kundra serbëve nga viti 1918 deri në janar të vitit 1921. Ai bashkë me Halim Leskën ka marrë pjesë në kuvendin që u zhvillua në teqenë e Carenit, në teqenë e sheh Shkurtit në Gjegje në mars e maj 1920 për organizimin e popullit në kryengritje kundër pushtimit serb.
Kontribut të veçantë Mulla Tafiku ka dhënë në hapjen e shkollës së parë shqipe në Ploshtan në tetor-nëntor 1922, ku ai ishte sekretar komune e imam në Ploshtan. Ai mori pjesë në të gjitha takimet që zhvilloi Hasan Prishtina në Komunë, ku kryetar ishte Osman Lita, në takimin në shtëpinë e Osmanit në Dode, në shtëpinë e Sheh Hajrës në Caren e në shtëpinë e Rufat Malikit në Ploshtan. Ai bashkë me kryeplakun Mehdi Brika organizuan popullin e Ploshtanit në ndërtimin e shkollës në tokën e Zholin në mëhallë të epër. Të gjithë djemtë e Mulla Tafikit e të vëllait të tij Malik Shabani kanë mbaruar shkollën shqipe në Poshtan si Rufati, Mislimi, Sadiki dhe djemtë e tij, Azemi, Muharremi, Imeri, Akremi, Osmani. Muharremi ka qenë një nga nxënësit më të mirë të shkollës së Ploshtanit. Imeri krahas shkollës shqipe u përgatit nga vetë Mulla Tafiki për Hoxhë. Molla Mera edhe në regjimin e kaluar kur ishte e ndaluar feja, ai ka zbatuar ritet fetare dhe asnjë bashkëfshatar nuk është varrosur pa ju falë xhenazja. Ekremi e Osmani u bënë blegtorë e organizues të stanit në Ploshtan, brigadier në Kooperativën Bujqësore. Nipat e tij Rufati, Mislimi, Sadiki, Shabani krahas mësimeve fetare në Mejtepe, mësuan edhe gjuhën shqipe me shkrim dhe për këtë ata falën dhe hotelin me dy dynymë tokë shkollës së Ploshtanit. Pasardhës i Mulla Tafikit është Ramadan Gjorllaku, mësuesi i parë i Ploshtanit, emrin e të cilit ka shkolla. Ai ka dhënë një kontribut të veçantë në zhdukjen e analfabetizmit në Ploshtan, Caren e më gjerë. Djemtë e Ramadanit dallohen për organizimin e punëve në fshatin Ploshtan, si kryepleq të fshatit, si tregtarë, por dhe si blegtorë. Nipin Shahat e dërgoi në shkollë për hoxhë dhe Abduli mbaroi shkollën gjimnaz i përgjithshëm, ku punoi si ekonomist në komunën Kala e Dodës.
Mulla Tafiki mbahet mend si sekretari i komunës më jetëgjati, 30 vjet, dhe 70 vjet imam në Ploshtan e Palushe të Bushtricës. Ka falë xhenaze në Ploshtan e në gjithë zonën e Kalasë së Dodës.
Mulla Tafiki ka qenë një ndër themeluesit e “Klubit Bashkimi”, që u krijua në komunën e Ploshtanit, pas Kongresit të Manastirit.
Ai ka qenë anëtar i komisionit të zgjedhjeve në vitin 1923, ku deputet i Lumës u zgjodh Avni Rustemi.
Mulla Tafiki ka qenë përkrahës i qeverisë së Nolit. Ai ka qenë një nga organizatorët për takimin që do të bënte Bajram Curri me kuadrot e komunës së Ploshtanit e me popullin e fshatit Ploshtan në shtëpitë e Hakik Ademit.
Mulla Tafiki bashkë me nipin e tij Rufatin, Malikin ka qenë anëtar i komisionit të zgjedhjeve të këshillave nacionalçlirimtare në Ploshtan në vitin 1944.
Nipi i tij Rufati ka qenë kryetari i parë i Frontit Demokratik në Ploshtan.
Ka qenë kryetar i bashkësisë islame për Kalanë e Dodës dhe anëtar i bashkësisë islame me qendër në Bice.
Ka qenë kryetar për ruajtjen e mirëmbajtjen e objekteve të kultit në zonën e Kalasë së Dodës, si dhe kryetar i komisionit të xhamisë së Ploshtanit dhe i administrimit të tokës Vakuf që Ploshtani ka, 74 dynymë arë.
Ka qenë një ndër organizatorët e vendosjes së itifakteve në Ploshtan e merita e tij qe kur u kthyen nga muhaxhirlliku ploshtanasit vendosën që të mos ketë martesa brenda fshatit dhe të gjithë janë motra e vllezër.
Pasardhësit e Molla Tafikit qenë organizatorët e rikonstruksionit të xhamisë së Ploshtanit në vitet 1990.
Mulla Tafiki është një ndër themeluesit e shkollës së parë shqipe Ploshtan. Ai do të kujtohet si njeri arsimdashës e kontribues në zhvillimin e arsimit, si njeri trim, patriot e atdhetar, si njeri me edukatë e kulturë, si njeri i besës, si predikus, zbatues i riteve fetare në Ploshtan e ne gjithë zonën e Kalasë së Dodës. Ai do të mbahet mend edhe si drejtues në Komunën e Ploshtanit, si njeri që nuk ju nënshtrua asnjëherë pushtuesve e sidomos atij serb.