Poetja e drithërimave, ngjyrave dhe lirikave të shpirtit


Nga Shaqir Skarra

Në fakt nuk e prisja kaq shpejt ku brenda vitit poetja, tashmë e afirmuar dhe e njohur nga lexuesi i shumtë shqiptarë, për lirikat e bukura dhe plot kolorit, Sulbije Shehu(Tota) do të na jepte si dhuratë librin e saj të tretë me titull “I fola hënës me pika loti”.
Tre libra, që të tre me poezi e që të tre me lirika. Dhe po thuaj nga fjala në fjalë, nga vargu në varg, nga strofa në strofë, lotët në poezitë e saj janë të ngrohta e plot dashuri.
Një ansambël i bukur në arkitekturë, plot sharm në vargëzim, plot zjarr në frymëzim, kur muza e poetes rri përherë ndezur. Vargjet poetike, Sulbije Shehu (Tota) i ngre jo mbi hirin e ftohtë që lënë prapa kohërat e përjetuara, sipërfaqësisht, por mbi flakën që mban ndezur, përjetësisht krijuesin e vërtetë.
Në mënyrë të sintetizuar poezia e Sulbije Shehut mund të klasifikohet si poezi e harmonive të shumta e mjaft të mëdha. Kjo poezi është harmonike në botëndijim dhe botëperceptim, në strukturimin sintaksor dhe atë ritmik, në akordet muzikore dhe imazhe.
Në poezinë shqipe, zëri i saj është i një cilësie të veçantë, ku tingëllon butësia e lirizmi, që kur e kur ndryshon modulohet, dallgëzon bashkë me botën përreth dhe prapë e pranishme mbetet maturia në shprehjen e mendimeve poetike dhe ndjenjave. Libri me lirika “I fola hënës me pika loti” jo që është ndryshe nga të parët por vetë vargu i poetes Sulbije Shehu të rrëmben, të tërheq si me magnet e nuk të lëshon deri sa e lexon librin nga poezia e parë e në të fundit.
Forma e të krijuarit poezi e poetes Sulbije Shehu(Tota), dallohet për nga rezultati i mëvetshëm poetik dhe në rezultatin e vlerës poetike. Zgjerimi i tematikës e lidh tematikën kuptimore në mënyrë organike, pasi llojshmëria është krijuar nga autorja me mjaft mjeshtëri dhe përpikmëri.
Dashuria është universi poetik më i plotë i Sulbije Shehut. Do të ishte me mjaft interes të hetohej në mjaft detaje se cila është në fakt përqasja e fakteve me shprehjen mjaft emocionale të vargjeve që mbruhen me këtë ndjenë të madhe fisnike, njerëzore e kaq të fuqishme në poezinë e poetes. Pa tjetër duhej të na shfaqej diku një Beatriçe, një Xhulietë, një Romeo që trazon ëndrrat e poetes, për të mbetur ashtu, si një ëndërr e bukur e të gjitha moshave.
Po për poeten pak rëndësi ka vasha tek kroi i fshatit, djali çoban të cilët iu shfaqën në jetë për të mbetur përgjithmonë në poezinë e saj. Rëndësi shumë kanë emocionet e përfituara si rrjedhojë e përjetimeve të tilla, sepse, vasha, djali dhe dashuria në poezinë e saj janë një dhe një.
Universi i dashurisë është kaq tokësor, është një puthje, një përkëdhelje diku në krua apo lëndinë, një lot i ngrohtë që tradhton sytë e të dashuruarve, por që ngërthen hapësirat kozmike të të gjitha kohërave qysh nga antikiteti; është kufiri i dhimbjes me kënaqësinë, kufiri i jetës me vdekjen. është në fund të fundit mundësia e realizuar ose. pikërisht në këtë të dytën, revolta e brendshme e poetes, shpërfaqet me çiltërsinë e vet të skajshme:
“Asnjë fjalë ti nuk fole,
Sytë e zinj mbuluar lot’.
Hapa krahët nëpër ëndërr,
Desha të të përqafoj fort’ “.
Poeti është poet kur identifikohet në fakt me poezinë e vet, me çdo varg, me çdo fjalë. në poezitë e Sulbije Shehut kjo është e pranishme kudo, e shpallur si kredo. Në poezinë e saj, vërejmë qartë interesimin e saj me tendencë për të dëshmuar ekzistencën e njerëzve të thjeshtë të kohës që po kalojmë këtë proces ajo arrin ta nxjerr me realitet, sepse përqendrimi i vëmendshëm i autores bën që ajo ta hetojë vargun e saj,të prek situata të caktuara kohore gjer në realitetin aktual të kohës.
Poetja shfaqet në poezinë e saj me një shkallë të lartë ndjeshmërie, perceptimi e gjykimi për vetë fatet historike dhe njerëzore të bashkësisë shqiptare. Në këtë rrafsh do ta quaja me plot të drejtë një nga poetet më autentik dhe origjinal.
Në lirikat e bukura të saj jeta është shumë e shtrenjtë, njeriu është ai që ndërton të ardhmen, natyra e frymëzon, e zbut,i përkëdhel ndjenjat, dashuria i pasuron shpirtin. Lotët në poezitë e saj janë të ngrohta e plot dashuri. Dhe në poezinë “Ku shkoi vajza me trëndafila” ja si do të shprehet:
“Çdo mbrëmje,vajzën prisja me padurim,
Ajo shfaqej e bukur,me trëndafil në duar.
Vajza me trëndafil,e trazonte shpirtin tim,
Mos vallë dhe unë me të isha dashuruar?“
Poezia është vetë shpirti, produkt i një vuajtje dhe i një shtërzimi të madh shpirtëror. megjithatë, unë duke lexuar dhe rilexuar lirikat e Sulbije Shehut, disa herë përpiqem e rrëfej se çfarë ndjej e shikoj brenda shpirtit të poetes. Në atë mister ku nuk hyn dot mendja, shoh dhuntinë dhe ndjesinë e lindur.
Në laboratorin e poetes, thuajse çdo ndijim, së pari shfaqet në formën e ngjyrës, mandej ajo i jep mundimshëm trajtën e fjalës. Pra e para është ngjyra, jeshilja e përgjumur,gjelbërime shpresash, pjalm tërfili ngjyer…Raporti i poetit lirik me piktorin nuk është i njëjtë. Poetja i ka ngjyrat e drithërimat e tyre të kyçura brenda shpirtit dhe i nxjerr ato për të ngjyer dhe zbukuruar sendet dhe shpirtrat e njerëzve me ngjyrat e shpirtit të saj. Në poezinë “Kafja me ty” autorja shkruan:
“Eh! do i mbledh ca copa kujtimesh,
Të gjitha gjer në imtësi.
Betohem qe kurrë s’do të harrohet,
E bukur vërtet, sot dita me ty”.
Ngjyrat e lirikave të poetes Sulbije Shehu(Tota), janë ato të vendlindjes, të virgjëra, të freskëta dhe të papërsëritshme, ashtu siç janë ngulitur në shpirtin e saj qysh në fëmijëri.
Peizazhi i bukur i Vilës në të gjitha stinët e vitit, si mall fëmijërie, qielli i spërkatur me qumësht hëne, lëndinat ku kullosin bagëtitë, kroi i bukur i vashave, gjethi i venitur i lisit të moçëm që bie si lot i vajzës që humb dashurinë, uturima e Drinit plak, puthja e cucës në stan, bryma e vjeshtës. E poetja i kthen ngjyrat në simbole, në fjalë, në vargje, në poezi ndjesish emocionesh të pa shlyera.
Poezitë e librit më të ri “I fola hënës me pika loti” të poetes Sulbije Shehu, provojnë qartë se lirika nuk mund të shpallet kurrsesi dalë mode. Lirikat janë pjesë e krijimit botëror në të gjitha kohërat. Mendoj se lirikat dhe vëllimi me poezi i poetes Sulbije Shehu (Tota) ndihmon ndjeshëm në pjalmimin e shpirtrave tanë.

Thëllëzë rritur në Korab

Sa e ëmbël po më dukesh,
Thëllëzë rritur në Korab.
Nga momenti që të njoha,
Dua me t’pas vetëm ngat.

Unë i brodha malet,
Kodra edhe shkrepa.
Oh sa shumë u lodha,
Deri sa ty t’gjeta.

Lule m’lule shkova,
Nektarin tuj provue.
Në bjeshkët kuksjane,
Gjeta atë që me shpirt due.

Borën do ta shkri,
Dimrin ta bëj verë.
Që për ne të jetë,
Pranverë për çdo herë.

Cucë e bjeshkëve të mia!

Ç›bukuri moj të ka rënë,
Si një gonxhe larë me vesë.
Mos je diell apo je hënë,
Që shkëlqen nëpër mëngjes.

Ah’ sa shumë të qesh fytyra,
Ata sy ylber me harqe.
Trëndafil i larë me vesë,
Për ty bëj një mal me vargje.

Ti je lulja ma e bukur,
Je shkëndijë e mençurisë.
Dhe në shtigjet e errësirës,
Ti je dritë e urtësisë.

Si pranverë lule çelur,
Më je bërë vargje për shpirtin.
I a jep ndryshimin stinës,
Në mes dimrit çel filizin.

S’do e ndal vargun, as këngën,
Për ty varg malesh do bëj.
Nëpër vite do të ruaj,
Dashurinë që nuk ka faj.

Dritë për sytë e mi

Në mes të errësirës, dritë për sytë e mi,
Ndaj dhimbjeve të zemrës,ilaç për shërim.
Larg teje kur jam, më keq se në vetmi,
Me prezencën tënde, ngrihem fluturim.

Dhe po nuk fole e s’më the asnjë fjalë,
Mjafton të shikoj, tek ti frymë të marrë.
Më qetësohet shpirti, zemra kërkon t’dalë,
Nga magjia jote dehje e pa parë.

Ti ma dinë dobësinë, ndaj luan me mua,
Herë më largohesh, më ndjek me bisht syri.
Dhe fare pa folur, shpesh m’thua të dua,
Pranverë bëhet dimri me ty lule prilli.