Banorët: Lugina e Drinit të Zi duhet të mbrohet


  • “Banorët e zonave që preken direkt apo indirekt nuk kanë patur në asnjë moment mundësinë për t’u shprehur ndaj këtij projekti” 

  • “Po Dibrës, Jo Skavicës”, një nismë e cila u mbështet nga EuroNatur, organizoi takimet në të 32 fshatrat, të cilat mbulohen nga uji nëse ndërtohet diga e HEC-it Skavica.

  • “Kujdes, mos firmosni asnjë lloj letre, që mund tu afrohet. Do ta ndalojmë ndërtimin e Skavicës, me të gjitha format e mundshme të protestës e revoltës tonë, pasi ndërtimi i Skavicës, është baraz me ‘s’ka Dibër më’.”

Nga Hysen LIKDISHA     

Pamje nga takimet në Muhurr. Foto: Hysen Likdisha

Vijojnë protestat e dibranëve kundër ndërtimit të HEC-it në luginën e Drinit të Zi. Në të njëjtën kohë gjatë muajit Tetor 2022  janë zhvilluar disa takime me dhjetëra banorë, të cilët preken direkt nga ndërtimi i digës së Skavicës.

“Po Dibrës, Jo Skavicës”, një nismë e cila u mbështet nga EuroNatur dhe u zbatua nga organizata mjedisore “North Green Association”, organizoi takimet në të 32 fshatrat, të cilat mbulohen nga uji nëse ndërtohet diga e HEC-it Skavica. 

Kjo nismë, përtej takimeve, ka bashkëpunuar me ekspertë të fushave të ndryshme për të nxjerr në pah disa të dhëna shkencore për ti publikuar. Gjithashtu, një fushatë ndërgjegjësuese në mediat dhe rrjetet sociale do të jetë e vazhdueshme.

Takimet, ku veç banorëve të zonës, morën pjesë edhe  të shpërngulur për arsye të ndryshme në zona tjera të vendit, intelektualë etj, u hapën nga Edi Truka, drejtori ekzekutiv i organizatës “North Green Association” që zbaton projektin 

Takimet e organizuara kishin një risi nga takimet e tjera të organizuara më parë. Një ndër to ishte prezantimi mjaft domethënës me video-projektor, ku shfaqeshin pasojave negative në të gjithë rajonin e Arbërit nëse do të ndërtohet projekti i HEC-it Skavica. Kjo mënnyrë e përzgjedhur nga organizata mjedisore NGA, ishte për të përçuar më në detaje informacionet tek banorët e zonave, në mënyrë që ato të ishin të vetëdijshëm përtej fakteve sipërfaqësore të dëgjuara. Kjo do t’i ndihmojë ato të jenë të kujdesshëm në momentet kurë përfaqësues/kontraktues të kompanive të ndryshme do të shfaqen për të realizuar dëgjesat publike.

 Duhet theksuar që në takime, përveç banorëve të zonave, aktivistë, organizata lokale ishin prezent edhe intelektualë të profesioneve të ndryshme që kontribuan në forcimin e mëtejshëm të frontit kundër projektit që zhduk Dibrën.

Edi Tuka, në fjalën e tij, renditi disa nga rreziqet kryesore që mbart me vete një projekt i tillë si: humbje direkte dhe të vazhdueshme të biodiversitetit, me rezultat final, zhdukjen e specieve të florës dhe faunës; rrezikohen dhe zhduken fauna e egër, një ndër to specia në mbrojtje si  Reqebulli i Ballkanit; me ndryshimin e mikroklimës rrezikohen dhe zhduken të gjitha speciet në librin e kuq, por edhe mbi 70 përqind të bimëve autoktone medicinale dhe bujqësore, ; humbet prodhimtaria e tokave bujqësore që e kërkon e gjithë Shqipëria; shkelen dhe nuk zbatohen aspak strategjitë e miratuara për zhvillimin e qëndrueshëm të Dibrës; ndryshimi i mikroklimës shkatërron përfundimisht potencialin e jashtëzakonshëm turistik në të gjithë zonën sëbashku me pjesën e fundit të mbetur dhe më e bukur të lumit Drinit të Zi  etj.

Edi Truka pohoi se për këtë projekt kaq të rëndësishëm, është bërë me ligj të posaçëm në parlament dhe ku kompania është e paracaktuar, duke mos bërë asnjë tender ndërkombëtar të hapur. Gjithashtu, nuk është bërë apo miratuar asnjë dokument nga autoritete vendore që është “pro” apo “kundër” këtij projekti, duke iu referuar ligjit për autonominë vendore të vitit 2015. 

“Banorët e zonave që preken direkt apo indirekt nuk kanë patur në asnjë moment mundësinë për t’u shprehur ndaj këtij projekti”, thotë Truka, duke e quajtur edhe abuziv deklarimet e qeveritarëve se “HEC-i Skavica do të ndërtohet nga Amerika”.

Majlinda Hoxha, koordinatore e projektit “Po Dibrës, Jo Skavicës”, thotë për gazetën “Rruga e Arbërit”, se deri më tani nuk kemi asnjë info për këtë projekt.

“Qeveria nuk ka bërë një studim të mirëfilltë, që të merrte për bazë mendimin e banorëve për humbjen e identitetit nga shpërngulja, mbytja e zonës më të shëndetshme historike  dhe cënimi i pronës private nga mbytja e një të tretës së të territorit të Bashkisë Dibër”, thotë aktivistja Hoxha.

“Shumë njësi administrative në këtë bashki si Zall-Reçi, Zall-Dardha, Arrasi dhe Lura, nuk do të kenë akses të drejtpërdrejtë lidhje me Dibrën”, thekson Hoxha. Sipas saj, “një projekt i tillë do të ketë ndikim social-ekonomik, jo vetëm për fshatrat që shpërngulen, por edhe për të gjithë fshatrat e Dibrës së Poshtme, pasi mbulohet nga uji pjesa më e begatë e Luginës së Drinit të Zi.  32 fshatra humbin lidhjen direkte me Peshkopinë, si dhe “mbytet” trashëgiminë kulturore –historike 3000 vjeçare”.

“Nuk duhet të na shkojë ndër mend, – thotë koordinatorja  e projektit Majlinda Hoxha, – se mund të ketë dibran, që të pranojë të diskutojnë për të shitur me çfarëdollojë çmimi, sado të lartë, trojet e të parëve, që na i kanë lënë trashëgim”.

Në lidhje me këtë projekt, Hoxha  thotë se “nuk është marrë dakordësia e banorëve dhe sa i takon fillimit të punimeve, na është thënë se vetëm po kryhen disa punime për studimin e fizibilitetit “. 

BANORËT KUNDËRSHTOJNË PLANET E QEVERISË PËR NDËRTIMIN E SKAVICËS

 Në këto takime mjaft të irrituar janë edhe banorët. Ata kundërshtojnë në bllok ndërtimin e Skavicës dhe bëjnë thirrje për rezistëncë. 

Haxhi Drizi, 76 vjeç, një banor që preket drejtëpëdrejtë nga liqeni i Skavicës, thotë në fjalën e tij, se  “Muhurri e ka ruajtur tokën, jemi të lidhur me të. Këtu, ndër vite, thuhet se edhe “budallat e Muhurrit, nuk dalin jashtë katunit”. Këtu edhe ata me të meta fizike, nuk e kalojnë urën e Muhurrit.  Shqipëria ka pak sipërfaqe toke të punueshme, si mund të zëmë me ujë këtë pak sipërfaqe që kemi?!  Inxhinierët na kanë thënë se aktualisht nuk jemi duke punuar, por duke bërë studime.  Këtu nuk ka transparencë”, thekson ai.

Nazmi Drizi kryetar i shoqatës për Mbrojtjen e Luginës së Drinit të Zi, tha se “Skavica përmbyt Dibrën dhe e ndan atë në katër pjesë.  Punimet janë ndal, por kjo s’ka besë”.

Shemsi Prençi, -ish drejtor i Emergjencave Civile, tha në fillim të fjalës së tij, se “ndjehet mjaft i emocionuar që të flasë para bashkëqytetarëve të tij”.

“Këtu nuk jemi mbledhur as për Sali Berishën e as për Edi Ramën”, tha Prençi. “Mallkuar qoftë ai që shet pronën e baballarëve, për një punësim në shtet. Sot askush nuk më ndalon të jem përkrah vëllezërve të mi murrakë. Nuk vdes kush për bukë, për një punë në shtet”.

Prençi vuri në dukje faktin se “nuk e ndërton Amerika Skavicën, por qeveria shqiptare, për të pastruar paratë”. 

“Nuk e duan Muhurrin, se e kanë planifikuar për ta mbytur në ujë”. 

Prençi, gjatë diskutimit të tij theksoi edhe njëherë faktin se “pretendimi i ndërtimit të Skavicës, për të shpëtuar Shkodrën nga përmbytjet nuk qëndron, pasi ajo është përmbytur e do përmbytet nga keqmenaxhimi i ujit në kaskadën e Drinit”.

Më tej, Shemsi Prençi tha se “jemi kundër projektit të Skavicës, pasi ai është tejet anadollak, pasi ka mjaft alternativa të tjera për të siguruar energjinë elektrike, veç asaj të ujit”.

Ai u bëri thirrje banorëve të jenë të kujdesshëm “kur t’ju vijnë për të firmosur formularë, se ju mashtrojnë.  Edi Rama nuk e do Dibrën  dhe ka vendosur për ta ndërtuar Skavicën”.

Prençi theksoi se “me organizatat e mbrojtjes së natyrës, do ti drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese, për ta ndaluar ndërtimin e Skavicës, me procedurë kushtetuese”. 

“Ndaj kujdes, – porositi të pranishmit në këto tubime Prençi, – mos firmosni asnjë lloj letre, që mund tu afrohet”. “Do ta ndalojmë ndërtimin e Skavicës, me të gjitha format e mundshme të protestës e revoltës tonë, pasi ndërtimi i Skavicës, është baraz me “s’ka Dibër më”.

“Lugina e Drinit të Zi duhet të mbrohet fort dhe jo të mbulohet nga uji, pasi duan ta shpopullojnë dhe pastaj ta shfrytëzojnë për interesat e tyre, pa njerëz”, tha në diskutimin e tij Shemsi Prençi.

Haxhi Xhani, një banor i Muhurrit, në fjalën e tij, u bëri thirrje dy deputetëve të Dibrës, dhe veçanërisht Lavdrim Krrashit, i cili e ka origjinën nga shkëmbi historik i Arrasit, që “të ngrejnë zërin në mbrojtje të banorëve, për mbrojtjen e Luginës së Drinit të Zi, pjesë e së cilës është edhe ai vetë”.

Aktualisht qeveria shqiptare hodhi hapin e parë për vënien në lëvizje të projekti, në qershor të këtij viti.  Në zonën ku do të ndërtohet hidrocentrali, një projekt ky me vlerë rreth 500 milion euro, lartësia e digës do jetë 443 m. Qeveria ka përgatitur projekt-ligjin për negocim me kompaninë Bechtel International, për ndërtimin e këtij HEC-i. Aktualisht banorët konfirmojnë se aty ku do ndërtohet hidrocentrali, kanë parë të bëhen punime, por nga stafi inxhiniero-teknik është pohuar se nuk bëhet fjalë për fillim punimesh për ndërtimin e hidrocentralit, por për studimin e fizibilitetit.