Havzi Nela, i rrallë por jo i vetëm


Homazh për poetin nga Selami Nazifi

Para disa vitesh shkoja shpesh tek një farmaci bujqësore, që ndodhet diku pranë Pazarit të Ri në Tiranë. E dija që farmacisti ishte nga Kukësi. Një ditë, pasi mora porosinë që më duhej, e pyes farmacistin:
– A din gjë, ku është varrosur për së dyti herë i ndjeri Havzi Nela?
Mendohet pak sekonda e më thotë:
– Në fshatin e lindjes, në Kollovoz.
– E pyes për gjendjen e rrugës, kohën e udhëtimit, e disa hollësi të tjera në mënyrë që të planifikoj një vizitë homazh të varri i tij.
– Më fal, po pse interesohesh? – më pyet farmacisti.
– Kam lexuar për jetën e tij dhe më ka lënë përshtypje të thellë. Kam ndjerë shumë trishtim, shumë dhimbje. Njeri i rrallë, disident, antikomunist, trim që sfidoi diktaturën dhe vetë diktatorin, sa ishte gjallë. Havzi Nela në poezitë e tij shpreh shumë dashuri e dhembshuri. Në vjershat e tij ndjehet atdhedashuria, dinjiteti e cilësitë burrërore të një malësori….
– Ishte edhe një mësues, një intelektual, i cili që në atë kohë kishte dijeni për kartën e Helsinkit, kur ne të tjerët ishim “jerm” – ndërhyn farmacisti.
– Kam krijuar respekt e nderim, ndaj desha t’i bëj një homazh personal këtij martiri të fjalës së lirë…, – thashë unë.
–E varën në litar në qytetin e Kukësit, tek agjencia e udhëtarëve, në vendin ku kishte më shumë lëvizje, në mënyrë që të shihej nga të gjithë – kujton farmacisti.
– A ka më makabritet, kur në vitin 1988, dy vjet para se të vijë demokracia, në një vend në mes të Europës, të ndodhë një ngjarje e tillë?! Fati i tij i keq, pasi për dy vjet nuk mbërriti t’i gëzonte këto ditë demokracie…
– Pse nuk thua që “ishte më mirë që nuk i pa këto ditë demokracie!” – tha farmacisti gjithë pezm.
Për një moment mbeta i shtangur. Nuk iu përgjigja dhe u largova mendueshëm.
Konstatimi i tij ishte një gjë normale. Në çdo mjedis me të gjallë mund të dukej si diçka normale, por pyesja veten si do të reagonin të vdekurit?
Për të gjallët kjo pyetje ka përgjigjen te libri “Shumë gurë u hodhën mbi mua” me autor Xhafer Martinin. Shkrimtari Agron Tufa, në parathënien e librit, ndër të tjera shkruan:
“Në Shqipërinë postkomuniste ka ndodhur dështimi më i hidhur e tragjik. Dështimi i misionit antikomunist. Këtë mision duhet ta përmbushte shoqëria shqiptare e lirë e demokratike, po ky mision u sabotua, u tradhtua e u braktis nga klasa e politikanëve”. (A. Tufa)
Më 14 gusht 2022 m’u dha mundësia të shkoj e të përulem para varrit të Havzi Nelës, këtij martiri të fjalës së lirë, me respekt e nderim, për shumë virtyte njerëzore që e karakterizonin.
Shfrytëzova rastin dhe “e pyeta” në lidhje me konstatimin e bashkëfshatarit të tij, “se më mirë që nuk i pa këto ditë demokracie”. Dhe ai më thotë:
“Eh, more lum miku, bashkëfshatarit dhe gjithë të tjerëve që mendojnë si ai u them se “Ne, të vdekurit, nëse na kujtoni, nuk kemi humbur asgjë, pasi jemi larguar nga ajo jetë (Witer), por, ju të gjallët nuk do të gjeni kurrë prehje e qetësi, s’do të keni të ardhme as ju e as brezat që do të vijnë, për sa kohë nuk do të nderohen e respektohen vuajtjet e dhimbjet e mijëra e mijëra shpirtrave njerëzorë të pafajshëm, për sa kohë do njollosin e do përpiqen të vrasin të vërtetën, ndërkohë që nuk kërkoni të veprojë drejtësia në vend. Mos harroni, përveç drejtësisë njerëzore, ka dhe drejtësi hyjnore, që ndoshta vonon, por nuk harron”.

MËNGJESI NË KUKËS

Poezi nga Bardhyl Londo

Ditën që u vendos në Kukës busti i martirit Havzi Nela

Mëngjesi vjen në Kukës
Me një diell që nuk di ç’të bëjë:
Të qeshë apo të qajë.
Mëngjesi vjen në Kukës
Me një Drin epik
që ende s’e di është i bardhë apo i zi.
Mëngjesi vjen në Kukës
Dhe kurrë s’e mori vesh
përse është më i pikëlluar se Pikëllima.
Mëngjesi vjen në Kukës
Dhe qyteti kurrë nuk e kuptoi
Është qytet i vjetër apo qytet i ri.
Mëngjesi vjen në Kukës
me dy lumenj që lidhen si një nyjë
dhe kurrë s’e morën vesh
a janë një fjongo delikate në kokën e një vajze
apo janë një fjongo e zezë për një kurorë funerali.
Mëngjesi vjen në Kukës
mes Gjallicës, Pikëllimës dhe Kortnikut
si në një trekëndësh gjigant
lëkundet trupi i varur i Havzi Nelës.
Kokën në qiell, këmbët në tokë
dhe askush s’e di
kujt i flet më shumë, qiellit apo tokës.
Dielli lind në Kukës me fytyrën e Havzi Nelës,
trupi i tij varur në trekëndëshin e tri maleve,
kurmi i tij shtrënguar në nyjën e dy lumenjve,
një lajmës i përjetshëm midis qiellit dhe tokës.
Herë i jep tokës sinjale me këmbë,
herë mesazhe i kumton qiellit me
dy duart e ngritura lart.
Mëngjesi vjen në Kukës me Havzi Nelën
ndërmjetës midis qiellit dhe tokës.
Qershor, 2018