Nderi i humbur i deputetëve të Dibrës


Nga Agron TUFA

Nuk bëhet fjalë për nderin personal, po për nderin publik të Dibrës dhe dibranëve, që këta zotërinj pranuan dhe u zotuan të përfaqësojnë. Çnderimi i tyre ka një emër emblematik: “Rruga e Arbrit”, e cila, ashtu, e filluar dhe e pakryer, e dëshmon për faqe të zezë këtë. Të rekrutuar në programe platformash politike gjoja të majta e gjoja të djathta, ata bëhen shumë: tok me deputetët e tashëm, janë dhe ata ish-deputetë të legjislaturave të mëparshme. Të gjithë ata, të majtë, të djathtë, të larmë, kanë një të përbashkët: ata e gënjyen vendlindjen e vet, i gënjyen dibranët për 16 vjet me radhë me premtimin palodhshëm për “Rrugën e Arbrit”. Nëse në fillim deputetët e Dibrës u besuan gënjeshtrave të partive, më vonë ata me gëzim të madh parapëlqyen të gënjehen vetë. Dhe gënjeshtra u bë rrugë, u bë autostradë me katër korsi dhe e tillë duhet të pagëzohet: Autostrada e gënjeshtrave “Rruga e Arbrit”.
Por le ta shohim pak më esëll çështjen. Gjithkush mund të gënjehet. Nga dëshira për të besuar në fuqitë magjike të partisë së vet; nga entuziazmi i sinqertë politik; nga iluzioni se do të gjenden aleatë që do të angazhohen në domosdoshmërinë e ndërtimit të rrugës; nga truku i vrullshëm prej prestigjiatori i adeptëve elektoralë, që në prag të fushatave, ndërkohë fillojnë punën mbi ndonjë segment nën vrojtimin e kamerave dhe transmetimet live; nga propaganda e orkestruar mediatike; nga përpjekjet sinqerta të dy shoqatave të Dibrës….
Por pas gënjeshtrës së parë, duhet të vijë momenti i kthjellimit. Gënjeshtra e parë mund të gëlltitet, por gënjeshtra e dytë, është faj. Ata që morën mandatet me premtimin e ndërtimit të rrugës, shpesh janë kanë qenë të njëjtit, pra kanë shijuar frytet e gënjeshtrës së përsëritur. Megjithatë, për turpin e të gjithë atyre që kanë qenë e janë deputetë dibranë në Parlament, ne nuk pamë asnjëherë, në asnjë rast, qoftë dikënd prej tyre që të ngrihej dhe, me fuqitë e veta të pakta, të protestonte ndaj kësaj gënjeshtre të tejzgjatur e fyese.
Nëse ti si deputet, e ke zbuluar se gjithçka ka qenë gënjeshtër e propagandë, kush të pengon pra, që dhe i vetëm të dish të mbrosh nderin e zonës që të besoi dhe interesin e të cilës përfaqëson? Ne nuk kemi parë asnjë akt të këtillë, që ndonjëri prej deputetëve të Dibrës ta bënte kauzë çështjen e Rrugës së Arbrit. Nuk kemi parë asnjëherë asnjërin që në mënyrë demonstrative të shpallte bllokimin e të gjitha votimeve dhe angazhimeve në Parlament vetëm e vetëm për këtë çështje, e cila, po të citojmë fjalët e filozofit, është “përtej së majtës dhe së djathtës”. E duke mos pasur asnjë rast demonstrativ proteste nga asnjëri, kuptohet se as nuk e kanë patur ndërmend një aleancë të tillë, që të mblidhte tok deputetët e majtë e të djathtë të Dibrës, pra një grup numerik solid, për ta bojkotuar Parlamentin, derisa çështja e Rrugës së Arbrit të hynte në agjendën konkrete të zgjidhjes. Dhe sigurisht, profilet e tyre të zbërdhylëta publike e intelektuale do të kishin lënë një mbresë të pashlyeshme historike e shoqërore. Do të mbaheshin mend ndër breza, pavarësisht përkohësisë së mjerë të mandateve. Por ajme, nuk ndodhi e zor se do të ndodh. Deputetët e Dibrës parapëlqejnë me gaz të mashtrohen vetë. Ç’të bësh? Nuk janë nga ajo rracë. Nuk janë nga ajo rracë, fjala vjen e Elez Isufit, që për mospagesën prej disa viteve të rrogave të administratës, ai e rrethoi Tiranën, Parlamentin dhe mbretin, derisa e detyruan t’i përgjigjej me pahir.
Për turp, kësaj radhe në qeveri, deri para pak kohësh, ministër financash ishte një prej ekonomistëve më të shquar, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Shkëlqim Cani nga Çidhna e Dibrës. Një dështim i turpshëm mu në mes të luksit! E Rruga e pambaruar e Arbrit, me gjithë premtimet e qeverive, me gjithë gjetjet e fondeve dhe sponsorëve, është prezantuar vazhdimisht si një realitet në mishërim e sipër, por, ajme, vetëm aq. Një realitet si ëndrrat shumë të çmuara, kur njeriu sapo zgjat dorën ta prekë, zgjohet dhe kupton se s’paska qenë gjë tjetër, përpos se një tjetër ëndërr mashtruese.
Të gjithë ata që i kanë rënë kryq e tërthor Ballkanit e dinë, se nuk gjendet kund mbi faqe të dheut rrugë më e rrezikshme, rrugë më e keqe, më e gjatë e më e vështirë se rruga torturuese Tiranë-Peshkopi e kthim. Të gjithë e dinë se në çfarë izolimi gjendjet kjo zonë, pa treg, po investime, pa perspektivë të qartë, përveç kërcënimeve futuristike e horroristike, për ta përmbytur më në fund me projektin e Skavicës. Se çfarë domethënieje ka kjo rrugë për dibranët, bulqizakët e matjanët, se çfarë resursesh agrobujqësore, industriale, blektorale, kulturore e turistike ofrojnë këto treva, kjo është përsëritur duke shpenzuara kilometra retorikë përgjatë 20 viteve të fundit. Dhe të gjitha ato që janë thënë e të tjera që mund të shtohen, qëndrojnë. Ata e bëjnë edhe më të shpifur, edhe më të neveritshme gënjeshtrën dhe sidomos këmbënguljen me të cilën përsëritet kjo gënjeshtër nga mandati në mandat.
Ditë më parë u shfaq në media i shumëpërvuajturi ministri Haxhinasto dhe e mohoi pa problem gjithë çështjen e Rrugës së Arbrit. Kushton shumë, tha. E bëri këtë shumë thjesht, me qetësi e dashuri, me një gjest, të themi, siç do të dëbonte nga supi i kostumit të tij ndonjë vemje stine. Do të kisha dashur të isha aty, në atë moment. Sa për t’i dhënë një shpullë në faqen e përsosmërisht të lëmuar. Figurativisht, kuptohet. Megjithatë prita, prita, i sigurtë se këtë do ta bëjnë pasardhësit e Elez Isuf Ndreut në Parlament shqiptar. Mbase ka ndodhur, ku ta dish…
në hamendësime. Se premtimet për Rrugën e Arbrit dibranëve ua ka dhënë jo Haxhinasto, po kryeministri! Dhe dibranët kanë zgjedhur t’i besojnë kësaj herë gënjeshtrës së Ramës e jo të Haxhinastos (ani pse në thelb gënjeshtër doli). Ç’bëhet kështu?! Tre ditë më parë, po ky ministër na solli nga minierat e Bulqizës ca pamje mallëngjyese me një burrë të thyer, që deklaroi para kamerave, se gjithçka shkon për mrekulli, se ai na marrkësh një rrogë modeste prej 700 dollarësh (!). Pra, përveç autostradës së gënjeshtrave me emrin “Rruga e Arbrit”, tashmë, me gjasë, kanë filluar të shtrihen degëzimet arteriale të saj, qytet më qytet e fshat më fshat.
Po deputetët tanë?! Ata që ishin, ata që janë… e ata që e dinë qysh tani se do të jenë… Ata i ka pushtuar një heshtje plot nënkuptime. Një heshtje plot patos e ton të lartë. Heshtin përballë të gjithave. Si peshqit në akuarium. Ndërsa era e zgjedhjeve të reja avitet… E meqë zgjedhjet e reja aviten, meqë brenda një viti do të valëviten histerishëm banderola të reja, retorikë e slogane të goditura, meqë liderët tanë i kanë privatizuar partitë dhe hedhin në arenë vetëm një tip rrace të dëgjueshme, të shalueshme dhe të epshme për të gjitha gënjeshtrat e radhës, unë kisha një propozim për popullin e tradhëtuar e të fyer të Dibrës: ditën e hapjes së fushatës, të nxjerrin në Qafë të Buallit një përfaqësi vullnetare (të pacaktuar nga lart), që t’i presin deputetët e listave me hunj në dorë. Kjo do të ishte dëshira ime për një përgjigje të merituar. Simbolike, vetëkuptohet. Dhe márrja do të bëhet lule, e të gjithë së bashku – lulja e márres.