Filizat e fisit Nikolli


Tre vëllezërit Nikolli: Hajrullai, Arturi dhe Dylberi, që të tre me arsim të lartë, e kanë biznesin e përbashkët. Asgjë nuk bëjnë pa u konsultuar e biseduar me njëri-tjetrin. Shumë gjëra kanë arritur deri tani, por akoma shumë projekte shfaqen në horizont.

 

Katërqind vjet me parë, Nikollët e ardhur nga Lura, kaluan në Luzni, në Katundin e Ri dhe vendosën të ndalojnë lëvizjen e mëtejshme. Nuk kishin përse të shkojnë më tej, kishin gjetur gjithçka që u duhej, gjithçka që kishin ëndërruar. Këtu kishin ujin, lumin e Drinit, për vaditje, por dhe për tu larë. Kishin malet e kodrat për mbrojtje, për drunj zjarri e plot funksione të tjera. Kishin dhe fushën aq të bollshme dhe të begatë, saqë do të mjaftonte dhe pas qindra vjetësh, kur Nikollët do të bëheshin një fis dhe një fshat i tërë. Nuk u mbetej tjetër, vetëm se të ngrinin këtu strehën e tyre të re dhe të vazhdonin rrugëtimin nëpër historinë e kohës. Një histori që do të kishte dy anët e medaljes, lavdi dhe nder, pozitë të lartë në konaqet dhe odat e dikurshme të burrave. Jo rrallë historia kaloi mes varfërisë e mjerimit, mes zisë së bukës, grindjeve dhe hasmërive. Në të gjitha këto dallgë e trazira të jetës, trungu i fisit Nikolli goditej e lëndohej, por prapë bëhej i fortë dhe fitonte imunitet për tu përballur me sprova e vështirësi të reja.

Shumë e shumë degë të shëndosha dolën nga ky trung. Pa dashur të nënvlerësojmë ndonjë prej tyre, ne po i referohemi vetëm njërit prej filizave të shumtë dhe pikërisht Hajrulla Nikollit e vëllezërve të tij, djemve të Gani Nikollit. Vitet nëntëdhjetë e gjetën Hajrullain në auditoret e fakultetit të veterinarisë. Kur gjithë shoqëria shqiptare ishte e dyzuar mes ideve të largimit nga vendi, apo qëndrimit aty dhe studenti i ri, me ëndrra për jetën, i mendoi këto dy varjante. I peshoi me detaje me të mirat e të këqijat e tyre. Bashkë me studentin tjetër, shokun e tij, Fitimin, u endën përballë ambasadave, në ato ditë të para të korrikut.

– Po, ja ikëm, – tha Fitimi. Çfarë pasojash do të ketë familja? Po Xhelalin, vëllain që kam ushtarak, me siguri që do të ma largojnë nga ushtria! Do të më mallkojë përjetë që u bëra sebep për t’i shkatërruar karrierën. Kështu, dy të rinjtë zemërthyer, u kthyen andej nga kishin ardhur, duke parë skenat e nxehta të atyre ditëve të nxehta korriku. Po kaq të vështirë e patën për të vendosur dhe kohë më vonë në ikjen masive, por këtë radhë nga deti. U sollën për orë të tëra tek anija që mbante emrin “Partizani”. Vëzhgonin njerëz të moshave të ndryshme që kapeshin e mbërtheheshin në konstruktet metalike të anijes, në litarët e saj, në një ikje që e mendonin pa kthim. Sërish, për njëmijë e një arsye ata vendosën të mos iknin. Ndoshta dhe fakulteti që do të mbetej përgjysmë, ishte një nga shkaqet kryesore. U kthyen sërish në auditore për të vazhduar studimet e pak kohë më vonë morën diplomat e nderuara të mjekut veteriner.

Vite më vonë, mjeku i ri do të endej në zonën e tij të Luznisë dhe të Selishtës, herë si operator privat e herë si inspektor i zonës për sëmundje të ndryshme veterinare. Do të bënte vaksinime, gjurmime të tuberkulozit e brucelozës. Do të njihej me gjendjen e blektorisë, do të shihte bujarinë e mikpritjen e atyre banorëve, që përpiqeshin të fshihnin e të sfidonin varfërinë. Po vinte fundi i mijëvjecarit të dytë dhe po hynte i treti. Hajrullai po përtypte ëndrrën e vjetër. Shikimi i tij tretej brigjeve të Italisë. Një ditë shtatori i tha lamtumirë familjes, Luznisë, atdheut, por jo përgjithmonë.

Emigrimi

Dymbëdhjetë vite zgjati aktiviteti në vendin fqinj, bashkë me dy vëllezërit, Dylberin dhe Arturin. Fillimi i vështirë si zakonisht, pa letra, pa gjuhë, pa përkrahje, vetëm me shpresën te Zoti. Nga do t’ia nisnin? Dhe pse nuk kishin ndonjë eksperiencë të madhe në ndërtimtari, dukej sikur ky sektor kishte mundësi më të mëdha. Pas një viti ishin paisur me letra, kishin mësuar dhe gjuhën e shpresat ishin rritur. Vëllai vazhdonte të punonte për një firmë italiane, kurse Hajrullai guxoi më tepër. Përse të punonte për italianin e të mos dilte si firmë më vete. Pati pak kundërshti mes vëllezërve e së fundi Hajrullai realizoi idenë e tij. E kishte vendosur, do të dilte i vetëm. Publikoi firmën e tij të re, shkroi emaile, bëri çfarë ishte e mundur, por më kot. Tre muaj përpjekje, tre muaj shpenzime, pa asnjë përfitim. Tamam atëherë, kur u duk se kishte bërë hapin e gabuar, ndodhi një mrekulli. Teksa ecte i pashpresë nëpër rrugët e Savonës, pranë zyrave të Guardia di Financës, sytë i kapën një send të rënë përtokë, që nuk ishte as më pak e as më shumë, por një portofol. Vetë portofoli i fryrë pasqyronte njeriun e kamur të cilit i përkiste. Hajrullai e hapi. 890 euro, patenta, kodi fiskal, kartëvizitat, telefonat, si dhe një bllok pagesash. Nuk ishte vështirë të lexoje emrin Mauricio në kartvizitat brenda portofolit. Hajrullai me sendin e gjetur në duar u ul për një moment, ta mendonte më qetë situatën. Po të mos llogarisje gjë tjetër, tani zotëronte afër 900 euro dhe ky mund të ishte një përmirësim i vogël i gjendjes financiare. Të paktën për pak kohë, për pak javë. Mjaftonte të ikte diku, larg që këtu. Por ndërgjegja, edukata, gjaku i fisit Nikolli, por dhe ajo krenari e nëpërkëmbur shqiptare, veç e veç e të gjitha sëbashku i thanë jo, nuk duhej ta merrte. Ti telefononte sa më shpejt Mauricios e ti jepte sendin e humbur. Nëse Hajrullai fitonte 900 euro, i huaji humbiste shumë më tepër. Nuk vonoi shumë për të çuar në vend zërin e ndërgjegjes. I dërgoi zile, por telefoni nuk hapej. Më pas u hap por nuk përgjigjej njeri. Bile Hajrullai dëgjonte nga telefoni tjetër zëra që grindeshin. Mauricio instiktivisht kishte shkelur butonin dhe ndërkohë grindej me zyrtarët e Guarda di Financës, të cilët i akuzonte pikërisht për fshehjen e portofolit të tij. Më pas pyeti si i bezdisur se kush ishte.

– Jam personi që ka gjetur portofolin tënd dhe jam gati ta kthej. Më gjen tek Autosole, përballë dyqanit. Nuk vonoi shumë dhe u duk makina e sipërmarrësit italian dhe më pas dhe ai vetë. U përshëndetën dhe habia më e madhe e Mauricios ishte, kur mori vesh se njeriu që i ktheu portofolin, ishte shqiptar.

“Nuk do ta besoja, po të ma thoshte dikush, ishte shprehu ai. – Kisha dëgjuar vetëm për anën kriminale të shqiptarëve dhe tani po shoh dhe një anë tjetër tuajën, të bukur e miqësore. Të lumtë miku im! Ke nderuar veten, por dhe kombin tënd. – Merri paratë, janë të tuat dhe i zgjati 900 eurot, po Hajrullai i refuzoi, pa e fyer tjetrin. – Të falenderoj dhe unë nga ana ime, për bujarinë që po tregon, por nuk i pranoj. Ne në anët tona themi, më mirë një mik se një çiflik kështu që unë po ju ftoj juve të jeni miku im i ri. Mauricio mbeti i habitur nga djaloshi i zgjuar dhe i ndershëm. I zgjati dorën dhe i tha se ata tani ata ishin me të vërtetë miq. Kur Mauricio e pyeti, Hajrullai i tregoi për firmën e re që nuk punonte akoma, për pozitën e dobët financiare e të tjera si këto. Po, italiani mund ta ndihmonte. Ai kishte kontrata ndërtimi që nga Roma deri në kufi me Francën, rikonstruksione shtëpishë, vilash, zyrash e të tjera si këto. Mund ti jepte disa punime të vogla mikut të tij të ri, në kompesim të nderit të bërë.

Shumë shpejt firma e re e Hajrullait hodhi hapat e para. Në fillim me tre vetë e më pas duke u shtuar, deri në 15 specialistë, që të gjithë me kualifikime maksimale. Punët që kryente firma e re ishin vërtet cilësore, por dhe pagesa e Mauricios ishte gjithmonë në kohë dhe me korrektesë. Shumë shpejt erdhi çeku i parë, 21 mijë euro. Më pas, çdo muaj një shumë e tillë, një sukses i ri. Hajrullai fluturonte nga gëzimi. Bota sikur kishte hapur portat e lumturisë dhe ai po hynte brenda tyre. Të gjitha këto u kurorëzuan në vitin 2005, me lindjen e djalit të parë dhe të vetëm, Engjëllit. Vetëm pak ditë më vonë u nënshkrua një marrëveshje mbi 200 mijë euroshe, si bekim i Zotit për djalin e posalindur.

Me Kristianin dhe Robertën duke verifikuar terrenin. (Foto: Familja Nikolli)

Investimet e para

Doktor Hajrullai e dinte misionin e tij. Nuk kishte shkuar për turizëm në vendin fqinj. Kishte fituar gjuhën, letrat italiane. Kishte fituar eksperiencën, duke u ngjitur nga punëtor i thjeshtë, në gradat më të larta të kualifikimit. Kishte ngritur nga hiçi një ndërmarrje të vogël dhe po e fuqizonte atë vazhdimisht. Ai besonte se kishte ardhur koha për investimet e para. Bleu tre apartamente të lodhura nga përdorimi dhe në pak kohë i rregulloi dhe sistemoi, aq sa nuk njiheshin më. I shiti me çmime të leverdisshme, duke e parë këtë si një biznes interesant. Në vitin 2011 mendon që të investojë diçka dhe në Shqipëri. Kishte idenë për një qendër të madhe estetike dhe fizioterapie në Tiranë, por kjo nuk funksionoi, pasi gjërat këtu nuk ishin si në Itali. Atëherë vendosi të provonte të bënte diçka tjetër në Peshkopi, në vendlindjen e tij. Shumë shpejt, diku në qendër të Peshkopisë, pranë shkollës bujqësore, hedh shtat një ndërtesë gjashtë katshe shumë funksionale, që do të kushtonte mbi njëmilion euro. Pesë dhoma frigoriferike me nga 35 ton, secila, me komandim në vete. Kati i dytë është konceptuar si një qendër tregëtare dhe laborator dentar, ku punon vëllai i tij Arturi, bashkë me të shoqen. Në dy katet sipër janë 15 apartamente banimi për familjarë dhe për turizëm, kurse dy katet e fundit janë për tre vëllezërit Nikolli.

Ndërkohë sytë ishin hedhur dhe nga bujqësia. Ka pesë gjashtë vite, që bashkë me kushëririn e tij, Flamur Nikolli, kanë mbjellë tetë hektarë ara në fshatin e lindjes, në Katund të Ri. Ata kanë filluar të japin kokrrat e para. Pas një dhjetëvjeçari ato mund të prodhojnë diku te një kuintal secila, duke dhënë mbi 100 ton arra si total. Po ata e dinë që për të synuar këtë objektiv duhet punuar akoma më fort. Duhen bërë disa zëvendësime, punime rreth kurorës, plehërimi i tyre e rrethimi në disa vende. Kushëriri, Flamur Nikolli po punon fort me qershinë, duke e nisur me katër dynymë, para 12 vitesh e sot ka të mbjellë 15 dynymë. Nga prodhimi i shitur parvjet arriti të fitojë gati 20 milionë lekë, shifër kjo që mund të ngjitet akoma më shumë.

 

Të tjera projekte

Tre vëllezërit Nikolli, Hajrullai, Arturi dhe Dylberi, që të tre me arsim të lartë, e kanë biznesin e përbashkët, por drejtues kanë doktor Hajrullain. Asgjë nuk bëjnë pa u konsultuar e biseduar me njëri-tjetrin. Shumë gjëra kanë arritur deri tani, por akoma shumë projekte shfaqen në horizont. Nuk di pse këto projekte u shëmbëllejnë me hijen e njeriut, kur ti kërkon ta kapësh atë, ajo sërish është larguar prej teje, në po atë distancë.

Në një vizitë pune që bëmë në Prizren, Hajrullai udhëtoi dhe disa orë të tjera, deri në komunën serbe Shtërpska, e shquar për kultivimin e bimës së Aronias. Atje bleu 11 rrënjë me nga pesë euro, kurse sot ka 82 të tilla, që janë në prodhim. Një pjesë e këtij prodhimi është kthyer në shurup dhe reçel, me të cilat gostiten miqtë e tyre të shumtë. Familja Nikolli ka rreth pesë dynymë mollë, që pak nga pak po e mbarojnë misionin. Vitin tjetër aty do të mbillen aroniet, duke jetuar disa vite sëbashku me mollët. Njëra palë duke u rritur, tjetra duke u mplakur, duke kursyer kështu pak kohë të çmuar.

Por kjo është vetëm maja e ajsbergut. Hajrullai ka pesë vite që është larguar nga Italia, por vetëm fizikisht. Një pjesë të shpirtit e ka aty, një pjesë të pronave i ka atje dhe shumë shokë e miq të një niveli mjaft të lartë, me të cilët i ruan akoma lidhje. Këto lidhje dëshiron ti shfrytëzojë jo vetëm për vete e për familjen, por dhe për Dibrën e më gjerë akoma. Emilio Ahmati është njëri prej tyre. Ai është profesor i Paulonias në Itali. Ka laboratore në Itali dhe Bullgari që shërbejnë për prodhimin e klonuar të kësaj peme, me një cilësi dërrase shumë të mirë dhe mjaft të kërkuar nga tregu. Në ndihmë të profesorit janë djali i tij Kristian Ahmati me të shoqen, Roberta Zaninoni.

Firma e tyre e nderuar kultivon rreth gjashtë mijë hektarë me Paulonia në Itali dhe po përpiqet ti shtojë me njëmijë të tjera në Shqipëri. Hajrullai u ka sugjeruar brigjet e Drinit në Dibër, si mjaft të përshtatshme për këtë pemë te veçantë. Bashkëpunimi i bashkisë me firmat italiane të interesuara për këtë problem, do të bënte të mundur mbjelljen dhe kultivimin e të paktën 400 hektarëve me Paulonia në ultësirën e Drinit, që mbulohen nga dy bashkitë Bulqizë dhe Peshkopi. Impaktet dhe vlerat e këtij projekti gjigand do të ishin të shumta e të larmishme. Zona në fjalë do të kthehej në një kantjer për prodhimin e dërrasës, duke ulur ndjeshëm importin. Do të shmangeshin përmbytjet e do të punësoheshin fuqi punëtore. Por, fatkeqësisht, bashkitë, njerëzit, komuniteti, janë skeptikë, janë indiferentë, mos të themi më shumë se kaq.

Në këtë situatë, Hajrullai do që ti bindë njerëzit, jo vetëm me fjalë, por tashmë dhe me vepra konkrete. Pranë shtëpisë së vjetër, në Katund të ri, ka mbjellë para dy vitesh 27 rrënjë paulonia, që janë rritur mbi tetë metra. Këtë vit ka mbjellur shtatë dynymë me këtë lloj druri me kaq vlera, në tokën e tij në breg të Drinit. Kjo sipërfaqe do të shtohet çdo vit me nga një hektar, duke e çuar investimin katërvjeçar në njëzet mijë euro. Vetëm prerja e një hektari pas katër vitesh, do ta shlyente gjithë vlerën e këtij financimi. Ndoshta vetëm atëherë njerëzit do ti kuptojnë me të vërtetë vlerat e këtij projekti dhe të mendojnë se sa shumë kohë kanë humbur. Një pyll Pauloniash në breg të lumit Drin, do të ishte një atraksion i bukur turistik. Kafshë të ndryshme të buta dhe të egra në të , disa shtëpi druri, disa vaska peshku dhe natyrisht disa rreshta me koshere bletësh që do të shfrytëzonin lulet mjaltëse të kësaj peme dhe të bimësisë përreth.

Doktor Hajrullai ka njohje nga afër me kryetarin e komunës së Savonias, por dhe me drejtuesit e universitetit. Ka kohë që përpiqet të vejë në jetë një projekt të këtij universiteti, për njohjen e llojeve autoktone në Ballkan, ndihmesën për ti ruajtur e fuqizuar ato. Vlerat e kësaj pune do të ishin tepër të mëdha dhe për vendin tonë.

Ja të tilla projekte e të tjera si këto bluan në mendje miku ynë i nderuar, duke shërbyer si një ambasador i vogël i fisit Nikolli, por dhe i Dibrës e më gjerë akoma.