Ali Puca, mësuesi me zemër të madhe


Ali Puca

Gryka e Madhe është shquar gjatë gjithë historisë së saj në luftën për liri dhe pavarësi. Ajo ka nxjerrë burra trima, të mençur, udhëheqës e prijësa popullorë, heronj e dëshmorë që mbetën të paharruar, si Mustafa Shehu, Fasli Malja, Sal Meta, Ismail Baloshi, Ahmet Loka, Sal Zeneli, Sulejman Shehu, Jakup Cani, Hasan Pata, Isak Metalia, Jashar Kola, Ramiz Hyseni, Ramadan Cani etj. Krahas përpjekjeve për mbrojtjen e vatanit, ata nuk e ndanë luftën për gjuhën e shkollën shqipe, duke dhënë një ndihmë të çmuar jo vetëm në Dibër e rrethinat e saj, por edhe më gjerë në shkallë kombëtare.. Veprimtarinë e gjithanshme që organizoi Sheh Sula, së bashku me lëvruesit e gjuhës shqipe në Dibër Said Najdenin, Hoxhë Moglicën, Destan Pucën, Shaqir e Ramiz Dacin, Haki Sharofin, Osman Moglicën, e vazhduan Ramiz Alliu, Selim Alliu, Munir Shehu, Asllan Zeneli, Riza Navaku, Ali Puca, Ramiz Gjoka, Ramadan Hoxha, Fadil Shehu, Isuf Xhaferi etj.
Ali Puca lindi më 10 gusht 1917 në Godvi. Origjina e hershme e fisit Puca është nga Hasi (Malësi e Gjakovës). Babai i tij, Destan Puca kishte një emër të mirë në Grykën e Madhe, së bashku me vëllezërit dhe bijtë e tyre kanë dhënë një kontribut të madh në pavarësinë e Shqipërisë, mbrojtjen e vendit, në luftën për demokratizimin e jetës së vendit (1920-1924) etj. Më 1922 u shpërngulën përfundimisht nga Godvia dhe zbritën në Zall-Sopot. Familja Puca u bë një familje e madhe, ndër bazat më të fuqishme të LANÇ të Dibrës, veçanërisht në Grykën e Madhe.
Fëmijëria e Aliut, ashtu si shumë fëmijëve dibranë, nuk kishte ndonjë perspektivë. Familja priste të rritej, që të merrej me blegtori, prandaj edhe shkollën plotore të Zerqanit e filloi me vonesë. Megjithatë, e përfundoi këtë shkollë, ku dolën në pah zgjuarsia dhe vullneti për të mësuar, që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës. Pas mbarimit të shkollës sëmuret. Në ketë kohë, xhaxhai i tij, emigrant në Ankara, vjen në vendlindje për t’u çmallur dhe në kthim merr Aliun për t’i dhënë ndihmë mjekësore më të specializuar në Ankara. Pas shërimit regjistrohet ne Liceun e Djemve në ketë qytet mbaron klasën e VI, VII dhe liceun më 1940. Në ketë lice u dallua për rezultate të larta në mësime, sidomos në matematikë, lëndët ekzakte dhe në ato të përgatitjes ushtarake. Në një testim në vitin e parë mori notë maksimale, ku tërhoqi vëmendjen e pedagogëve të shkollës. Shpesh pedagogët, për nxënësit që hasnin vështirësi në matematikë, i drejtonin tek Ali ‘Arnauti’. Në përfundim të shkollës u gradua edhe oficer, por me që nuk ishte nënshtetas turk, nuk iu dha dëshmia.
Më 1940, pasi Italia pushtoi Shqipërinë, sulmoi Greqinë. Ali Puca mblodhi një grup shqiptarësh në Ankara, për t’i ardhë në ndihmë popullsisë greke. Të parët që u regjistruan në këtë grup ishin bashkëfshatarët e tij Muharrem Likalla e Ferit Zogu. Ata u paraqitën tek Ambasada Greke në Ankara. Ajo i këshilloi që të luftonin nën flamurin grek, nuk pranuan, ngulën këmbë për të luftuar nën flamurin shqiptar. Në këto rrethana, shqiptarët u larguan nga Ambasada Greke, të indinjuar nga refuzimi i luftës përkrah koalicioni antifashist.
Për disa vite punoi në Ankara, pranë xhaxhait, Mehmetit, si menaxher i dyqanit të tij, por mendja i rrinte në vendlindje. Mbante kontakte me vëllain Hysenin, që ishte më i moshuari i familjes pas vdekjes së Destanit(1931). Ai gjente mundësi të ndihmonte familjen e Luftën, si kauzë e drejtë për çlirimin e Shqipërisë, që e gëzoi pa masë kurorëzimi i saj më 1944. Në qershor 1948 kthehet nga Turqia për të jetuar e punuar pranë njerëzve të tij të afërt. U martua me Nadire Ibrahim Hoxhën, nga Valikardha. Në janar 1949 filloi punë si mësues në Fushë-Bulqizë, pastaj në Zerqan deri më 1974. Ka shërbyer në Sllovë me 1951-1952, në Zogje në vitet 1960-1961.
Nadirja rritur në një familje me ndenja të pastra atdhetare ishte një nënë fisnike me shumë edukatë. Në Sllovë dhe Zogje, erdhën familjarisht duke i qëndruar në krah mësues Aliut. Mbante veshjen e bukur popullore (veshjen e Zerqanit), që rrezatonte pastërti e kulturë. Ajo shihej me simpati e adhurohej nga gratë e Sllovës, Grykës Madhe e të Vogël, dha një ndihmë të madhe në emancipimin e gruas.
Familjes së re i erdhën në dritë pesë djem: Iliri, Aqifi, Feriti, Fatbardhi dhe Shpëtimi. Pas një sëmundje të rëndë, më 1961 Nadirja ndahet nga jeta. Kjo tronditje la gjurmë në ndërgjegjen e fëmijëve të mitur që Aliu e përballoi me forcën e karakterit që manifestonte kurdoherë. Për të rritur fëmijët, Aliu u martua me Hatixhe Xhemalin, nga Kurbegu i Maqellarës.
Ali Puca punoi gjithnjë në shkollat 7-8 vjeçare, duke dhënë lëndën e matematikës. Ai shkriu gjithë talentin e tij në punën me nxënësit. Në vitin 1949, në kursin e kualifikimit të mësuesve në Tiranë, tregoi përgatitjen e tij të lartë shkencore e metodike. Për ketë, u propozua nga Prof.Osman Kraja (shef i katedrës së matematikës në universitet) që të punonte si pedagog në UT. Për arsye familjare, Aliu e refuzoi ketë detyrë. Ishte mjeshtër në mësimdhënie, i qetë dhe me zemër të madhe, komunikonte me takt dhe respektonte këdo. Lëndën e matematikës e bënte sa më të kuptueshme, me atë durimin e tij që ia kishte zili çdo koleg.
Nxënësit e Ali Pucës shkëlqenin në shkollat e mesme. Në kujtimet e tij, Dr. Gafur Muka, shkruan se “Mësuesi i Matematikës në Teknikumin e Prrenjasit pyeste për Ali Pucën. Ai e njihte nëpërmjet nxënësve të tij që vinin në këtë Teknikum për rezultate të larta në Matematikë”. Ali Puca gëzonte respekt nga mësuesit e shkollave të mesme të Dibrës dhe ato 8-vjeçare si ndër mësuesit më të mirë të kësaj lënde. Është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” nr. dekreti 4649, datë 5.3.1970.
Pasionin e mësuesit Ali Puca e përcolli te shumë nxënës, të cilët më pas u përgatitën si mësues. Nën shembullin e këtij mësuesi punuan ish nxënësit e tij: Hasan Gjura, Tomorr Dani, Miftar Lami, Bujar Novaku, Rakip Alushi, Islam Hysa, Destan Rama, Pertit Kurcani, disa prej tyre u bënë mësues matematike si: Ismail Llagjaçi, Bujar Shehu, Hysen Likdisha, Muharrem Bardhi, Agim Hyka, Latif Okshtuni, Hysen Kamberi etj.
Për eksperiencën, ndihmën, mbështetjen që dha Ali Puca, veçanërisht mësuesve të rinj, pa frikë mund ta quash si ‘mësues i mësuesve’ të Grykës së Madhe. Fëmijët e tij disa u bënë mësues si Aqifi, Fatbardhi, Shpëtimi mbaroi Liceun Artistik, Iliri agronom i lartë (dha mësim në shkollën e mesme Zerqan, 4 vjet mësues në Strkçan, 1 vit drejtor). Ai ndjente kënaqësi kur djali i Aqifit Erioni, doli mësues, më vonë mbaroi shkollën Eriola e Fatbardhit. Pra tre breza mësuesish në familjen e Ali Pucës.
Ali Puca ishte njeri me zemër të madhe, si çdo mësues në përgjithësi, por babaxhan i thjeshtë, gjithnjë e shihje të qeshur. Kishte dëshirën për të ndihmuar gjithkënd dhe për gjithçka. Komunikonte si me fëmijët edhe me të rriturit, pleqtë e me tipa të ndryshëm, si i afërt dhe i dashur me të gjithë prandaj e thërrisnin ‘daj Aliu’, si respekt ndaj figurës së tij. Rrallë njeri e fiton një vlerësim të tillë në shoqëri.
Aliun shpesh në vitet 1950-60 e ngarkonin me detyrë në fushata arsimore, sidomos në zona të vështira për realizimin e kontigjentit të nxënësve. Kishte një aftësi për t’u admiruar në marrëdhëniet me njerëzit, me prindërit e nxënësve. Dinte të komunikonte me drejtuesit e fshatrave dhe më njerëzit e thjeshtë. Është interesant, se Dajë Aliu nuk pranonte asnjë detyrë shoqërore, me përjashtim arsimin. As poste drejtuese në shkolla nuk pranonte, ndonëse kishte një autoritet të padiskutueshëm. Ishte i respektueshëm nga të gjithë, pasi të gjithë i respektonte. Jetonte me hallet dhe shqetësimet e njerëzve, zgjidhte probleme shoqërore, ndonëse ishte larg detyrave dhe përgjegjësive shtetërore.
Më 10 gusht 1997, në moshën 80-vjeçare ndahet nga jeta, që për konçidencë kjo ditë ishte dhe lindja e tij. Më 10 gusht mbushen 100 vjet nga lindja e këtij mësuesi me zemër të madhe. Jeta dhe vepra e Ali Pucës si qytetar, si mësues, patriot, bamirës, human, ishte e do të jetë frymëzuese për familjen, të afërmit, për popullin që e njohu brez pas brezi.