PESHA E MARSIT TË VRARË


Baba Faja me baballarë të Këshillit Botëror Betkashian pak ditë para se të vritej.

  ”E vranë, mami?”

  Jo, shpirt… Ti ke mua. ” *

Rëndon nëpër vite pesha e hidhur e marsit të vrarë. Një varg i gjatë njerëzish lëviz në rrugën e Elbasanit. Të heshtur, si kortezh. Mes tyre – Xixa . Mban për dore voglushin. Ai erdhi në këtë botë si dhuratë e shenjtë dashurie.

Në qafë te kodrës së Saukut kthejnë majtas për në selinë e shpirtrave, ku zbardhon qyteti i mermertë në heshtje të dhimbshme. Aty prehen të rënët, dëshmia e Atdheut. Gjaku dhe nderi i kombit. Në krye simboli i lirisë:përmendorja” Nëna Shqipëri”. Vështron krenare bijtë e vet.

  Ja, këtu, –  e drejtoi Xixa fëmijën.

  Babi im? – foli me ngashërim njomëzaku dhe vuri lulet e oborrit të shtëpisë pranë emrit të shkruar me ngjyrë ari në mermerin e bardhë.

Kishte rilindur Ai: Baba Faja! Emrin e përjetësisë, simbol mishërimi “Mustafa”, e pagëzoi nëna Xixë. ”Tuçi” e thirri ajo. ”Tuçi”! – e thirrëm edhe ne me dashuri emrin përkëdhelës. Dy dashuri. Dy jetë në një emër. Të plazmuar.

  Të qofsha falë, o Zot! Nuk ma bëre shpirtin varr!-   foli e përvajshme Xixa duke e parë të birin që po rregullonte lulet mbi mermer.

  E vranë, mami?

  ”Jo, shpirt… Ti ke mua.” –   u përgjigj ajo, duke fshehur sytë e përlotur. Lëmshi i hidhur brenda fëmijës u shkri dhe u derdh me pika lotësh mbi mermer. Si nuk e shkrinë pllakën e gurtë?

Ngacmohej malli dhe instikti i fëmijës. Vetëm një herë ta shikonte, t’i dëgjonte zërin e magjishëm, të shijonte përkëdheljet e dorës, puthjet xinxiste të mjekrës, prehërin e ngrohtë, t’i merrte bekimin dhe “shuplakën” e ëmbël të Babait. Ah, sa ëndërr e lodhshme!

Ai e shuante paksa mallin me fotografitë dhe në shkronjat e emrit të babit në truallin e oborrit më një rriskë guri. E shkruante në portë e në murin e shtëpisë.

Bëhej nervoz fëmija. Xixa dhe miqtë ia dinin hallin e lëngatës së fshehtë. Ndaj ata nuk e linin në vetminë e plagës. Dëgjonte mijra episode të urta, hyjnore, episode të luftës, të ëmbla, të hidhura… Atëhere” zgjohej” shpirti i Baba Fajes. Zbriste nga universi i shpirtrave të botës mistike. Pesha e rëndë lehtësohet në shpirtin e heshtur të Tuçit. Kaltërsia e syve e humbet paksa urrejtjen e fshehur, diku në thelb të vetësisë. Por shija e hidhur e marsit të vrarë mbetet si plagë dhimbjeje e pambyllur, që i zgjon vetëdijen.

* * *

Hëna uli qerpikët. Flladi ndezi freskinë mëngjezore. Kaptina përzuri muzgun e hirtë. Sheshi Belik zbuloi gjelbërimin me lule delje dhe vjollca aromatike. Reja mbi Bardhetë u ça. Dielli, mbret i universit, fokusoi mbi shesh rrezet më të ëmbla e të këndshme, si ta dinte se aty pushonte një përmasë arti mbuluar me flamurin kombëtar. Pas pak Martaneshi zbriti monopateve nën ligjërimën e bilbilave, si në kuvendet e hershme.

Dy të rinj shpërveshën me kujdes flamurin kuq e zi. Burri me taxhë e mjekër në bronx u zbulua.

  Baba Faja!-  dëgjoi turma zërin e njohur të Sali Fejzës. I mahnitur e mbërtheu bustin me krahët e gjatë. Jehonën e zërit të fortë epik të emrit të heroit e kthyen malet si të gjemonin.

Aty e solli historia, me taxhë e mjekër.

  Erdhi Baba Faja, heeeej! Ngritën zërin , sa u mori fyti Rahman Lena me Beshir Balën .

Rahmani e shprazi tri herë revolen. Pas tij Isuf Kënga dhe Cen Biçaku. Jehuan malet e grykat, sa zbriti në shesh Tuçi. Pas e ndoqën Fejzë Xhani me Lutfi Alinë. Ata hodhën lule nga oborri i shtëpisë së Babait. Mbi to vezullonin lotët e pathara. Dhimbja e lavdia pushtuan sheshin. Buzët e nxehta të Tuçit puthën bronxin e ftohtë. ”Babi im!”-   pëshpëriti. Zemra ngrohu zemrën. Loti u bë zjarr. Ai ndezi sheshin. Dëgjoi emrin e Babait dhe kokën e ngre lart.

  O Baba jonë! – foli Zenja. Ajo vuri dorën mbi bust duke gëlltitur gulshet e idhta.

Mblidhen lëngatat në shesh dhe dhëmbja bëhet sa Bardheta. Të reja e të rinj hodhën mbi bust lule. Tingujt e çiftelisë u derdhën si të vajtonin preludin e marsit të vrarë.

Drita e tij zgjoi shpirtrat krijues. Vargjeve të poetve rapsodi u dha gjuhën e tingujve. Tingujt u shpirtëzuan në zërin epik të artistëve popullorë.

“Ndizen brigje, ndizen maja,

gjëmon topi e mortaja,

thonë:trimi Baba Faja,

mbi armiq sulmon.

Ti gjëkundi nuk u ndale ,

as nder kreshta, as ndër male,

Shqipëris’ zemrën ia fale,

Baba Faja Jonë”! 1)

Ai mbi vdekjen. Rrjedh gjaku i tij, plazmohet te fëmijët e tij, në vargje, në këngë, përmendore. Në oda e kuvende burrash ai flet. Martaneshi, Çermenika, Zerqani, Mati, Katër Grykët e Dibrës këndojnë me shpirt:

“Hej bini trima, hasmit bini!

jep kushtrimin bir’i kavajës.

Përkrah trimit Babë Myslimit

Buçet zan’i Baba Fajes.

Hej gjëmon Dibra e Martaneshi,

Kur lufton Mustafa Xhani,

përkrah burrit Haxhi Lleshi

sulmon rreptë si luani. 2)

Komandanti prin në ballë,

nëpër shkrepa, nëpër pllaja.

N’zemër rron përjetë i gjallë.

Trimi besnik Baba Faja”! 3)

Koha ecën. Ai zgjohet. Rritet. Flet me intelektualët. Ata frymëzohen. Derdhin fjalë zemre për Heroin e tyre.

  ”Jam Qerim Lila . A ban me m’i fut këto vargje në librin tënd?”-   i drejtohet shkrimtarit.

  Pa merak – e mirëpriti ai.

“Nuk ia kam frikën zjarrit e rebeshit,

Çerdhe të liris’ shtëpit e Martaneshit…

Kriste mitrolozi, gjëmonte mortaja,

Para partizan! –   thërriste Baba Faja. ”

Atë ditë Hajredin Demiri më dha vargjet e I Celës:

… ”Në teqen bujare

ti na bashkove,

në rrugën e zotit

gjithnjë na drejtove…

Ti na bane thirrje:

do çlirue vatani!

Të gjithë pas teje:

Prina Baba Xhani! 4)

Dhembje. Krenari. Burrat hedhin krahet në supet e njeri tjetrit. Si mal dhëmbja rëndon. Zgjohen kujtimet. Flasin. Malli ndez flakë dashurinë. Urrejtja lëviz. Mblidhet cifla-  cifla dejeve të gjakut. Djeg vrasja e marsit për “Tribunin e lirisë Mustafa Xhani” 5).

* * *

  Tuçi! –  e përmendi një zë i gëzuar.

Rahman Hanku e pa. Bënte homazhe në varrezat e dëshmorve të Dibrës.

  Më thirrën të rënët, –  u përgjegj dhe iu hodh në qafë Rahmanit.

  Në secilin dëshmor ndodhet babai yt –   i tha Rahmani duke u puthur e përzierë lotët…

  Doktor me emër. Ka fituar grada shkencore – foli krenar Isa Kola.

  Sa i ngjet babait! – ia priti një veteran me dekorata në gjoks.

  Me forcën e shpirtit Babai shëronte njeriun, – tha veterani.

– I biri, me forcën e shkencës, – u përgjigj Rahmani.

Tuçin e deshi zoti dhe njeriu. Në arteriet e jetës së tij lëvrin gjaku i Baba Fajes. Edhe sot Faria e Kamber Shehut dëgjon atë zë mistik:

  “Xixa, kush ju tha se më kanë vrarë?

Eshtë e thinjur nga plaga e dhëmbjes së marsit të vrarë. Ajo tret sytë mbi Tuçin, Verën, Rezartin dhe Heljanën. Mediton… Lumturohet.

“I kam këtu, brenda meje” –   i thotë vetes me zë pak.

* * *

Mengjeset vesojnë.

Shekulli njëzet u mplak me dhëmbje. Dëshmitë memece e mekatare përgjumen në turbullirën e shkronjave. Ato maisen në fjalët e rrahura si plagë dhëmbje. Politika vesh surratin me maska krimesh. Fabrikuan dhe grackën e hijeve të 18 marsit. E qëndisën me rrobën fetare. Denoncuan botërisht krimin në Institucionin e shenjtë. Faturuan gjakun. Gojët shoqëruan smogun zyrtar të gazetave duke e akuzuar kryegjyshin si vrasës”për të ruajtur ligjet e besimit bektashian”… . i lidhur me agjenturat e huaja”. 6) Apo tymnaja që gjoja jetën e tyre e mori revolja e Mestan Ujanikut i cili “ka organizuar komplotin kundër patriotëve Baba Faja e Baba Fejzo…”7)

Mestani, një ndër adhuruesit e Baba Fajes. Absurdi nuk u përcuall si pështyma. Vetëm mashtruesit e kulisave e besuan. M. Ujanikun e akuzuan”se kishte qenë bashkëpunëtor në vrasjen e Baba Fajes” dhe, pasi doli jo e vërtetë…, e varën në çengel 8).

Guximi për të shkruar të vërtetën, burgosej. Formula e Pilatit u dogj, pasi hëngri shumë shpirtra guximtarë. Edhe pluhuri i harresës u shkund. Koha shumëzoi ngjyrat e politikës. Dhjetëvjecari i fundit i shekullit XX zjarreve pluraliste u fryni. U zgjuan dyshimet e krimit në gazeta, forume polike e rrethe shkencore:

“Baba Faja ishtë vrarë me urdhër, biles ai tregoi dhe njeriun që e kishte bërë. (Këtë ia kam shkruar me emër dhe Ramiz Alisë). Atëhere ai person tha se kam patur urdhër!”9).

… _”Krisma dëgjova. Thanë se i vrau kryegjyshi. Nuk i besova… dhe më burgosën”-  iu përgjegj Ibrahim Haznaj shkrimtarit.

  ”Ju e keni deklaruar në gazetë:”Dede Abazi vrau veten”!

  ”Nuk ma merr mendja. Jezitia i ka vrarë imamët në shtëpinë e Zotit dhe në Qerbela”.

  ”U burgosën që të heshtësh?

  ”Eh hilet e kësaj bote. Të them një fjalë të urtë: gjarperinjtë edhe të cofët, nuk i tregojnë këmbët e veta”, –   tha duke psherëtirë Haznai i lodhur.

Media e shkruar rastis të veshë ndonjë informacion me trille vërbuese, sa të çoroditet njeriu. Dhunimi i të vërtetës me subjektivizma errëson dhe turbullon logjikën e ftohtë, por nuk mund ta varrosë. Një ditë drita e qiririt do ta ndriçojë errësirën. Agimet nuk thinjen. Baba Faja në 36 shkronjat do të zgjohet!Edhe si legjendë, por i vërtetë. Do të zgjohet sepse nga lisi madhështor i rrezuar me plumba, të gjithë nxjerrin shkarpa për zjarr…

Vrasja e vetëvrasja e marsit, në shtypin komunist të asaj kohe, janë komentuar si akte të kryegjyshit, por në deklarimet okulare, madje edhe të shkruara, thuhet se “Dede Abazi kishte marredhënie të mira me Baba Fajen dhe gjithmonë i sjellshëm me të”.10) Pra, “Baba Faja është vrarë thellësisht për arsye politike e jo fetare”.11)

Njeriu që kryen vrasje , humb ekujlibrin mendor duke përjetuar depresione të thella psikike e shpirterore. Kalon në allucinacion, shpërfytyrohet si qenje njerëzore. Në ato momente vret ose vetëvritet. Dede Abazi gëzonte qetësi temperamenti, qetësi psikike të shëndoshë. Dede Abazi u ul në poltronin e shenjte dhe të lartë hyjnore të kryegjyshatës. Ishte pikërisht dëshira dhe përkrahja e Baba Fajes që e uli në atë poltron, edhe pse Dedenë rregjimi i kohës e kishte klasifikuar”Bir reaksionari”.12)

Baba Faja persekutimin politik e quante amoralitet. Prandaj Dede nuk kishte pse të ushqehej me ndjenjën e hakmarrjes si hyjnor me filozofi mistike.

Ai nuk mund të ketë dalë jashtë vetësisë. ”Më 16 mars 1947 Dede Abazi, Baba Fejza, Baba Faja, Baba Zeneli dhe Ibrahim Haznaj kishin ngrënë bashkë në shtëpinë e Baba Fajes!”13). Prandaj “vrasja nuk u bë për përplasje fetare”14).

Krimi u realizua me gjakftohtësi djallëzore. Ai shfrytëzoi klimën e acartë të reformimit. Ndaj dhe fatura e vrasjeve mbeti nëpër labirinthet e thashethemeve, ndërsa krimi u fsheh nën vetullat e politikës. Kurthit i eleminimit politik të Baba Fajes nuk është kryer nga Abas Dedej”15).

Personazhi okular ndez një tjetër dritë:”Nuk besoj që ata t’i ketë vrarë kryegjyshi, pasi nuk kishte asnjë arsye… Ata i dhanë postin e kryegjyshit”. 16)

Lexohet qartë skaneri i logjikës për marsin e vrarë…

“Bektashizmi, do të njohë … mekje të frikshme të dritës së vet, por shuarje asnjëherë. ”17)

* * *

Avokatia e përjetësisë, historia, e ka gjykuar krimin e plagës së marsit. Heronjtë nuk i humbasin vlerat kombëtare e shpirtërore. Ata i ruan kombi si legjendë. Si dëshmi jeshilon dhe Baba Faja legjendar në botën nacionaliste atdhetare dhe në përjetësinë mistike.

Shekujt do t’i përcjellin njeri- tjetrit plagët e dhëmbjes të marsit të vrarë në dritë hijet e kohës së njeriut, të legjendës së ndritur, Heroit të Popullit, burrit të shtetit me taxhë e mjekër, Babait simbol të lirisë”Qytetarit të nderit”, të mirësisë hyjnore: Baba Faje Martaneshi!

  Jeton legjenda?

  Sa jeta e Kombit!

Dhemb plaga e marsit të vrarë… Dëgjojeni! Ajo rënkon në misteret e shpirtit. Zëri i tij brenda nesh rron… Në 36 shkronja Burri i dheut na zgjon.

Shkëputur nga libri “Marsi i Vravë”

* Dialog nënë e bir tek varret “Deshmorët e Kombit” 5 maj 1958.

1,2,3) Këngë të luftës Na.Cl. vëllimi 5 f.662

4-Gazeta.Martaneshi.Qershor 2004.nr.8

5) Sali Berisha në përkujtimin e Ballëm Sulltanit në Martanesh më 26 qershor 2006.

6) Gazeta Bashkimi. Mars 1947

7) E. Hoxha –vepra v.4 f 281.

8) T. Lubonja –Nën peshën e dhunës f.21 botim 1993

9) Alternativa SD. Maj 1992.

10) I Haznaj.Gazeta 55 19 mars 2008

11) A. Kotani – Libri “Mustafa Xhani”.

12) S.Ahmetaj. Bektashizmi nën smogun e një libri.f.111

13,16)I .Haznaj. Gazeta 55. 19 mars 2005

14,15,) A. Kotani – Monografi “Mustafa Xhani”, + “Tirana Observer” 18.04.2006

17) E cituar nga S. Ahmataj: “Bektashizmi nën smogun e një libri”, f. 37).