FERIT KETA: DIBRANI KAMPION I GJERMANISË NË BOKS


Udhëtimi ynë drejt Mynihut kësaj here kishte një emocion që kishte nisur që në prag të udhëtimit.  Ftesës së kampionit të madh të botës dhe trajnerit po të tillë, Ismail Keta, i jemi përgjigjur po me atë dëshirë dhe ndjenjë që kishte dhe vetë kampioni, për të pasur krah në atë mbrëmje edhe bashkëkombësit dhe miqtë e tij. Së bashku me zotin Musa Riçku, botues i gazetës “Rruga e Arbërit”, por edhe dy profesorët e nderuar Petrit Bara dhe Mehmet Spahiu, fluturuam nga Tirana drejt Mynihut, duke biseduar pikërisht për ndeshjen, nëse Ferit Keta do ta bënte për vete atë trofe, që nuk ishte i vogël, për Gjermaninë e madhe. Që në aeroportin e Mynihut, djemtë shqiptarë që na pritën, Valoni, Festimi dhe Eni, na treguan se Feriti ishte kthyer në “bishë” tashmë e jo thjesht në njeri. Mikpritja e Ismailit në shkollën e tij sportive, ishte një tjetër tregues, që më shumë se boksier dhe sportist kampion, këta janë njerëz të tillë, që atdheun dhe traditën dibrane dhe shqiptare e kanë kthyer në rit. Mbrëmja kaloi si pakuptuar dhe darka në një lokal shqiptarësh nga Kosova po ashtu, ku u fol vetëm për ndeshjen e së shtunës që Feriti kishte përballë gjermanit Toni Thes. Gjumë pak fjetën, sepse edhe neve na kishin pushtuar emocionet e mëdha dhe kishim nisur të përjetonim ringun dhe fatin e djalit tonë, Ferit Keta, një boksier që nuk njihte asnjë humbje në tetë ndeshjet e zhvilluara në boks. Ismaili na tregoi se pikërisht pak ditë më parë, Feriti kishte pësuar një dëmtim dhe një e çarë në ballë sikur ia kishte nxitur pak ankthin dhe pasigurinë, por besonte që do t’ia dilte vëllai i vogël i tij, Feriti. E nesërmja erdhi dhe mbrëmja na dukej gjatë. Në rrugët e Mynihut takojmë edhe dibranë, bulqizakë dhe shqiptarë të ardhur. Mes tyre dallojmë deputetin Përparim Spahiu bashkë me familjen e tij, por edhe biznesmenin e suksesshëm Latif Miha, djalin e tij Andin, por edhe mjaft të tjerë. Orët e ankthit tashmë kishin nisur dhe vizita e parë ishte tek arena ku do të zhvillohej ndeshja. Krahas gjermanëve, aty gjejmë edhe mjaft shqiptarë të interesuar për eventin, si fotoreporteri Fehmi Lleshi, djaloshi dibran që kish ardhur nga Korfuzi Festim Krrashi, Valoni, mik i vëllezërve Keta, Eni Murra i kudondodhur dhe dhjetëra të tjerë.

Një kompani gjermane e specializuar, kishte nisur herët në mëngjes montimin e ringut në një arenë gjigantë në dalje të qytetit, ndërsa makinat e televizioneve po montonin pajisjet e tyre të transmetimit. Kanali prestigjioz DSF dhe stacione të tjera në Gjermani dhe Shqipëri, do të sillnin live këtë mbrëmje të boksit, që kulm të saj kishte duelin e lajmëruar kohë më parë, Ferit Keta – Toni Thes. Një punë marramendëse, që të ngjante me një kantier ndërtimi. Vetëm pak orë më pas, do të niste mbrëmja gala, që fillimisht ka ngjitur në skenë boksierët dhe sportistët e rinj, mes të cilëve edhe dy djem nga Tirana, që stërviten nga Ferit Keta, në shkollën e vëllezërve Keta në kryeqytet. Mikel Alliu, një djalë i talentuar del fitues në kikboks pas një ndeshje spektakolare, ndërsa Roxhers Muslia edhe ky një nga talentet e shkollës Keta, fiton, por gjyqtarët nuk janë në të njëjtin mendim dhe ia japin kundërshtarit. Në sallë përjetojmë emocione të tjera, kur shohim që krah nesh, janë edhe kampioni i Europës dhe njëri prej boksierëve më të famshëm në historinë e këtij sporti, Luan Krasniqi dhe doktori e profesori duar artë i mjekësisë në Gjermani, më i famshmi shqiptar atje, Adnan Kastrati. Ndërkaq që presim me padurim orën 22. Këngëtarja e njohur shqiptare në Gjermani, Alma Hyskja, ndez motorët e fitores, duke kënduar dhe uruar në ring djaloshin shqiptar. Pas pak minutash, salla gumëzhiu. Fillimisht doli në ring kundërshtari i Feritit, 31-vjeçari Toni Thes, dy herë kampion bote në kikboks dhe me një përvojë të madhe në boks. Me një mendjemadhësi dhe eufori të pashoq, ai ngjitet i duartrokitur prej gjermanëve të shumtë në arenë dhe me një trup të mbushur plot tatuazhe. Nofka e tij ishte tigri. Por vetëm pak minuta më pas, nën frymëzimin dhe tingujt e muzikës së filmit Skënderbeu, në ring do të ngjitej luani shqiptar, djali i Bulqizës, Ferit Keta, 27-vjeçari që ishte betuar vetëm për fitore. Raundet nisin dhe epërsia e Feritit nis po ashtu. Edhe pse Feriti është superior, gjyqtari në ring duket disi i njëanshëm, ashtu si kundërshtari, tejet provokues. Madje vjen një moment që gjyqtari jep faull dhe i heq një pikë Feritit. Kjo acaroi njerëzit në sallë, por jo protagonistin në ring, që duket mjaft i qetë dhe i saktë. Menaxhimi i dy raundeve të para, është mjaft i mirë prej Feritit, që ka një siguri absolute dhe goditje të forta e të sakta. Edhe kundërshtari është kurajoz dhe godet, por Feriti mbrohet mirë, sidomos në pjesën ballore ku ka të mbartur plagën e tij të dëmtimit. Në raundin e tretë, ai e dëmton sërish Feritin në një goditje jashtë rregullores dhe tashmë i imponuar edhe nga kundërshtia e publikut, gjyqtari jep faull për gjermanin. Feriti nuk din të ndalet, por të bëjë vetëm përpara edhe pse gjaku në vetulla ka nisur t’i rrjedh. Veçmas në raundin e tretë, forca e goditjeve të tij është e ashpër dhe nuk toleron. Kundërshtari ka shenja hutime dhe disekuilibri. Beteja vazhdon, sepse ai nuk dorëzohet dhe do duhej raundi i katërt, për të ndarë shapin nga sheqeri. Goditjet e tij tashmë janë papushim dhe të pamëshirshme. Në një  cep të ringut e ka ndaluar si para pushkatimit dhe e godet dhjetëra herë me forcë. Vjen një moment, që gjermani shtrihet në tapet. Gjyqtari numëron deri më 8 dhe një nokaut i bukur e ka mbyllur ndeshjen. Kaq mjafton, që Ferit Keta, të shpallet kampion Gjermanie në boks në peshën super e mesme dhe t’ia dalë kësaj beteje sportive që i dha shumë krenari atij, vëllezërve Keta, shqiptarëve të pranishëm në sallë dhe gjithë atyre që e ndoqën përmes ekranit. Brezi i artë i fituesit i vendoset në trup nga presidenti i federatës europiane të boksit dhe ikona e boksit Europian, Luan Krasniqi, ndërsa Ismail Keta, ka folur gjermanisht dhe shqip, duke falënderuar Feritin për ndeshjen e guximshme dhe të bukur që bëri dhe të gjithë shqiptarët që e mbështetën. Gjermaninë në gjoks, Shqipërinë në zemër, ka thënë kampioni, sepse Gjermania na krijoi mundësinë për t’u bërë sportist dhe për të treguar vlerat tona, ndërsa Shqipëria është atdheu ynë dhe ndjehemi krenarë prej nga vijmë. Gazetarët kanë nisur intervistat dhe Feriti ka folur gjermanisht dhe shqip, ku shpreh mirënjohjen e tij për këtë mbështetje spektakolare që i dhanë shqiptarët. Tashmë i gjithë ringu është për shqiptarët që valëvisin flamurin kuq e zi, por edhe atë gjerman, sepse Feriti konkurron për atë shtet, por si shqiptar. Mrekullia ndodhi. Muzika dhe fotografitë e festa, janë kuq e zi.

Mbrëmja duket sikur nuk ka fund, ndërsa botuesi i gazetës “Rruga e Arbërit”, zoti Musa Riçku, kërkon që gazeta të shtyhet për botim, sepse nuk do të kishte kuptim pa këtë shkrim dhe lajm fantastik. Vërtet janë emocione që vështirë t’i gjesh ndokund tjetër. Shumë dibranë dhe bulqizakë, kishin pushtuar tashmë ringun. Mes tyre edhe konsulli i shqiptar në Mynih Artens Hanku, që përgëzon kampionin Keta. Qeleshja në kokë, flamuri dhe përqafimet e pafund të njerëzve i shkojnë shumë djaloshit të guximshëm, që vërtet na bëri krenarë. Tashmë një atmosferë e ndezur kuq e zi ka pushtuar atë arenë boksi. Duket një mbrëmje që flet shqip. Edhe pse ka kaluar ora 24 e mbrëmjes, askush nuk del nga salla…. E pabesueshme, por e vërtetë. Ferit Keta bëri mrekullinë e radhës. Pas titullit kampion Europë në kikboks, në korrik të këtij viti, vjen edhe një shkallë tjetër e lartë, tashmë në boksin profesionist në peshën super të mesme. Ai guxoi dhe fitoi, na nderoi të gjithëve. Më pas një tjetër festë është transferuar në një tjetër lokal shqiptarësh në Mynih… Orët e gjumit kanë qenë të pakta, sepse ora e udhëtimit të kthimit po afrohej. Mëngjesin e bukur të së dielës, u rinisëm andej nga kishim ardhur, drejt Tiranës dhe Shqipërisë, tashmë duke marrë me vete, peshën emocionale të një titulli, të një krenarie dhe historie të re. Ferit Keta, na bëri krenarë në zemër të Mynihut, duke fituar me gjak dhe dinjitet, një titull kampion, të një shteti prej 80 milionë banorësh. Dhe kjo nuk është pak….

THANË PAS NDESHJES

MALTE MÜLLER MICHAELIS, PRESIDENT I FEDERATËS WBC

Vlerësoj punën që vëllezërit Keta bëjnë në Gjermani dhe Shqipëri për boksin. Me Xhoni Ketën kemi një bashkëpunim të shkëlqyer. Sa për ndeshjen, ju e patë edhe vetë që ishte shumë luftarake. Feriti po bëhet dita-ditës një boksier profesionit dhe ky titull është i merituar. është akoma i ri dhe ka kohë për të shtuar titujt dhe sukseset e tij.

ISMAIL KETA, TRAJNER DHE ISH-KAMPION BOTE NË KIKBOKS

Akoma s’e kam marrë veten nga emocionet. Feriti ka boksuar si luan, ka zbatuar përsosmërisht të gjitha porositë dhe detyrat që I kisha dhënë. Kundërshtari përveçse I fortë, ishte edhe tejet provokues, por qetësia e Feritit në ring bëri të mundur që forca e goditjes së tij, të ishte në plan të parë. Falenderoj të gjithë shqiptarët, ata që ishin në sallë dhe ata që e mbështetën përmes rrjeteve sociale Feritin dhe mua në këtë ndeshje historike. Feriti është një boksier shumë I zoti, por ka rrugë të madhe për të bërë. Tashmë kjo fitore hap udhën e një rruge të re, asaj të titujve europianë dhe boterorë.

LUAN KRASNIQI, ISH KAMPION EUROPE NË BOKS

E kam thënë edhe herë tjetër, që vëllezërit Keta po kthehen në krenari shqiptare këtu në Gjermani. Janë njerëz korrekt dhe profesionist. Fitoren e Feritit e vlerësoj, sepse ishte e merituar dhe luftoi si guximtar në ring. Feriti ka shumë mundësi të ngjitet lart. Ai ka kurajon, forcën dhe qetësinë e duhur për t’u  bërë kampion, por mbi të gjitha, punon shumë për të arritur në majë. I përgëzoj vëllezërit Keta.

PËRPARIM SPAHIU, DEPUTET I DIBRËS

Emocion i papërshkruar me një ndeshje vërtet të madhe të Feritit. Na emocionoi të gjithëve me mënyrën se si luftoi në ring dhe se si e fitoi këtë betejë sportive, me gjak. Imazhi i kësaj familjeje kampionësh duhet të jetë në faqet e para të të gjitha mediave. Për fat të keq, sidomos këto kohët e fundit, po ndodh krejt e kundërta. I keqardhur që në kaq vite, asnjëherë nuk mundem që këta kampionë të mëdhenj, t’i kishim pranë nesh, në vendin tonë…

ARTENS HANKU,

KONSULL I SHQIPËRISË NË MYNIH

Jam akoma I emocionuar dhe nuk gjej ndoshta fjalën e duhur për të përshkruar mrekullinë që na dhuruan këta djem. Feriti ishte brilant në ring, po ashtu edhe Ismaili si trajner dhe vëlla I madh. Ata kombinuan bukur dhe mundësuan këtë gëzim, këtë titull që na bën krenarë jo vetëm neve shqiptarëve që jetojmë këtu, por gjithë shqiptarëve në botë. E kam thënë dhe e përsëris, që vëllezërit Keta, janë një model për t’u ndjekur nga të gjithë të rinjtë shqiptarë. Falë punës së tyre dhe sjelljes, ata janë kthyer në personazhe shumë pozitiv këtu në Mynih dhe kanë bërë për vete edhe gjermanët. Këtu sonte kishte shumë gjermanë, por që e duartrokitën Feritin dhe Ismailin kur foli në ring. I përgëzoj, vërtet na mrekulluan.

PROF.DR ADNAN KASTRATI

Jam I mrekulluar me këtë që pashë sonte. Ftesës që më bëri Ismaili iu përgjigja me dëshirë, por kurrë s’kisha parë live një ndeshje të tillë. Vërtet ia paska vlejtur. Unë I njoh prej vitesh dhe më vjen mirë që Ismaili me punë ka arritur deri këtu. Të të duan gjermanët, nuk është e lehtë. Por  këta djem ia kanë bërë vendin, ndaj edhe respektohen këtu. I uroj sepse na bëjnë krenarë të gjithëve.

PROF.DR PETRIT BARA, SHEF I SHËRBIMIT KARDIOLOGJIK TIRANË

Ishte hera e parë që ndiqja live një mbrëmje të tillë boksi. U bëra tifoz dhe më nisën rrahjet e shpeshta të zemrës edhe pse jam doktor I zemrës. Është krenari të shohësh djem të tillë të zonës tonë të pushtojnë ringun në zemër të Gjermanisë dhe valëvisin flamurin tonë kombëtar. E pabesueshme vërtet, por jam I mahnitur nga misioni I tyre. Ismaili, Gjetani dhe Feriti, janë kthyer në model. Fitorja e Feritit ishte më e bukura që kam parë në sportin e boksit. Tani e tutje do t’i ndjek të gjithë duelet e tyre.

LATIF MIHA, BIZNESMEN

Unë kam qenë edhe herë të tjera në Gjermani për të ndjekur ndeshjet e vëllezërve Keta. Kam provuar emocione të rralla që kur Ismaili doli kampion bote në kikboks. Kam shijuar më së miri, titullin e Gjetanit si kampion Europe në boks. Kjo ishte e treta e vërteta. Dinastia Keta ka tashmë një tjetër kampion të madh, Feritin. Ai luftoi si përbindësh në ring dhe tregoi se është I fortë si kromi i Bulqizës. Për këta djem ia vlen të udhëtosh dhe sakrifikosh, sepse ta zbardhin faqen vërtet.

ALLIU DHE MUSLIA, DY BOKSIERË TË SUKSESSHËM TË SHKOLLËS KETA

Në ring atë mbrëmje në Mynih, janë ngjitur edhe dy djem të talentuar të shkollës Keta në Tiranë, dy boksierë, që lanë gjurmë me ndeshjet e tyre luftarake në ring dhe me dinjitet treguan vlerat më të mira të boksimit. Njëri ishte Mikel Alliu, një sportist cilësor që në kikboks po tregon rritje dhe po ngrihet dita- ditës. Ai fitoi sërish, duke dhënë maksimumin e tij si një boksier me të ardhme. Tjetri është boksieri Roxhers Muslia, një djalë inteligjent, që dhuroi spektakël me ndeshjen e tij edhe pse në promovimin e parë në një publik të huaj. Stili, forca, teknika e lartë, ishin tri elemente që bënë diferencën te ky sportist I ri, por që premton shumë për të ardhmen. Të dy këta sportistë, janë produkt I kësaj shkolle, me trajner kampionin Ferit Keta.

ARDHJA E KAMPIONIT NË RINAS DHE MUNGESA E RESPEKTIT NDAJ TIJ…

Ditën që kampioni i ri i Gjermanisë në boks Ferit Keta arriti në Rinas, një grup i RTSH-së kish dalë ta priste. Askush tjetër. Asnjë zyrtar, asnjë gazetar dhe asnjë përfaqësues shoqate, apo institucioni. A thua që ky njeri kish bërë një turp dhe jo një gjest krenarie për t’u mburrur me të. Në fakt, as vetë Feriti dhe vëllezërit Këta nuk i dëshirojnë pritjet pompoze, sepse ata janë njerëz të thjeshtë, pa bujë dhe pa spaleta. Janë njerëz që nuk kanë ecur me paterica në jetë, por me punë, zemër, gjak dhe dinjitet. Ata kurrë s’kanë parë nga përfitimet, por nga motivi, për t’i dhënë Shqipërisë më të mirën e mundshme.

TRIUMFI I NJË KAMPIONI DHE HESHTJA

E PAJUSTIFIKUESHME E MEDIAVE

Suksesi i Ferit Ketës i kalon kufijtë e parashikimit, por në mënyrën se si u përcoll në mediat shqiptare, vërtet vlen shumë për të dëshiruar. Asnjë faqe gazete, asnjë televizion përveç RTSH-së dhe Super Sport, nuk bëri qoftë një rresht në faqe të parë. Nëse Feriti largqoftë do të bënte një veprim të keq, me siguri të gjithë do të nxitonin për ta bërë madje edhe me foto si kryelajm. E pabesueshme por e vërtetë. Vlerat duket se s’kanë vlerë për disa media, ndërsa antivlerat po. Në Gjermani shkruhet për një shqiptar, ndërsa në Shqipëri heshtet për suksesin e madh dhe titullin e një shqiptari. Gjithsesi njerëzit e thjeshtë dhe ata që e duan këtë vend, folën e shkruan në rrjetet sociale. Ferit Keta, ti je kampion dhe krenari, ashtu si Ismaili dhe Gjetani, tre vëllezër, tashmë të kthyer në model për shqiptarët… Kush ka veshë e dëgjon, kush ka sy e shikon, të tjerët do ta marrin vesh më vonë…

PROF.DR. MEHMET SPAHIU, ISH DEKAN NË UNIVERSITETIN E SPORTEVE

Jo rastësisht këta djem arritën këtë sukses. Unë i kam njohur prej vitesh falë njohjes që krijova përmes gazetarit dhe mikut të përbashkët Dëfrim Methasanit dhe që nga ajo ditë I kam ndjekur rregullisht. Ata falë punës kanë ardhur deri këtu, falë modestisë dhe disiplinës në sport. Ismaili mbaroi edhe studimet në universitetin e sporteve ku unë kam qenë dekan dhe u kthye edhe aty në model për t’u ndjekur nga të gjithë studentët. Sa për ndeshjen, më la pa fjalë. Një kombinim perfekt I forcës me zgjuarsinë. Të dyja këto I dhanë fitoren e shkëlqyer Feritit, një boksier model dhe me shumë të ardhme.

MUSA RIÇKU, BOTUES DHE BIZNESMEN

Është hera e dytë që vij në Mynih për të ndjekur kampionin Ferit Keta me ftesë të vëllait të madh të tij dhe mikut tim Ismail Keta. Kam parë dinjitetin, harmoninë, fisnikërinë dhe thjeshtësinë te këta vëllezër. Edhe në ndeshjen tjetër për kampion Europe, Feriti tregoi maksimumin e tij. Ashtu bëri edhe këtë herë, duke sfiduar kundërshtarin me epërsi dhe nokaut, sepse ndryshe s’do t’ia jepnin fitoren gjyqtarët. Jam me emocione dhe sytë me lot për këtë triumf. Këta djem të bëjnë krenarë, si dibranë dhe si shqiptarë. Kur të kthehen në Tiranë, do të bëjmë një organizim, për të respektuar djersën dhe gjakun e tyre, në shërbim të vlerave kombëtare.

ÇFARË THA FERIT KETA POST NDESHJES

Jam i lumtur që i bëra krenarë të gjithë shqiptarët. Boksova me zemër dhe nuk mendova kurrë të dorëzohesha. Edhe pse u çava në vetull dhe më shkonte gjak, asnjëherë s’e mendova kthimin mbrapsht. Kur shikoja atë publik të zjarrtë që më përkrahte dhe mijëra të tjerë që më ndiqnin nga ekrani, më rritej përgjegjësia për të fituar këtë duel. Kundërshtari ishte shumë egoist dhe provokues, por unë nuk duhej të bija në kthetrat e tij. Në raundin e katërt vendosa që duhet ta rrëzoja nokaut, se ndryshe kuptova që gjyqtaret nuk do ma jepnin mua me pikë fitoren. Atëherë vendosa vetëm të sulmojë deri sa e rrëzova në ring. Këtë fitore e prisja, sepse isha përgatitur prej kohësh më vëllain tim, Ismailin dhe duhet ta nderoja edhe atë. Ia dolëm më në fund dhe tashmë jam i lehtësuar. Por misioni im vazhdon, sepse kam kaluar një pengesë, por rruga është e gjatë. Kam hyrë në këtë rrugë të fitoj jo vetëm një ndeshje, por shumë beteja dhe shumë tituj. Bashkë me vëllezërit e mi, Ismailin dhe Gjetanin, do t’ia dalim, duke pasur krah si zakonisht publikun shqiptar.