Masakrat osmane*


Tursun Bej

I thashë të dashurës: “Pse kjo tirania tënde?”

Më tha: “Megjithë këtë, mos vallë të kam braktisur?”

I thashë: “Në fund të fundit, ç’mund të bësh ti?”

Më tha: “Shpirtin të ta marr dhe s’do jesh veç një trup i zbrazët.”

E kam thënë më herët se cili është synimi i renditjes së këtyre perlave të hijshme të vargjeve. Kushdo që e ka vëzhguar krahinën e Shqipërisë me aftësitë e veta perceptuese, e ka të qartë natyrën e saj kryeneçe; për kë s’e ka parë, mjaftojnë dija dhe njohja. Në të vërtetë, ashpërsia e rrëpirave dhe vështirësitë e rrugëve të hyrjes në atë vend të mbushur plot me njerëz të ligj, janë të tilla që – me ç’thonë – as Aleksandri nuk ia doli dot të depërtonte.

Sulltani Pushtues – shpirti i tij u prehtë në paqe – herën e parë e kishte nënshtruar atë me një goditje të vetme dhe, siç e treguam, e kishte asgjësuar armikun, duke ndërtuar aty një fortesë të fuqishme me qëllim që të përforconte pushtimin. Kurse arsyeja e kësaj fushate të dytë në Shqipëri qe se raca shqiptare është bërë e tillë që në karakterin e saj kanë hedhur rrënjë mosbindja, këmbëngulja, rebelimi e arroganca. Dhe ajo çka e ke për natyrë, nuk zhduket dot nga peripecitë e jetës! Ata derra qenë nënshtruar dhe kishin pranuar zinxhirin vetëm nga tmerri prej kordhës gjakderdhëse të Sovranit. Skënderbe Tradhtari qysh në fëmijërinë e hershme ishte ushqyer me pluhurin e Fronit, por më pas kishte parapëlqyer rebelimin.

Kështu, kishte mbështjellë qafën me rrobën e mohimit të fesë, që është më e keqja e veshjeve, për t’u bërë komandant i një bande mëkatarësh të pafe. U arratis prej Fronit fatlum duke u vënë në krye të atyre të cilëve iu tha: “Unë jam biri i beut tuaj”. Me t’iu larguar sysh shkëlqimi i shpatës së Sulltanit, njerëzit e prapë të kësaj province ngritën krye në vende të ndryshme të nxitur nga ky djall tundues dhe, me të në krye, me qëllim që të hidheshin kundër fortesës së Elbasanit, nuse e qiellit. Kurrën e kurrës mos ndodhtë që shqiponja me kthetrat e mprehta të bjerë pre e qifteve dhe e hutave!

Ndonëse ajo fortesë s’kishte rrezik të pësonte as gërvishtjen më të vogël prej armiqve të tillë, sepse dhe ndërhyrja e një sanxhakbeu do të kishte mjaftuar për t’i zmbrapsur, prej bindjes ndaj zellit sulltanor, Sundimtari vendosi të mos i linte as t’i qaseshin fortesës. Kupa e zareve të planit të tij u vu në lëvizje: Sulltani do të kthehej në ato anë dhe do të dimëronte në qytetin e Plovdivit.

Rasti e deshi që ai dimër të ishte tejet i ashpër, por prapëseprapë pati ditë këndelljeje e dëfrimesh. Atë dimër, duke pasur parasysh atë çka do të sillte e ardhmja, duke përfytyruar të ëmblat krijesa shqiptare, çdo burrë e kaloi kohën duke u argëtuar në shoqëri, me të ngrëna e të pira.

Afrohu! O zemër, le ta përballojmë këtë gjendje të dy bashkë.

Sa s’e kemi takuar të dashurën, të kënaqemi me përfytyrimin e saj.

Në kohën kur pranvera e vitit tetëqind e shtatëdhjetë e një (1467) zuri të shfaqte shenjat e Parajsës së madhërishme, bajraku – përhapës i fitores – u vu në lëvizje, duke përparuar bashkë me pushtimin dhe triumfin.

Për ta pastruar rrugën për atë Shah,

reja u bë shtëpiake e zefi ri fshesar.

Kësaj radhe u gjykua me vend të kalohet nga ana e Beratit.

Kalorës të shumtë në numër si milingonat e me kërcim luani,

armata në trazim e vlim të plotë.

mbërritën nga të gjitha anët dhe iu bashkuan ushtrisë perandorake. Ushtria u lëshua mbi krahinën e Shqipërisë si vërshimi i një armate të stërmadhe. Një vërshim që mbuloi majat e maleve, luginat e kodrat dhe hapësirat me pluhur, si të bëhej fjalë për përmbytjen e përbotshme, duke mbuluar krejtësisht atë vend të mbushur plot me njerëz të ligj.

Çdo vend ku këta mëkatarë rebelë ngujoheshin duke e kujtuar se do qe e pamundur të merreshin, falë ndihmës së Zotit – lëvduar qoftë – s’i bëri dot ballë mësymjes së luftëtarëve osmanë. Lugina e Buzursekut, ku këmba e gaziut deri atëherë s’ishte shkelur kurrë, është si një lug që nga të dyja anët ka male majat e të cilëve ngrihen deri lart në qiell. Lugaja e saj prek fundin e tokës dhe është e mbushur plot me njerëz të ligj të pafe. Me të mbërritur aty, punë e parë qe grabitja e çdo gjëje që gjendej në të dyja anët e saj. Sidoqoftë, për t’i dhënë të pafeve që gjendeshin aty mundësinë e nënshtrimit me dëshirë, Sulltani i ndali luftëtarët përpara se të hynin në atë luginë. Por meqë ata vazhduan të këmbëngulnin me kryeneçësi për të rezistuar, u desh që ata të ndëshkoheshin. Kështu, nga njëra anë marshoi ushtria e Anadollit, nga tjetra kalorësia e Rumelisë, të cilat u lëshuan në mësymje.

Kur panë se s’kishte më asnjë mundësi as për armëpushim e as për të rezistuar, të pafetë, duke përfituar nga nata, u sulën kundër ushtrisë së Anadollit. Me ta u morën gazinjtë të cilët vranë aq shumë sa qe e pamundur të numëroheshin. Djelmoshat, vajzat dhe gratë e tyre u zunë robër. Kalorësia – strehë e fitores – shtiu në dorë edhe plot lugina e skuta të tjera si kjo, aq sa po të zë t’i rrëfej me hollësi, kjo përmbledhje do të dilte mjaft e zgjatur. Në këtë mënyrë, Sulltani e pushtoi të gjithë vendin e Shqipërisë.

Në përputhje me traditën që ekzistonte që më parë – “në traditën e Zotit nuk do të gjesh kurrë ndryshim (Kurani 33:62)” – të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe i lidhën me zinxhirë. Në çdo vendqëndrim, në prani të Sundimtarit, u ekzekutuan me një të rënë shpate aq shumë të pafe sa qe e pamundur të llogariteshin. Të shtyrë nga kjo frikë, të pafetë që kishin mbijetuar pranuan të bëheshin shtetas të shtruar osmanë dhe të paguanin xhizjen e përcaktuar nga Sheriati, si dhe taksat e zakonshme. Pasi Sundimtari i Gjithësisë dha shah mat në lojën e shahut të pabesisë së armikut, ai kaloi lumin Mat1, me qëllim  që të niste rrugën e kthimit. Mahmut Pashain e dërgoi që të bënte pretime kundër fortesës së Shkodrës 2, që ishte e lidhur me frëngjtë.

Ai mbërriti, mësyu fortesën, e mori qytetin, e plaçkiti dhe i vuri zjarrin. Pas kësaj, gazinjtë kaluan me not lumin Buna, ku s`kalohej dot me vah, dhe u hodhën në një pretim. Kur u kthye i ngarkuar me plaçkë të pasur, Mahmut Pashai u nderua duke e lejuar të puthte Fronin.

Rebeli Skënderbe, duke ia mbathur porsi bretkosë prej goditjes gjëmëmadhe të ushtrisë osmane, shkoi në bregdet. Edhe atij kordha e zellit të Sundimtarit i dha lejen që të shkonte në Mbretërinë e të Vdekurve. Atë kohë kur ky ndëshkim pllakosi mbi shqiptarët dhe Shejtani i tyre shkoi drejt e në ferr, njerëzit që jetonin në malet e ashpra që rrethojnë fortesën e Elbasanit, u dhanë lamtumirën atyre vendeve dhe zbritën në rrafshinën e fortesës. Ajo tokë u mbulua me fshatra e toka të mbjella dhe u bë truall i populluar e i sigurt osman. Pasi u mor në zotërim i gjithë vendi i Shqipërisë, ai iu besua një sanxhakbeu, ndërsa vetë Sulltani u kthye lumturisht në kryeqytetin Stamboll.

1. Māt: lumë bregdetar i Shqipërisë që rrjedh mes Drinit, në veri, dhe Ishmit, në jug, pa kaluar nëpër asnjë qytet të rëndësishëm.

2. İskenderiyye: sot Shkodra. Qyteti shfaqet më shpesh në burimet osmane me emrin “İşkôdra”.

(* Titulli origjinal në botim: Fushata e dytë e Madhërisë së tij Sundimtarit të Gjithësishëm në vendin e Shqipërisë. Përktheu: Edvin Cami. Marrë nga libri “Kronikat e Tursun Beut, Botime IDK, Tiranë 2011.  www.idk-al.org / e-mail: idk@idk-al.org)