Personalitete të letërsisë, artit e kulturës vlerësojnë librin e publicistit të njohur


Libri i Halil Ramës “Në panteonin e vlerave”, i cili u promovua të premten më 22 Dhjetor 2017, në sallën e Akademisë së Shkencave, në praninë e qindra krijuesve, nga Tirana, Prishtina, Dibra e Kukësi, u vlerësua si një befasi në botimet e viteve të fundit. Gjatë prezantimit të një analize të mirëfilltë të këtij botimi, dr.Fejzulla Gjabri vlerësoi kontributin e këtij autori në pasurimin e letërsisë dokumentare. Kjo sipas tij për faktin se “Në panteonin e vlerave” është një libër racional, emocional, dokumentar, arkivor që sjell risi në fushën e gjerë tëshkronjëshkrimit shqip.

Ndërsa studjuesi Behar Gjoka, ndër personalitetet më në zë të kritikës sonë letrare, ndër tëtjera tha se H.Rama në këtë “Paneton” na rreshton vlera të shumta të qytetarisë dibrane dhe më gjerë, të asaj mbarëkombëtare.

Në këtë manifestim të gjerë kulturor, të moderuar me mjeshtri arstistike nga muzikologu, studjuesi e publicist i mirënjohur Shaqir Rexhvelaj, vëmendje të veçantë ngjalli fjala e gjeneralit 99-vjeçar, Rrahman Parllaku. Si një enciklopedi e gjallë dhe memorie historike e kombit, gjenerali legjendë në kufirin e dy kohëve që përballoi me stoicizëm luftën antifashiste dhe inkuizicionin në burgjet komuniste, vlerësoi karakterin objektiv në letërsinë e H.Ramës. “Gjatë 20 vite bashkëpunimi me Halilin, si kryeredaktor i gazetës “Veterani”, të dy kemi mësuar shumë nga nëjri-tjetri: unë në të rrëfyerin e saktë të ngjarjeve e personazheve dhe ai në përshkrimin brilant të tyre. Dhe këtë e ka bërë jo vetëm me këtë libër, por dhe me 11 botime tjera, monografike në harkun kohor të dy dekadave të fundit”,-theksoi gjeneral Parllaku.

Në këtë linjë e vlerësoi krijimtarinë e këtij autori edhe nënkryetari i Bashkisë Tiranë, piktori dhe kritiku i mirënjohur i artit, Abaz Hado. Ai u shpreh ndër të tjera për produktivitetin dhe cilësinë në krijimtarinë e H.Ramës, të shprehura këto edhe në përditshmërinë e tij si specialist në një Drejtori të rëndësishme të Bashkisë së Tiranës.

Mjaftë mbresëlënëse qe në këtë promovim fjala e poetit dhe prozatorit të shquar Shefki Karadaku.Duke përveçuar dy figurat emblematike, gjeneral Parllaku dhe Teodor Laço, si një nga personalitetet më në zë të letrave shqipe që janë në qendër të “Panteonit”, z.Karadaku vlerësoi veçanërisht analizën letrare që autori H.Rama i bën krijimtarisë poetike të panjohur të Laços, të botuar për herë të parë para një viti në gazetën prestigjioze “NACIONAL”, nën kujdesin e veçantë të kryeredaktorit të saj, poetit të talentuar Mujë Buçpapaj. Ndërkohë sipas z.Karadaku, me vlera të rralla në këtë botim është fletorja e rrallë e gjeneral Parllakut me shenimet per 96 librat që ai ka lexuar gjatë 17 viteve të vuajtjes së dënimit në burgjet e Burrelit e Tiranës

Pikërisht në këtë vështrim e vlerësoi librin “Në panteonin e vlerave” edhe prozatori Andon Andoni. Sipas tij, dimensioni i librit nuk mbetet thjeshtë në vlerësime të botimeve letrare të disa autorëve, por përmes tyre H.Rama ka nxjerrë vetë heronjtë: fillimisht nga vendlindja e tij, Muhurri i Dibrës,  gjeneralët e Skëndërbeut, Nikollë e Dhimiër Berisha, (referuar romanit të Naim Berishës “Të jetosh në paqe”) dhe më tej, bushatlinjtë e Shkodrës, Familjen Guxholli të Pogradecit, ish presidentin e vrarë në mënyrë misterioze, Omer Nishani, heroin dibran të rezistencës antifashiste Ahmet Cami, e dhjetra personazhe të tjera, të profilizuara mjeshtërisht “Në panteonin e vlerave”.

Një përshëndetje të ngrohtë dhe miqësore bëri në këtë promovim edhe akademiku kosovar Zija Mulhaxha, njëherësh kryetar i Shoqatës të Veteranëve të LANÇ të Kosovës.

Dhe siç është shprehur redaktori Namik Selmani, Libri “Në panteonin e vlerave” është bazuar në një treshe magjike dhe mistike. Janë disa kapituj që të ngrejnë pak nga pak në një Panteon, që ti e sheh jo me një zili egërshane, por me një respekt të madh për ata që ai të vë përpara me të gjithë sfidat e suprizat e tyre. Është një libër që duhet të jetë në duart e gazetarëve më të rinj për të parë një përvojë mjaft të vyer profesionale të këtij gazetari mjaft profesionist.

Është një vlerë për historinë e Dibrës e atë kombëtare në tërësi, që mund të ushqente mjaft muze të saj, atë të luftës, të arsimit, të teatrit, të ushtrisë, të shkencës, etj.

Është një model i bukur gjuhësor, para të cilit mësuesët e gjuhës të shihnin modelin e mirë të shkrimit të gjuhës amtare.

Dhe këto nuk janë pak që edhe vetë libri, ashtu si personazhet e tij, të vihet në Panteonin e kulturës së shkruar shqiptare të viteve të fundit.