Adem Bunguri, laureat i çmimit “Dea Dardanicae” në Kosovë


Në mjediset e Muzeut të Kosovës, u organizua më 28 mars 2018 ceremonia e ndarjes së çmimeve në fushën e trashëgimisë nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Sipas vlerësimit të Jurisë Profesionale, Adem Bungurit, iu nda Çmimi për Veprimtari jetësore “Dea Dardanicae”.
“Nuk kam dyshim që juria profesionale ka vendosur drejt. Çmimet e tilla jepen për të vlerësuar punën e juaj dhe jam mirënjohës për punën tuaj. Ministria do të gjejë rrugë të reja për të qenë me ju. Në vazhdimësi do të rrugëtojmë bashkë për ta ruajtur trashëgiminë tonë të çmuar kulturore” u shpreh ministri Gashi.
Adem Bunguri u shpreh në këtë veprimtari se është kënaqësi e veçantë që po nderohet me këtë çmim e veçmas që këto çmime po ndahen në vitin kur Kosova mbush dhjetë vite shtetësi.
“Kosova për ne andej kufirit ka qenë një mollë e ndaluar. Ajo që dua të them unë pa e zgjatur është se Kosova ka një pasuri të jashtëzakonshme arkeologjike që është një burim dhe një arkiv e jashtëzakonisht e pasur që na jepet në dorë për te evidentuar historinë ndonjëherë të deformuar antike të Kosovës”, ka thënë Bunguri.
Juria profesionale ka qenë në përbërje të Nuri Bexheti – historian, Shafi Gashi – arkeolog, Arben Hajdari – arkeolog, Mimoza Dugolli – arkitekte dhe Vlorë Fetaj-Berisha – studiuese e folklorit. Në emër të Jurisë foli Nuri Bexheti i cili tregoi për arsyetimet dhe vlerësimet për punën e të nominuarve për këto çmime. Ai konkretisht tregoi se Bunguri është njëri nga klasikët më të mëdhenj të arkeologjisë.
“Shquhet me tezën e tij ku argumenton me këmbëngulësi për lidhjen e botës dardane me atë ilire”, u shpreh Bexheti.