“Autoktonet” e Dibrës


 

Shpesh flitet për gjëra të vjetra që vijnë nga lashtësia, kala, objekte kulti e plot gjëra të tjera antike. Flitet për vlerat e tyre dhe si mund t’i ruajmë ato nga harresa e gërryerjet e kohës. Ka dhe një kategori tjetër, bile këto janë të gjalla, bimë, pemë dhe kafshë, që shpesh nuk dimë prej ku dhe kur kanë ardhur në vendin tonë, në rrethin tonë, në fshatin tonë dhe ne do t’i përmbledhim me termin “autoktone”.

Mistri gushtak

Quhet “misri gushtak” ngaqë ka lidhje pak a shumë me kohën e pjekjes së tij në muajin gusht. Dallohen dy lloje: i kuq dhe i bardhë. Ka cikël të shkurtër që varion nga 86 deri në 90 ditë. Kokrra është kompakte, e ngjeshur, qelqore dhe e pasur me aminoacide. Ka cilësi shumë të mira për bukë dhe vlera të mira dietike.
Duke qenë se ka vlera të larta gjenetike, ky lloj misri mund të shërbejë për kryqëzime dhe studime të ndryshme. Kocani është i vogël dhe nuk zë më tepër se 16 deri 18 përqind të peshës së kallirit, nga 22 dhe 26 përqind, që kjo shifër shkon te hibridet.
Ky lloj misri ka zakonisht 6 rreshta dhe mendohet të ketë ardhur nga Austria. Specialisti dhe studjuesi Zaim Rina, thotë se gjyshi i tij, Ramë Rina e ka mbjellë në Muhurr për herë të parë. Prodhimi mesatar i tij nuk shkon më shumë se 4 – 5 kv për hektarë, duke shfrytëzuar shumë mirë plehun organik të hedhur në tokë. Disa eksperimente janë bërë në fermën e Tomor Kaloshit në Kandër, por, gjithsesi mund të quhet shumë e paktë.

Fasulja e hershme e Peshkopisë

Shkon e bashkëshoqëruar me misër. Është e bardhë, qelqore, ku çdo bishtajë ka rreth 5 – 6 kokrra. Zihet lehtë dhe ka tregues të mirë organo leptikë. Kokrrat nuk janë shumë të mëdha. Mund të përmendim dhe fasulen e Çidhnës, që është pak më e rrumbullakët. Fasulja ka përshtatshmëri në zona dhe mikrozona, si dhe në mikroklima të ndryshme.

Speci i bardhë i Gjoricës

Është një bimë e fuqishme, e hapur në anësore, me shumë degë dhe lartësi 60 – 70 centimetër. Ka një frut poçebardhë deri në ngjyrë të verdhë, me lëkurë të hollë ka katër brinjë që fillojnë tek maja e lules. Ka tregues të mirë të shijes dhe një shkëlqim natyral. Fshatarët e zonës e përdorin dhe për turshitë e dimrit apo të mbushur me gjizë. Sot e gjen shumë rrallë në Gjoricë te fermeri Pëllumb Osmani, apo diku tjetër.

Lakra kokëbardhë

Kultivimi i saj shkon shumë mirë në zona të freskëta, me lagështirë të bollshme ajrore dhe tokësore. Prodhimi i farës është mirë të bëhet në lartësi 900 deri 1000 metra. Pesha e një kokrre mund të shkojë deri 10 – 12 kilogramë, kurse prodhimi i saj, deri 1000 kv për hektarë. Është me një strukturë kompakte dhe ngjyrë të bardhë.

Domate zemërkau

Është shumë cilësore dhe e përshtatur shumë mirë në Dibër. Ka trup të madh dhe nxjerr shumë kërcej prodhues, pesë deri në gjashtë, nga të cilët, mund të lëmë dy ose tre. Lartësia e tyre shkon deri në dy metra. Gjethja është e gjelbërt, e madhe me push, i cili gjendet dhe në trupin e tij. Fruti ka një madhësi deri 800 gram dhe formën e zemrës së kaut, nga ka marrë dhe emrin. Tuli është i kuq, i mbushur, i shijshëm dhe plot lëng me shkëlqim. Ka një kapacitet prodhues 500 – 600 kv për hektarë.

Jonxha e Tominit

Ky lloj, ka pasur përshtatje të mirë jo vetëm në Dibër, por dhe në gjithë vendin, por fatkeqësisht, sot ka pak ekzemplarë. Janë futur lloje sllovene dhe serbe, që shpesh vijnë të pa trioruar dhe që kanë problem me kuskutën. Lloji i Tominit është tipike e gjelbër, me trup të madh, arrin lartësinë 60 – 80 centimetra, me shumë kërcej që rezultojnë produktivë. Gjethja ka ngjyrë të gjelbërt të ndezur, me një brez të bardhë. Bima ka kapacitet të madh prodhues, sidomos në vitin e dytë dhe të tretë. Mbillet deri në lartësinë 900 metër dhe është shumë e qëndrueshme në kushte të thatësirës. Jep 5 – 6 kositje kur i plotëson kushtet, dhe një masë të njomë 500 – 600 kunjtalë për hektarë. Fara e jonxhës është plloçake, e verdhë, me një prodhim 6 – 8 kv për hektarë. Dikur ishte monopol i shtetit dhe kishte rregulla të forta në trajtimin dhe administrimin e saj.

Molla e Mustafes

Pema ka një trup të madh dhe nënshartesë të egër, me të cilën ka shumë afinitet. Është shumë rezistente dhe ndaj thatësirës, duke qenë se sistemi rrënjor i saj depërton deri në dhjetë metra thellësi. Kurora është e hapur në formë ombrelle. Kokrra është e madhe, jeshile në të kuqe, ku e kap dielli. Me shërbime dhe kushte të mira agronomike, jep prodhim të përvitshëm, ku një rrënjë mund të shkojë 8 – 10 kv. Si nënshartesë, mirë është të përdoret mollçina. Kurse distancat deri në tetë me tetë metra. Është shumë rezistente ndaj kromës dhe kalbëzimit, duke mos kërkuar më shumë, se dy tre spërkatje. Kjo krijon mundësi për prodhimin bio të saj, gjë shumë e kërkuar nga tregjet dhe konsumatorët. Vlen të përmendet fermeri i pasionuar, Rushit Doda, në Kastriot, që ka ruajtur katër dynymë me mollë, të kultivarëve autoktonë. Ai disponon një fidanishte ku ka shartuar disa lloje autoktone, me vlera, për ti shtuar akoma në prodhimin e gjërë.

Molla e Trenës

Ky lloj molle është kultivuar në shekuj nga banorët e fshatit Trenë, në komunën e Melanit, por gjendet dhe në fshatrat rrotull tij. Për nga rezistenca ndaj sëmundjeve dhe kalbëzimit është njësoj si molla e Mustafes, por madhësia dhe pesha e saj është më e vogël. Ndryshon dhe forma, që është më e hollë dhe më e zgjatur. Mund të rrojë në kushte jo frigoriferike deri në muajt prill dhe maj.

Molla e Krosë

E gjejmë të kultivuar në zonën e Gjoricës dhe kryesisht në lagjen Krose, nga ku ka marrë dhe emrin. Është një pemë me përmasa shumë të mëdha, deri në shtatë metër lartësi dhe një perimetër kurore të konsiderueshëm. Frutat janë të një madhësie mesatare, me një tul relativisht të fortë, që e ruan të tillë, gati gjithë dimrit. Si e tillë, paraqet cilësi shumë të mira si për transport e ruajtje të frutit. Është shumë rezistente ndaj sëmundjeve, gati pa qenë nevoja për spërkatje të ndryshme. Agronomi me eksperiencë, Xhemail Grana, ka shartuar disa rrënjë, për ta ruajtur e shumuar këtë kultivar.

Qershia e zezë e Luznisë

Është një qeshi me trup të madh dhe që prodhon shumë e çdo vit. Fruti është kompakt, i madh dhe me ngjyrë të zezë. Reziston shumë mirë ndaj kalbëzimit, i krahasuar me llojin Burlat. Distancat e mbjelljes mund të shkojnë deri tetë metër me tetë. Shkon shumë mirë në toka të kuqe me ekspozim nga dielli.

Dardha e Liçanke

Është kultivar vendi, që shkon shumë mirë me nënshartesë të egër. I pëlqen lartësitë 700 – 800 metër mbi nivelin e detit. Ky lloj ka shije të veëantë organo leptike. Ruhet gjatë dhe në tejpjekje, tuli merr ngjyrë kafe. Pothuajse nuk spërkatet fare dhe kjo gjë e klasifikon automatikisht në produktet bio. Gjethet i ka më të vogla se kultivarët e tjerë dhe me formë rrumbullake.

Tajga e kuqe

Është më e përhapur në rrethin e Matit në zonën e Suçit dhe Kurdarisë. Është lloj me rritje të fuqishme, që shkon shumë mirë dhe si pjergull apo erekë. Preket pak nga hiri dhe akoma më pak nga vrugu. Ka cikël të gjatë vegjetacioni, ndaj pëlqen shumë ditët me diell. Veshuli është i kuq, gjysëm i shkrifët dhe ka kokërr të madhe. Pesha e një veshuli shkon deri në 600 gram. Ka prodhim të përvitshëm dhe piqet deri në fund të tetorit.

* * *
Këto janë disa bimë e pemë autoktone të qarkut të Dibrës, që gjithsesi meritojnë një studim akoma më të kujdesshëm. Mund të ketë dhe lloje të tjera si molla e Vilës në Sllovë, ajo e Radoveshit në Ostren, apo rrushi Karpushi në Melan. Shumica e tyre paraqesin jo vetëm interes studimor, por dhe ekonomik, pasi prodhimi i tyre është konkurrues, dhe në raport me llojet e reja me rendiment të lartë.
Po qe se, këtu shtojmë kërkesat e tyre më të pakta për ujë, rezistencën ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve, numrin më të vogël të spërkatjeve dhe të qenit pranë emërtimit “bio”, i bëjnë këto lloje të preferuara dhe shumë interesante. Me pak më tepër punë, pasion, dhe pak më tepër para, ato do ti kishim dhe për shumë kohë në përdorim. Në të kundërt, do të përmendeshin vetëm në tregimet e legjendat popullore.