Më shumë libra të botuar, se sa vite pune


Rruga e formimit dhe vetëformimit të Shaban Sinanit në antropologji dhe më gjerë, në albanologji, rezulton me studime për etnicitetin në trashëgiminë joshkrimore të shqiptarëve (tri monografi të botuara); me studime për traditën e dorëshkrimeve dhe shkrimeve parashqipe në kulturën e vendit (tri monografi të botuara); me studime për praninë kulturore dhe mbrojtjen e hebrenjve në Shqipëri përgjatë dy mijëvjeçarëve (tri monografi të botuara); disa studime të tjera për shtresime, nënshtresime e mbishtresime të kulturave joshqiptare në pasurinë shpirtërore kombëtare (tre libra). Paralelisht më këto, prof. dr. Shaban Sinani ka vijuar kërkimet në historinë e letërsisë, me pesë monografi të botuara dhe disa përmbledhje studimesh, që kritika i ka cilësuar shqyrtime antropologjike.
Teza e doktoratës në fushën e antropologjisë kulturore me titull “Mitologji në eposin e kreshnikëve” është mbrojtur nga Shaban Sinani në vitin 1998. Kjo tezë e përpunuar dhe e zhvilluar më tej si libër ka njohur disa botime dhe ribotime, duke shërbyer si tekst bazë për degën përkatëse në universitetet shqiptare.
Cilësi e studimeve të Sh. Sinani është ndërdisiplinoriteti. Etnosi shqiptar në trashëgiminë gojore, kodikët e Shqipërisë dhe vendi i tyre në traditën botërore të shkrimeve, sjelljet etnotipike të shqiptarëve ndaj të huajve (hebrenjtë, kulturat e vendeve fqinje, kulturat e ardhura me perandoritë ku është përfshirë populli shqiptar), letërsia në periudhën totalitare dhe kushtëzimet e saj me traditat dhe autorët më të rëndësishëm të mëhershëm, janë disa prej fushave në të cilat janë ndërthurur dije të albanologjisë nga antropologjia, etnokultura, gjuhësia, historia, burimologjia dhe letërsia.
Janë mbi 35 libra të botuar nga Shaban Sinani deri tani (po aq sa janë vitet në librezën e tij të punës), prej të cilëve mbi 20 janë studime monografike. Disa prej tyre janë botuar e ribotuar disa herë, dy prej tyre edhe në gjuhë të huaja.
Prof. dr. Shaban Sinani ka drejtuar projekte shkencore ndërqeveritare, qeveritare dhe institucionale, duke përfshirë projekte të BE-së. Ai është hartues programesh universitare për ciklin master e doktoratura për lëndët: histori shkrimesh e dorëshkrimesh, folkloristikë e krahasuar, mitologji, trashëgimi arkivistike, etnokulturë, histori e thelluar dhe problemore e letërsisë.
Shaban Sinani, lindur më 16 prill 1958, në një nga fshatrat e Lurës së bukur të Dibrës, është një nga njerëzit dhe studiuesit e rrallë të kulturës dhe shkencës shqiptare. Për të janë bërë plot vlerësime dhe karakterizime, por mund të veçohen disa prej tyre tani në 60-vjetorin e lindjes së tij:

Dhimitër S. Shuteriqi: “Origjinal në formë, në gjuhë dhe në formulim”

Në esetë e librit të Shaban Sinanit me titull “Pengu i moskuptimit” kemi një bisedim të shumanshëm dhe pasurues, origjinal në sfond e në formë në gjuhë dhe në formulim, një meditim të gjatë mbi veprat e Kadaresë. Ai, edhe pa e thënë, po veçanërisht duke e thënë, tregon për tronditjen e fortë që do të pësonte metoda-dogmë në gjallje të saj. Lexues i pasionuar, njeri i kulturës që plotësohet, kritiku nuk e ndjek veprën në krijimin e vitpërvitshëm të saj; ai e vështron në thelbin e temës e të problematikës që aty trajtohet, duke e vendosur kështu mirë edhe në periudhën përkatëse…
7 korrik 1997, Tiranë
(Nga pasthënia e librit të Shaban Sinanit me titull “Pengu i moskuptimit”, botimet “Extra”, Tiranë 1977).

Dritëro Agolli: “Gjithë trupi i tij është kthyer në tru”

Ka njerëz që në një çast shkëlqejnë dhe ti kujton se me këtë shkëlqim do të mbeten në kujtesën tënde edhe duke i takuar rrallë.
Por vjen një kohë që ndryshku i kujtesës i mbulon, dhe ata humbin në shkurret e harresës, megjithëse herë pas here u dëgjohet zëri në ndonjë mbledhje apo gazetë. Përsëri për ty ky zë humb mes zërash të tjerë dhe mbetet i panjohur. Ka të tjerë që nuk mbulohen nga ndryshku i kujtesës dhe gjithmonë e ruajnë shkëlqimin e parë.
Në jetën time, që nuk është aq e pakët, kam njohur shumë nga këto dy kategori njerëzish. Mes tyre kam njohur edhe Shaban Sinanin, këtë burrë të imët që më kujton Vladimir Proppin, profesorin tim në Universitetin e Leningradit, sot Sankt-Petërsburg, njërin nga teoricienët më të mëdhenj të folklorit, autorin e famshëm të veprës “Morfologjia e përrallës”, e njohur në gjithë botën. Edhe Proppi ishte një burrë i imët dhe me një zë të butë si të Shabanit. Ne thoshim për Proppin: “Gjithë trupi i tij është kthyer në tru”. Dhe unë, sa herë e shoh Shabanin, pa dashur përsëris fjalët që thoshim për Proppin.
Unë e kam njohur Shabanin që kur ishte student. Ai vinte shpesh me Teodor Kekon në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe në redaksinë e gazetës “Drita”…
(nga parathënia e shkruar për librin e Sh. Sinanit “Kosova në syrin e ciklonit”, botimet “Dritëro”, Tiranë 1999)

Shembëlltyrë e njeriut si “qenie mendimi

Naim Zoto, botues:

Që nga vitet-’80-të e këndej, “njeriu i lindur për gjuhësi”, siç e pati cilësuar profesori ynë, Shaban Demiraj, autorin e këtij libri në kohën që e udhëhiqte për tezën “Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe”, Shaban Sinani është një shembëlltyrë e asaj që duhet të jetë fati njerëzor si “qenie mendimi”. Duke qenë se ai ka një trup të imët, shpesh ne, miqtë dhe kolegët e tij, kemi thënë si populli: “edhe floriri i vogël është”, duke nënkuptuar peshën dhe bukurinë e fjalës në penën e tij…
Ismail Kadare nderohet kur për të shkruan një penë si ajo e Shaban Sinanit.
(nga recensioni i librit “Pengu i moskuptimit”, botimet “Extra”, Tiranë 1997)

Studiuesi i Kadaresë

Nga dr. Nerimane Kamberi, Prishtinë

Shaban Sinani sjell në studimet letrare të sotme shqiptare një mënyrë “ndryshe”, të veçantë, të të qasurit ndaj një vepre dhe autorit të saj: përmes gjuhës së dokumentit, në formë letrash dhe raportesh të ruajtur në arkiva shtetërore, si dëshmi e një kohe pa kohë, ku të ishe shkrimtar nuk ishte gjë e lehtë dhe ku të ishe Kadare kishte një peshë të rëndë: letërsi dokumentuese, siç e quan poeti Visar Zhiti. Ky cilësim, pra, përbën veçantinë e studimit të Sh. Sinanit për veprën e Kadaresë. Studiuesi e rivendos veprën dhe autorin në historinë e letërsisë shqipe, si dhe në historinë e Shqipërisë. Ai zhvillon këtë pyetje: çfarë janë raportet e letërsisë dhe diktaturës, raportet e shkrimtarit me pushtetin totalitar.
( Sipas: Akte të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhë, Letërsi dhe Kulturë Shqiptare; Prishtinë 2012, nr. 31, vëllimi II, f. 215-218)

“Për shembull, profesor Shaban Sinani”
(John L. Withers II, Ambasador i SHBA në Shqipëri)

Roli i Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë nga tmerret e holokaustit nuk është i njohur aq sa meriton. Është diçka me të cilën të gjithë shqiptarët mund të krenohen. Shqipëria mund të bëjë gjithmonë më shumë për t’i treguar botës historinë e vet të shkëlqyer për të parandaluar persekutimin e hebrenjve në tokën e saj. Disa shqiptarë janë duke bërë pikërisht këtë. Për shembull, profesor Shaban Sinani. Punimet e tij të shumta dokumentojnë që edhe në vitet më të errëta të Holokaustit, në Shqipëri ndodhi një bashkim i të gjitha kaheve politike dhe besimeve fetare – antifashistë dhe profashistë, komunistë dhe nacionalistë, myslimanë dhe të krishterë, besimtarë dhe jobesimtarë – për t’u siguruar që asnjë hebreu të strehuar në Shqipëri nuk do t’i hynte gjemb në këmbë.
27 janar 2010

“Një monument shkrimor për kombin shqiptar”
Dr. Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik, Prishtinë

Libri i Shaban Sinanit “Shqiptarët dhe hebrenjtë” shquhet kundruall sprovave tona të sotme historiografike për faktin se ofron të dhëna të shumta dokumentare lidhur me materien që e trajton, sikundër që, në këtë drejtim, nuk lë anash as kontributet e autorëve të tjerë. Dokumentet e shumta shoqërohen me konstatime të qëndrueshme, me sinteza që vënë në pah faktin e pamohueshëm se si një popull i përndjekur gjeti te shqiptarët dhe te strukturat e tyre shtetërore strehën e shpëtimit. Mund të thuhet me gojën plot se autori, me librin e tij, e ka ngritur një monument shkrimor për kombin shqiptar, gurët e të cilit janë dokumentet arkivore dhe të dhënat e përdorura nga burime të ndryshme. Monografia për hebrenjtë në Shqipëri hedh drite mbi të vërtetën e plotë, mbi një të vërtetë që, parë në kontekstin e zhvillimeve të kohës, është unike; e cila, përveçse është dokumentuar gjithanshëm, mund të thuhet se, në saje të elokuencës që i karakterizon përgjithësisht shkrimet e Shaban Sinanit, është interpretuar mjeshtërisht.
(Gazeta “Shqip”, 30 janar 2012)

“Sprovë shkencore e analizës dhe vlerësimit”
Prof. dr. Aleksandër Meksi

Është një fakt tashmë i njohur dhe i pranuar nga të gjithë se në tërësinë e dëshmive të trashëgimisë kulturore dhe historike të shqiptarëve një vend me rëndësi zënë dhe kodikët e kultit të krishterë, të cilët, për nga numri, koha e shkrimit, vlerat dhe faktin e ruajtjes së tyre nga besimtarët mund të bëjnë çdo popull të krenohet. Pikërisht ky evidentim dhe vlerësim i gjithanshëm i kësaj pasurie është dhe përmbajtja e monografisë së Shaban Sinanit, e cila është sprovë shkencore e paraqitjes, analizës dhe vlerësimit të përbashkët të veprave të kësaj gjinie që janë ruajtur deri sot.

Një kodik i kodikëve, por edhe i disa kodeve të Shqiptarisë
Prof. dr. Ardian Kyçyku

Prof. dr. Shaban Sinani, përkundër vështirësive të panumërta, ka kryer një punë vigane, prej scrib-i, duke shmangur natyrshëm konceptin materialist të hulumtimit të historisë dhe të kulturës, me një stil të kthjellët, që nuk mund të keqkuptohet e as të lerë vend për mëdyshje. Ai ka punuar në heshtje dhe përkushtim, njëlloj sikur të mbante një Kodik të Kodikëve të Shqipërisë, ku gjenden të dhëna shpesh vegimtare për Kishën si ruajtëse të Kujtesës, për vendin që zënë letërsia, historia dhe tekstologjia në kulturën e një kombi, për mënyrën si duhen hartuar e zbatuar rregullat e qeverisjes së qyteteve, nenet e vllazërive të tipit esnafor, për historinë se si një komb, shpesh i mbajtur peng mes padijës dhe idealizmit, hyn në Shkrim falë gjuhës së vet – dhe në vëmendjen e botës falë shkrimit, për rolin e pazakontë të Mërgatës në mbrujtjen dhe mbrojtjen e letërsisë, për një riperiodizim të drejtë të kësaj të fundit…
Për fat, pikërisht në kohëra të tilla (të vështira) dalin në dritë, pavarësisht se sa të dukshme bëhen, vepra me rëndësi parësore për kulturën dhe dijen e një kombi. Një libër i tillë është “Kodikët kronografikë të Shqipërisë” (Shkrime dhe dorëshkrime prej Rilindjes Europiane deri në Rilindjen Kombëtare) i profesorit Shaban Sinani, shkencëtar i përkushtuar dhe i pajisur jo vetëm me vullnet të pazakontë, por edhe me një paanësi, të cilën do të duhej t’ia kishin zili, në mos po t’ia përvetësonin mjaft shkencëtarë tanët, fqinjë e më tej. Pas një përvoje shumëvjeçare në botën e hulumtimeve shkencore dhe pas mbi dhjetë vitesh punë me librin e mësipërm, kur shtrohet çështja e ecurisë dhe fatit të (dorë)shkrimeve me vlerë, autori e shpreh qartë mendimin e vet: “Zhvillimet kulturore dhe mendore, edhe në periudhat më të rrepta, i tejkalojnë kufijtë gjeografikë, krahinorë, shtetërorë”.
Bukuresht, shtator 2014

Hieronymi: në letërsinë arbëreshe
Prof. dr. Klara Kodra, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë

Monografia “Hieronymi: në letërsinë arbëreshe” i prof. dr. Shaban Sinanit është ndërdisiplinor. Aty historia e letërsisë, letërsia e krahasuar, historia e mirëfilltë, antropologjia dhe gjuhësia i japin dorën njëra-tjetrës në gërmime, thellime dhe zbulime. Ky fryt i ri i pjekur dhe i shijshëm i talentit të studiuesit, të befason me zbulimet, rivlerësimet dhe këndvështrimet e reja të disa çështjeve. Ky libër sjell ndihmesë për një vështrim më të plotë, madje për një rivlerësim të figurës vigane të Jeronim de Radës. Mbi të gjitha studiuesi e lidh figurën e arbëreshit të shquar me disa çështje të riperiodizimit të historisë së letërsisë shqipe.

Shaban Sinani hap perspektiva të reja kërkimi
Prof. dr. Matteo Mandalà, Università di Palermo, Itali.

Monografia e prof. dr. Shaban Sinanit “Hieronymi: në botën arbëreshe” është qartësisht e frymëzuar prej figurës dhe veprës së Jeronim De Radës, por zgjeron me ambicie kufijtë, duke e përfshirë botën arbëreshe në kompleksitetin e shumëfishtë të historisë së kulturës së saj. Rezultati është një pikëpamje origjinale dhe inovative, do të thosha enciklopedike, duke marrë në konsideratë bibliografinë e plotë, të pasur dhe të veçantë të përdorur nga autori, që hap perspektiva të reja kërkimi dhe që, në të njëjtën kohë, vlerëson në përputhje me traditën më të mirë shkencore në fushën humaniste, linjat kërkimore të shtjelluara në dekadat e fundit.
Duke përdorur në mënyrë jokonvencionale teknikat metodologjike të shkollave të ndryshme, të kombinuara ndërmjet tyre jo për të shkaktuar mbivendosje të tepërta, por, në të kundërt, për të nxitur analiza joparagjykuese të aspekteve të ndryshme të trajtuara, libri shfaqet në formën e tij shumëkëndëshe si një refleksion organik i një periudhe të gjatë historike (shek XVIII-shek. XXX). I mbështetur mbi kontributet e vlefshme të dhëna nga figura prestigjioze të kulturës arbëreshe (dhe jo vetëm) të këtij harku kohor dhe, mbi të gjitha, mbi fenomenet kulturore të ndezura nga iluminizmi dhe të zhvilluara nga shekulli i nacionalizmave, që duke arritur kohët ditët tona ripropozohen, nën një format modern, tematika të rëndësisë së veçantë: ndër këto ajo e identitetit përkundër tendencave homogjenizuese të globalizimit. Botimi i këtij libri do të përbëjë një progres domethënës në përhapjen e një njohjeje më të qendrueshme dhe të siguritë të De Radës dhe të botës arbëreshe.
(nga recensioni për librin “Hieronymi: në botën arbëreshe”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë, 2016)

Një lexim antropologjik i veprës së Kadaresë
Nga prof. dr. Francesco Altimari, Universiteti i Kozencës, Itali

Libri i Shaban Sinanit Mite dhe demonë në veprën e Kadaresë tenton të ofrojë një lexim kryesisht në rrafshin antropologjik të veprës së Kadaresë, me referencë parësore mitet e botës shqiptare, mitet e lashtësisë antike, mitet zanafillëse dhe universale; po ashtu dhe arketipet dhe stereotipet tradicionale në Ballkan dhe në një hapësirë më të gjerë europiane. Duke shquar raportet e njeriut shqiptar me tjetrin: në histori e në fqinjësi, studiuesi e sheh veprën e Ismail Kadaresë si një letërsi identifikuese të shqiptarëve në raporte të brendshme dhe sidomos të jashtme. Të gjitha meritat letrare të I. Kadaresë janë të pandashme prej gjuhës shqipe, por gjuha shqipe nuk u bë kurrë ishull dhe kufi për të.

Autor i pesë monografive për pesë shkrimtarët më të rëndësishëm
Prof. dr. Ali Xhiku

Kontributi i Shaban Sinanit në fushën e historisë së letërsisë, siç është vërejtur nga kritika, ruan pikëvështrimin antropologjik. Ai është autor i pesë monografive, për katër prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të historisë së letërsisë shqipe: Ismail Kadare (Mite dhe demonë në veprën e Kadaresë); Dritëro Agolli (‘Njerëzit e krisur’ të Dritëro Agollit); Martin Camajt (Camaj i paskajuar) dhe Jeronim de Rada (Hieronimi: në botën arbëreshe). Shaban Sinani ka përfunduar gjithashtu një studim monografik për Migjenin (Teksti biblik në veprën e Migjenit). Përveçse tentime rezultative për të verifikuar statusin e këtyre shkrimtarëve në kushtet e hapjes së historisë së letërsisë, pas kapërcimit të hierarkive të trashëguara, z. Sinani ka parashtruar mendime dhe teza me interes për riperiodizimin e historisë së letërsisë kombëtare. Këtyre kontributeve u bashkohen edhe përmbledhjet me studime: Pengu i moskuptimit, Sipërore, Përveçime, Prurje kulturore orientale, Për letërsinë shqipe të shekullit të 20-të, Midis dy Rilindjesh, Pyetje në albanologji, si dhe Historia e letërsisë: çështje të hapura.

Rexhep Qose: Mendjelartë  e mendjeqartë

“I shkurtër me trup është ky Shaban Sinani, por mendimin e ka shumë të qartë, shumë të lartë e shumë larghedhës. Dhe, shumë burrëror.”
(Nga libri i Rexhep Qoses “Tronditja e shekullit 1”, botim i Institutit Albanologjik, Prishtinë 2014, f. 295.)

“Ndër zërat më të njohur të luftës për Kosovën”
Bedri Islami, kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), themeluese e UÇK

Personalitete të shquara të jetës intelektuale në Shqipëri kanë më tepër se sa hisen e tyre në luftën e Kosovës. Shaban Sinani është ndër zërat më të njohur të luftës për Kosovën. Për më tepër, është ndër të parët dhe më i fuqishmi. Analisti më i mirë që kishte Shqipëria, njeriu që refuzonte vendet e ofruara me kushtin që të hiqte dorë nga mbështetja e UÇK-së…
Profesor Shaban Sinani, e gjithë familja e tij, pa asnjë mëdyshje, që shumë vite para fillimit të luftës do të ishte njëri nga figurat prominente të paraqitjes së luftës, mbështetjes së saj dhe, tashmë duhet thënë, shtëpia e tij e vogël në katin e katërt do të ishte njëra nga bazat më të rëndësishme. Në të cilën, jo rrallë herë, jo vetëm zhvilloheshin takime të rëndësishme, por edhe strehoheshin mjete moderne të logjistikës luftarake. Banesa e tij ishte strehë për të gjithë ilegalët, që nga luftëtarët e orëve të para e deri tek pjesëtarët e afërt të familjes së Adem Jasharit. Dhe kjo është bërë duke sakrifikuar nga vetja, pa asnjë lloj shpërblimi si mund të mendohet padenjësisht sot.
Sipas: http://www.gazetadita.al/27-prill-2015/

Profecia e Teodor Kekos; 30 vjet më pas

Para disa ditësh pata rastin të takoj dy dashamirës të librave të Shaban Sinanit, njëri prej të cilëve, student, që më kishte telefonuar për t’i gjetur librin “Etnos në epos”. Duke pirë kafe me këtë rast, tjetri, pra, ai më të cilin e gjeta studentin, një burrë rreth 60 vjeç, i afërm i studentit, më surprizoi me pasionin për librat, veçmas për ata që ne i quajmë “albanologji”, libra për historinë e shqiptarëve, kulturën dhe gjuhën shqipe. Në një moment, ky më thotë: “A të bëj një pyetje? … Unë lexoj shumë libra të kësaj natyre, por kam vërejtur që shumica e autorëve vendosin para emrit gradën që kanë; d.m.th., “dr.”, “prof.”, “akademik” etj. Ky miku yt, Shabani, që ka bërë libra të mrekullueshëm sipas meje, pse nuk e përdor titullin në librat që boton? Unë e di që është profesor, akademik. A punon në Akademi të Shkencave…”.
“Profesor është, – i them, – por akademik jo!”.
“Si, jo?”, – bënë të habiturin të dy. “Shaban Sinani nuk është akademik!? Po kush është akademik atëherë!?… Unë kam lexuar edhe një roman të Zija Çelës të botuar kohët e fundit që thotë me emër e mbiemër: akademik Shaban Sinani”. I thashë mikut se Zijai është shkrimtar, kurse romani i tij një vepër letrare…”Lëre, lëre tani… Më zhgënjeve!”.
E, pas kësaj ngjarjeje, u kujtova se edhe shoku im i fakultetit, poeti Teodor Keko, qysh në vitin e largët 1983, pati shkruar një poezi ku thoshte, mes të tjerash, se “Shabanin (Sinanin) me siguri Akademia do e marrë”. Por, megjithëse kanë kaluar më shumë se 30 vjet, janë këmbyer dy epoka e disa regjime, megjithëse Shaban Sinani ka shkruar e botuar mbi 30 libra, shumica vepra brilante në fushën e albanologjisë, ende ky studiues punëshumë e fjalëpak nuk është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. E shkrova këtë status pasi rizbulova në bibliotekën time këto ilustrime nga libri me poezi i shokut tonë të fakultetit:

Përgatiti: Naim Zoto, botues i librave të prof. Shaban Sinanit