“FERRA E PASHËS”


Plaku Zenel Dika, kishte ardhë enkas nga Luznia në Sinë, për të marrë pjesë në përurimin e “Muzeut të Kastriotëve”. Edhe pse i kishte tetëdhjetë vjet kokërr në kokërr, mbahej ende i fortë. Trupi i tij i rreshkur, pak i imët, dukej si dru thane që nuk thyhet kollai. Koka e bardhë nën qeleshe, ishte plot mend dhe të paplakura. Ishte një dibran tipik nga karakteri, burrëria dhe muhabeti. Zenel Dikën, e kishte sjellë këtu krenaria dibrane: Ky muze vërtetonte edhe një herë se Skënderbeu, ishte dibranë. Ja vlente rruga e gjatë që bëri, për të dëgjuar me veshët e tij historianët që e vërtetonin këtë.
Këtu takoi mikun e tij, mësuesin e historisë, Tomorr Lika. U lidh me të dhe nuk u ndanë. Bashkë shkuan në sallën e konferencave për të dëgjuar kumtesat që do të mbaheshin me këtë rast. Mësuesi i historisë, ishte i interesuar, se i kishte vënë barrë vetes të hulumtojë etnografin dibrane. Këto kumtesa i vlenë shumë atij. Për herë të parë mësoi rëndësinë e madhe që paskan toponimet, pas të cilave fshihet një pjesë e historisë. Tomorr Lika, u habit se ishin toponimet që ruhen edhe sot që vërtetonin se Gjon Kastrioti, kishte banuar në Sinë…
Tek po dilnin nga salla, plaku e zuri për krahu mësuesin dhe në vazhdim të kumtesave i tha:
-Dibrës i kanë munguar përherë kalemxhijt për të shkruar historinë e saj. Në mungesë të tyre, dibranët e mbushën këtë boshllëk, me emërtime nga më të ndryshmmet që të mos harrojnë ngjarjet, zakonet e tyre. Pas këtyre toponimeve, si e quani ju, ruhen ngjarje historike që kanë mbetur si murane që nga kohë të hershme. Në Dibër, Tomorr, i gjen me bollëk këto emërtime. Ato janë si sinoret e arave…
Mësuesi i historisë i mori si vrejtje në adresë të tij këto fjalë të plakut. Atë e habiste ky plak i pashkollë që e njihte historinë e Dibrës më mirë se ai. Zenel Dika, me njohuritë e tij, ju çfaq si një kronist që silltë një kujtesë për një epokë pothuajse të “harruar”.
Kur erdhi koha për t’u ndarë, plaku i tha:
-Mos u ngut. Nëse nuk e ke bezdi e bëjmë rrugën bashkë. Në katundin ku ti je mësues, kam një vajzë të martuar. Me që jam në mes të rrugës, po vij ta shoh si i ka hallet.
Tomorr Likës i qeshi nuri. Shok më të mirë për këtërrugë të gjatë, zor se mund të gjeje.
Dolën nga Sina dhe zbritën në Dri. Ura mbi lumin Drin, ishte një lloj pasarele që kur ecje mbi të, lëkundej si kolovajzë. Tomorri e kishte tmerr këtë urë. Plaku tek e pa që dridhej, i dha dorën dhe kaluan përtej.
Lanë pas lumin dhe hynë në një korije shelgjishtesh që me freskinë dhe bukurinë e saj të mahniste. Shtegu i ngushtë tek kalonin, nuk të jepte arallëk për muhabet. Kur dolën nga koria, para tyre u çfaq fusha e gjerë, katundet e rralla që kishin zënë vend brij kodrave të bukura e të veshura që rrethonin këtë hapsirë dhe ngjasonin si shkallët e një amfiteatri gjigand. Zeneli e theu heshtjen:
-Tani po shkelim në Çidhën. Nëse malet e Dibrës, kanë seicili meritën e vet, Çidhna, ka një pëllëmbë më tepër…por që në fakt çidhnakët duan edhe më shumë se kaq.
Mësuesi nuk e kapi menjëherë këtë metaforë edhe pse nuk qe dakort me mendimin e plakut. Deshi ti përgjigjet, por ai bëri përpara. Ecte si një djalë i ri. Terreni ku po shkelnin, ishte një djerrinë, që jeshilonte nga bimët e fierit që të arrinin deri në brez. Zenel Dika u ndal bri një shkëmbi që ngrihej i vetëm si një piramidë e tejdukshme nga larg.
-Ulemi e pijmë nga një cigare – sugjeroi plaku.
Tek po çlodheshin, Zenel Dika, i cili jo pa qëllim e kishte ulë në këtë vend, hyri në muhabet:
-Tamam këtu, ku jemi ulur, dikur kanë ndejtur burrat më në zë të maleve të Dibrës. Këtu ka qenë logu i Kuvendit të Dibrës.
Mësuesi, kureshtar edhe pse në fakt dinte shumë pë historinë e Dibrës përsëri e pyeti si kureshtar:
– Si i thonë këtij vendi?
– ”Ferra e Pashës” – u gjegj plaku. -Po më habisni, foli përsëri plaku- Mendoj se nuk ka dibranë që nuk e din ku bije ky emër!
Mësuesi e gëlltiti këtë kunj pa ditur si të justifikohej. Kishte dëgjuar për këtë toponim, po se ku bie nuk e kishte paturfare idenë. U vu ta sodisi këtë emër të çuditshëm që në fakt i erdhën në kujtesë mjaft ngjarje e histori por që nxënësve të tij nuk ua kishte thënë kurrë më parë. Një lëmë vend hapej para shkëmbit që dikur do të kishte qenë një lëndinë. Pak më tej një fierishte që e mbyllte një kodër e veshur nga drujt e gështenjave. Në krah të majt të këtij “lëmi” jeshilonte bari nga një shtonë uji që rridhte i pakët, i përgjumur, si një fije kashte. Brij shkëmbit, harlisej një ferrë e madhe që nxinte nga manaferrat.
Plaku po tymoste kokëulur e i heshtur. Mësuesi, me “injorancën” e tij, ja kishte prishur disi humorin. Deshi të pajtohej më në fund me të. Ndaj edhe e pyeti:
-Jam kureshtar t’a dij, si ka mbetur ky emër? Ju me siguri duhet t’a dini. Nëse nuk e keni bezdi, flisni…ju lutem më tregoni gjithë sa dini. Unë sot jam si një nxënës i dobët përballë një mësuesi të kualifikuar e me mjaft përvojë të gjatë.
Plaku, i përkiste atij brezi të hershëm që ishte përfshirë në luftërat e gjata kundër osmanëve dhe serbëve për të mbrojtur lirinë e vatanin. Zenel Dika, ishte një nga ata. Në një këngë të hershme, përmendet edhe babai i tij që ra në përpjekje me turqit. Ndoshta ishin të gjitha këto që ai ruante një nostalgji për të kaluarën e Dibrës. U bind më së fundi që të flasë.
Mësuesi po e sodiste me vëmendje plakun. I bështetur pas shkëmbit, ngjasonte me të. Fytyra e tij e rrudhosur, e hequr, thatine, me mustaqet pak të varura, dukej si një bust i gdhendur në gur. Shikimi i tij dukej pak i mjegulluar sikur po ëndërronte. Zëri i tij i butë, i shtruar, vinte si jehonë që dilte nga shkëmbi:
-Dibra, biri im, ka parë shumë e ka hequr shumë. E kanë vrarë, e kanë prerë, e kanë djegur, por kurrë nuk arritën t’a nënshtrojnë… Pashallarët osmanë që erdhën në Dibër gjithmonë kanë ikur të mundur prej këtej. Këtë fat pati edhe Hysni Pasha…
Ai erdhi në krye të një ushtrie të madhe për të nënshtruar Dibrën. Kudo që vuri këmbën, la pas gjurmë gjaku dhe e bëri vendin shkrumb e hi. Katil i madh kishte qenë. Në këtë vend ku ne po rrimë sot, , ai ngriti shatorret dhe shtabin e tij. Këtu nxinte vendi nga çadrat e ushtrisë së tij. E shikon atë shtonën e ujit që sot rrjedh si fije peri, dikur ka qenë një krua që nxirrte një krah ujë. E zgjodhi këtë vend buzë lumit Drin që pasi të lante hesapet me Çidhnën, ti përveshej malësisë…
Çidhna e pësoi më keq nga ekspedita e tij. Pas luftimeve të përgjakshme, çidhnakët u tërhoqën, kaluan Drinin me gra e fëmijë dhe u hodhën matanë e u strehuan në malësi. Para këtij rreziku, malet e Dibrës u mblodhën në Kuvend dhe lidhën besën për t`i bërë ballë këtij pashai të egër. Beteja të ashpra janë bërë luginës së Drinit, ku ishte përqendruar edhe ushtria e tij. Dibranët në këtë luftë përdorën taktikën e goditjeve të befasishme, nga krahët duke mos u lënë kohë t`a mbledhnin veten. Këto luftime në një front të gjerë, e lodhën dhe e raskapitën ushtrinë turke, duke ja ngushtuar çdo ditë vallen.
Erdhi sahati për t`i dhënë goditjen e fundit, për t’a sulmuar m’u këtu, në zemër ku pashai kishte shtabin e tij. Për gjithë natën grupe malësorësh, zbritën nga malet, kaluan Drinin me not dhe erdhën e u ngjeshën në Shelgjishtet që mbulonte zallishten e lumit. Grupe të tjera e rrethuan nga krahët për ti prerë rrugën e tërhqjes. Një orë para se të zbardhte sabahu, dibranët bënë hoxhum me thirrjet e tyre “a besa-besë”! Sulmi i dibranëve ngjante me një shtrëngatë që s’kishte zot që i dilte përpara. Dukej se u përmbys bota. Në më pak se pesë sahat, turqit u thyen dhe dibranët shkelën shtabin e pashait. Flamurët e bardhë stolisnin çadrat e ushtrisë osmane…
Kur dibranët futën në dorë shtabin, u sulën drejt çadrës së pashait. Ai nuk ishte aty. As oficerët e kapur rob nuk dinin gjë për zhdukjen e tij. U derdhën për t’a kërkuar midis çadrave dhe robërve. Dikush e pikasi bash këtu, i strukur në ferrë tek dridhej si një lepur…
Një shakaxhi e pagëzoi këtë shkurrre “Ferra e Pashës”!
Krerët e maleve, u mblodhën këtu në kuvend për të vendosur për robërit dhe për të ndarë plaçkën e luftës që ishte me bollëk… Kuvendi vendosi që ky vend do të ishte këtej e tutje edhe logu i kuvendit të maleve të Dibrës. Ishte edhe një nder që i bëhej Çidhnës, e cila hoqi më shumë në këtë luftë…
Mësues! E kam arritur edhe unë atë kohë, kur këtu vazhdonte të mblidhej kuvendi i burrave të Dibrës.
Tomorr Lika, mbeti i befasuar nga ky rrëfim. Plaku, Zenel Dika, ulur këmbëkryq, mbështetur pas shkëmbit, ngjasonte me tregimtarët e lashtë që u bënin jehonë luftrave epike. Kështu pati treguar edhe Homeri për Luftën e Trojës.
Edhe për shumë kohë, i mbeti në mendje mësuesit të historisë, Tomorr Likës, “Ferra e Pashës”, ky toponim me këtë emër grotesk, që ruante të fshehtat e një lufte heroike bashkë me sarkazmën dhe ironinë e dibranit.
Mësuesin e shqetësonte “harresa” “indiferenca” dhe “pakujdesia” e brezave që erdhën me sfidën e tyre ndaj kësaj epoke zulmëmadhe. E keqja e kësaj harrese vazhdon. Në vend të një memoriali që do të përjetsonte këtë trashëgimi, është natyra që sfidon historinë, e ka ruajtur të paprekur atë shkëmb dhe shkurrën e ferrës, ashtu siç ishte njëqind vjet më parë…
Ani! Ky toponim do të mbetet edhe pas këtej si një copë legjende. Por, medet! A do të ketë më një plak që do t’u tregojë brezave që do të vijnë, si mbeti emri “Ferra e Pashës”.