Rafting në Dri, potenciali i fshehur i turizmit në Dibër


Ky aktivitet kishte si qëllimin kryesor të ndërgjegjësojë komunitetin dhe qeverisjen vendore mbi problematikat që shkaktojnë hedhja e mbeturinave në degëzimet kryesore që derdhen në lumin Drin.

Rreth 25 të rinj dhe të reja nisën më 30 qershor 2017 një lundrim në Dri nga Podgorci, 500 m mbi urën e Topojanit deri në Luzni, në një përpjekje për ta kthyer lundrimin në Dri në një sport që do të thithë më shumë turistë në të ardhmen.
Edi Truka, drejtori ekzekutiv i organizates “North Green Association”, tha se ky aktivitet kishte si qëllimin kryesor të ndërgjegjësojë komunitetin dhe qeverisjen vendore mbi problematikat që shkaktojnë hedhja e mbeturinave në degëzimet kryesore që derdhen në lumin Drin.
Nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, drejtues të organizatave të ndryshme që operojnë në Dibër, por gjithashtu edhe përfaqësues të Bashkisë Dibër dhe institucioneve të tjera vendore, ishin pjesëmarrës në këtë veprimtari dhe një pjesë e tyre lundruan për të parë nga afër bukurinë e luginës dhe njëkohësisht ndotjen e shkaktuar nga mbeturinat e hedhura nga banorët që jetojnë pranë degëzimeve që derdhen në Drin.
Vozotësit ndaluan në Gradec dhe Hotesh, jo vetëm për të vlerësuar potencialet që ofrojnë këto dy vende buzë Drinit, por edhe për të kryer pastrime e lumit nga mbetjet urbane, kryesisht plastikë.
“Gjatë lundrimit realizuam aksione pastrimi, por në disa zona e kishim të vështirë të vepronim, për shkak të vështirësisë së lundrimit, por gjithashtu edhe të grumbullimit të mbetjeve në degët e shkurreve, të cilat e bënin të pamundur pastrimin e tyre”, thotë Edi Truka për gazetën Rruga e Arbërit.
Por kjo veprimtari nuk ka vetëm qëllim nxitjen e zhvillimit të turizmit në rajon me një mundësi të re, siç është lundrimi me gomone në Dri, por edhe ndërgjegjësimin për një mjedis të pastër.
“Kërkojmë të advokojmë mbi këtë problematikë, sepse lugina e Drinit, përveç florës dhe faunës shumë të larmishme, ofron mundësi zhvillimi ekonomik për zonën me anë të turizmit lumor, si ecje në lumë, peshkim, plazhit lumor dhe sporteve ujore si hydrospeed, rafting, kayaking”, thotë Truka.
“Aktivizëm dhe rafting”, ishte motoja e kësaj veprimtarie, me qëllimin e dyfishtë: nga njëra anë anë advokimin on mbi problematikën dhe nga ana tjetër zhvillimin e raftingut, një sport aventure që pak lumenj e ofrojnë, duke e promovuar zonën në një zhvillim të mëtejshëm të ofertave turistike që mund të kërkohet në Dibër”, thekson Edi Truka.
Truka thekson edhe bashkëpunimin me institucionet e tjera dhe organizatat që po merren me hapjen e perspektivave të zhvillimit në rajon.
“Në bashkëpunim me Bashkinë Dibër, organizatën ‘Dibra: Turizëm dhe Traditë (D2T)’, ‘ALCDF’ e kemi quajtëm këtë si ‘Festa e Drinit’, me një synim për t’i dhënë një tjetër perspektivë zhvillimi luginës, duke e kthyer në një festë kalendarike në Dibër dhe njëkohësisht të ketë një vëmendje të veçantë për ta mbrojtur bukurinë përrallore që ofron lugina e vendbanimeve më të hershme në Ballkan”.
Organizata “North Green Association” edhe në të kaluarën ka zhvilluar disa veprimtari me qëllim një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm. Ajo kërkon të lartësojë zërin mbi problematikat mjedisore për një të ardhme më të mirë. “Jemi akoma në kohë, po të bashkëpunojmë të gjithë”, thotë Truka.
Kjo veprimtari, “Aktivizëm dhe Rafting” në lumin Drin u krye falë mbështetjes të Ambasadës Zviceriane dhe organizatës “Lëviz Albania”, në kuadër të projektit “Gjurmë të Gjelbërta për Dibrën”.