Një jetë në skenë me trofe e tituj të lartë


 

Tetëdhjetë vite në jetën e njeriut të grishin në bialncin e punëve të kryera, pse jo edhe të përjetimit të një pensionimi aktiv. Në jetën e një artisti vitet të japin kurorë nderimi për faktin se arti nuk njeh moshë. Është shkruar e kënduar se „nuk ka moshë kur këndon“, apo se „robi plaket kur don vetë“, por në rastin e artistit popullor Imerr Neli, bilanci është jo vetëm shumë i pasur me krijimtari e interpretime, por edhe me trofe e Tituj të Lartë si nga Juritë e hierarkive artistike, ashtu edhe nga protokollet e qeverisjeve Vendore dhe të Presidentëve të Republikës.
Imerr Neli u lind në lagjen Valxhi të Macukullit, ku i ati, Adem Luli (1899- 1946), njihej si instrumentist dhe mjeshtër i prodhimit të çiftelisë e laurisë. Të gjithë meshkujt e asaj shtëpie luanin me çifteli dhe fyej. Në zonën e Prellit qarkullonte shprehja vlerësuese se „dajret e Valxhiut e ngrejnë paren prej toke“, shprehje e cila përmban muzikimin e folklorit krahinor, homogjenitetin artistik, jehonën që kishte ahengu i kësaj familjeje. Kjo specifikë e shtonte simpatinë tek bashkëkrahinasit e vet. Kjo dhunti e pasuronte vlerën e bujarisë, e mikpritjes, respektit e vullnetit për punën, atdhedashurinë e mirësinë.
Ndërsa më të mëdhenjtë e familjes rreshtoheshin darkave pranë njëri-tjetrit me instrumenta në dorë, Imerri i ri do ta ledhatonte papushim fyellin gjithë ditën teksa i printe tufës së dhive drejt bjeshkës për në Grykën e Valcës. I ndërthureshin të riut Imerr rrërfimet e dëgjuara për betejën e Shkallës së Deshëve kundër sërbit, për qëndresën e macukllanëve e matjanëve të tij për të mos lejuar komunizmin në Mat, për mbrojtjen e pronës, të nderit, të lirisë etj.
Nga gryka e një tubi metalik fluturonin jonet muzikore plot nostalgji e bukuri, plot butësi e dritë e ndërsa tufa e dhive i mblidhej rreth, Imerri hynte në një botë tjetër, në një mister ende të pashpjegueshëm. Intuita e artistit të ardhshëm gëlonte që tregimet, bisedat, blegërimën, fëshfë-
rimën e barit e drurëve, shkarkimet qiellore, shkëlqimin e yjeve, çapitjet e njerëzve…. t‘i fuste në tingujt e fyellit të tij magjik. Ai ngjitej malit dhe ulej mbi „gurin e shkru“ jo vetëm që të kontrollonte më lehtë tufën, por ta kundronte gjithë hapsirën e luginës përrallore të Matit, kalatë përrreth saj, ujin e kristaltë të lumit Mat deri në derdhjen e tij në Adriatik. Magjepsej tufa e dhive me tingujt e mahnitshëm të fyellit, por krenoheshin edhe bashkfshatarët për të ardhmen e tij. Kishte njerëz që gjenin shkak dhe kalonin në grigjë, afër djaloshit të ri për të dëgjuar tingujt që ekzekutonte në meloditë pafund me teknikën e përsosur, ornamentet e ritmet e shumta.
“Viti 1958 do të shënonte pjesëmarrjen time të parë në takimin folklorik zonal të organizuar në Derjan (atëherë – qendra e lokalitetit). Që nga ajo kohë, bashkë edhe me artistë të tjerë të Matit do të kisha fatin të takoja muzikantë të mrekullueshëm në qytetin e Burrelit dhe të njihesha me skenën dhe spektatorët” shprehet Imerri. “Kur kam shkuar për herë të parë në vitin 1959 në Tiranë, drejtori Isuf Meta më shtynte nga mbrapa, pasi unë kisha emocion të dilja në skenën e festivalit i saposhkëputur nga bjeshkët, që i dashuroja aqë shumë”.
Djaloshi 20 vjeçar Imer Neli nga Macukulli nuk njihte lodhje së luajturi pa ndërprerje me fyellin e tij një repertor të larmishëm me intonacion e frazë të plotë, me ornamentikë e ngjyrë timbrike përkëdhelëse. Ai do të tërhiqte vemendjen e specialistëve dhe jurive dhe do të mbetej subjekt shumë i çmuar i etnofolkloristikës shqiptare. Ky nuk mund të ishte rast i izoluar. Ishte një trokitje në ndërgjegjen e nuhatjen e gjurmuesit e studjuesit të zellshëm të muzikologjisë, Prof. Ramadan Sokoli, se kjo begati e folklorit të krahinës së Matit buron vlera të panjohura, por shumë të larmishme e identitare. Studjuesi me intuitën dhe përvojën e profesionistit kërkon të njohë e regjistrojë materiale të tjera nga instrumentistë, rapsodë e grupe vokale të zonave të ndryshme të krahinës së Matit. Bashkë me Imerrin do të ishin edhe Shaqir Hazizi, Ibrahim Minxhozi, Hysni Hysneli me çifteli dhe Lim Rrahmani në lauri. Tanimë pranë Institutit të Folklorit në Tiranë (sot IAKSA) u bënë pjesë e arkivit jo pak material muzikor shumë i dobishëm.

A është “Artisti i Merituar”, “Mjeshtri i Madh” Imer Neli produkt i punës institucionale?
Në të gjitha kohrat dhe hapsirat institucionet janë ngritur mbi kontributin e talenteve individuale dhe kolektive. Hershmëria, cilësia, tipologjitë, kriteret, spiralja e zhvillimit, koherenca e arritjeve dhe infrastruktura mbështetëse e kapaciteti profesional etj, janë asete që mbështeten në trashëgiminë dhe modernitetin e sejcilit komb. Kjo përbën një temë që kërkon shtjellim më vete. Por le të potencojmë me logjikë të ftohtë se sukseset e gjeneratës të cilës po i referohemi janë të pandara nga ndikimi i ndërsjelltë individ-institucion. Ky është një fakt që nuk duhet injoruar.
Në fund të viteve ‘50 të shekullit të kaluar bardi Imerr Neli u përball me skenën sipas një kalendari shtetror për zhvillimin e folklorit. Që nga ai vit do të përzgjidhej nga specialistët si talent me origjinalitet të sipaktur. Duke qenë pinjoll i një mjedisi muziktarësh ishte një arkiv i madh i krijimtarisë anonime të zonës së vet. “Legaizimi“ i tij në publik e më pas jeta skenike nën drejtimin e kompozitorit Skënder Frashëri në Burrel do ta njihte me këngën e re qytetare të krijuara nga ky i fundit. E enthusiazmonte tepër fakti se Imerri bard e kishte ushqyer kompozitorin me bulëzat muzikore të lirikave të mrekullueshme të Matit.
I dyti do të ishte kompozitori Munir Shehu në mesin e viteve ’60 që do të organizonte orkestrinën e parë me instrumenta të trevës dhe Imerrin do ta kishte solist në orkestrinë. Bashkëzanimi i asaj orkestrine me këngët e bukura të kënduara nga e magjishmja Feride Kurti do të ishin një start tjetër i ri për Matin.
Në mesin e viteve ’70 kompozitori Naim Gjoshi e fuzionoi më tej përvojën dhe cilësinë e ekzekutimit si rezultat edhe i pjekurisë artistike të instrumentistëve. Roli i këtij instrumentisti do ngjitej në një platformë të re. Ai jo vetëm do të transportohej në tonalitete duke provuar me suksese kromatikën në bilbil, por do të deputonte në festivale i vlerësuar me çmime edhe si krijues.
Me këtë status përgatiti e drejtoi për dekada me radhë grupin e instrumentistëve të vegjël pranë QKF, të cilët u bënë rasati i orkestrinës, tashmë famoze të Matit. QKF-ja do të përfaqësohej disa herë në festivale më fëmijët dhe nën drejtimin e Imerrit do të meritonte gjithnjë vende të para.
Nuk shkruajti partiturë, por ishte ushqyes i partiturave të kompozitorëve në rreth dhe më pas bëhej ekzekutuesi i atyre partiturave me fyellin dhe bilbilin e tij.
Ishin talenti, pasioni,vullneti, disiplina, dashuria për trashëgiminë e trevës së vet? Padyshim, të gjitha bashkë plotësinin portretin artistic të tij. Por unë do të shtoja edhe respektimin nga ana e Imerrit e punës programore në zbatim të politikave kulturore të institucioneve, tek përgatitja profesionale e drejtuesve të muzikës, tek qarkullimi e ballafaqimi në skenë, ku cilësia artistike dhe disiplina e madhe ktheheshin në një shkollë të re për ‘të. Imerri kujton: “ Kur kam parë për herë të parë në Tiranë Xhevat Lishin me dajre në grupin përfaqësues të Matit, që morën në mënyrë të padiskutueshme çmimin e parë, e ndjeva veten krenar dhe përnjëherë mendova pozicionin tim në përbërje të këtij grupi artistik.
Dhe vërtetë tingujt e fyellit, bilbilit e çiftelisë së Imer Nelaj në krye të ansamblit “Mati” do të dominonin thuajse pjesën më të madhe të joneve që prodhonte orkestrina popullore. Pa asnjë mëdyshje do të justifikonte jo vetëm besimin e drejtuesve por edhe respektin e kolegëve për aftësitë, talentin, përkushtimin dhe disiplinën. Një muziktar me këto aftësi në mardhënie me skenën dhe me cilësi të tjera shoqërore e qytetare, gëzon për një periudhë kaq të gjatë atributet e një artisti të pëlqyer e të duartrokitur. Një muziktar i tillë mbulohet me një aureolë adhurimi e nderimi falë dhuntive dhe vlerave që përcjell. Prandaj edhe ka tërhequr vemendjen e shumë kronikanëve e poetëve, gazetarëve e studjuesve, lokalë e kombëtarë të cilët të frymëzuar nga pasioni dhe vibrimet e tij shpirtërore, kanë evidentuar me solemnitet e elegancë në vargjet dhe frazat e tyre.
Është rast unikal në shkallë kombëtare, që artisti Imerr Neli, që nga viti 1958 nuk i është ndarë asnjëherë skënës së koncerteve, festivaleve lokale, kombëtare në tipologjitë e gjinive të artit folklorik dhe të Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër. Imerr Neli është pjesëmarrës në të 10 Festivalet, pra që nga viti 1968 si solist në aerofone, laureat në disa syresh radhazi, i titulluar Artist i Merituar në vitin 1979. Tani mban edhe titullin e lartë ”Mjeshtër i Madh”. Ndërsa ka deputuar në dhjetra festivale pa ndërprerje dhe ka fituar qindra diploma, çmime, Mirënjohje, dekorata dhe Tituj brenda dhe jashtë vendit, në diasporën shqiptare dhe në mediumet shkencore Ai shpreh me veneracion mirënjohjen dhe respektin për spektatorin e mrekullueshëm që e ka ndjekur dhe duatrokitur kudo për 60 vite me radhë.
Nuk mund të përcaktoj numrin e kilometrave të bëra e të orëve të vona në skenat e ndryshme të koncerteve, buzëqeshjet e ngazëllimet, duartrokitjet e sukseset, as edhe telat e këputur nëpër instrumenta apo ndonjëherë edhe tendosje nervash, por një fakt mund ta them: “kam shpenzuar aq shuma tuba plastikë për të prodhuar fyejt që më nevojiteshin në skenë, sa me ‘to e kisha sjellë ujin e lagjes Valxhi të Macukullit në banesën time në lagjen “Pjetër Budi” në Burrel”.
Njerëzit aktivë të kësaj moshe gjithnjë kërkojnë të dijnë pengjet të cilat mendojnë se nuk kanë arritur t’i zbusin. Ne gjykojmë se ky artist punoi e “magazinoi” në koshiencën e tij artistike bereqetin më të madh të trashëgimisë, përvojën më të mirë, i vuri ato në shërbim të pajës estetike të gjeneratës së vet, mbolli gjatë jetës aq rasat artistik, sa do ta kujtojnë e nderojnë për shumë kohë talentet dhe skenat e Festivaleve.
Kjo ndihmesë dhe ky shembull i tij kulmon me të birin, Beharin, i cili ka hyrë në tregun e produksionit muzikor me guxim, pasion, virtuozitet dhe origjinalitet si një shembull kreativ i gjeneratës së tij. Edhe për këtë faleminderit artistit Imer Nelaj.
Kemi kënaqësinë t’i urojmë përzemërsisht me mirënjohje mikut dhe kolegut tonë Imer Neli: Gëzuar 80 Vjetorin e lindjes! Lumturofshi në 100 vite jetë aktive me familjen tënde të nderuar dhe familjen tonë të artit popullor. Pleqërofshi në mesin e të dashurve, duke shijuar kënaqësitë dhe nderimin që të jep puna, talenti dhe përkushtimi.