Tërnova, një perlë e natyrës fshehur mes malesh


Në Shqipërinë verilindore, në qarkun e Dibrës ndodhet një vend, mrekulli e natyrës, që quhet Tërnovë.
Tërnova është një fshat në njësinë administrative të Zerqanit, Bashkia Bulqizë, i cili i ngjan një kështjelle, i rrethuar nga malet, të cilat ngrihen thikë dhe duken si muret e saj dhe në brendësi ndodhen shtëpitë.
Tërnova shtrihet në pjesën veriore të Qytetit të Bulqizës, njëzet kilometra në rrugë tokësore nga qyteti, kufizohet me Zerqanin, i cili është dhe qendra e komunës, me Sopotin, me Valikardhën, me Strikçanin, me Smollikun, me Okshtunin dhe me Martaneshin e Kaptinën në rrethin e Matit, e cila është në kufi me fshatrat e Tiranës e Shëngjergji.
Pyjet janë të dendur dhe rrugët të pashtruara, e herë-herës të pakalueshme. Këto zona të japin emocione të forta, vende të “fshehta” e të paeksploruara tërësisht.
Në Tërnovë nuk mungon asgjë: ujë të pastër si kristali, liqene, pyje me pisha, bredh, ah, bjeshkë të mrekullueshme, pasuri nëntokësore, minierë kromi e fabrikë pasurimi që po ndërtohet, hidrocentral.
Zalli i Ternovës burimin kryesor e ka nga Pylli i Zi, Verviaku, Përroi i Sharrës dhe Varret e Vrame. Aty ka vlera, aty ka kuriozitet, aty ka histori, aty ka legjenda, aty ka natyrë të pashkelur, aty ka njerëz të mrekullueshëm. Aty ka jetë, ka zhvillim.
Territori i fshatit Tërnovë shtrihet nga niveli 900 m, në shtratin e zallit dhe deri në 1900 m lartësi mbi nivelin e detit, e cila ndodhet në majën e Verviakut. Disa nga perlat e natyrës së Tërnovës janë: Dabrella dhe fusha e saj, Lugu i Qyqes, Topatoku i Epërm dhe i Poshtëm, Fusha e Gjatë, Varret e vrame, Livadhi i Hidës, Lukshta e Skurës, Fusha e Zerqanit, Kazjaku me malin shpella, Livadhi i Dashit, Sheshi i Epërm, Sheshi i Poshtëm, Shpella e Sheshit të Epërm, Gurra e Topatokut, e cila ka një ujë shumë të ftohtë, sa nuk mund të mbash dorën në të më shumë se dhjetë sekonda, Stani i madh, Semanikle, Kaptina, Pylli i zi, Akrazhna, Livadhi i Destanes, Arat e Kryqeve, Ara e Hoxhës, Lloka, Përroi i Sharrave, i cili mori emrin nga një punishte për prodhimin e dërrasave dhe mobiljeve që ka qenë aty deri nga mesi i shekullit të XX, Liqeni i Zi, Liqeni i Martaneshit, Liqeni i Dhoksit, Liqeni i Luleve etj.
Burimet natyrore të Ternovës janë të shumta, ato mund të kthehen në një zonë të mirëfilltë turistike në rajon, me të ardhura të mira për vetë tërnovasit dhe për Shqipërinë e shqiptarët në tërësi.
Zalli i Tërnovës, i cili zbret nga bjeshkët e ndan fshatin në dy pjesë, zbret poshtë dhe në vendin i cili quhet “ku përzihen zajet”, poshtë lagjes së Imerajve, bashkohet me zallin e Okshtunit dhe më pas merr emrin e fshatrave që kalon, si zalli i Smollikut, zalli i Lubaleshit etj., derisa bashkohet me zallin e Bulqizës në vendin e quajtur Ura e Çerenecit (Shupenzës) dhe derdhet në Drinin e Zi, në fund të Gjoricës së Poshtme.
E vendosur në mes të kodrave dhe e rrethuar prej tyre të cilat janë të veshura me gjelbërim nga veriperëndimi, juglindja dhe verilindja, ndërsa kodra pjesërisht të zhveshura nga lindja, siç është Kodra e Bordës, dhe sipër fshatit shtrihen bjeshkët dhe liqenet.
Tërnova është e njohur edhe për një shumëllojshmëri bimësh mjekësore, si p.sh., hithra, dëllenja e zezë, trëndafili i egër, sherebela e egër, luleshtrydhja (drethesa), salepi, boronica, shtogu, çaji i malit, mjedra etj, të cilat mblidhen ndër vite nga banorët e zonës, duke i kthyer edhe këto në burime ekonomike.
Banorët si dhe të parët e tyre, kanë lindur dhe janë rritur, me burimet e natyrës ndër shekuj, nga këto burime natyrore kanë mbijetuar.
Ndërsa gjithë fshati aktivitetin kryesor e ushtronte në blegtori, që siguronin pothuajse pjesën më të madhe të të ardhurave të banorëve dhe pjesa tjetër vinte nga bujqësia, ku kultivohen grurë, misër, thekër, patate dhe pothuajse të gjitha llojet e frutave si molla, qershia, ftoi, arra, gështenja, rrushi, kumbulla, thana etj., si dhe të gjitha llojet e perimeve.
Deri në vitin 1990 fshati ka patur më tepër se 400 shtëpi të ndërtuara me gurë në formën e kullave tradicionale shqiptare dhe të mbuluara me rrasë guri, pasi ishte shumë rezistente ndaj të ftohtit të acartë të dimrit.
Në fund të viteve shtatëdhjetë dhe në fillim të viteve tetëdhjetë edhe sistemi i ndërtimit të shtëpive ndryshoi, pasi filloi të ndërtohet një model i ri, i quajtur “model elbasanas” dhe të mbuluara me tjegulla, diku-diku dhe me rrasa guri.
Tërnova deri në vitin 1990 ka qenë fshati më i populluar në zonën e Zerqanit me mbi 4700 banorë, por pas viteve 1990 aty ka pasur një eksod dhe largim në masë të banorëve. Pjesë e Tërnovës është edhe Ternova e Vogël me rreth 40 shtëpi, që njihet edhe si një lagje e Tërnovës.
Deri në fillim të viteve 1980 Tërnova lidhej me një rrugë automobilistike e hapur dhe e përdorur më së shumti nga ushtria dhe kooperativa bujqësore, kalonte nga Zerqani në Rrush të Vogël, sipër fushës së Sopotit dhe mbërrinte deri në Varre të Vrame, për në fshat ishte një rrugë, e cila kalohej me shumë vështirësi dhe përfundonte te vendi i quajtur “Kodra te Varret”. Pastaj u ndërtua rruga e re, e cila kalon nga rruga kombëtare Bulqizë, Peshkopi dhe në Fushë-Bulqizë mes një shtegu gjarpërues, shfaqet përnjëherë, përmes kraharorit të malit, një pamje që të magjeps.
Në këtë të përpjetë që shigjeton përmes shtegut që ka arritur të çajë kraharoret shkëmbore të malit, ku në të majtë ngrihet maja e Kazjakut dhe në anën e djathtë lartësitë që përfundojnë në Liqenin e Zi është e pamundur të mos biesh në një gjendje hutimi që të pushton, një tronditje e brendshme që të përkund si gjethe. Udhëtimi nën retë, i cili ngjason me një udhëtim si në ëndërra të jep përshtypjen se po ngjitesh në qiell.
Majëmale të formuar përmes një procesi të kahershëm e të pandalshëm erozioni, nguten me shfaq atë që me kujdesin e paepur ka mundur me ndërtuar natyra, në bashkëpunimin e vet me shiun, borën, akullin dhe erën.
Fusha e gjerë dhe e madhe e Zerqanit tek Vorret e Vrame shtrihet si një qilim i blertë me bar e lule. Një peizazh marramendës që veç ata që kanë patur fatin ta kenë parë me sy e kanë mbartur dhe e mbajnë ndër vedi ndër vite kudo që janë.
Degëzimi, i cili ngjitet në mënyrë gjarpëruese në malin përballë malit të Kaziakut, kalon në fushë të Zerqanit, Varre të Vrame, zbret poshtë deri në fshat, ndërsa një degëzim kalon përmes pyllit dhe shkon në Liqenin e Zi, ndërsa rruga kryesore përfundon në Verviak tek Miniera e Tërnovës.
Është për të ardhur keq pasi rruga pas viteve 2000 është vështirë e kalueshme me makina të vogla, pasi nuk është investuar për mirëmbajtjen e saj. Gjithashtu, ka dhe rrugë të brendshme për të shkuar dhe vizituar vende karakteristike dhe turistike të zonës, të cilat janë ndërtuar kryesisht nga ushtria para viteve nëntëdhjetë.
Pozicioni dhe mënyra sesi është bërë shtrirja natyrore e fshatit të jep përshtypjen e një amfiteatri gjigant natyror, i cili nuk të lë të mbetesh jashtë pasi ka vend për të gjithë.

Gojëdhëna mbi Tërnovën

Gojëdhëna shumë të hershme të trashëguara, brez pas brezi, flasin për një luftë të ashpër dhe shkatërrim të gjithë fshatit. Këto gojëdhëna flasin për shumë banorë që jetonin aty.
Gojëdhëna flet për një histori të tre vëllezërve bashkë me familjet e tyre, të cilët ishin të vetmit që shpëtuan nga një luftë, e cila shkatërroi gjithçka përfshirë edhe kafshët shtëpiake.
Flitet që të gjitha shtëpitë u dogjën dhe të gjithë banorët e fshatit u prenë në fyt me shpata. Gojëdhëna thotë që përroi i Gërhores u krijua nga kjo masakër, dhe dheu në këtë zonë u bë i kuq nga gjaku i tyre, në fakt çuditërisht dhe në ditët tona aty dheu është i kuqërremtë, në veçanti nga pjesë të tjera të fshatit që mbase vërteton këtë legjendë të hershme.
Tre vëllezërit, emrat e të cilëve nuk i thotë gojëdhëna, vendosin të largohen pasi kishin ngelur vetëm ato në fshat në mes të trupave pa koka që gjendeshin në të gjithë fshatin, pasi i varrosin të gjithë, bashkë me fëmijët e tyre që kishin shpëtuar, marrin rrugën për tu larguar dhe vendosin që të mos kthejnë më kokën mbrapa, pasi kështu do të harronin gjithçka.
Kur dalin në kodër vëllai i vogël kthen kokën mbrapa pasi harron për premtimin që kishin bërë më parë me vëllezërit e tjerë, befas dëgjon një zë i cili i thotë: “Kthehu, ky vend ka nevojë për ty!” Çuditërisht, në fshat nuk dilte më tym nga shtëpitë e djegura.
Ai kthehet nga vëllezërit dhe u thotë që duhet të kthehet në fshat pasi kishte harruar disa gjëra të rëndësishme dhe duhej ta ndiqnin dhe gruaja e tij me dy fëmijët, vëllezërit pranuan dhe vendosën të ulen dhe ta presin, aty në kodër pa kthyer kokën mbrapa, por ai ju thotë që ato të ecin me ngadalë rrugës sepse ai do të marrë gjërat që kishte harruar që i duheshin me doemos dhe do ti zinte ato në rrugë.
Kështu bënë, vëllezërit vazhduan rrugën dhe ai bashkë me nusen dhe dy djemtë u kthyen në fshat dhe filluan jetën nga e para dhe kështu fshati u popullua përsëri.

Legjenda e Sirenës së Liqenit

Në pranverë dhe verë barinjtë nga Tërnova ngjitnin çdo ditë malin përpjetë duke kullotur bagëtitë së bashku me qentë e tyre të racës Molosa ose siç i quanin ndryshe, Balat. Ato ishin qen shumë të mëdhenj dhe ishin roje shumë të mirë për bagëtitë nga kafshët e egra sidomos nga ujku dhe ariu, në bjeshkët e mrekullueshme të Tërnovës, Liqeni i Zi, Shesh të Epërm, Shesh të Poshtëm, Livadhi i Dashit, Liqeni i Luleve, Fusha e Gjatë etj.
Një nga barinjtë, i quajtur Metzi, ishte shumë i pasionuar pas fyellit të tij, që krijonte një melodi kaq të bukur së bashku me zërin e zogjve, të cilët cicëronin në mal e krijonin një atmosferë magjepse dhe, ndërkohë që fyelli përdorej nga barinjtë jo vetëm për të kaluar kohën por dhe për të mbajtur larg kopeve kafshët e egra.
Një ditë, teksa Metzi po i kulloste delet në afërsi të bregut të liqenit si gjithmonë në melodinë e bukur të zogjve, fyellit dhe kumonat (këmborat) e bagëtive, befas në liqen afër bregut, ai shikon një vajzë të bukur të zhveshur, e cila po krihte flokët e gjata, që i zbrisnin poshtë deri në gjunjë. Metzi për momentin frikësohet dhe kërkon të largohet duke thirrur qentë, balat, prijësit e kopesë së bagëtive, befas dëgjon një zë të bukur që po këndonte, ishte një zë mahnitës sa që Metzi harroi bagëtinë dhe nuk arrinte ti ndante sytë nga vajza e cila vazhdonte të krihej, këndonte, shikonte plot dashuri nga Metzi.
Metzi po largohej gjithë nxitim, por kokën e mbante duke shikuar nga liqeni dhe befas vajza u zhduk së bashku me këngët dhe bukurinë e saj. Metzi e pa tek ajo u zhyt në thellësi të liqenit të kristaltë, i cili nga rrezet e diellit, i rrethuar nga mali, shkëmbinjtë dhe pishat e gjata i japin një sfond përrallor sipërfaqes së liqenit.
Ai mori rrugën për poshtë duke ju drejtuar fshatit, fliste dhe pyeste veten si ka mundësi që një vajzë kaq e bukur qëndron mbi ujë e vetme në liqen. Vallë ç’bënte aty, pse krihej dhe këndonte, ç’farë zëri të bukur ka? Ah,sikur ta shikoj dhe një herë, ah sikur ta dëgjoj zërin e saj edhe një herë, mendonte ai, me vete.
Metzi po i afrohej fshatit. Pasi doli në kodër sipër tij, kopeja dhe balat gati ishin futur në fillim të shtëpive ai mendonte me vete për atë që i kishte ndodhur por nuk arrinte të hiqte nga mendja bukurinë dhe zërin e embël të vajzës së liqenit.
Gjatë gjithë mbrëmjes ai nuk bëri gjë tjetër, por vetëm mendonte për atë vajzë të bukur që kishte parë në liqen, në mëngjes niset si çdo ditë me bagëtinë kodrave përpjetë, duke kërkuar që të mos humbte kohën si ditët e tjera, pasi delet herë pas here ndaleshin nëpër lëndina duke kullotur, atë ditë Metzi nuk i lejonte të ndaleshin pasi deshte që të mbërrinte sa më shpejt. Kur mbërriti, ai vuri re, që vajza ishte pikërisht aty ku ai e kishte parë një ditë më parë. Vajza kur pa Metzin, që sapo doli nga pylli, filloi të këndojë.
Duke u afruar buzë liqenit ai e pyet: Ju nuk jeni një magjistare që ka rënë nga qielli, apo jo?
“Oh jo, mor djalë i bukur, unë jam një sirenë. Emri im është Zana”, i tha atij, duhet të ik tani, nesër hajde më herët, unë në orën dymbëdhjetë duhet të shkoj dhe u zhduk përsëri në ujin e liqenit.
Të nesërmen shkon që në mëngjes dhe Zana ishte po aty. Ajo e pyeti si quhej dhe ai u përgjigj, Metzi. Ajo duke qeshur i tha mund t’ju thërras Zi, posi koha që kaloj nga kur ik e deri kur kthehem është e zezë për mua për shkak të një mallkimi. Unë mendoj duke të thirrur Zi do të ndodhë e kundërta pra do të dal në dritë, dhe unë e ndjej që ti do të lëshosh mbi mua dritën.
Ato filluan të takoheshin çdo ditë në liqen, derisa bariu kërkoi dorën e sirenës dhe ajo u shpreh e lumtur të heqë dorë nga jeta e liqenit për të marrë një palë këmbë. I vetmi kufizim ishte që të shtunën e të dielën, deri në ditën e dasmës, ajo nuk do të lejonte të shiheshin. Çdo gjë shkoi mirë për dy javë, por të shtunën e tretë ai shkoi në vendin e zakonshëm.
Metzi, nuk pa askënd. Ai ishte gati të largohej, kur dëgjoi nga një zë që erdhi nga uji:
“Zi, është e shtunë unë duhet të kthehem në një peshk për shkak të një mallkimi. Por nëse martohesh me mua, të gjitha këto mallkime do të ikin “.
Kështu vendosën të martoheshin dhe Metziu e mori në shtëpi, në fshat. Martesa u bë dhe ishte e lumtur. Ajo lindi dhe rritën tre djem. Por një ditë Zana u sëmur rëndë dhe para se të vdiste kërkoj që të varrosej në liqen. Metziu ishte i dëshpëruar, për humbjen e së dashurës së saj. Mori trupin e saj të vdekur duke u larguar nga Tërnova dhe u nis për tek liqeni duke u futur bashkë me Zanën në liqen për të mos dalë më kurrë.
Dhe Liqeni mori një bukuri të paparë në formë zemre, ngaqë mori në brendësi të tij dy të dashuruar, të cilët dhanë jetën për njëri-tjetrin. Që nga ajo ditë i mbeti emir: Liqeni i Zi, për nder të djaloshit Metzi’, i cili nga dashuria që kishte për nusen që i dha liqeni, vendosi të kthehet bashkë me të dhe që të prehet përgjithmonë në liqen.

Faunë e larmishme

Në pyjet e komunës Zerqan nga kafshët e egra jetojnë: gjitarët grabitqarë, këtu mund të përmendim: Ariu i murrme, i cili arrin deri ne 2 m gjatësi, 1 m lartësi dhe me një peshë 180-200 kg. Gjuetia e tij është e ndaluar.
Ujku, është një ndër kafshët grabitqare më të përhapura në këtë komunë, njëkohësisht më i rrezikshëm. Gjuetia është e lejuar në të gjitha stinët dhe me të gjitha mjetet. Macja e egër, është kafshë e rrallë dhe gjuetia e saj është ndaluar.
Dhelpra është një kafshë e vogël mishngrënëse me gëzof të çmueshëm. Vjetulla jeton ku ka shkurre afër arave dhe vreshtave ku bën dëme të kulturave të arave.
Gjitarët barngrënës. Ndër to mund të përmendim: Derri i egër, është një kafshë me përmasa trupore pak më të vogla se derri i butë, arealet e tij zakonisht janë moçalet me bimësinë e tyre. Gjuetia e tij është e lejuar me sezone, por gjithsesi ekziston gjuetia ilegale.
Kaprolli, është një kafshë shumë e rrallë, në zonën tonë. Jeton kryesisht në zonën e ahut. Nuk lejohet gjuetia e tij, sepse është specie në zhdukje. Dhia e egër, areali i saj është përqendruar kryesisht në malin e Kazjakut, dhe në Liqenin e Zi.
Lepuri i egër,është një kafshë shumë e përhapur në zonën tonë. Këto kafshë gjatë periudhës së tranzacionit si rezultat i gjuetisë së paligjshme dhe të pakontrolluar, janë dëmtuar aq shumë, sa numri i tyre është nën nivelin kritik të riprodhimit të tyre.

Shpendët e egër

Ndër shpendët e egër në komunën Zerqan mund të përmendim:Korbi i cili gjendet i shpërndarë pothuajse në të gjithë komunën. Laraska, është një shpend që gjendet masivisht në komunën tonë. Ajo përbën një rrezik për zogjtë e vegjël të klloçkave, gjithashtu shumë të përhapur në zonën e Zerqanit janë harabeli, mëllenja, etj. Duhet theksuar se për të gjitha llojet e botës shtazore, si rezultat i gjuetisë së pakontrolluar dhe moszbatimi i ruajtjes në kohën e riprodhimit vihet re ulja në numrin e disa specieve që janë shumë të rëndësishme në ekosistemin e kësaj zone.