Në Peshkopi u hap Shtëpia e Kulturës…


Filmat janë një dashuri e jetës sime. Shumë, më se gjysmën, nuk i gjej në “kutitë e këpucëve”…
Deri tash kam skanuar dhe “ngrirë” në arkiv mbi 6000 negativë…
Shënimet në blloqe ditë pas dite, që nga viti 1974 kur fillova punën si gazetar profesionist në ATSH, zënë një raft të tërë biblioteke “burgosur” në kuti të zverdhura kartoni…
Skedat, shënime nga leximet e mia në Arkivin e Shtetit dhe në gazeta të vjetra me datëbotim që në fillim të jetës së Shqipërisë si Shtet i Pavarur, janë pjesë dhe mall i jetës sime larg vendlindjes…
Po nis shfletimin e tyre…
Kësaj radhe me disa kronika kulturore…
Athinë, 19 tetor 2018

* * *

NË PESHKOPI U HAP SHTËPIA
E KULTURËS…
Gazeta “Bashkimi” 29 maj 1946

Me një ceremoni të thjeshtë ku merrnin pjesë mjaft të ftuar si dhe përfaqësonjës të pushtetit dhe të organizatave të ndryshme të Frontit u bë inaugurimi i Shtëpisë së Kulturës.
Foli përgjegjësi i kulturës Vasfi Prapaniku…
Është hera e parë që në Peshkopi hapet një shtëpi kulture e cila do të jetë një vatër për hapjen e kulturës së re.
Foli Haki Stërmilli, nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Prefekturës…

NË QARKUN E PESHKOPISË ZHVILLOHET NJË AKTIVITET I GJERË
Gazeta “Bashkimi” 6 nëntor 1946

…Në këtë qark funksionojnë rregullisht dy grupe theatrale të cilët kanë mundur të zhvillojnë dhe të japin në popull një seri shfaqjesh të ndryshme.
…Nga grupi theatral i shtëpisë së kulturës janë dhënë deri tani pesë shfaqje të ndryshme theatrale në Peshkopi dhe në Dibër të Madhe.
…Nga grupi theatral i pionierëve të qytetit të Peshkopisë janë dhënë 9 shfaqje të ndryshme në Peshkopi dhe në Dibër të Madhe.
…Në qytetin e Peshkopisë funksionon një bibliotekë popullore, e cila frekuentohet mesatarisht prej 150 lexuesish në muaj…
U NGRIT KINEMAJA E PESHKOPISË
Gazeta “Bashkimi” 11 janar 1947
Me përkrahjen e pushtetit populli i Peshkopisë ngriti kinemanë…

EKSKURSION NË ALLAJBEGI
Gazeta “Bashkimi” 8 qershor 1948

Në fshatin Allajbegi të rrethit të Peshkopisë u bë një ekskursion masiv ku morën pjesë përmbi 1500 vetë nga populli i qytetit të Peshkopisë dhe Shupenzës.
Në këtë ekskursion merrnin pjesë edhe një grup të rinjsh nga Dibra e Madhe.
Gjatë kohës së ekskursionit qëndruan në fshatin Allajbegi grupi folkloristik i Peshkopisë që lojti një seri vallesh vençe dhe në mes skuadrave të futbollit të Peshkopisë dhe të Shupenzës u zhvillua një ndeshje e cila përfundoi 3 me 0 në favor të skuadrës së Peshkopisë.
Shënim: Në këto kronika më tërhoqi vëmendjen bashkëpunimi mbarë dibran, kësaj ane dhe asaj ane të kufirit shqiptaro-shqiptar, bashkëpunimi me kryeqytetin e krahinës, Dibrën e Madhe…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 29 tetor 2018