Salkurti: Bashkëpunimi mes fermerësh, e vetmja zgjidhje për një treg të sigurtë


 

Qindra ton mollë aktualisht janë të destinuara të shiten nën mesataren e çmimit dhe në rastin më të keq të mundshëm të kalben duke detyruar fermerët të braktisin këtë sektor kaq të rëndësishëm për ekonominë e një vendi kaq të varfër siç është edhe zona e Dibrës.

Iljaz Gjapi: “Mundi dhe puna jonë nuk llogaritet fare kur shteti nuk merr masa për këtë situatë duke qenë që ne kemi një mollë me cilësi tepër të lartë. Aktualisht kam rreth 40-50 kuintal mollë të varieteteve të ndryshme me një cilësi shumë të mirë janë të destinuara të kalben pasi me atë çmim nuk nxjerr as lekët e pesticideve dhe ujit që janë vaditur. Unë si person por jam i bindur që të gjithë fermerët po kishim lehtësi në transport do iknim vetë për ti shitur ato drejt Tiranës”

Veip Salkurti: “Problemi qëndron tek vetja jonë, sepse ne si fermerë duhet me patjetër të bashkëpunojmë që të operojmë mes vetes dhe shohim si destinacion eksportin. Skemat mbështetëse i vendosin më shumë prioritet kooperativave se sa individit dhe nëse fermët janë të bashkuar, mund të kenë sukses në treg. Fermerët duhet të prodhojnë mallin për në bazë të kërkesave që konsumatori i kërkon dhe shteti ka për detyrë të hartojë politika të veçanta nxitëse për grumbullimin dhe eksportimin dhe të shmang mbetjen stok të prodhimeve cilësore.

 

Nëse do të përmendim disa gjëra që do të identifikojnë denjësisht Dibrën, padyshim që një nga dhjetëra gjëra do të ishte molla e saj. Klima e kësaj zone ka bërë që të rriten një shumëllojshmëri mollësh me një kualitet dhe më një shije të pakrahasueshme. Njerëzit punëtorë dhe besnik të vendit të tyre çdo ditë e më shumë po investojnë në mënyra nga më të ndryshmet. Dibranët duket se janë rikthyer traditave të kultivimit të pemëve frutorë pasi për një kohë të gjatë nga prishja e sistemit komunist kjo kulturë dukej se po pësonte tkurrje. Fermerët dibranë, punëtor dhe të zellshëm kanë nxituar të sjellin varietete të reja dhe me shumë produktivitet duke pasur më shumë prodhime të “mollës se famshme të Dibrës”
Vjeshta e këtij viti duket se ka ardhur e mbarë dhe ashtu si qershitë edhe mollët kanë një superprodhim duke rritur gjithnjë e më shumë rrezikun për tu ulur çmimi ose në rastin më të keq mos ngelur stok në magazinat e fermerëve dibranë.
Iljaz Gjapi është një fermer i ri që vendosi të investonte në vendin e tij duke lënë Greqinë dhe duke ju dedikuar familjarisht ndërmarrjes së frutikulturës duke mbjellë një sasi të konsiderueshme mollësh, qershish, kumbulle dhe rrushi. Përvoja që ai kishte kaluar në shtetin Grek e bëri atë optimist ti përkushtohej frutikulturës me idenë që të marrë të ardhura nga vendi që prej brezash e kanë të trashëguar, por me sa duket vendi jonë nuk arrin të përmbushë pritshmëritë e tij.
“Këtë vit, tregon ai, në të gjithë zonën e Dibrës vjeshta ka qenë më bujare dhe prodhimet kanë qenë më të bollshme duke na rrezikuar uljen e ndjeshëm të çmimit apo në rastin më të keq kalbjen dhe hedhjen e e të gjithë mallit. Çmimi i mollës në krahasim me vitet e tjera ka rënë ndjeshëm për shkak të prodhimit vendas ndërsa grumbulluesit kryesisht nga Tirana kanë vënë një çmim aspak të leverdishëm për ne si fermer”.
Molla dhe qershia kanë nevojë për një përkujdesje intensive me spërkatjet, ujitjen, krasitjen apo me shërbime të tjera të detyrueshme dhe çmimi që ofrohet nga pikat grumbulluese të mollës të cilësisë së parë 30 lekë për Kg është shumë larg kërkesave tona si fermer të Dibrës. Për një vit kam harxhuar rreth 400 mijë lekë për pesticidet kundër kalbjes dhe ajo shumë as nuk pretendo të marr as gjysmën e tyre. Po e njëjta situatë ishte me qershitë ku një pjesë të madhe vendosa ti pres, e nëse e njëjta gjë ndodh edhe me mollët po e njëjta situatë do të ndodhë. Mundi dhe puna jonë nuk llogaritet fare kur shteti nuk merr masa për këtë situatë duke qenë që ne kemi një mollë me cilësi tepër të lartë. Aktualisht kam rreth 40-50 kuintal mollë të varieteteve të ndryshme me një cilësi shumë të mirë janë të destinuara të kalben pasi me atë çmim nuk nxjerr as lekët e pesticideve dhe ujit që janë vaditur. Unë si person por jam i bindur që të gjithë fermerët po kishim lehtësi në transport do iknim vetë për ti shitur ato drejt Tiranës”, shton ai, duke u ankuar dhe shfaqur pakënaqësi të dukshme në këtë situatë të cilën pothuajse të gjithë fermerët dibranë ndodhen.
Të njëjtin fat si Iljazi kanë shumica e fermerëve, të cilët po vuajnë çdo ditë kur përpara tyre shfaqet dëmi që dita ditës po shfaqet. Mungesa e infrastrukturës dhe krijimit të tregut për çdo produkt që fermeri dibran me djersë mundohet të prodhojë. Shumë fermer kanë filluar që mollët dhe qershitë ti zëvendësojnë me rrënjë lajthie, arre apo ndonjë produkti tjetër që mund të rezistojë ndaj kalbjes apo të ketë një treg më të sigurt për shitje. Mungesa e subvensioneve nga qeveria shqiptare ka bërë që fermerët herë here të ngrihen të revoltuar në protesta duke hedhur produktet apo duke i falur ato. Ky shqetësim sipas tyre nuk po merr zgjidhje duke detyruar që ti braktisin totalisht frutikulturën.
Veip Salkurti i njohur nga të gjithë si fermer i suksesshëm i prodhimit dhe përpunimit të mollëve në Dibër thotë se ka ardhur koha që të krijohen ferma të mëdha apo kooperativa, siç i quan ai.
“Problemi qëndron tek vetja jonë, thotë Salkurti, sepse ne si fermerë duhet me patjetër të bashkëpunojmë që të operojmë mes vetes dhe shohim si destinacion eksportin. Skemat mbështetëse i vendosin më shumë prioritet kooperativave se sa individit dhe nëse fermët janë të bashkuar, mund të kenë sukses në treg. Fermerët duhet të prodhojnë mallin për në bazë të kërkesave që konsumatori i kërkon dhe shteti ka për detyrë të hartojë politika të veçanta nxitëse për grumbullimin dhe eksportimin dhe të shmang mbetjen stok të prodhimeve cilësore, gjë e cila dëmton rëndë ekonominë e kësaj zone”.
Problemi sigurimit të tregut për fermerët dibranë nuk është i ri dhe vazhdimisht ato janë munduar të ngrenë zërin që instancat përkatëse shtetërore të sigurojnë të paktën shitjen për të mos llogaritur subvensionet. Qindra ton mollë aktualisht janë të destinuara të shiten nën mesataren e çmimit dhe në rastin më të keq të mundshëm të kalben duke detyruar fermerët të braktisin këtë sektor kaq të rëndësishëm për ekonominë e një vendi kaq të varfër siç është edhe zona e Dibrës.
Në një intervistë për mediat lokale të qarkut të Dibrës vetë drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Norvrus Jashari, tregon se sipas statistikave Dibra mban vendin e dytë pas qarkut të Korçës për tregun masiv të mollëve për të cilën mungon tregu i shitjes. Ai thotë se edhe vitet e tjera kanë qenë problematikë për sa i përket mollëve, por këtë vit problemi është më i madh për shkak të prodhimit në sasi më të mëdha. Sipas tij dhe institucionit që drejton është informuar Ministria e Bujqësisë për problematikën dhe është premtuar që do të mblidhet një tryezë rajonale për të gjetur një zgjidhje dhe për të bërë të mundur lidhjen e fermerëve dibranë me grumbulluesit e mëdhenj në mënyrë që me çmimin mesatar prej 50 lekësh të reja të shitet sasia e mollëve. Sigurisht që nuk është një çmim që justifikon cilësinë e pakonkurrueshme të mollës së Dibrës por kjo mund të jetë një zgjidhje për të eliminuar kalbjen dhe hedhjen që për banorët do ishte një humbje e madhe.
Rruga e Arbrit mbetet një faktor negative i rëndësishëm në zhvillimin e tregut dhe ndikon shumë në situatat e ngjashme me rastin e mollëve. Çdo prodhim që në treg është shumë i kërkuar është e vështirë të transportohet drejt Tiranës. Kujtojmë patatet, qershitë, mishi, bulmeti aq i kërkuar pengohet duke mos i sjellë fshatarit dibran fitimet qe me djersë mundohet të jetojë. Dhjetra ton qershi u kalben në pemë këtë vit, qindra ton mollë po rrezikojnë të kalben kavaletave dhe mijëra ton patate hidhen në përrua, duke marrë me vete kështu mundin dhe djersën e prodhuesve dibranë.