Udhëtim nëpër trojet shqiptare të Maqedonisë së Veriut


Shqiptarët e këndej kufirit në dekada kanë dashtë të lidhen e njohin pjesën tjetër shqiptare të mbetur jashtë kufijve shtetëror që në vitin 1913. Pas viteve nëntëdhjetë, edhe pse liria e lëvizjes në mes dy vendeve ishte e mundur, për shumëkënd ka qenë dhe mbetet sfidë. Nuk ka dibran nga këndej, por edhe matanë kufirit që nuk e ka ëndërruar një gjë të tillë. Në këtë kuadër, edhe Projekti D2T i mbështetur financiarisht nga ALCDF, organizoi një udhëtim në këtë trevë me objektiv për t’u njohur me punën e bërë për destinacionet turistike në zonën e Parkut Kombëtar të Mavrovës. Grupi i përzgjedhur për këtë vizitë përbëhej nga disa nga guiderët e trajnuar nga D2T, si dhe disa nga pronarët e shtëpive pritëse, të cilët kanë interes të shtuar për turizmin.
Veprimtaria jonë nisi me një vizitë në Qendrën e Informacionit Turistik të Mavrovës. Një godinë e bukur e ndërtuar në anë të liqenit, me mjedise të bollshme, ku stendat e së cilës ishin të mbushura plot me fletëpalosje e albume të shtigjeve të shumta turistike, të cilat të “tërhiqnin” për t’i parë nga afër. Punonjësi i kësaj qendre, me një anglishte të pastër, na dha mjaft informacion, duke treguar edhe dëshirën që edhe Peshkopia ta kishte një qendër të tillë. U larguam nga kjo qendër duke marrë me vete një lumë falënderimesh e urimesh për ne që kishim zgjedhur për të vizituar Parkun e Mavrovës. Destinacioni i parë ishte parku i skive, i cili, sipas shoqëruesit, është i dyti në Ballkan, pas atij të Sarajevës. Këtu vërtet lëvizjet ishin të pakta, jo si në dimër, por ama ajo që na bëri përshtypje ishte kujdesi i banorëve për të mbajtur pastër mjedisin. Askund nuk gjendej ndonjë copë letër a qese plastike të shpërndara nga erërat. Kur e krahasojmë me situatën në mjediset tona, ku ndotja plastike shihet si një gjë normale, mendojmë se vërtetë puna e guiderëve dibranë dhe e shtëpive pritëse për të përmirësuar diçka, është vërtetë sfiduese.
Lëmë pas parkun e skive dhe në kthim marrim rrugën përmes pllajave në një lartësi mbidetare mbi 1400 m, për të shkuar në fshatin turistik Galishnik. Interesante, për të shkuar në këtë fshat përshkuam 16 km rrugë të asfaltuar, anash së cilës mijëra dele kullosnin të qeta në freskinë alpine. Diku, në qilimin e gjelbërt pllajor, anës rrugës gjetëm dy punëtorë dhe një makinë mbeturinash(!). Vështrojmë makinën dhe punëtorët, të cilët mblidhnin mbeturinat në mes të maleve dhe mendonim: “Ah sikur edhe Peshkopia të kishte dhe një tjetër makinë mbeturinash…”. Poshtë një gryke ku dallohej së largu qyteti i Dibrës së Madhe, ndaluam në fshatin turistik Galishnik. Edhe pse një fshat i vogël, i cili banohej më shumë me turistë, dallonte për kujdesin e treguar për mirëmbajtjen e shtëpive karakteristike të ndërtuara dekada më parë. Kisha e fshatit dhe bustet e heronjve të fshatit janë ruajtur me fanatizëm. Afria ajrore me Manastirin e Shën Bigurit i ka bërë disa nga banorët të besojnë legjendat urbane për lindjen e Skënderbeut, pikërisht në këtë fshat(!). Largohemi nga Galishniku pasi shijuam një kafe të ofruar nga njëra nga shtëpitë pritëse të fshatit.
Dreka ishte planifikuar në Grykë të Radikës, te resorti “Korabi”. Ushqimet e shumëllojshme të përgatitura enkas për ne do të na shijonin shumë. Pas kësaj iu drejtuam Manastirit të Shën Bigurit. Terreni ku është ndërtuar ky manastir është mjaft i rrëpirtë, muret e tij sikur kanë “mbirë” nga guri. Këtu duket shumë e qartë përpjekja e sllavo-maqedonasve për të përvetësuar gjithçka që është shqiptare. Historiani Ilmi Veliu ka punuar shumë në këtë drejtim dhe ka mbërritur në përfundimin se djegia e arkivit të këtij Manastiri ka ndodhur pikërisht në momentin që sllavo-maqedonasit mësuan se dokumentet në arkiv tregonin dhe vërtetonin origjinën shqiptare të këtij Manastiri. Këtë e tregon më së miri edhe përpjekjet për të sllavizuar emrin shqip BIGUR-i. Një emër i përbërë me përngjitjen e ndajf “mbi-bi” me emrin “gur”. Shihni përpjekjet e dështuara për ta sllavizuar: emrin “bigur” e kanë shndërruar në “bigor” + ski. Largohemi nga ky Manastir, i cili në Mesjetë ishte në juridiksionin e Gjon Kastriotit dhe se pikërisht për këtë edhe feudali i asaj kohe, Gjoni, ashtu sikurse atij të Hilandarit, edhe këtij manastiri i fali dy-tre fshatra përreth e ndër to ishte edhe fshati Galishnik, për të cilin u fol më lart. Pas kësaj grupi iu drejtua fshatit tjetër turistik Llazaropolje (ose fusha e Lazarit). Një fshat në mes malesh e pllajash, në lartësinë mbidetare 1400 metra, rruga për tek i cili na mori shumë kohë. Sa gryka e qafa, sa male e pllaja kaluam për të mbërritur në Llazaropolje! Një fshat me mbi 70 shtëpi të braktisura, por të meremetuara e të përshtatura për të pritur turistët e shumët që vinin në çdo stinë. Një hotel me mbi 34 dhoma fjetje, në këtë lartësi e largësi nga qendrat urbane, të bën të mendosh se sa punë është dashtë nga pronarët e shtëpive pritëse të fshatit. Edhe këtu vizituam kishën e fshatit, në oborrin e së cilës ishte varrosur Gurshin Koka, me emrin e sllavizuar Gurçin Kokaleski. Edhe “ciceroni” i kishës, edhe pse nuk pranonte që ishte shqiptar, dinte plot fjalë shqip dhe kuptonte. Kur e pyetëm se ku i ke mësuar këto fjalë, ai tha se i kam pas dëgjuar kur isha i vogël (!).
Gjumi në këto pllaja, pas një dite të lodhshme do të ishte shumë i ëmbël dhe të nesërmen kthehemi dhe ndalesa do të ishte në Sistemin Balnear të Kosovrastit. Mjeku i caktuar na shoqëroi në të gjitha mjediset e kompleksit, duke na shpjeguar teknikat që përdoren për mjekimin e sëmundjeve të ndryshme.
Vizita do të vijonte nëpër luginën e rrjedhës së Drinit, ujërat e kaltra të të cilit herë të grumbulluar e herë në tuba na shoqëruan deri në Strugë. Këtu grupi u njoh me përpjekjet që struganët bëjnë për të zhvilluar turizmin.
Largohemi nga ky qytet, pak të “zemëruar”, me ato drurë e dërrasa të cilat “disiplinojnë” ujin e Drinit. Valët e buta e të qeta të lumit vinin vërdallë duke kërkuar ndonjë të çarë për të ikur nga ai pellg stërmadh drejt honeve e kratereve të rrjedhës së tij nëpër Dibër të Vogël.
Qershor 2019