Familja e Kastriotit në Dibër të Poshtme


Toponime, tregime, legjenda e mite, që lidhen me figurën e Skënderbeut apo me Familjen Kastrioti, gjenden ku më shumë e ku më pak në gjithë hapësirën mbarëshqiptare. Ndër to, toponimet, po shfrytëzohen e vlerësohen si elemente të domosdoshme në ngritjen apo mbrojtjen e një teorie që lidhet me ngjarje historike. Kjo është edhe arsyeja që shumë sosh (toponime historike) janë pjesë e krenarisë kombëtare dhe që dalëngadalë bëhen pjesë e vetëdijes sonë kombëtare. Kjo toponimi, shpeshherë është bartëse e rëndësishme e historisë, ndaj dhe, secili nga ne duhet t’i konsiderojmë ato duke i përdorë në të mirë të referimeve historike. Në këtë hulli do përpiqemi të sjellim e vlerësojmë toponimet e shumta që ndodhen në katërkëndëshin Muhurr-Sinë-Çidhën-Kastriot-Voles dhe që “flasin” për Familjen Kastrioti dhe Skënderbeun. Ky “katërkëndësh” gjeografik rrok një sipërfaqe rreth 100 km katrore dhe largësia në mes fshatrave të përmendur, nuk është më shumë se 5-6 milje në vijë ajrore. Ndryshe nga hapësirat tjera shqiptare, të cilat pretendojnë se janë vendlemja e Skënderbeut, në Dibër të Poshtme e në veçanti në katërkëndëshin historik Muhurr-Sinë (Çidhën)- Kastriot- Koben-Voles, toponimet për Kastriotët e Skënderbeun janë të shumta dhe të ndërthurura me njëri -tjetrin duke krijuar një “ansambël” të vërtetë toponimik.
Tani le të sjellim në vëmendjen tuaj një dok të shek. XV të Komnenit, i cili flet për një mbiemër të dytë të Kastriotëve, Mazrek-Mazarek. Pa marrë parasysh konsideratat e Hopf e Hahn për Komnenin, shumë historianë kërkojnë Konstadin Mazrek Kastrioti-in gjithandej, por në Muhurr, atje ku ndodhen Mazrekat, jo (!) Mazrekët e Muhurrit, të vendit fqinj me Çidhnën, shtrihen mbi fshatin e sotëm, mbi kodër të këtij fshati. Aty kemi dy toponime Mazreka e Epër dhe Mazreka e Poshtme.
Këto dy Mazreka rrokin një sipërfaqe rreth 70 ha tokë. Lidhur me etimologjinë e këtij emri topik, është pranuar forma (ndajfolje +emër) pas + reka= mbas lumit. Me kohë, në këtë sipërfaqe të punuar e shkatërruar nga ish kooperativa, arkeologu Iljaz Kaca ka gjetur fragmente të shumta qeramike të cilat i ka vlerësuar si të periudhës së mesjetës së hershme. Studiues të shumët dibranë kanë potencuar se fshati i mesjetës që i dha familjes Kastrioti mbiemrin e dytë, ndodhet aty, në Muhurr.
Më në veri të Mazrekave, në një largësi më pak se një milje, ndodhet edhe Gardhi i Poshtëm, i cili zë një sipërfaqe mbi 15 ha, pa përmendë kodrinat me vreshtë. Ky fshat, tashmë i shuar, në regjistrimet osmane (1467 dhe 1583) është shënuar në formën Gardi Posti dhe Gardposti. Sipas shënimeve të Muzakës Gardhi i Poshtëm dhe Sinja ishin dy fshatra në zotërim të Pal Kastriotit. Deri më tani, ky fshat, Gardhi i Poshtëm, është identifikuar me Shgjerthin që ndodhet në Sinë të Poshtme. Pas botimit të Defterit osmanë të vitit 1583, ky problem konsiderohet i zgjidhur. Aty mësohet dhe përcaktohet se “…Gardhi i Poshtëm duhet të jetë patjetër jashtë territorit të Çidhnës” dhe kjo për arsyen e thjeshtë se në vitin 1583, tre fshatra, nëpër të cilët kalonte udha që lidhte Çidhnën me Oranikun, ishin Muhurri, Bulaçi dhe Gardhi i Poshtëm. Këto tre fshatra kanë kryer shërbimin e dervenit. Ky fakt “vulos” vendndodhjen e fshatit Gardhi i Poshtëm mbi fisin e sotëm Tanushi në Muhurr.
Sipas dr Selman Mëziut, Besnik Këbejt, Naim Berishës, Fatos Dacit e ndonjë tjetër, toponimet e sipërpërmendura Mazreka e Epër, Mazreka e Poshtme dhe Gardhi i Poshtëm, shoqërohen edhe me një varg mikrotoponimesh që bartin histori pafund për Kastriotin dhe Skënderbeun. Të tilla mund të përmendim: Shajshat, Maja e Sukës, Ara e Robit, Mojza etj. . Toponimet e Muhurrit me ato të Sinës dhe Çidhnës, siç u tha më lart, krijojnë një ansambël historik, deri më tani të pakonsideruar.
Ngjitas me Muhurrin, është Sina tashmë e njohur, si njëri ndër fshatrat pronë e Pal Kastriotit, në gjirin e së cilës ndodhen toponime historike, pafund. Sina, që në mesjetë, ndahej në Sina e Epër dhe Sinë e Poshtëme. Në Sinë të Epërme mund të përmendim këto toponime: Palpus-i; Diçane-t; Poptesh/e-ja; Varri i Ballabanit; Kroi Tanzot; Gjardhni; Thana e Skënderbeut; Troja; Qafë Kisha; Gjuri i Zermit; Gjuri i Drekës; Sofra e Skënderbeut; Vneshtë; Udha e Pazarit; Udha e Dali Pashës; 12 Lamat; Skepi i Trojës etj.etj. Në Sinën e Poshtme përmendim toponimet: Xhiteti; Troja; Topojani; Kroji i Buzhelit; Hambarët e Skënderbeut; Lisi i Majër; Kisha në Cimidhej; Kroji i Cimidhej; Vajmëdhej; Kepi i Harlecit; Gjurt’ e Armëve; Rrafshja e Topit; etj. etj.
Tani kalojmë pak më në veri, ngjitas me fshatin Sinë, ndodhet Çidhna e njohur që në shek VI, sipas Procopit të Çezares, në formën Kethinja. Këto dy fshatra i ndan lumi Seta ose Artatus-i i përmendur nga Straboni. Në Çidhën, gjetjet arkeologjike, sipas Prof. Dr. Adem Bungurit, tregojnë për vazhdimësi të jetës urbane nëpër gjithë periudhat duke filluar nga neoliti, ajo e bronzit, në periudhën antike romake e deri tek ajo e mesjetës. Pikërisht për këtë arsye denduria e makro e mikrotoponimeve historike është e madhe.
Në hyrje të fshatit ndodhet Kepi i Xhitetit , porta hyrëse në kështjellën natyrore Çidhën dhe në afërsi të tij ndodhen Kepi i Matjes, Gjuri i Skënderbeut, Pusi i Skënderbeut; Gjuri i Shkrepses; Tërdof-i; Shteku i Mçeftë; Lugju i Vojt; Vorret e Cullve; Shashar-i. Më tutje, për nga veriu, ndodhet Vajmadhja (sipërfaqja rreth 10 ha në mes të së cilës ndodhet Guri i Skënderbeut me përmasat e një shtëpie. Mbi këtë shkëmb gjendet gjurma e patkoit të kalit me diametër 14 cm). Në majë të Kepi i Xhitetit, ndodhen shenjat e një fortifikimi i cili sipas A. Bungurit “… është rifortifikuar në shek V-VI…si një ndër 32 kështjellat e ndërtuara nga Justiniani…” Kepi i Xhitetit është vendi ku filloi kasaphana e Sulltan Mehmetit II në gusht 1466. Pikërisht për këtë ngjarje të dhimbshme historike, Këshilli i Qarkut Dibër me propozim të Muzeut Historik Dibër, ndërtoi një mural në respekt të dhimbjes për mijëra jetë dibranësh që masakroi Sulltani.
Më në thellësi, ndodhet fshati Çidhën i cili u përmend më sipër. Duke ecur nga Kepi i Xhitetit drejt fshatit Çidhën, njihemi me Varri i Jovanit; Fushë Bani; Fusha e Mosdonës; Vilësat; Matrangat; Shkopinjtë e Kaurrit; Kepi i Halecit; Zgjërgj-a; She-u; Rrafshja e Topit; Trojësa; Kalaja e Skënderbeut në Qafë Kala; Pusi i Dukës; Vneshtët e Kolës; Pashajs; Gjelgjueri; Kroi i Madh; etj etj. Në këtë fshat ndodhen sot rrënojat e disa kishave: Kisha në fund të Fushës; Kisha afër Varrit të Jovanit; afër Kodër Kishë; Kisha në Shëmërtajth; Shën Gjoni; Shën N’kolli; Kisha tek Ruset; Kisha në Kodër Pshajme dhe Kisha në Domark.
Duke lënë mënjanë toponimet që ndodhen në Arras, Kodër e Zall Leshe, po “hedhim” sytë anës lindore të Drinit, zonës që banorët e hershëm e quanin Asaj-Hasaj=Has. E gjithë sipërfaqja nga Rrethasi e deri në Përrua të Shkamajnit , rreth 9 km2 në përbërje të së cilës ndodhen fshatrat çidhnakë si Fusha, Laçes, Blliçe, Rrenz, Brest i Epër, Brest i Poshtëm, Kuke, Kastriot dhe Kandërr është thirrë Hasaj=Has=As. Pjesa e rrafshët e kësaj sipërfaqeje nga Përroi i Përgjegjit në kufi me Kishavecin e deri në Brest, për shkak të mungesës së përhershëme të ujit është thirrë Fusha e Thatë apo Fusha e Hasit t’thatë. Në këtë hapsirë bien në sy edhe toponime në rrënjën e të cilëve ndodhet emri “Has-As” të tillë përmendim: Rreth-as; Arët Has; Çeli-as; As-tush, Arr-as, Ferra-(as) e Pashës. Topiku Hass – Ass, po përdoret shumë nga disa studiues në “përcaktimin” e origjinës së Kastriotëve. Nëse jemi në kërkim të Ass-it të përmendur nga Lukari në Analet e Raguzës (1605), ne përkrahësit e idesë mbi origjinën dibrane, përveç toponimeve të shënuara më sipër, po sjellim dhe dy harta (Hartat janë marrë nga libri “Origjina dibrane e Skënderbeut” të B.Këbejt): njëra është e shek XV dhe tjetra e vitit 1816. Në të dyja këto harta identifikohet shumë qartë “Hass-i” për të cilin flitet në dokumente arkivore. Në këto harta, Has-i , të cilin Prof Jahe Drançolli e “çon” në Prizren(!), me llogaritje të thjeshta por edhe vizualisht, dallohet qartë që ai ndodhet në Dibër të Poshtme. Dhe është vërtetë interesante të dallosh në njërën nga këto harta emrin Dibra Ulpina e cila nënkupton dhe lexohet Dibra e Ulët d.m.th. “e poshtme”. Duke i konsideruar këto harta “harta tavolinash”, mund të përcaktojmë edhe shkallën zvogëluese të tyre e cila sipas nesh, me përafërsi mund të merret 1: 715.000. Largësitë Prizeren- Tetovë; Prizeren Strugë; Prizeren – Has (Dibër e Poshtme) janë krahasuar me largësitë e marra nga një hartë e ditëve tona si dhe nga harta e aviacionit ofruar nga Ndoc Selimi. Sipas të gjitha këndvështrimeve dhe matjeve Hasi i pretenduar nuk mund të jetë askund tjetër përveç se në Dibër të Poshtme. Largësia e Has-it të Çidhnës në Dibër të Poshtme, me Strugën dhe Prizerenin është e njëjtë me largësinë e gjetura në hartat e kohëve tona. Tabela e matjeve e mëposhtme, me matjet e kryera dhe përllogaritjet e bëra mund t’ju japë një pasqyre më të qartë.
(Tabela e mësipërme është marrë nga libri “Origjina dibrane e Skënderbeut” fq 128).

Duke krahasuar gjetjet në hartat e përdoruar nuk është i vështirë identifikimi i Hass-it mesjetar në Dibër të Poshtme dhe asnjë përllogaritje nuk e çon atë ne Mirditë apo në Hasin e Prizrenit.
Le ta kundrojmë etimologjinë e emrit topik Has duke u mbështetur në atë çka na ofron Çabej. Ai shënon: Has= (zonë) e pabindur, që nuk bindet… Nëse marrim parasyshë të dhënat historike dhe raportin e kësaj Krahine me pushtetin osman, zonë më të pabindur se Çidhna, që nga koha e Kastriotëve e në vazhdim edhe pas vdekjes se Skënderbeut, nuk mund të gjendet në asnjë vend tjetër në mbarë hapësirën etnike shqiptare tjetër vend që të ketë qenë gjithnjë në gjendje lufte me qeveritarët osmanë. Janë të njohura përpjekjet e kundërshtimet e pafundme luftarake të Dibrës që nga kryengritja e 1560 e në vazhdim.
Në përmbyllje kemi lënë toponimet e fshatrave simbiotik Kuke-Kastriot. Fshati Kastriot përveç përkimit që ka me Familjen Kastrioti, plotësohet me një numër të madh toponimesh të cilat lidhen me këtë familje. Është për tu vënë në dukje se feudali Gjon Kastrioti dhe pjesa tjetër e fisit Kastrioti banonin në një largësi rreth 500 ml. Gjon Kastrioti kish ndërtuar “kullën” e tij në veri të përroit, ndërsa pjesa tjetër e fisit Kastrioti por edhe fisi Gjini, banonin në Trojë, me një sipërfaqe mbi 10 ha, dhe që kufizohej me Përroi i Kastriotit në veri deri afër Terzishtit në jug. Pak më poshtë Trojës, më nga perëndimi, banonte fisi tjetër Kuka. Pas vdekjes së Skënderbeut, këto fise në dëshpërim e konfuzion të plotë, u larguan nga trojet e tyre për t’i shpëtuar përndjekjes së forcave osmane. Fillimisht ata u vendosën në Mat e më pas dikush në Itali e dikush në zonat tjera të veriut. Edhe pse fisi i Kastriotit dhe i Kukës u larguan “nga sytë këmbët” emrat (toponimet) janë këtu, në Dibër të Poshtme. Si askund tjetër këto toponime nuk janë të veçuar, një këtu e një në majë të malit, si në Mat, Mirditë apo Has të Kukësit. (Studiues të ndryshëm nga këto zona, duke bërë analiza “semike” i përdorin përkimet grafematike të toponimeve për të mbrojtur idetë e tyre.) Në Dibër të Poshtme, në Kastriot, Çidhën apo Muhurr toponimet qëndrojnë pranë e pranë dhe formojnë një “ansambël” toponimik-historik. Le ti përmendim disa prej tyre: Kastriot, Kuke, Trojë, Përroi i Kastriotit, Përroi i Kuke, Mulliri i Kastriotit (!) në Kastriot. Më në veri të Trojës, ndodhen shumë toponime të tjera. Aty gjenden: Kulla e Gjonit, Kalaja e Gjonit, Kodra e Gështenjës. Më tutje ndodhen: Pusi i Gjonit; Kopështi i Gjonit (i cili edhe pse mbi dy dylim tokë, nuk di pse Dhosi Liperit nuk i ishte dukur si kopësht princi, pas 500 vitesh!?). Në vazhdë të toponimeve të këtij fshati, kemi: Ogradja e Gjonit (rreth 5 dynim); Kodra e Shamatës; Guri i Luftës; Tre Gjurthi; Kodra Kaluer; Gurët e Kazanave; Kishasi; Varret e Kaurrve(!); Kisha e Shën Ilias; Përroi i Shën Ilias; Çeliasi; Kisha në Çelias; Muresa; Kodra e Pareve etj.etj.
Në vend të mbylljes: Unë solla disa nga toponimet më kryesore që lidhen me Familjen Kastrioti dhe me Gjergj Kastriotin-Skënderbeu. Siç u tha edhe më lart, nuk besoj se gjendet tjetër zonë, brenda e jashtë kufinjve të Shqipërisë, që të ketë në një sipërfaqe kaq të vogël një toponimi kaq të bollshme. Studiuesi P.C.Lleshi, ka shënuar se problemi mbi origjinën e Skënderbeut me shtetet fqinjë është zgjidhur, por ka mbetur debati lidhur me vendlemjen, zonën. Deri më tani shumë “luftëtar” të kësaj “kauze” luftojnë me të njëjtat “armë” që vijnë nga arkivat e ndryshme dhe meqenëse ato janë të njëjta, lufta vazhdon duke sjellë “barut” të ndryshëm. Kjo luftë edhe pse është quajtur “si humbje kohe” i ka vendosë studiuesit në pozicione jo komode përballë njëri tjetrit. Dikush përkrah idenë e prejardhjes së Kastriotit nga Hasi i Prizrenit, duke përdorë toponimet Mazreka, Hasi; dikush tjetër pretendon Mirditën duke përdorë shfrytëzuar toponimin Kastri; e dikush nga Matit përdorë toponimet: Përroi i Kastriotit, Përroi i Kuke, Shtjefni, Petralba, etj. Të gjithë zonat shqiptare kanë toponime që lidhen me Skënderbeun, kush një e kush dy a tre, por në Dibër të Poshtme ndryshon puna: NË NJË SIPËRFAQE PREJ 100 KM KATRORE NDODHEN: dy Mazrekat ( e Epërmja dhe e Poshtëmja); Gardhi i Poshtëm; Sina; Çidhna (Kidina-Kina-Kethinja); Ass-Has-Hasaj; Kastrioti; Kuket; Kulla e Gjonit; Kalaja e Gjonit; Pusi i Gjonit; Volesa (Terra+Voles= Torvioll); Këtu u zhvillua Masakra e Çidhnës (1466) dhe jo tjetërkund; këtu u zhvilluan 19 beteja në mes forcave të Skënderbeut dhe ordive osmane…etj. Epo të gjitha këto nuk janë rastësore.
Duke konsideruar çfarë u tha më lart, për ne, janë të dështuara dhe humbje kohe, përpjekjet për të vërtetuar prejardhjen e Familjes Kastrioti, jashtë hapësirës së Dibrës së Poshtme. Koha do ta provojë.
Gusht 2019