Mevlud Buci, nga Tirana në vendlindje për t’u përballur me sfida të reja


 

Ftesën e mikut tim të nderuar, profesor Mevlud Bucit, e prita me kënaqësi të dyfishtë. Do të vizitoja një nga lisat e shumtë, një nga njerëzit e shquar të Lukanit, të kësaj perle, që Zoti i ka dhënë shumë vlera e bukuri mahnitëse.
Mikrobuzi i linjës pasi mbushet me pasagjerë e me mallra merr rrugën e mundimshme drejt fshatrave të kësaj zone. Sapo lëmë pas urën e Muhurrit, kthehemi në të majtë, për të ndjekur rrugën e Selishtës, që ishte dhe destinacioni ynë. Këtu mbaronte rruga e asfaltuar dhe zhavorri nuk do të na ndahej më për gati dy orë, në vetëm 33 kilometra distancë. Makina ngjitej e zbriste në male dhe terrene të thepisura, frynte e çfrynte si gjyryk, ndonjëherë bënte dhe rrugën e kundërt, duke marrë drejtimin e Peshkopisë, nga ku ishim nisur. Më vjen keq, se vetëm në Shqipëri ndodhin të tilla paradokse. Nëse rruga do të ishte e asfaltuar, nuk do të na duhej as gjysmë ore për të shkuar në destinacion, pa përmendur lodhjen, tronditjen dhe amortizimin e mjetit dhe amortizimin e nervave të pasagjerëve.
Rruga gjarpëronte mes maja malesh, a thua donte ti sfidojë ato, kurse poshtë, fare poshtë, në këmbët e këtyre maleve, lëvizte Murra, një lumë i bukur, me ujëra të kristaltë. Po sikur rruga të ishte projektuar e ndërtuar vetëm pak metra sipër lumit, duke e ndjekur atë gjatë gjithë shtratit të tij. Sa distancë do të shkurtohej, sa pjerrësi do të eliminohej dhe sa bukur do të ishte, kur pamjet e lumit do të soditeshin nga xhami i makinës. Sa lehtë do të kalohej në dimër, kur dëgjojmë se ato banorë shpesh ngelen të izoluar në këtë stinë, nga reshjet e shumta të dëborës. Mirë se rruga ishte bërë në vitin e largët 1938, në kohën e Italisë, por brezat e mëvonshëm si nuk e korrektuan një gabim të tillë? E di që u zgjata shumë me rrugën, por ndjeja keqardhje për ata banorë të shkretë, që kanë mbetur akoma, pa punë, pa të ardhura, pa shpresë.

LUKANI, VENDLINDJA E PROFESORIT
Profesori kishte dalë të më priste, tamam atje ku takohen Katërgrykët, aq të përmendura në histori. Një teqe e vogël, por me shumë vlera e histori, ka emrin e stërgjyshit të tij, hoxhë Bucit.
Lukani ngjason me një ballkon natyral të qëndisur bukur. Sikur asgjë tjetër të mos kishte, do ti mjaftonte Runja me bukuritë e saj, me kullotat e pasura, me bimët e shumta mjekësore, me vlerat e pamata turistike.
Lukani dikur kishte 170 shtëpi, kurse sot ka vetëm pesëdhjetë. Për nga vendosja e lagjeve, fshati i ngjan një ndërtese shtatë katshe, ku si bazament ka lagjen e Zallit, ku është vendosur dhe shtëpia e profesor Mevludit. Më sipër vijojnë lagjja Lleshi, Lagjja Koka, Totraku dhe Pepa, më sipër tyre, Ndreka, Ndregjoni akoma më lart, për tu mbyllur me dy fiset Bruçi dhe Dervishi në krye.
Gjatë gjithë historisë së tij, Lukani ka nxjerrë burra që i kanë dhënë emër, jo vetëm fisit, fshatit e Selishtës, por shumë më tepër. Çdo njeri prej tyre meriton monografi të veçantë, por ne po cekim shkarazi disa prej tyre që bënë histori dhe mbetën në histori.
Mulla Liman Ndregjoni pati mbaruar studimet në Stamboll dhe shumë shpejt u bë një prijës popullor, në luftrat për të mbrojtur trojet amtare. Mori në kujdes hoxhë Bucin, në shkollimin dhe edukimin e tij me frymën fetare dhe patriotike. Hoxhë Buci është gati i të njëjtit format me të parin, mësuesin e tij. Dija, feja dhe atdheu, ishin tre gjëra të shenjta për të. U vra në Petrino të Maqedonisë, bashkë me të birin, Mustafanë dhe hoxhë Sefer Bodinin, duke luftuar ndaj serbve. Një tjetër hoxhë i shkolluar, Ibrahim Bushi u shqua në qëndresën ndaj pushtuesve turq, bashkë me Mehmet Sulën (Totraku). Një luftëtar tjetër i përmendur i fshatit, Selman Dervishi, bie në luftë ndaj malazezve.
Lista e burrave të mençur vazhdon me doktorë si Haziz e Ferit Ndregjoni, Lutfi Bruçi, ekonomistin e filozofin popullor, Bajram Totrakun, mësuesin Tofik Bruçi, shkrimtarin Hysen Dervishi, apo farmacistin me zë Haxhi Bajram Losha.
Nuk mund të lëmë pa përmendur dhe një kategori tjetër njerëzish të shquar në një drejtim tjetër, atë të biznesit. Faik Ramadan Bruçi është dekoruar me titullin “Ambasador i paqes” dhe titullin tjetër “Nderi i qarkut Dibër”. Një tjetër biznesmen Xhetan Ismail Ndregjoni shquhet në arritje biznesi, por dhe në vepra humanizmi, si për të dëshmuar se ky fshat në këmbët e Runjës i ka të gjitha, besimin e mençurinë, pushkën e penën, por dhe punën e ndershme me të cilën është ushqyer në shekuj.

TË PARËT E PROFESOR MEVLUTIT
Stërgjyshi i profesor Mevlutit është Bajram Buci, apo hoxhë Buci, siç njihet në Selishtë. Ai u shkollua nën kujdesin e mulla Ndregjonit, fillimisht në medresenë e Shkupit e më pas i plotëson studimet në Stamboll. Aty miqësohet me një tjetër hoxhë të shquar të Selishtës, Mustafa Hasbajrami. Abdyl Frashëri qëndon një natë në Selishtë, duke u kthyer nga Prizreni, në besën e miqësinë e këtyre hoxhallarëve të nderuar. Të nesërmen e përcjellin nga Kurdaria për në Tiranë.
Gjatë gjithë jetës së tij, hoxhë Buci u përpoq ta edukojë popullin e tij me vlera fetare dhe patriotike. Ai e dinte se çelësi i diturisë ishin librat dhe me gjithë vështirësitë e kohës, jo pak herë i mbajti dhe në krahë, si pasuri e rrallë. Kulla e tij në lagjen e Zallit, në Lukan u bë një arkivë e gjallë librash, kujtimesh, letra dijetarësh të mëdhenj të kohës. Babai i hoxhës, Dali Buci kishte qenë njeri me influencë të madhe. Ai kishte qenë mik i Iljas Pashë Qokut, i cili mori pastaj djalin e tij, hoxhë Bucin si sekretar të tijin. Kjo ishte arsyeja që një pjesë e mirë e dokumentacionit të Lidhjes së Prizrenit kishte qenë e sistemuar në Kullën e Bucit.
E shkrova me germë të madhe fjalën kullë, të paktën sa për ti bërë një nder simbolik, pasi ajo meriton shumë më tepër. Sa besëlidhje mund të jenë bërë në atë kullë, sa nxënës feje e besimi kanë studiuar aty, sa takime trimash për të bërë planet e luftës ndaj pushtuesit, sa bukë është gatuar e është dhënë bujarisht në atë kullë ! Dhe ne njerëzit e shekullit të njëzet e një e shpërblejmë me harresë, me mosmirënjohje, me neglizhencë, me injorancë. As shteti nuk duket gjëkundi për ta marrë në mbrojtje këtë kullë me vlera dhe as trashëgimtarët e fisit Buci. Vetëm profesor Mevludi ka prerë ca ferra dhe është përpjekur sadopak për të. Një oxhak sipër kullës që mund të ketë mbi një shekull që ka tymosur, qëndron tani si një top i shkretë, si një pus i shteruar.
Sa shehidë ranë nga kjo familje e përmendur! Babai i hoxhës, Dali Buci, u vra në betejën e Nishit, në vendin e quajtur “Molla e kuqe”. Kënga e rapsodit popullor e pasoi menjëherë heroizmin e tij.
“U dridh toka, u dridh Kuçi, / qenka vra ky Dali Buci.”
Në luftë ndaj serbit u vranë dhe hoxhë Buci, me djalin e tij Mustafanë, në Petrino të Maqedonisë. Bashkë me të u vra dhe hoxha i dëgjuar Sefer Bodini, si dhe shumë patriotë të tjerë. Ne themi kanë vdekur, por ata me siguri janë të gjallë, pasi vepra e tyre është e gjallë dhe rezistente ndaj shekujve.
Nuk kishte si të ndodhë ndryshe me pjesëtarët e tjerë të kësaj familje të madhe. Ata kurrë nuk e duruan padrejtësinë dhe shtypjen e pushtuesit. Në librin historik të Emrie Skukës, shkruhet se Haziz Buci ka marrë pjesë në luftë ndaj serbit. Sa gjak, sa dije, sa kontribute, sa bukë dha kjo familje për luftën, për besimin, për dijen, shpërblim të cilin vetëm Zoti mund ta bëjë.

MEVLUDI…
Pas shumë vajzash në familjen e tij, profesori vjen si një bekim nga Zoti, ndaj dhe e pagëzuan me një emër të tillë. I lindur dhe i rritur në një shtrat të tillë historik, ku kishin qenë prezente të gjitha vlerat njerëzore, djali i ri kishte ambicje të mëdha në jetë. Me shumë sakrifica i mbaroi studimet e mesme dhe të larta, duke ju përkushtuar gjuhës dhe letërsisë. Gati gjysmë shekulli në arsim, si mësues i gjuhës e letërsisë, por shumë kohë dhe si drejtues. Ai punoi gjatë në vendlindje, aty ku kishte hedhur hapat e parë, ku kishte belbëzuar fjalët e para. Aty gjeti historitë, legjendat, aty mësoi për besëlidhjet e mëdha, aty mësoi kuptimin e amanetit dhe fjalës së dhënë. Aty u bë njësh me bujkun, me blegtorin, u mrekullua nga pyjet dhe cicërimat e zogjve në to. Të gjitha këto e mbrujtën shpirtin dhe zemrën e tij me dashuri dhe mirësi, që më pas do të shpërthente në krijimtarinë e tij të pasur. Gati 30 libra ka të botuar deri tani dhe shumë dorëshkrime të tjera. Shumica e njerëzve nuk kanë lexuar aq libra në jetën e tyre e jo më të jenë autorë të këtij niveli. Nëse flasim për botimet në gazeta dhe revista, më lehtë është të përmendim ato media ku nuk ka dërguar materiale për botim se e kundërta e kësaj. Ka fituar disa çmime në krijimtari, ku do të veçonim atë të dhënë nga Instituti i Kërkimeve Islame, apo atë të mirënjohjes nga “Drita Islame”. Te shumë njerëz kur shtohen vitet mbi supe u bie fuqia dhe aftësia krijuese, kurse profesori akoma lulëzon e surprizon me çdo ditë të jetës së tij.
Ka gati pesë vjet që profesor Mevluti ka dalë në pension dhe po u drejtohet të shtatëdhjetave. Mbi 20 vite dha mësim në shkollat dhe gjimnazet e Tiranës. Nëndrejtor i shkollës në Laknas, nëndrejtor tek shkolla “Ataturk” dhe tek gjimnazi “Sandër Prosi”, si dhe drejtor i shkollës “Kolë Jakova”. Ai kishte grumbulluar aq shumë eksperiencë në mësimdhënie, sa që kishte plot gjëra për t’ua dhënë kolegëve të tjerë.
Dalja në pension nuk përputhej aq shumë me natyrën energjike të profesorit. Ai ishte mësuar me punë, me disiplinë, me orare dhe nuk i pëlqente një jetë sedentare, nga kafja në kafe. Aq më tepër, që një ndjenjë malli për vendlindjen, sa vinte e shtohej. Sikur përjetonte një tërheqje gati fizike, ndaj tokës që e rriti, e burrëroi, ku krijoi familjen dhe identitetin e tij. Sikur e thërriste Runja, Vali, Bena, Skremza, apo Balgjaj dhe Shtrungëza me ato liqenj të mrekullueshëm. E bisedoi me Shahen, bashkëshorten fisnike, që aq shumë vite i ka ndenjur në krah dhe të dy ishin të një mendimi. Do të riktheheshin tek kulla e vjetër, aty ku kishin jetuar të parët e tij. Por aty vetëm imazhi kishte mbetur dhe toka nuk kishte lëvizur. A kishin ata fuqi për t’ja nisur gjithçka nga e para?
Së pari ndërtuan me shumë mund një strehë ku të fusnin kokën dhe të tjerat pak nga pak. Shtëpia e re zgjerohej e zbukurohej çdo ditë. Solli ujë të pijshëm nga mali dhe filloi të presë ferrat që kishin mbuluar çdo gjë. Dolën në dritë ftonj, kumbulla e mollë të egra. Profesori mbolli dhe 300 rrënjë pemë me dorën e tij. Arra, mollë, dardha, nektarina, kumbulla, rrush, lajthi e gështenjë janë tani në vitin e tretë apo të katërt. Ato kanë filluar të japin frutat e para dhe profesori u përkëdhel gjethet e kokrrat si një fëmijë. Ka rrethuar 20 dynymë tokë me rrjetë teli, ku kullot tufën e vogël me 15 dele, që e ka vënë dy vite më parë. Ka sjellë ujin vaditës me 2000 metër tubacion, për të vaditur pemët e mbjella por dhe kopshtin e bukur ku kultivon gati të gjitha perimet.
As vetë nuk do të besoja se si një njeri që po mbush të shtatëdhjetat dhe gjithë jetën ka qenë mësues, të bëjë një volum të tillë pune, që dhe një djalosh do t’ja kishte zili? Pa le pastaj, kur shoh disa djem të rinj, që bredhin nëpër kafene, duke u bërë barrë për familjet e tyre. Vetë kthimi i tij në vendlindje është një sfidë, një sfidë në këto kohë të vështira, një shembull për tu ndjekur. Le të punojmë të gjithë në vendin tonë e për vendin tonë, që Zoti aq shumë e ka begatuar, dhe të mos marrim dherat e huaj. Të mbetemi zotër në tokën tonë e jo të bëhemi shërbyes te të tjerët.

Një pjesë e mirë e dokumentacionit të Lidhjes së Prizrenit është ruajtur në Kullën e Bucit (foto). Sa besëlidhje janë bërë në këtë kullë, sa nxënës kanë studiuar aty, sa takime trimash për të bërë planet e luftës ndaj pushtuesit, sa bukë është gatuar e është dhënë bujarisht… Dhe ne, njerëzit e shekullit të njëzet e një, e shpërblejmë me harresë, me neglizhencë, me injorancë. As shteti nuk duket gjëkundi për ta marrë në mbrojtje këtë kullë me vlera dhe as trashëgimtarët e fisit Buci. Një oxhak sipër kullës, që mund të ketë mbi një shekull që ka tymosur, qëndron tani si një top i shkretë, si një pus i shteruar.