Dibra jonë e bukur


Një udhëtim fantastik për në Dibër ishte ai që bëra këtë herë. Si herët e tjera, në kohë më të reja, edhe këtë herë emocionet janë të shumta. Po njëjtë, do të vizitosh një krahinë, e cila për fat të keq është lënë në harresë dhe diku në cep të atdheut, sikundër një thesar që e lë diku, larg syve të njerëzve, larg njerëzisë, për ta pasur atë vetëm ata që vërtetë duan dheun, truallin, arrat, tokat, ujërat, lumin, malin, krojet e bukuritë natyrore të Dibrës.

Krahina e Matit

Dibra është e bukur dhe fisnike kudo. Ajo besën dhe burrërinë e ka të shkruar kudo ku ecën, kudo që shkel, ngado bredh e shëtit. E ndjen aromën e freskisë dhe të burrërisë, që kur arrin në kufijtë e qarkut. Në fillime, kur shkon nga Tirana drejt Dibrës, të shfaqet krahina e Matit. Sigurisht e bukur edhe ajo, me fisnikëri dhe lashtësi, po ashtu. Është mirë dhe burrërisht kënaqësi të shëtisësh vendet e lumenjtë, ku ka prekur dora e këmba e Pjetër Bogdanit dhe Pjetër Budit, e kolosëve të letërsisë shqiptare, që i dhanë tjetër kuptim letrave shqipe, që në kohërat e lashta, atëherë kur shkruhej me fshehtësi dhe rrallë, kaq rrallë.
Po rrugës, në Burrel, mund të shikosh matjanin më të famshëm, atë që ka hyrë në histori si mbreti i shqiptarëve, Mbreti Zogu i Parë. E, matjanët kanë dalë shesheve të Burrelit dhe të Klosit, e nuk ka si të mos ndjesh në zërin e tyre, në përditshmërinë e tyre, krenarinë e të qënit pasardhës të mbretit, të të vetmit mbret që ka pasur Shqipëria, që mbajti pushtetin për vite me radhë.
Në këtë rreth, nuk mund të shikosh vetëm Burrelin e Klosin, dy qytetet e krahinës, por edhe male e kodra, që janë të gjelbëruara dhe pse të braktisura sot, kanë të shkruar historinë, traditën, gjakun e të parëvë. Malet sikur flasin me gjuhë krenarie, krojet me dëshmi historike, kodrat me fuqinë e titanizmin vendas që ka ekzistuar që në kohë të lashta. Ndërsa kur kalon nëpër këtë krahinë, nuk ka mëdyshje se do të vësh re gjelbërimin, bukurinë madhështore të lumit Mat, që kalon thuajse kudo këtyre anëve, nëpër qytete e fshatra. Lumi Mat i jep bukurinë më të madhe Matit, krahinës me malet me kurore mbretërore.

Bulqiza, qyteti mbi dhè e nën dhè

Ndërsa më tutje, si ndër legjenda të lashta, si në librat e historisë, sikur të shfaqet lemeri legjendare, të del përpara bashkë me këtë frikë, edhe madhështia e fushave të Torviollit, vetë vendi ku ka luftuar i madhi, më i madhi që ka nxjerrë kombi shqiptar, që i ka inicialet e origjinës dhe ka lënë gjak e trup në këto anë, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Shfaqet me ngadalë, mes Matit dhe Bulqizës, ajo që e quajmë Qafë e Buallit. Po madhështore, si mal me borë ngrihet kjo krahinë, sikur vetë shpatë e Skënderbeut të shfaqet në fusha të saj, ku heroi ynë kombëtar ka luftuar me turqit. Me siguri që këtu kur udhëton kujton se kjo krahinë, Dibra ka nxjerrë më të madhërishmin ndër trojet tona. E historia të kalon përpara syve, para se të shkosh e të ndalosh në Bulqizë.
E, Bulqiza sot për sot thirret qyteti i minatorëve, qyteti që ka jetë nën dhe mbi dhe. Kanë shkruar shumë për të dhe ashtu është realiteti në të. Kromi e mban qytetin dhe qyteti mbështetet në krom. Si ndër të zezat që shkruhen ndër tragjedi, kromi vlon gjakun e vendasve e kromi është buka e përditshme. Ai është kudo e ngado, nëpër qytet, nëpër apartamente, nëpër shtëpi, madje edhe uji nëpër banesa vjen disi ndryshe nga vendet e tjera, duke qenë se ka përbërje klori. E rinia këtu, sikundër në mbarë Shqipërinë, zgjedh nëse do të kalojë jetën nën rrënoja e nëgaleri ose të ikë jashtë, në një jetë prej emigrantësh, sa këtej e andej, ndër problemet e mëdha, e plagët që ka qenë e mbetet aktuale në Shqipërinë tonë e ndër shqiptarët, kudo ata jetojnë.
Por, përpos këtyre, Bulqiza e sotme është e bukur. Ky qytet, me modernitetin, ka ardhur në zgjerim dhe me punëtorë nga mbarë Dibra e në mos nga mbarë Shqipëria. Qyteti ka jetë, bashkë me lodhjen, aty jetohet mirë, shëtitet kudo e ngado, nëpër bulevardet e qytetit të ri e të vjetër ose shëtitjet nga qyteti në qytet, nga i riu në të vjetrin. E kështu sikundër Bulqiza ndahet në qytet të vjetër e të ri, ashtu edhe e reja dhe e vjetra bashkohen këtu. E vjetra dhe moderniteti bashkangjiten në Bulqizën, e gjelbëruar në fushat e gjera dhe me malet krenare sa përkrenarja e heroit tonë kombëtar. Freskia që të fal Bulqiza në bulevardin e saj thuajse 1 kilometër nga qyteti i vjetër tek i riu vështirë se e ofron tjetër vend, një shëtitje që të frymëzon, ndoshta të dërgon tutje, larg në imagjinatë, në kohë e hapësirë.

Ura mbi Drin

Nuk ka gjë të më bukur se ura mbi Drin. Ajo është një urë, e cila në fakt më kujton shumë gjëra të fëmijërisë. Jo vetëm kaq, por ajo urë është dëshmi e faktit se në këtë anë, ndërsa shumë gjëra dhe ndodhi mund të kenë ngjarë, ura e Drini kanë qenë aty.
Kështu, ura dhe mbi të gjitha Drini është dëshmitar historik, është kalendari që na e mat si e kalojmë ditën, është prova se Drini lëviz dhe na jep sinjale për të jetuar sipas lëvizjeve të tij. Drini, lëviz dhe e sheh këtë vend, e ujit edhe fushën, e sheh edhe malin e Korabit dhe na përshëndet, çdo mëngjes, çdo drekë, çdo darkë. Drini ka qenë këtu që kur ekzistonin Ilirët, që kur njerëzia besonte në paganizëm, ka parë pushtime dhe ka kaluar shumë periudha të vështira dhe të bukura.

Peshkopia dhe vlerat e Dibrës

Rruga për në Peshkopi është e bukur, ashtu sikundër duhet të jetë, teksa shkon në atë që konsiderohet “qyteti i blirëve”. E hyn në qytet, e përpara të shfaqet një qendër tregtare e stërmadhe me emrin “Dibra”. Një tjetër person ngjitur të thotë se vitet e fundit janë bërë shumë investime në Peshkopi sidomos, e në zona të tjera të Dibrës. Sido të jetë, qyteti ka marrë zhvillim, ndërsa kulmi i bukurisë sigurisht që është me bulevardin, karshi së cilës qëndrojnë teatri dhe objekte të tjera kulturore dhe buste të Skënderbeut, të Halil Alisë dhe heronjve të tjerë të Dibrës.
E, për fund të këtij reportazh-vëzhgimi, mund të thuhet se vlerat dhe bukuritë e Dibrës janë të shumta. Ata shihen kudo, ndër natyrë e njerëzi, ndërsa ajo që e ka lënë pas është moszhvillimi në infrastrukturë. Rruga e Arbërit me siguri që do të japë tjetër zhvillim për zonën, për vlerat dhe traditat dibrane, ajo rrugë do i japë një zhvillim tjetër Dibrës sonë historike, për të vënë në pah vlerat dhe bukuritë më të mira të Dibrës.