Rrugët lidhëse me Rrugën e Arbrit në Katër Grykët, Muhur e Luzni për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe turizmit historik e malor të kësaj zone


Agim Totraku duke mbajtur referimin.

Me përmirësimin dhe ndërtimin e rrugëve të reja lidhëse me aksin kryesor të Rrugës së Arbërit do t’i jepet një hop zhvillimit të mëtejshëm jo vetëm ekonomisë, por dhe zhvillimit tëturizmit historik e malor të kësaj treve.

SHTRIRJA GJEOGRAFIKE
Në perëndim të trevës së Dibrës e në lindje të Matit, në zemër të masivit malor që i bashkon këto dy treva me tradita e me histori, që shkojnë deri thellë në histori, brenda një kështjelle madhështore natyrore e legjendare, shtrihen Katër Grykët. Malet që e rrethojnë me bukuri të rralla përrallore, qafat që i sigurojnë komunikimin më të përshtatshëm e të domosdoshëm në të katër anët e horizontit, madje duke e pagëzar dhe me emrin që mban, liqenet e pakonkurueshme akullnajore që i sigurojnë ujë gjatë gjithë vitit, burimet e panumërta me ujë të pijshëm kristal, flora dhe fauna tejet e pasur dhe e larmishme, i bëjnë Katërgrykët një trevë ku mund të përjetohet në të gjitha dimensionet gjiçka natyra ofron.

Sido që të vendoset zgjidhja për integrimin e zonës sonë me rrjetin e përmirësuar rrugor kombëtar, me Rrugën e Arbrit dhe të Kombit, një gjë është e qartë: dikush, dikur dhe diku do të ulemi e të diskutojmë se ç’do bëhet me ne. Le të fillojmë që sot, që, të paktën, e ardhmja të mos na mallkojë.

Që t’i biesh rreth kësaj treve do kalosh shumë maja malesh të larta dhe shumë qafa komunikimi, duke ndjekur akrepat e orës, duke filluar nga veriu me Fushën e Kshajzës (1600m), maja e Gurit të Vashës (1734m), maja e Vanasit (1653m), maja e Gjelase (1779m), maja e Shullanit (1532m), Kepi i Kalasë së Skënderbeut (1523), qafa e Limoqes (923m), maja e Lepthit (1510m), maja e Shkëmbit të Farkës (1773), maja e Mcekut (2102m), maja e Kotecit të Ramës (1941m), maja në Bataqe (1943m), qafa e Helmës (1613m), maja e Arithit (1987m), maja e Tollës (1967m), maja e Shullanit (1604m), maja e Qafës së Epërme (1278m), maja e Arapes (1137m), rrjedha e lumit Murra (547m), Maja e Madhe (1077m), Maja e Kumbullës (1588m) dhe dhe me plot hijeshi e madhështi, në krye të vendit qëndron hijerëndë maja e Runjës (2049m). Në brendësi të territorit mund të përmendim majën e Kollumit (1462m), majën e Shënepremtes (Bungës) (1219m), majën e Mllezës së Murrës (1124m), majën e Kalasë së Qytezës në Selishtë (1348m), Kepin e Bletës në Val (842m) dhe majën e Shën Gjonthit mbi Lunarë (1237m). Sipërfaqja e Katër Grykëve është 14506 ha, e klasifikuar si më poshtë: 1264 ha tokë bujqësore, 44 ha livadhe, 2348 ha kullota, 8793 ha pyje, 1356 ha inproduktive, 462 ha shkëmbore, 162 ha siperfaqe e eroduar, 26 ha siperfaqe ujore, 6 ha pemëtore, 45 ha troje. Dy dekadat e fundit ka patur ndryshime në klasifikimin e mësipërm, pasi ka lëvizje, sidomos lidhur me sipërfaqen pyjore, pemëtore, livadhe dhe të eroduar. Shtrirë në një hapësirë që mbizotërohet nga male të larta e lugina të thella, ndërprerë nga lumi i furishëm Murra, pjesa fushore e Katërgrykëve është e kufizuar. Konfiguracioni gjeografik i vendit ku shtrihet kjo trevë dhe organizimi lokal në katër fshatra, e kanë pagëzuar me këtë emër: KATËRGRYKËT. Në këtë trevë bëjnë pjesë fshatrat: 1-Selishtë, me lartësi 650 – 820m mbi nivelin e detit, 2-Selishtë e Epër me lartësi 820-1200m mbi nivelin e detit, 3-Lukan me një lartësi 700 – 1200m mbi nivelin e detit, 4-Kacni me lartesi 820 – 1050m mbi nivelin e detit, 5-Murrë 750 – 1050m mbi nivelin e detit dhe 6-Qafë-Murrë me lartesi 770 – 1000 m mbi nivelin e detit. Selishta me Selishtën e Epër dhe Murra me Qafë Murrën janë ndarë për arsye të shtetsës së popullsisë në fillim të viteve ’80.
Natyrisht që majat e larta, që i ngjasojnë një kurore mbretërore mbi natyrën e Katër-Grykëve, ndahen nga grykat, qafat, përrenjtë a lumenjtë, të cilët bëjnë të mundur komunikimin nga të gjitha anët me trevat e tjera dibrane e matjane. Përmendim këtu Qafën e Murrës, Qafën e Lulaçit, Qafën e Benës, Grykën e Murrës, Qafën e Helmës, Qafën e Pratit, Qafën e Lleshit etj.. Janë pikërisht këto konfiguracione natyrore që kanë shërbyer si ura komunikimi mes Dibrës e Matjes e shumë më gjerë.
Objekti ynë nuk është një studim i detajuar i historikut të komunikimit mes trevave ku ne kemi jetuar që në ag të historisë, por paraqitja e mundësive të shfrytëzimit të suksesshëm të këtij relievi të larmishëm në funksion të zhvillimit e prosperitetit të popullatës që jeton në të, sidomos duke marrë në konsideratë afrimin e përfundimit të ndërtimit të Rrugës së Arbrit.

Popullsia
Nga studime që janë bërë në trevën tonë është vërtetuar se ajo ka qenë e banuar që në lashtësi. Hulumtimet në Manasdre, dokumentacioni rreth Qytezës së Selishtës apo gjurmët në Shpellën e Lukanjakëve e vërtetojnë këtë. Popullsia e Katër Grykëve ka ardhur në rënie gjatë rreth tri dekadave të fundit, si pasojë e zhvillimeve politiko-ekonomiko-shoqërore. Katër Grykët, ky vend me plot pasuri mbi e nëntokësore, me një popullsi të re e vitale, të përkushtuar ndaj punës e profesionit, duhet të rezultojnë si të tilla edhe lidhur me gjendjen ekonomike. Vështirësitë që kjo trevë pati paraqitur rreth kushteve të jetesës, bënë që shumë banorë ta braktisin, duke lëvizur kryesisht drejt Tiranës, Durrësit e Krujës, por dhe në vende tjera përreth. Nga hulumtime që kemi bërë, rezulton që popullsia të ketë pësuar tre emigrime që nga koha e Skënderbeut. Në shekullin që kaloi, pati një rritje progresive deri në fund të tij, por duke u rikthyer pothuajse në të njëjtën gjendje pas një shekulli. Në vitin 1923 popullsia numëronte 1900 banorë, në vitin 1945 numëronte 2200 banorë, në vitin 1990 numëronte 6250 banorë, ndërsa aktualisht në prill të vitit 2019 numëron 1743 banorë. Diferenca nga viti 1923 me vitin 2019 është -157 banorë. Po të ndiqet një politikë më e studiuar ekonomiko-demografike, duke krijuar kushte punësimi dhe jetese, do të bëhet i mundur ndalimi i braktisjes, madje rikthimi i të larguarve. Pika e kthesës do ishte lidhja e zonës me sistemin rrugor kombëtar me asfalt, sigurimi i kushteve për punësimin e shtresës së aftë për punë dhe sigurimi i kushteve social-kulturore.

Punësimi
Për vetë kushtet gjeografike e klimaterike, zona e Katër Grykëve cilësohet si një vend blegtoralo-bujqësor. Sipërfaqja e madhe pyjore dhe livadhet e shumta që kjo trevë zotëron, kanë krijuar kushte shumë optimale për mbarështimin e blegtorisë. Sa i përket tokës bujqësore, ajo ka qenë e kufizuar. Gjatë viteve të komunizmit, si kudo nëpër Shqipëri, u punua fort në shpyllëzimin e sipërfaqeve të ndryshme pyjore, me qëllim që të përdoreshin për qëllime bujqësore. Kjo bëri që sipërfaqja e tokës bujqësore të rritej disi, por nuk e zgjidhi problemin. Aq më tepër që shpyllëzime të tilla si në Val të Lukanit, në Limoqe të Qafë Murrës apo në Prat të Selishtës, rezultuan një dështimjo vetëm në aspektin agro-bujqësor, por edhe në atë ekologjik. Këto sipërfaqe tashmë janë eroduar aq shumë sa vështirë të rikthehen në gjendjen e tyre të natyrshme. Nëntoka jonë është e pasur sidomos me mineral kromi, gjë që pati bërë të mundur ngritjen e minierës së Balgjajt e Manasdrenit. Sipërfaqja e madhe me pyje e livadhe ka krijuar mundësinë që të rriten shumë lloje bimësh medicinale. Përmendëm këta katër aspekte si favorizuesit kryesorë të punësimit të popullatës. Moskoordinimi i mirë i tyre bëri që pjesa kryesore që u largua, pati si motiv bazë reduktimin e punësimit. Sot një pjesë e vogël është punësuar në biznes privat, një pjesë tjetër në sektorët shtetërorë, ndërsa shumica e banorëve punojnë si të vetëpunësuar në blegtori e bujqësi.

Në biznese private punojnë 29 persona, nga të cilët 8 në miniera, 2 në sharra, 3 në dyqane shitjeje, 4 në bar-kafe, dhe 12 në dy hidrocentralet e ndërtuar kohëve të fundit. Arsimi ka të punësuar 33 kuadro, të cilët shërbejnë në 6 lokale shkollore, me 21 klasa e 306 nxënës gjithsej. Shëndetësia ka të punësuar 7 kuadro, 1 mjek e 6 ndihmësmjekë, të cilët shërbejnë në një qendër shëndetësore dhe tri ambulanca. Administrata lokale ka të punësuar 7 nëpunës, ndërmarrja pyjore 2 kuadro, ndërmarrja e rrugëve 4 punëtorë dhe shërbimi postar 1 punonjës. Njëkohësisht nga shërbimet sociale mbulohen pagesat e 250 pensionistëve dhe 210 familjeve me ndihmë ekonomike. Kjo pasqyrë mund të shërbejë si pikë orientimi për politikat e punësimit në të ardhmen.

Flora e fauna
Mund të themi pa frikë se Katër Grykët janë ndër vendet më të pasura sa i përket diversitetit të florës e faunës. Këtë e favorizon dukshëm pozita gjeografike, kushtet zonale klimaterike dhe sipërfaqja e madhe e pyjeve dhe livadheve. Nga flora mund të përmendim bredhin e bardhë, ahun, plepin e eger, pishën e zezë, arrnenin, dëllinjën e kuqe e të zezë, shkozën, lajthinë, dushkun, thanën, mollën e dardhën e egër, shkelgun, mëllezën, verrinin, qershinë e egër (boronicën), lulen e pishës, lulen e zonjës, luledelen, mjedrën, luleshtrydhen e egër, lulen e balsamit, lulen agulice, manushaqen blu dhe të verdhë, shtarën, drunakuqin, zambakun, etj. Kurse nga fauna përmendim derrin e egër, dhinë e egër, kaprollin, lepurin e egër, gjelin e egër, thëllënzën, ariun e murrmë, ujkun, dhelprën, zardafin, shqarthin, rriqebullin, macen e egër, gushëkuqin, trumcakun, gjelin e egër, bilbilin, pëllumbin e egër, thëllëzën, laraskën, korbin, sorrën, skifterin, hutinin, shqiponjën, etj.
Zona jonë veçanërisht ka sipërfaqe të madhe të mbuluar me pyje dushku e livadhe. Nuk mund të lëmë pa përmendur këtu, me gjithë papërgjegjshmërinë e pak njerëzve, të cilët në disa raste kanë vënë dhe dorë mbi ta, Lisat e Mëdhenj në livadhe të Lame në Lukan, disa lisa të tillë në vende të shenjta, si te teqja e Sheh Nezirit, te teqja e madhe në Katund të Vjetër, te teqja në Lunarë etj. Krahas kësaj mund të përmendim pishat e mbjella në zabelet e Buce në fillim të viteve ’80 dhe që janë ruajtur në gjendje shumë të mirë, duke të rikthyer nostalgjinë e pyjeve të pishës në Balgjaj e Vanas.

Gjendja hidrike.
Siç dhe kemi përmendur më parë, zona jonë është e rrethuar nga shumë maja malesh, të cilat shkojnë në lartësinë rreth 2000m mbi nivelin e detit. Me sasi mesatare reshjesh, por me një klimë që gjatë dimrit favorizon krijimin e rezervave ujore në formë bore, lumi Murra, që i përshkon mes për mes Katër Grykët, nuk pushon së derdhuri ujë në Dri të Zi, me të cilin bashkohet në Muhurr. Lumi Murra, që sezonalisht merr jetë shtruar nga qafa e Murrës, por gjatë githë vitit vitalizohet vrullshëm nga përroi i Kacnisë, gjarpëron përmes kësaj treve, duke e furnizuar Drinin e Zi me ujin e qelibartë të burimeve të shumta. Trofta, ky peshk i pakonkurueshëm në lundrimet në lumenj të furishëm e në temperatura të ulëta, me një shije që asnjë peshk tjetër nuk e ka, është banori i përhershëm i këtij lumi. Uji i tij vadit jo vetëm tokat e zonës sonë, por dhe të Muhurrit e më tej. Një rrjet i tërë kanalesh vaditëse marrin jetë nga uji i burimeve dhe i lumit. Gjejmë vend këtu të përmenndim furnizuesit kryesorë, që i japin jetë të pandërprerë lumin Murra: gjurra e Kalisë, gjurra e Hyse, gjurra e Hane, gjurra e Shqezve, gjurra në krye të Kacnisë, gjurra te Prrioi i Xhipit, burimet që vijnë nga liqenet e Bataqeve e Shtruksës, Gjurrë Duka, kroi i Arushe, gjurra e Ndreut, burimet e Lulaçit, kanali që vjen nga rezervuari i lukanjakve, gjurra e Katundit të Vjetër, burimi i Gjurrës, gjurra e Zezë, gjurra e Vorbës, burimet e Balgjajt, rezervuari i Qafë Murrës etj. Vështirësi më të shumta ka Lukani, i cili, me një menaxhim shumë të kujdesshëm, arrin të plotësojë nevojat për vaditje nga Rezervuari i Lukanjakve.

Rezervuarë të tjerë për vaditje ka dhe në Qafë Murrë dhe në Zmaç të Selishtës. Në rrjedhën Murrës sot vijojnë të prodhojnë energji elektrike dy hidrocentrale: hidrocentrali i Kacnisë dhe i Selishtës. Janë në proces studimi e miratimi dhe hidorcentrale të tjerë, të cilët do të shfrytëzonin përfundimisht të gjithë prurjet e saj, që nga origjina e deri në Muhurr. Sa i përket ujit të pijshëm, me investimet e realizuara në fillim të dekadës së fundit, të gjithë fshatrat e zonës kanë rrjet furnizimi për çdo familje, duke e bërë disi më të lehtë jetesën e banorëve.

Nëntoka
Treva jonë është e vendosur mbi masivin e kromit që vjen nga Pogradeci e që mbaron në Kamë të Tropojës. Shfrytëzimi i kësaj pasurie të paçmuar qe bërë rregullisht tri dekada më parë, ndërsa tani bëhet një shfrytëzim sezonal. Gjenden mjaft rezerva kromi në Bataqe, Shtrunksë, Liqeni i Dervishit, Livadhe të Laskut, Maja e Lepthit, Kepat e Dik Nelit, Manasdrenit etj. Në lindje të Selishtës, poshtë Arës së Shënkollit, është zbuluar edhe mineral radioaktiv. Dëshmi e kësaj janë tunelet, që akoma janë funksionale.

E veçantë në rrethin e Dibrës për nga cilësia, veçoritë dhe përdorimi është dhe argjila e thinjur që gjendet në Lukan dhe që dikur është tregtuar deri në Dibër të Madhe. Ajo përdorej per ene dhe për larjen e rrobave e trupit. Guri cilësor gëlqeror është me shumicë në zonën tonë, ku vite më parë është shfrytëzuar për prodhimin e gëlqeres dhe zhavorit tepër cilësor, materiale të cilat u përdorën nga ndërmarrja e ndërtimit Peshkopi në ndërtimin e shumë pallateve e objekteve të tjera ndërtimi. Ka gur mermeri në vendin e quajtur Mbas Gjuri në Selishtë dhe në fund të Katundit të Vjetër. Po ashtu, në përroin e Shalcës në Mbas Deje është zbuluar dhe shfrytëzuar mineral bakri.

Katër Grykët përballë turizmi malor e historik.
Natyra e Katër Grykëve është treguar bujare me burimet për jetesë, por njëkohësisht dhe me bukuritë që ka ofruar për banorët e saj. Për nga bukuria, vlera dhe rëndësia, nuk mundesh dot të lësh në vend të dytë Livadhine Madh në Zmaç, fushat e pafundme gjithë gjelbërim të Pratit në Selishtë, livadhete qëndisura me lloj-lloj lulesh të Lulaçit e Kshizës në Lukan, Fusha e Vanasit dhe e Pelave, Zhuri i Pllajut, që u qëndron mbi krye me plot hijeshi Guri i Vashës e rezervuari ujor i Lukanit; e mbi të gjitha, të papërsëritshmit e të pakonkurueshmit, liqenet e kurorës së Balgjajt. Në jehonë të këtyre bukurive, të bie ndër mend itinerari që dikur ndiqnin shkollat e zonës gjatë ekskursioneve e marshimeve. Përmendim këtu: Livadhet e Gjurrës, Prat, Shtruksën, Sheshin e Madh të Kacnisë, Bataqet, Fushën e Lathit, kalanë e Skënderbeut, Livadhet e Gjurrës, Fushën e Vanasit, Gurin e Vashës, Liqenin e Lukanjakve, Fushën e Pelave, Sheshin e Pule etj. Janë pikërisht këto vende dhe të tjera, që zona jonë i ka me shumicë, që të grishin t’ua shijosh bukuritë.
Me gjashtë liqene përrallore në Shtrunksë, me katër liqene të mëdhenj e disa liqene më të vegjël në Bataqe, me liqenin e mbuluar me zambakë të Kolemadhit, të gjitha këto në anën e Kacnisë; si dhe me liqenet e Allamanit në krahun e Matit e liqenin e Bulqizës, kurora liqenore e Balgjajt është një perlë e vërtetë, që natyra ua ka dhuruar me dashamirësi Katër Grykëve. Çuditem se cili sy nuk e pa, që nuk e shpalli park kombëtar, por vetëm monument natyror. Unë të paktën e kam parë. E kam parë, pasi kam shkelur me këmbë terrenin që nga Krej-Lura e deri në Bulqizë. Nëse dhe ju do ta shikonit si dhe unë, do të ndanit pa dyshim të njëjtat mendime. (A.T.)
Kanionet në përrua të Lukanit, mes Lukanit e Selishtës, si dhe ai që fillon në fund të Selishtës e mbaron në Muhurr, ia shtojnë më tej bukuritë natyrës së zonës. I njëjti konfiguracion paraqitet dhe midis Kepit të Çetës dhe Kepit të Skënderbeut. Ata ofrojnë gjithashtu mundësi të shumta si për të apasionuarit e lartësive shkëmbore, ashtu edhe për të apasionuarit e raftingut në lumenj të rrëmbyer malorë.Po ashtu, në jehonë të gojëdhanave e historisë tregimtare të trevës, qëndrojnë ballë për ballë njëri-tjetrit dy Gurët e Vashës, njëri në jug të Selishtës e tjetri në Vanas, në veriperëndim të Lukanit, të cilët, me hijeshinë impozante që prezantojnë, të ftojnë t’i vizitosh e t’i shijosh bashkë me bukuritë që i rrethojnë.
Nga maja e Tollës në Zmaç e deri në Selishtë, nga maja e Runjës, e mbuluar me kullota alpine, që shkojnë deri në 1200 gjatësi deri në lagjen e sipërme të Lukanit, gjatë muajve me borë të dimrit mund të provohet kënaqësia e zbritjes me ski nga lartësitë malore. Edhe pse sporadik, turizmi malor në Katër Grykë në funksion të të ardhurve ka ardhur në rritjë. Bukuritë tona kanë qenë objekt vëzhgimi nga shumë turistë vendas, por dhe të huaj, si: çekë, nordikë, zvicreanë, gjermanë, anglezë etj.
Në konkludim të evidentimit të vlerave turistike që burojnë nga zona jonë, do të sugjeronim pika të tilla me vlerë për t’u vizituar si: liqenet e Shtrunksës, liqenet e Bataqeve, liqenin e Kolemadhit, maja e Runjës, Vanasi, Guri i Vashës, fusha e Pelave, rezervuari i Lukanit, kalaja e Varoshit, livadhe në Prat, maja e Qytezës, livadhet e Gjurrës në Prat e Katund të Vjetër, maja e Shën Gjonthit, maja e Tollës, Livadhi i Madh në Zmaç.
Treva e Katër-Grykëve, edhe pse në dukje e veçuar si nga Dibra, ashtu edhe nga Matja, të mahnit me thesaret që fsheh nën pluhurin e shekujve. Rrethohet nga katër kala: Stelushi, Shënepremtja, kalaja në Kep të Hane dhe në Majë të Qytezës së Selishtës. Besimi katolik, si mbizotërues deri dy shekuj e gjysmë më parë, ka lënë pas mjaft objekte kulti, rrënojat e të cilave ekzistojnë edhe sot: kisha e Qafë-Murrës, e Katundit të Vjetër (mbi rrënojat e së cilës qe ndërtuar xhamia, edhe kjo e rrënuar), kisha e Lunarës, kisha e Shën Gjonthit, kisha e Hyse, kisha e Livadhit, kisha e Qytezës, kisha e shën Lukës e kisha e Shënepremtes. Është pikërisht kjo larmi e madhe objektesh arkeologjike, shtuar këtu vendbanimin e Manasdrenit, që daton para erës sonë, aktivitetin e gjerë lidhur me përpunimin e metaleve në Balgjaj, dëshmi e të cilit janë mbeturinat e shkrirjeve, të cilat nga banorët etiketohen me emrin “bram xhipi” e që mund të gjesh me shumicë, si dhe shumë objekte që mund të nxjerrë e ardhmja në dritë, që u jep Katër-Grykëve një vend të veçantë në këndvështrimin historik dhe të turizmit përkatës. Njëkohësisht këtu shtojmë dhe Shpellën e Lukanjakëve, e cila ka gjurmë banimi shumë të hershme dhe që duhen studiuar në detaje. Shpella me Shtij në Zmaç po ashtu përbën një objekt të veçantë e që duhet studiuar, duke mos ua lënë në dorë abuzuesve që në këtë rast kanë vënë dorë mbi të. Jo vetëm ky objekt, por dhe shumë objekte të tjera arkeologjike janë të pastudiuara, apo janë studiuar pjesërisht. Ndihmesë në këtë drejtim kanë dhënë studiuesit prof.S. Anamali lidhur me banimin e hershëm në Varosh dhe prof.Adem Bunguri lidhur me vendbanimin e lashtë të Manasdrenit.

SISTEMI RRUGOR I ZONËS
Siç dhe kemi përshkruar më sipër, Katër Grykët gjenden në një pozicion shumë të favorshëm, midis Dibrës e Matit, Bulqizës e Lurës. Kjo ka bërë që zona jonë të jetë e mbuluar nga një rrjet shumë i madh rrugor automobilistik e këmbësor. Aksi kryesor që përshkon Katër Grykët ka shërbyer si nyje lidhëse rezervë, në rastet kur bllokohej rruga nga që kalonta nga Bulqiza. Shumë degëzime të arterit kryesor janë ndërtuar me qëllim të shfrytëzimit të pasurive mbi e nëntokësore. Rrugët kryesore që e përshkojnë dhe që shërbejnë si ura lidhëse me trevat që e rrethojnë po i paraqesim si më poshtë:
Rruga e grykës së Murrës, e përshkruar në drejtimin lindje-përëndim: në Arë të Shënkollit, ku bashkohen rrugët që vijnë nga Arapi i Epërm, si nyje lidhëse me Dibrën e Epër dhe nga Muhurri, si nyje lidhëse me Dibrën e Poshtme, vijohej dikur poshtë Kepit të Rrehnave, Bufull, Udha e Poshtme del te Teqja e Manukës, lagjia e Hane, Mbas Gjurit, përgjatë rrjedhës së Murrës, duke kaluar poshtë Lunarës, te Ura e Grupit, gjithë gjatësia e Murrë-Qafëmurrës, Limoqe. Tashmë rruga automobilistike ka bërë që nga Ara e Shënkollit të ngjitesh në Kep të Rrehnave, Bufull, Selishtë, Lunarë, Murrë, Limoqe e Qafëmurrës. Në Limoqe rruga merr disa drejtime, të cilat vijojnë nëpër territorin e Matit e Lurës.
Drejtimi i parë: Rruga automobilistike që kalon nga kisha e Limoqes, Stelush. Nga Stelushi në anën jugperëndimore e jugore rruga të çon nëpërmjet Fushës së Bunarit në Vig, Lis e më tej. Rruga automobilistike që vijon në anën veriore drejt Vanasit të shpie, si dikur, në udhën e vjetër drejt Çidhnës, ndërsa ajo drejt Gurit të Vashës të shpie drejt Fushë-Lurës e Gur-Lurës. Kjo rrugë është e kalueshme vetëm me mjete të larta, pasi nuk është mirëmbajtur.
Drejtimi i dytë: Rruga këmbësore që kalon në Limoqe, Mbas Qafe, Vinjoll, Lis e më tej.
Drejtimi i tretë: Është dhe një rrugë malore këmbësore, që kalonte dikur nga Kepi i Rojsve, Qafa e Shtajllit, Manasdre, Qafë-Mesë për në Klos. Për të shkuar në Manasdre sot shkohet nëpërmjet rrugës automobilistike anës perëndimore të Mllezës, Tehu i Kryqit, Manasdre e deri në Fushë të Lathit. Më tutje vijohej me destinacion Kurdarinë ose Qafën e Buallit me rrugë këmbësore.
Rruga e Dibrës së Epër. Kjo rrugë frekuentohet gjatë periudhës që nuk ka dëborë, pasi në Qafën e Pratit bëhet e pakalueshme për automjetet. Banorët e zonës sonë dikur, por dhe sot e kanë shfrytëzuar këtë drejtim për të shkuar përmes Gjurasit në Shupenzë e Dibër të Madhe. Gjatë periudhave me dëborë ndiqej drejtimi nga Ara e Shënkollit, Arapi i Epër e Lishani i Epër, Gjuras e më tej.
Rruga këmbësore e Dibrës së poshtme. Kjo rrugë shfrytëzohet për lidhjet me Shqathin, Hurdhë-Muhurrin e më tej. Dikur në këtë dretjim vinte kryeheroi Skënderbe nga kalaja e Çidhnës për në Stelush, përmes Benës, lagjes së epërme të Lukanit, Qafa e Lukanjakëve, Katundi i Vjetër, Qafë Murrë, Stelush.
Rruga e Bulqizës. Zona jonë ka marrëdhënie të shumta dhe me Bulqizën. Për të vajtur në Bulqizë shfrytëzohej rruga këmbësore Selishtë, Zmaç ose Kacni, Kepi i Selizës, për të dalë në Qafë të Helmës e për të vijuar drejt Bulqizës.
Rruga e Lurës. Kjo rrugë ka qenë këmbësore, por, me qëllim shfrytëzimin e lëndëve drusore dhe të nëntokës, është ndërtuar rruga automobilistike. Zona jonë shfrytëzon dy rrugë për të shkuar në Lurë, të cilat është e mundshme të përshkohen nga automjete të larta:
Lukani, Selishta e Kacnia shfrytëzojnë rrugën tradicionale Lukan, Lulaç, Kshizë për të dalë në Vanas ose te Guri i Vashës, në varësi të destinacionit, vijimin e të cilit e përshkruam dhe më sipër.
Qafa e Murrës shfrytëzon rrugën Kisha e Limoqes, Stelush, Vanas ose Guri i Vashës më tej drejt Gur-Lurës e Fushë-Lurës.
Ky është rrjeti i komunikimit rrugor të Katër Grykëve me trevat që e rrethojnë. Vetë pozicioni gjeografik ku ndodhen, u ka krijuar mundësinë e komunikimit të vazhdueshëm me shumë treva: në anën lindore ka pellgun e Dibrës, në jug Bulqizën, në perëndim Matin e në veri Lurën. E mbuluar nga një gërshetim aq i madh udhësh komunikimi, të bën përshtypje mungesa e një rruge të asfaltuar që do të lehtësonte aq shumë komunikimin me Dibrën e Matin, jo vetëm të banorëve të kësaj zone, por dhe të vetë Dibrës e Matit. Duke qenë se rruga automobilistike ekzistuese, me pak devijime, është ndërtuar para vitit 1940, ajo nuk kërkon shumë shpenzime, pasi tabani i saj është i ngjeshur dhe stabël. Një përshkrim të detajuar lidhur me çështjen që trajtuam, ka bërë I.Kaca me studimin “Rrugët e vjetra të Dibrës”.

IMPAKTI I LIDHJES ME RRUGËN E ARBRIT
Gjatë dekadës së fundit është punuar për rivitalizimin e Rrugës së Arbrit, rrugë që ka funksionuar që kur nuk mbahet mend, për lidhjen e trevës dibrane me Tiranën, Durrësin e Krujën. Përfundimi i saj do ishte një frymëmarrje lehtësuese në shumë e shumë drejtime, jo vetëm për Dibrën, por edhe më gjerë, për vëllezërit tanë në Maqedoni. Natyrisht që ndërtimi i saj do sjellë efekte pozitive dhe për Katër Grykët. Nga rrugët që përshkruam më sipër, më të mundshmet për t’u lidhur me Rrugën e Arbrit me mjete të motorizuara janë:
Rruga ekzistuese që vjen nga Muhurri. Kjo rrugë është e paasfaltuar nga Muhurri në Lis në gjatësinë 47 km. Me gjithë ndërhyrjet që janë bërë, ka nevojë për përmirësime të tilla si: rindërtim urash, vendosje tubinash dhe zgjerim të saj. Kjo rrugë do ishte mirë të pësonte një devijim, duke lënë në krah të djathtë Stelushin, duke u kthyer majtas në drejtim të Vinjollit e duke vijuar rrugën automobilistike të këtij fshati për në Lis, Burrel e më tej. Nëse ana e Matit do zhvillonte një rrjet rrugor të përshtatur për t’u lidhur me Rrugën e Arbrit në drejtim të Klosit, kjo gjë do t’i shërbente shumë dhe zonës sonë, duke e bërë të domosdoshëm ndërtimin e një segmenti të ri rrugor bashkues nga Limoqja deri një Vinjoll. Kjo rrugë ka dhe një avantazh tjetër: nuk bllokohet rëndë nga reshjet e borës. Me anë të kësaj rruge realizohet komunikimi jo vetëm me Rrugën e Arbrit nga lindja, por dhe me Rrugën e Kombit nëpërmjet itinerarit Lis- Shoshaj – Perlat –Rreshen e më tej.
Rruga që lidh Selishtën me Gjurasin, me qëllim komunikimin me Shupenzën e më tej, do të ishte drejtimi më i favorshëm dhe më i shkurtër për t’u lidhur me Rrugën e Arbërit. Në këtë rast, gjatë muajve me dëborë, do të lypsej një përkujdesje e vazdueshme, sidomos nga Shkalla e Pratit deri në atë të Gjurasit me mjete borëpastruese. Lidhja e zonës sonë me rrugë automobilistike të qëndrueshme, cilësore, të asfaltuar dhe të përshkueshme gjatë katër stinëve të vitit është një sfidë, por njëkohësisht dhe një domosdoshmëri. Ajo do të rilindte dhe krijonte aktivitete të shumta, që do të ringjallnin ekonominë dhe mirëqenien e popullatës që jeton në të. Gjithashtu do t’i bënte më serioze investimet në blegtori e bujqësi. Do të krijonte lehtësira të shumta lidhur me hapjen e aktiviteteve për nxjerrjen e minerialit të kromit. Me male shumë të pasura në pyje e bimë medicinale, kurora e saj malore do ishte një ftesë për ushtrimin e turizmit malor.
Këtë e përforcojnë për më tepër bukuritë përrallore të liqeneve të Balgjajt e Bataqeve, si dhe ato të Pllajut, Vanasit, Rezervuarit të Lukanjakve, Fushës së Pelave e Kshizës etj.. Një vend me shumë kisha e kala, të cilat paraqesin inforamcion shtesë për kureshtarët, ka shumë për të thënë në drejtim të turizmit. Gjallërimi i veprimtarive turistike do të bënte të mundur krijimin e infrastrukturës mbështetëse dhe kjo do ishte një burim shtesë i të ardhurave si për banorët, ashtu edhe për shtetin. Duke mos patur synimin të ngjall xhelozinë e trevave tjera dibrane, të cilat dhe ato kanë veçoritë e veta në shumë aspekte, nuk do të bëja gabim të thoja se Katër Grykët janë një vend i bekuar nga zoti. Ata presin dhe bekimin e dorës njerëzore, një detyrim e përgjegjësi shumë e madhe për të gjithë ne.
Sido që të vendoset zgjidhja për integrimin e zonës sonë me rrjetin e përmirësuar rrugor kombëtar, me Rrugën e Arbrit dhe të Kombit, një gjë është e qartë: dikush, dikur dhe diku do të ulemi e të diskutojmë se ç’do bëhet me ne. Le të fillojmë që sot, që, të paktën, e ardhmja të mos na mallkojë.