Munir Shehu, ky humbës i madh


D  E  B  A  T  I


“Bulqizakeja”, me “fjalë e muzikë prej Munir Shehut”

“Bulqizakja” u kthye në një temë kryesore debati në median sociale dhe lokale, pas lajmit se kënga ishte 100 vjeçare dhe një studiues kishte arritur të “mblidhte tekstin origjinal” të saj.
Botuesi i librave të Munir Shehut reagoi përmes një statusi në Facebook, duke theksuar se “kënga “Bulqizakja” është një krijim me tekst e muzikë të Munir Shehut. Kush thotë të kundërtën po thotë një gënjeshtër. Në qoftë se është prej padijes, nuk ka asnjë problem, por në qoftë se autorët e studimit kanë pasur sadopak informacion, atëherë ata kanë spekuluar qëllimisht dhe arsyen e dinë veç ata”.
Por ndërkohë, për këtë tekst kishte reaguar edhe kompozitori i njohur, Përparim Tomçini, i cili shkruante gjithashtu në një koment në rrjetet sociale se “kjo këngë është komplet produkt i autorit dibran Munir Shehu, me tekst edhe me muzikë’.

Gjithashtu, muzikanti Lahim Shehu, është i mendimit se “Bulqizakja” është “këngë qytetare e kompozuar, nga Munir Shehu, pavarësisht se nuk i përmendet emri, siç është e zakonshme te ne”. Përmes një komunikimi në rrjetet sociale Lahimi shkruan se “unë jam prej asaj ane, por nuk e kam dëgjuar kurrë më parë se në vitin 1955 këngën e “Bulqizakes”. Edhe vetë kënga tregon se është kompozim dhe jo folklor.
Pas këtyre reagimeve, “zbuluesi” i 100-vjetorit të këngës, Ramazan Kica, ka botuar në faqen e tij personale në Facebook një replikë me Bujar Karoshin, botuesin e librave të Munir Shehut. Në replikë ai pohon se nuk ishte në dijeni të autorësisë së Munir Shehut, por nga ana tjetër argumenton se këtë e ka pasur nga disa burime të tij dhe se ai nuk është marrë me autorësinë, por me shpjegimet gjuhësore.

Në vazhdim të këtij debati, redaksia po boton një reagim të djalit të Munirit, Mirdash Shehu, i cili bën një panoramë të “vjedhjes” së autorësisë dhe persekutimit të Munir Shehut. Me këtë rast ai sjell edhe dy dëshmi autentike ku provohet se “Bulqizakja” është me tekst dhe muzikë të Munir Shehut. Në njërin prej dokumenteve, të firmosur më 20 janar 1950 nga Hazis Ndreu, vërtetohet autorësia origjinale e shtatë teksteve, mes të cilave edhe “Bulqizakes”.

REDAKSIA

Bulqizakja e vërtetë është baresha që shkon me dhen. Vendi i saj janë livadhet, pyjet me dushqe (iku, u fut ndër dushqe) ku ajo i fshihet të dashurit dhe i dashuri e thërret: oj bareshë! Bulqizakja bareshë mban furkën me lesh (tiri-tiret të lumtë dora…) Ajo ka bukurinë e atyne maleve dhe pastërtinë e borës që sjell dimni i atyne anëve (je e pastër moj porsi bora). Ky është art, krijim.

Pa Munirin, Shqipëria, shqiptarët dhe Bulqiza do të ishin pa “Bulqizaken” dhe “Bulqizakja” do të kishte ngelur në arkën e mbuluar nga pluhuri i harresës dhe as “zbulimi” në 94’ a 2004, nuk do të kishte vlerë.

Or bari/oj bareshë, mbeti në Bulqizë prej këngës, por ajo nuk është një thirrje që nuk i takon vetëm Bulqizës. Po të biesh për pak sekonda në meditim, duke mbyllur sytë, nuk do ta kuptosh se nga vjen jehona e kësaj thirrjeje. O bari e o bareshë, do të duket se vjen në veshët e tu nga shumë drejtime, që nga bjeshkët e Bulqizës, nga Grama e Korabit, e tutje nga bjeshkët e Kukësit e Kelmendit, ngado. Nga ku nuk vjen ajo thirrje, kudo ku ka barinj e baresha shqiptare që kullosin bagëtinë mund t’a dëgjosh atë thirrje.

Mbas botimit në disa gazeta të shkrimit për gjoja vjetërsinë e këngës ”Bulqizakja” dhe mohimit të autorësisë të Munir Shehut, si dhe debateve pro e kundër që vazhduan edhe në rrjetet sociale, më duhet të ndërhyj edhe unë, Mirdashi, që, si djali i Munirit, sigurisht, për arsye të rrethanave, e njoh Munirin ashtu si pak kush e ka njohur.
Unë, sinqerisht uroj që kjo të jetë rasti i fundit, sepse nuk është as i pari, as me skandalozi kur është vjedhur, apo tentuar të vidhet krijimtaria e Munirit. Aq e shpeshte dhe sistematike ka qenë kjo, sa shpesh e ka çuar Munirin në depresion, në mendimin se përse vlejnë gjithë këto sakrifica, përse duhet të bësh më të mirën për vendin tënd, kur jo vetëm nuk të janë mirënjohës, por edhe të vjedhin pa ju dridhur qerpiku. Në momente të tilla, i hidhte tej letrat duke e ndërprerë punën. Më pas, ndërgjegja s’e linte dhe fillonte përsëri. Kështu, fillo e ndërprit erdhëm këtu ku jemi: Muniri iku nga kjo botë duke marrë me vete shumë vlera kulturës dhe historisë të Dibrës. Nëse ai do të ishte përkrahur, historia dhe folklori dibran do të ishin shumë më të sistemuar e, këtë nuk e them unë, por vetë ata që e penguan, duke pranuar në shenjë pendese përgjegjësinë e tyre.

Në kërkim të romanit të humbur

Shkrimet për historinë dhe foklorin e Dibrës, datojnë që kur ishte student në Normale të Elbasanit, të botuara disa edhe në revistën “Normalisti” në vitet 1928 – 1932, në moshë fare të re, rreth 20 vjeç, deri në 1945 kur do të arrestohet nga rregjimi, për të vazhduar në 1952 e në vazhdim, pas daljes nga burgu. Në Normale dhe pak vite më pas, afërsisht duhet të shkoje deri rreth viteve 1935- 36, pa pretenduar saktësi për datat, pasi nuk mund ta vërtetoj këtë, shkruan një roman. Ky roman i shkruar rreth këtyre viteve e bën Munirin ndër romancierët e parë shqiptarë. Ndoshta mund të ketë qenë edhe një “garë” me shokun e tij të bankës, Sterjo Spase, që aso kohe shkroi romanin “Pse”.
Arrestohet në 1945 dhe shpallet nga gjykata komuniste “armik i popullit” me sekuestrim të pasurisë. Po çfarë mund ti sekuestrosh një intelektuali si ai, përveçse libra e fletore të mbushura me shënime e nota muzike? I morën pra, çfarë gjetën: shënime historike, këngë të vjetra të mbledhura në popull dhe… romanin. Unë ruaj dhjetra fletë origjinale, si dëshmi të ekzistencës së tij, të gjetura në burgun e Burrelit nga një nxënësja e Munirit në pedagogjiken e Peshkopisë, që njohu menjëherë shkrimin e mësuesit të saj. Ajo i solli fletët, shkoi përsëri të kërkojë kur mësoi të vërtetën, por nuk gjeti gjë. Pas njohjes time me prof. dr. Shefqet Hoxhën, nga Kukësi, mësova se ai e kishte lexuar atë roman. Besoj se është i vetmi. E kishte gjetur në magazinat e grumbullimit të Peshkopisë, ku mblidheshin materialet e sekuestruara “armiqve”. Si i apasionuar pas librit që në rini, ai i kishte kërkuar dajës së tij, që ishte drejtor i grumbullimit në atë kohë, në Peshkopi, që ta lejonte t’u hidhte një sy librave të sekuestruar. Në këtë grumbull i tërhoqi menjëherë vemendjen një fletore me kapak të trashë e mbërthyer bukur me dorë. Ishte romani në dorëshkrim i Munirit. E mori e lexoi dhe e ktheu prapë në vend… Nuk arriti të botohej, ai humbi, jo për faj të Munirit. Ky ishte fati i romanit. Në një fat tjetër, për Munirin sot do të flitnim ndryshe. Do të flitnim si për një nga autorët e parë shqiptar në gjininë e romanit. Kjo eshtë një humbje e madhe, apo jo? Një humbje e madhe, e pallogaritshme.

Hymni i të burgosurve politikë

Ka shumë gjëra të tjera për të thënë për këtë periudhe, por po vazhdoj më tej duke u përpjekur sa më shkurt t’ju informoj për ato momente të jetës së tij, që lidhen me temën e shkrimit për të krijuar një njohje, një opinion për të, që mungon pikërisht për shkak të mosnjohjes, për shkak të mungesës së informacionit.
Arrestohet në 1945, lirohet nga burgu në 1952. Nuk po tregoj këtu se si e qysh ndodhi sepse duhet nje roman më vete. Lirohet, shumë i sëmurë, në prag të vdekjes. Ata që e liruan me sa duket kishin planifikuar vdekjen e tij, por ç’ti bësh zotit që kishte menduar ndryshe duke mos e futur edhe për mjaft kohë në listën e atyre që kishte planifikuar për t’a lënë këtë botë.
Nuk mund të le pa e thënë. Muniri është autori i këngës që u bë HYMNI i të burgosurve politike. Nga një poemë shumë e gjatë e tij, e shkruar në burg, që trajton thellë dhe me urrejtje komunizmin, Muniri zgjodhi disa strofa për këngën që gjithashtu i vuri edhe melodinë.
“Liri, fjal’ e shenjt’ të adhuroj!/ Liri, pa ty jetën s’mund t’a çoj!” Këta vargje nuk kanë nevojë për koment. Ato burojnë nga shpirti e si të tilla, ishin të sinqerta, e vërteta që të gjithë e ndjenin brenda vetes e, duke qenë e vërteta e të gjithëve, atë e mësuan të gjithë. Gojë më gojë, burg më burg, nga burgjet ku ishin, në burgjet ku shkonin, të burgosurit merrnin me vete edhe këngën. Ajo këndohej tashmë nga burgu i Spaçit, në Tiranë e Tepelenë, nga të gjithë të burgosurit në mbarë Shqipërinë, duke u dhënë atyre besim e shpresë në luftën e tyre për liri, duke sjellë gjithmonë në kujtesë se liria qëndron mbi të gjitha. Ajo i kaloi edhe muret e telat e burgjeve duke u kënduar në mbarë Shqipërinë. U bë hymni i lirisë të shqiptarëve. Është kënga që u këngua nga të pranishmit në themelimin e shoqatës të të burgosurve politikë. Mendoj se është një vlerë që nuk duhet lënë në harresë nga instituti i të përndjekurve. Persa i perket poems; ajo pati fatin e romanit, humbi. Shumë të burgosur e kishin mësuar poemën përmendësh. Në kërkim të saj, sapo mësoja që aksh person e di përmendësh poemën, vrapoja drejt tyre, por pa sukses. Kur mbërrija unë, ata nuk ishin më. Kështu që po mbetet kënga, që edhe kaq, flet mjaft.
Sapo del nga burgu, shtrohet për afro një vit në sanatoriumin e Shkodrës, që e rikthen përsëri në jetë. Vjen në Peshkopi, në 1953.
Si duket, gjendja katastrofike e e artit dhe kulturës, mungesa e kuadrove, e detyroi partinë që ta emërojë Munirin mësues në Pedagogjiken e Peshkopisë, si dhe përgjegjës të shtëpisë të kulturës në sektorin e muzikës. Kushti ishte që duhet të merrte përsipër të ngrinte në një nivel më të lartë jetën kulturoro-artistike të qytetit.

Munri Shehu shtroi rrugën e zhvillimit të muzika dibrane

Kompozitor, udhëheqës, organizator, me autoritet të plotë, brenda një kohe shumë të shkurtër, me një përkushtim të pakrahasueshëm, ngriti orkestrën, grupin e valleve dhe Dibra nisi një epokë të re, krijoi fytyrën e vet edhe në fushën e artit e kulturës. Muniri i dha Dibrës, Hazis Ndreun, të cilin e mori dhe e rriti si këngëtar e valltar, i dha talentit të tij kulturë. Nën edukimin e Munirit u kultivua Hazisi, pranë mësuesit historian kuptoi ç’është historia, folklori dhe në shembullin e mësuesit, me pasionin e tij, u bë një vazhdues i denjë i kësaj rruge. Këngëtarët e mrekullueshëm Melita Shehu, Besim Çutra e të tjerë i dhanë tonin jetës artistike në Peshkopi. Muzika dibrane mori formë dhe modeli që la Muniri, do të influencojë dhe përcaktojë në një fare mase rrugën e muzikës dibrane, të ardhmen e saj. Për ata që kuptojnë, kjo është shumë.
Ishte një ndër personat e rëndësishëm në Institutin e folklorit. Me kontributin e tij, kultura popullore dibrane mori vendin e vet të merituar në këtë qendër të kulturës popullore kombëtare. Mendimet dhe fjala e tij për politikat e ruajtjes dhe zhvillimit të kulturës popullore shqiptare priteshin me interesim. Thirrrej në mbledhjet e tij dhe dëgjohej me respekt dhe kjo sigurisht, për meritë të tij. Si një mbledhës i shquar i folklorit, kam dëgjuar shpesh lart e poshtë, nga dashakeqë që duan me këmbëngulje të ulin meritat e tij, duke thënë se ishte partia që organizonte dhe sillte pleq për të biseduar, që në fakt ishte gjë shumë e mirë, më duhet t’u kujtoj atyre se, në 1930, kur mblidhte folklor Muniri nuk ishte krijuar partia….Në fakt mund të kenë pak të drejtë sepse Muniri ka vazhduar këtë punë edhe pasi u krijua partia, d.m.th., në 1941, ‘42, ‘43, ‘44, ‘45, etj.
Por, po vazhdoj.
Presidiumi i kuvendit popullor e dekoron me urdhërin e punës. Ky, besoj, është rast i veçantë. “Armiku” i dekoruar! Të gjithë e kemi të qartë se çfarë pune dhe emri duhet të krijojë një njeri si Muniri për të marrë një vlerësim të tillë. Mendoni ju se kishte dibran që mund t’a bënte një propozim të tillë për Munirin?

Vitet ‘1960: Aty ku nisi loja me “Bulqizaken”

Jemi në vitet 60. Këngët e tij morën dhenë. Ato u pëlqyen nga një masë e madhe njerëzish dhe u kënduan nga jugu në veri. Radio Tirana i transmetonte pa pikën e turpit me emërtimin “këngë masash”, ose “popullore”. Këtu e ka zanafillën edhe loja me “Bulqizaken”. Ankesat e shkresat drejt ministrisë për të drejtën e autorit nuk sollën asnjë reagim.
Pikërisht, në këtë periudhë, do të vijë në Dibër një ekip i Radio Tiranës, për të inçizuar këngët e Munirit. I fyer nga qëndrimi i deritanishëm i Radios, por edhe duke mos besuar, me të drejtë në fjalën e premtimet e tyre, Muniri nuk pranon t’i inçizojë ato. I kërkon ekipit të Radios të kthehet mbrapsht, të transmetojë këngët me emrin e autorit, pra, me emrin e tij e, vetëm atëherë ata mund të vinin të inçizonin në Peshkopi. Kjo ishte e papranueshme për radion. Nuk mund ktheheshin pa bërë asnje punë. Situata acarohet, por qëndrimi i Munirit ishte i palëkundur. Ai nuk do të ndryshojë as pas ndërhyrjes të sekretarit të parë të partisë të Peshkopisë, Jashar Menzelxhiu, që për hir të së vërtetës, Muniri e respektonte për përkrahjen dhe qëndrimin ndaj tij, por edhe për përkrahjen që i jepte për zhvillimin e kulturës dhe artit në Dibër. U vërtetua ajo që kam dëgjuar se ka thënë S. Alliu, kur shprehej se, “Muniri i ka të gjitha me ma shumë se unë, po ai i bie murit me kokë, unë nuk bi murit me kokë”.
Kështu, Radio u kthye në Tiranë duarbosh. Në rast se inçizimi do të ishte kryer, nuk do të kishte hapësira për interpretim sot e as që do të diskutohej fare autorësia e këngës “Bulqizakja”, e cila ishte, edhe ajo, ne listen e kengeve qe radio kishte planifikuar te incizonte.
Kjo ngjarje, i dha zemër xhelozisë të heshtur të armiqve të tij, që ishin të shumtë e të fuqishëm, por gjithmonë e kanë patur frikë, trembeshin prej tij, prandaj edhe e kanë sulmuar, vazhdimisht, kudo. Është e çuditshme se, edhe tani që ka 30 vjet që ka vdekur vazhdojnë të tremben, vazhdojnë t’a kenë frikë, vazhdojnë ta sulmojnë.

Riarrestimi

Upërgatit pra, goditja e rradhës. Pas një inskenimi të turpshëm, në vitin 1963, Muniri arrestohet përsëri.
Nëse në vitin 1945, u mbrojt vetë, me fjalën e tij (histori në vete kjo, shumë interesante), që e detyroi trupin gjykues të mos merrte ndaj tij një dënim maksimal, duke e dënuar me 10 vjet, shumë më pak nga planifikimi, kësaj rradhe, atë do ta mbrojë populli. Ditën e gjyqit, shumë të revoltuar nga arrestimi i profesorit, duke e kuptuar kurthin në të cilin e kishin future atë, nxënësit e pedagogjikes, bojkotuan mësimin, hapën dyert e shkollës dhe marshuan të gjithë drejt sallës ku zhvillohej gjyqi.Turma u bë akoma më e madhe kur nxënësve, ju bashkuan edhe qytetarët e Peshkopisë. Ky organizim i paprecedent, spontan, e vuri gjykatën para presionit popullor, e cila duke mos patur zgjidhje tjeter, perballe thirrjeve te demostruesve: Duam liri! Lironi profesorin! në kundërshtim me urdhërin, e liroi Munirin në sallë. Shpërthimi entusiast i turmës, pas shpalljes i pafajshëm të Munirit, ishte i paimagjinueshëm. Ajo do të vërshojë në sallën e gjyqit, do t’a nxjerrë Munirin prej andej hopa dhe ashtu duke e mbajtur në krahë do t’a dërgojë deri në Pedagogjike, ku i kërkon të vazhdojë mësimin, por tashmë është e qartë, ai nuk e ka të mundur të japë më mësim aty.

Në Burrel, aty ku krijoi orkestrën me instrumentistë popullorë

Largohet drejt Burrelit me gjithë familje. Largohet zemërthyer nga Dibra, dashuria e tij e pavdekshme deri në fund të jetës, me gjithë të këqiat e mosmirënjohjen që i dhuroi.
1964. Burreli. Nuk kam folur, nuk kam dashur, por ja që shpesh padrejtësitë të mërzisin, të nevrikosin dhe ti papritmas shpërthen duke mos duruar më dhe dëshiron t’i thuash menjëherë, të gjitha. Të shtyn edhe mendimi që nëse hesht, krijohet ideja e kundërt për të vërtetën: “Ja, heshti, e shikon që kemi të drejtë”?
Nuk do të flas për jetën në Burrel, e cila në sipërfaqe kaloi shumë më qetë se në Peshkopi, por brenda ziente njëlloj si atje. Një ngjarje të rëndë e cila lidhet me temën e këtij shkrimi do ta përmend.
Muniri ishte një ideator, krijues i vërtetë. Kishte menduar që Dibra të kishte orkestrën e saj me instrumentet popullore të krahinës. Një orkestër e tillë, e vecantë, e paparë ndonjëherë në trojet shqiptare, pra edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, do ta lartësonte shumë Dibrën dhe artin dibran. Askush nuk mund t’a bënte atë përveç Munirit, sic edhe nuk u bë. E pati fat Mati. E bëri Muniri në Mat.
Tashmë orkestra me instrumente popullore e Matit është një orkestër e afirmuar edhe përtej kufijve të Shqipërisë, dhe ka krijuar personalitetin e vet të padiskutueshëm. Jetëgjatësia e saj, konfirmon vlerën e saj.
Muniri zgjodhi 35-40 vetë, instrumentistë popullorë të talentuar të mbledhur nga të gjitha trevat e Matit, me numrin më të madh të mundshëm të instrumenteve muzikore popullore të krahinës. Orkestër me 35-40 instrumentistë popullorë pa shkollë! Ata ishin individualitete, mund të luanin bukur për hesap të tyre, por kurrë në një nivel orkestre. Kjo, jo vetëm për arsyen se pjesa dërrmuese e tyre kishte një nivel të ulët arsimor, por edhe për faktin e thjeshtë se duke mos e njohur muzikën, notat, si mund t’u mësohej melodia, ndërhyrjet, bashkëpunimi i domosdoshëm orkestral? Ata as që e kishin idenë e orkestrës. Krijimi i saj ishte si t’i hysh detit në këmbë, por Munir i hyri dhe doli në anën tjetër. Ai e kishte në shpirt e në mendje, e ndjente prej kohësh në imagjinatën e tij tingëllimin fenomenal të kësaj orkestre, tingujt që do të dilnin nga bashkimi i çiftelive me dimensione të ndryshme me lauritë, fyejt, dajrja e lodra dhe tani vetëm duhej të priste kohën për ta prekur këtë magji. Theksoj, se ishte një proces shumë i vështirë, për mua personalisht një çmenduri, të cilën nuk mund t’a realizoje vetëm një i çmendur si Muniri me një pasion dhe dashuri aq të madhe për artin e popullit, por, për të mos ju larguar temës, le të vazhdojmë më tej. Erdhi dita e kurorëzimit. Çudia, bukuria, kënaqësia e, shumë lloj ndjenjash u gërshetuan bashkë tek autori, por edhe në të gjithë auditorin, kur ajo doli për herë të parë në skenën e festivalit të Gjirokastrës. Populli, udhëheqja e profesionistët duartrokitën pa pushim. Fituese e festivalit e në të gjithë të tjerët më pas. Gjithë këto, i thashë për të patur një informim, për të gjykuar për atë që do të them tani. Dhe vijmë në viti 1973.

Koncert përballë Enver Hoxhës: akti i dytë publik i vjedhjes së autorësisë

Siç nuk përbënte më surprisë, orkestra e Matit u zgjodh për të marrë pjesë në koncertin me numra të zgjedhur që zhvillohej në teatrin e Operas për nder të ditëlindjes së Enverit.
Gjatë provave, me të gjitha grupet e tjera që ishin zgjedhur, organizatorët e koncertit i kërkojnë Munirit që t’a shkurtojë pjesën. Meqenëse kjo ishte një orkestër veriore, me fyej e çifteli, dajre e daulle, ata kishin frikë se mos mërzitej Enveri, që, si jugor, ndoshta nuk e pëlqen çiftelinë e, nëse ndodhte kjo, përfundimin e kishin të qartë të gjithë. Për t’u siguruar, kërkuan te shkurtohej.
– Zhëng-zhëng-zhëng, 10 minuta me çifteli, shkurtoje pak, Munir”! – I thanë. Kjo ishte si një rrufe në qiell të hapur për Munirin. Patjetër që Muniri nuk mund të kundërshtonte dhe u përgjigj : – Po! Do t’a shkurtoj!
Dy ishin zgjedhjet dhe zgjidhjet që kishte Muniri:
I pari, shkurtimi i pjesës. Të bënte atë që kërkonte komisioni organizator. Por ç’do të thoshte shkurtim i pjesës e sidomos një ditë para koncertit? Nëse pjesa shkurtohej, dështimi ishte i sigurtë. Orkestrantët mund të luanin, por vetëm ashtu siç ua kishte gdhendur në kokë Muniri. Pra, nëse pjesa shkurtohej, orkestra do të bëhej lëmsh. Dështimi ishte i sigurtë dhe këtu, besoj se të gjithë jemi në një mendje se, i pari që do të arrestohej për sabotim të koncertit për Enverin, do të ishte “armiku i popullit”, Muniri. Ishte shumë e lehtë për t’u gjetur sabotuesi. Po ju a le juve, lexuesve, të vendosni masën e dënimit.
E dyta. Arsyetimi i Munirit ishte ky: Kur organizatorët të pyesnin nëse u shkurtua pjesa apo jo, atyre do t’u thoshte, po, por në fakt nuk do t’a shkurtonte. Orkestra do t’a ekzekutonte pjesën si gjithmonë, ashtu siç e dinte. Për këtë do të dënohej me thyerje të notës në sjellje, por jo si sabotator. Sigurisht që dënimi me notë në sjellje ishte më i lehtë. Sido që të ishte të linte gjallë. Kështu bëri. Ai u kërkoi instrumentistëve të jenë sa më korrektë dhe të kujdesshëm gjatë interpretimit.
Gjatë koncertit erdhi rradha të performojë edhe orkestra e Matit. Në llozhën e Teatrit të Operas dhe Baletit, Enveri dhe byroja politike e në sallë të ftuarit ndiqnin, performancën e saj. Ndërsa në skenë orkestra vazhdonte lojën e saj para Enverit, në kuinta, mbrapa skenës, zhvillohej një lojë tjetër, shumë e egër. Organizatorët e koncertit, që e kuptuan se pjesa po luhej e plotë e pa shkurtuar, se Muniri pra, i kishte gënjyer duke mos ndryshuar asgjë, i ishin vërsulur duke e sharë e pështyrë, duke e ofenduar e ,duke u dridhur , me vështrimin drejt llozhës, prisnin reagimin e Enverit. Ndodhi çudia. Pa pritur përfundimin, Enveri çohet në këmbë i entusiazmuar duke duartrokitur. Gjithë salla çohet në këmbë dhe duartroket. Kjo ndodhte para, ndërsa prapa, ata që po e shanin dhe pështynin, papritmas filluan ta përqafojnë e t’a puthin Munirin. Në fakt, po lëpinin pështymat e tyre në faqet e Munirit. Të gjithë gëzonin, e festonin me përjashtim të Munirit, i cili plaset i dërrmuar në një karrike duke mos patur fuqi të reagojë pas asaj traume që kaloi. Por nuk mbaron këtu.
Mbas koncertit, ishte tradita, që të gjitha grupet artistike pjesmarrëse, mblidheshin në pallatin e brigadave për të festuar ditëlindjen e udhëheqësit bashkë me të. Enveri kishte kërkuar që aty t’i sillnin edhe krijuesin e kësaj orkestre dhe të kësaj muzike që ai e kishte cilësuar si “sinfoni”. Pak kohë pasi kishte filluar mbrëmja në pallatin e brigadave, Enveri, nën efektin e mbresave që i kishte lënë orkestra e Matit, çohet dhe duke u takuar me pjesmarrësit e tjerë, pyet për zbatimin e porosisë së tij, ata që e shoqeronin:
– Po ai i Matit? Ku është ai i Matit?
– Ja, shoku Enver, ky është!
Në vend të Munirit, Enverit ju sevir një tjetër si autor. Sigurimi i shtetit i kishte rregulluar shpejt e shpejt punët.
– Ajo, – vazhdon Enveri, duke folur për melodinë, – nuk është një melodi me çifteli. Ajo është “sinfoni” e artë e popullit matjan! Ti e ke kompozuar atë?
– Po, shoku Enver.
– Ku e ke mbaruar konservatorin ti?
– Jo, shoku Enver, nuk kam shkollë, jam bari!
Enveri stepet nga përgjigja dhe largohet menjëherë duke thënë:
– Ja ç’bën populli!
Kjo është pak a shumë biseda që më është thënë, pasi unë nuk kam qenë aty, por e dëgjuar nga dhjetra të pranishëm, dëshmitarë të gjallë edhe sot. Nuk e di nëse kuptuat gjë. Sigurisht lojë e sigurimit të shtetit. Nuk di se mund të jetë ndryshe. Çfarë ndodhi? Për të shmangur Munirin, u përgatit një instrumentist, fyelltar, bari, sigurims, apo shërbëtor i sigurimit, pak rëndësi ka. Atij ju ngarkua detyra të merrte ai autorësinë përpara Enverit, urdhër të cilin ai e zbatoi, pavarësisht bllofit që shkaktoi pyetja se ku e kishte mbaruar konservatorin.
Ajo melodi e ndërtuar në formën e një suite, nuk mund të ishte punë barinjsh e lopçarësh, por punë profesionistësh, njohësish të thellë të folklorit. E drejta e autorit? Si gjithmonë edhe në këtë rast. Humbi. Shkoi tek romani, poema, etj.Të gjithë mund të bëhen autorë me përjashtim të autorit. Të gjithë mund të bëhen autorë me punën e Munirit, me përjashtim të tij. Ai jo! Ai nuk mund të jetë autor i veprës së tij.
Orkestra e Matit, i ka marrë të gjitha vlerësimet e mundshme si, “Nderi Kombit” , “Mjeshtri Madh”, shumë e shumë vlerësime të tjera. Po ashtu edhe bariu, nuk ka lënë titull pa marrë, dyshoj se edhe nga dy herë. Edhe po s’mendoi vetë, mendon sigurimi i shtetit për shërbëtorin e tij. Shumë instrumentistë janë vlerësuar, vetëm ai vërteti jo! Edhe sot, 30 vjet pas vdekjes, jo! Dhe ju talleni me mua dhe nuk me besoni kur unë ju them se ende e kanë frikë…

“Bulqizakja”, krijim autorial me tekst e muzikë

Fillimisht dua t’i falenderoj ata që u morën me autorësinë e kësaj kënge, sepse po të mos ishte ky rast, ndoshta nuk do të kisha shkruar kurrë. Kemi heshtur. Kemi heshtur sa nga modestia, nga vështirësia për të folur për vete, aq edhe nga mendimi se nuk e ka gjetur kush të drejtën ndonjëherë në këtë vend, kështu që është e kotë të flasësh. Jam përpjekur t’a mbroj babain tim, duke e bërë të njohur një pjesë të punës së tij, atë që ka mbetur, nëpërmjet botimit, duke dashur që njerëzit t’a njohin Munirin nëpërmjet punës së tij, jo nëpërmjet fjalëve, por shoh se kjo nuk mjafton. Atëherë, po flasim!
Duke u futur në temë, kam mendimin se çështja e folklorit është një punë sa e bukur aq edhe e vështirë. Shumë njerëz janë marrë me të, por pak, shumë pak ia kanë dalë të jenë të sukseshëm. Sipas meje, kjo punë kërkon formim të plotë, në shumë fusha, përveç të tjerash edhe në fushën e muzikës. Mbledhës të shumtë edhe me emër kanë grumbulluar shumë këngë në popull. Një pjesë e tyre duke mos e njohur muzikën kanë mbledhur vetëm tekstet e këngëve. Padyshim që kjo është nje punë e gjysmake dhe e cunguar. Po vallë si mund të quhet këngë një tekst pa melodi? Ku janë notat e këngës? Artisti popullor vdes e bashkë me të edhe melodia. Po vallet? Ato s’kanë tekst. Si mblidhen ato, nëse nuk di notat e muzikës? Po lëvizjet e valltarëve?
I madhi, i papërsëritshmi, Ramadan Sokoli, një nga njohësit më të mëdhej të kulturës popullore shqiptare, ishte i tillë për faktin se, zotëronte një kulture të gjerë, që i jepte mundësinë t’a analizonte gjënë në kompleks; edhe në tekst, edhe në muzikë edhe në lëvizje, por edhe nga disa burime. Një i tillë ishte edhe Munir Shehu, pavarësisht se jo në dimensionin e tij nga përmasat, por në të njëjtin dimension nga mënyra e konceptimit. Kishte mandolinën me vete kudo që shkonte, nga Bulqiza e në kufi me Kukësin, se mund të takonte ndonjë të moçëm që s’mund ta gjente më e, mirë i mori tekstin, po melodinë ku ta gjente? Kërkonte deri në hollësi detajet në gjithçka. Në valle p.sh., kërkonte që në çdo lëvizje të valltarit të ruhej karakteri i valles, i zonës nga vinte, por edhe i grupimit, që i përkiste ajo. Kështu pra, ai mblodhi sa mundi, motive këngësh e vallesh të cilat, ato që paraqitnin një folklor të vërtetë, pasi i sistemoi i paraqiti në institutin e folklorit ku ruhen edhe sot në fondin e tij.
Motive të ndryshme, të bukura, por të pa plota, një pjesë i përpunoi, duke i vënë në skenë si përpunime, ndërsa të tjera i përdori për këngët e tij duke u munduar që asgjë të mos shkojë dëm, për të evidentuar sa të ishte e mundur më shumë larminë e pafund të temave të folklorit dibran. Ai është burimi i këngëve të Munirit. Të gjithë aty mbështeten. Edhe Tonin Rrota, edhe Përparim Tomcini aty janë mbështetur, por duhet të jesh budalla t’u mohosh atyre autorësinë duke thënë se ato janë popullore e nesër, pas disa vitesh, të dalë ndonjë folklorist e të thotë se ka zbuluar një këngë popullore! Mbi motive popullore shkroi Pushkini, Shileri etj., të gjithë të mëdhenjtë, por vepra mban emrin e tyre. Mbi motive popullore kompozoi Mozarti, Glinka, Çajkovski, Listi, por nuk thotë askush se vallet hungareze të Listit, nuk janë kompozim i tij. Kështu pra, motivi i “Bulqizakes”, i bie të jetë zbuluar më herët, shumë më herët prej Munirit e jam plotësisht i bindur që ai e ka zbuluar pa biçikleta.
Nëse në 2004 takon një 94 vjeçar,ç’mund të thuhet për Munirin që 94 vjet para 2004, takonte 94 e 100 vjeçarë? Prandaj besoj, se në Bulqizë Muniri mori motivin, mori ngacmimin mbi të cilin ndërtoi “Bulqizaken”. Shoh tek disa folës shfaqjen e një nacionalizmi pa kuptim, që shprehen se “pse duhet të shkojë “Bulqizakja” në Peshkopi, a në Dibër të Madhe, duke aluduar se autori nuk është bulqizak”. Në këtë rast unë mbetem pa fjalë dhe sigurisht që hesht. Vetëm mendjet e sëmura, mund të arsyetojnë kështu. “Bulqizakja” është aty, është kudo e ku mund të shkojë ajo?
Naim Frashëri i Dibrës, Munir Shehu, i këndon Bulqizës kështu në tekstin e tij të “Bulqizakes”: Kam shetitun-o mal për mal e ven për ven/ Nji kto male nji kto lugina m’kan lan-o pa men”. Këto vargje shprehin në mënyrën më të bukur poetike, gjithë dashurinë e tij për bukuritë bjeshkëve, të maleve e luginave të Bulqizës, për vajzat e djemtë e saj. Krahasojini pak me vargjet e Naimit kur këndon: “O malet e Shqipërisë, e ju o lisat e gjatë…/ q’u kam ndërmend ditë e natë…” A nuk e shfaqin dashurinë gati njëlloj? Muniri thotë se këto bukuri “më kanë lanë pa men”, Naimi se, “i ka ndërmend ditë e natë”. Bulqiza vjen e plotë kur e njohim edhe dimnin e egër e pranverën e bukur të saj: “dimni, dimni…, pranvera jetën mor t’a shton/ bulqizakja ngjitet malit dhe këndon”. Theksimi dy herë i fjalës “dimni, dimni” të krijon menjëherë idenë se sa i fortë është ai ndër ato anë dhe sa e bukur pranvera që t’a shton jetën. Këto janë vargjet e Munirit dhe të askujt tjetër, që e bënë të famshme “Bulqizaken”.
Vargjet: “kam shetitun n’mal e kodër ven për ven/ a ma pe or djal tufën me dhen”, janë vargjet e Munirit të përshtatura nga ansambli për duet në mënyrën më të pakuptimtë, më të keqe të mundshme. Duke u ndryshuar kuptimin vargjeve, në fakt i është hequr shpirti, i është hequr këngës zemra, atdhedashuria, duke e thjeshtuar atë vetëm në një idil dashurie. Ana tjetër është se ato nuk kanë as kuptim, për arsyen e thjeshtë se, nëse të ka humbur bagëtia dilet tuj kërku e jo tuj shetit. Nuk kërkohet tuj shetit.
Ndër rreshta të tjerë Muniri vazhdon: “Nji dit deshta un i mjeri me u afru,/iku shpejt, e u fut ndër dushqe e m’la idhnu..”
Diku tjetër: “Tiri- tiret të lumtë dora,/je e pastër moj porsi bora”.
Kjo ështës vetë bulqizakja. Bulqizakja e vërtetë është baresha që shkon me dhen. Vendi i saj janë livadhet, pyjet me dushqe (iku, u fut ndër dushqe) ku ajo i fshihet të dashurit dhe i dashuri e thërret: oj bareshë! Bulqizakja bareshë mban furkën me lesh (tiri-tiret të lumtë dora…) Ajo ka bukurinë e atyne maleve dhe pastërtinë e borës që sjell dimni i atyne anëve (je e pastër moj porsi bora). Ky është art, krijim. Unë seriozisht nuk e kuptoj ç’duan, cfarë kërkojnë? Kësaj i thonë të kërkosh gjurmët duke patur ujkun.
Bulqizakja bareshë, nuk është një vajzë në rrugë, pa furke në dore, pa bagëti, që sheh një çiklist, pa dele e pa dhen dhe menjëherë i thërret çiklistit: or bari! Jo që nuk të mbush mendjen, por as nuk të emocionon, për të mos thënë që t’a shpif. Dashuria lind në situata të ndryshme, dashuria me biçikletë mund të ketë ndodhur, por nuk është dashuria e bareshës. Sipas mendimit tim, nuk ka lidhje fare me këngën e as me motivin e saj.
Histori mund të bëjë kush të dojë dhe si të dojë, unë nuk merrem me të. Une thjesht mbroj krijimtarinë e tim eti. Për fat baba e ka gjalin xhallë!
Or bari/oj bareshë, mbeti në Bulqizë prej këngës, por ajo nuk është një thirrje që nuk i takon vetëm Bulqizës. Po të biesh për pak sekonda në meditim, duke mbyllur sytë, nuk do ta kuptosh se nga vjen jehona e kësaj thirrjeje. O bari e o bareshë, do të duket se vjen në veshët e tu nga shumë drejtime, që nga bjeshkët e Bulqizës, nga Grama e Korabit, e tutje nga bjeshkët e Kukësit e Kelmendit, ngado. Nga ku nuk vjen ajo thirrje, kudo ku ka barinj e baresha shqiptare që kullosin bagëtinë mund t’a dëgjosh atë thirrje.
Vargjet “dashunin që kam për të/ nuk e ndrroj për kta di se”, sapo i lexova më sollën ndërmend këngën e Pjetër Gacit, “Meraku i shkretë” ku janë të njëjtat vargje, veçse me një gjuhë tjetër: “dashurin që kam për ty/ nuk e ndrroj me kta dy sy”, po nejse nuk po zgjatem.
Sa i përket të paturit të disa teksteve, nuk do të thotë aspak se kjo nuk është një “këngë katedre”, absolutisht. Një pjesë, duke përshtatur tekstin, në pamundësi të origjinalit, një pjesë tjetër për qefin e vet, kanë ndryshur fjalët, bile edhe notat, por kjo është puna e tyre, ç’lidhje ka.
Muniri ishte shumë i shqetësuar edhe nga mënyra se si e këndoi ansambli. Ai ishte i pakënaqur, dhe i mërzitur. Nuk e zinte vendi. Nuk mund të jeni në dijeni të këtij shqetësimi. Ky shqetësim kishte të bënte me atë se nga intepretimi, por jo vetëm, ngaqë dy këngëtarët ishin shkodranë, kënga kishte humbur karakterin dibran, nuk ishte më bulqizakja e Bulqizës, nuk dallohej kadenca dibrane. Nuk besoj se është shqetësuar kush tjetër për këtë. Po kush do të shqetësohej përveç autorit? Rujna zot se mos del ndonji e na e qet autorin shkodran, se ka ba Shkodra kangë për Bulqizën!
Perfundimisht, pa Munirin, Shqipëria, shqiptarët dhe Bulqiza do të ishin pa “Bulqizaken” dhe “Bulqizakja” do të kishte ngelur në arkën e mbuluar nga pluhuri i harresës dhe as “zbulimi” në 94’ a 2004, nuk do të kishte vlerë. Nuk vlen, se kujt i duhet? Se ja, mendo, a do të merrte kush guximin të festonte 100 vjetorin e “Bulqizakes” po të mos ishte kënga e Munirit? Po këtë që u zbulua kush do t’a bënte këngë? Munir ka vdekur!
Bujar Karoshi, publikoi një fletë pentagrami me nota dhe tekst të shkruar nga dora e Munir Shehut, të cilin ia dhashë unë. Nuk mund të thotë askush, me cinizëm, ose jo, se ajo fletë s’ka vlerë. Është dokument, sepse është shkruar në vitin 1958, me shkrimin pra, të autorit. Po ju servir edhe një shkresë tjetër që për mua e mbyll problemin. Është shkresa e firmosur edhe nga drejtori i institucionit, për pagesën e krijimtarisë të Munirit. Shikojeni vetë. Aty është edhe “Bulqizakja”.
Jepini Çezarit, atë që i takon Çesarit. Aq sa vlen materialisht kromi i Bulqizës, aq vlen shpirtërisht, “Bulqizakja” e Munirit. Ajo është miniera e floririt shpirtëror të Bulqizës.
Mirënjohja, thuhet shpesh, ështe një nga ndjenjat më të bukura që ka krijuar raca njerëzore dhe anasjelltas. Jepeni atë, të paktën atë. Vetëm ju nderon.
Jeta Munirit, si fati e solli, ishte një jetë të cilën ai nuk e meritonte. Për gjithë sa humbi, duke marrë titullin e librit të Kadaresë: Eskili ky humbës i madh, vetëm duke ndryshuar emrin unë kam quajtur babin tim, Munirin, një humbës të madh.

Një dokument i firmosur më 20 janar 1950 nga Hazis Ndreu, ku vërtetohet autorësia origjinale e shtatë teksteve, mes të cilave edhe “Bulqizakes”.

Mirdash Shehu / Shtator 2019