Elisabeta Skarra: Ushqimin duhet të ta hajë syri e pastaj goja!


Po kush është Elisabeta Skarra?

E lindur në Shumbat të Dibrës më 16 maj 1987. Një nxënëse e shkëlqyer në shkollën 8-vjeçare “Hasan Leka” në Shumbat. Pas ardhjes në Tiranë të familjes përfundoi shkollën 8-vjeçare “Ahmet Gashi” .
Edhe në gjimnazin “Ismail Qemali” u dallua si nxënëse e mirë, por veçanërisht ra në sy pasioni i saj për gatimin e për kuzhinën në përgjithësi. Nga viti 2005 jeton e punon në Gjeneva, Itali. Elisabeta Skarra është martuar me një shtetas italian Luca Talariko dhe ka një djalë 3 vjeç me emrin Noah.

Mbretëresha e ëmbëlsirave

Elisabeta Skarra jeton prej pesëmbëdhjetë vjetësh në Xhenova. Ajo është nënë e përkushtuar e një djali trevjeçar dhe bashkëshorte e një burri italian, i cili e mbështet në çdo gjë. Edhe pse bën një jetë frenetike, është e lumtur, sepse bën punën që ka ëndërruar gjithmonë. Profesioni i saj ka lidhje me kuzhinën, por në kohën e lirë i përkushtohet pasionit të saj si blogere dhe food photography, që tashmë i janë shndërruar në punë të dytë. Kompani të ndryshme e kontaktojnë nëpërmjet faqes së saj në Instagram, duke i kërkuar receta që i botojnë në portalet e tyre, në kalendarë apo revista të ndryshme. Kuzhina është vendi i saj i preferuar, ku gjen frymëzimin për të eksperimentuar me receta të reja dhe që i largon çdo energji negative. Gatimi është terapia e saj më e mirë.
Ajo thotë se realizimi i fotove do kohën e vet: së pari, duhet të jetë vetëm në shtëpi dhe, së dyti, të ketë këndin e duhur për t’u dukur sa më bukur në fokusin e aparatit. Fotografia është një pasion tjetër i saj, që mbart një histori më vete dhe përcjell emocion. Është një art i cili kërkon përkushtim dhe përqendrim. Ajo ka bërë edhe disa kurse të specializuara për food photography dhe food styling, me qëllim që të realizojë foto sa më profesionale.
Për të arritur aty ku është sot, Elisabetës i është dashur të rritej para kohe, të përveshte mëngët e të kapërcente fazën e adoleshencës, që të bëhej më e përgjegjshme dhe më racionale. Megjithatë, këto barriera ranë shpejt, sepse arriti ta përvetësonte mjaft mirë gjuhën e një vendi që nuk ishte i saji, të zinte miqësi të reja e të integrohej në shoqërinë italiane. Eli, siç e thërrasin të gjithë, e ka pasur pasion gatimin që e vogël. Kur e ëma ishte në punë, ajo mundohej të sajonte receta të ndryshme për gjithë familjen. Pastaj, ajo është një vajzë dibrane dhe dibranët mbahen si amvisa mjaft të mira. Një nga ëmbëlsirat e saj të preferuara është bakllavaja e famshme, me të cilën e lidhin shumë kujtime, kur ndihmonte të ëmën me hapjen e petave.
Faqen në Instagram e ka hapur para pesë vitesh. fotot e saj të para kanë qenë ëmbëlsira dhe sidomos krostata, ku ka shpalosur fantazinë. Ajo e dallon Elin nga food blogeret e tjera janë detajet. Motoja e saj është: ushqimin duhet të ta hajë syri e pastaj goja. Tashmë, nga ndjekësit e saj, ajo njihet si “mbretëresha e pastiçerisë”. Nuk ka bërë asnjë kurs kuzhine; të gjitha gatimet e saj janë fryt i fantazisë dhe përvojave të vendeve ku ka punuar më parë. ajo ka në plan që së shpejti të bëjë një kurs të përparuar mbi teknika të pastiçerisë.
Elisabeta është natyrë tepër kërkuese dhe mundohet të japë më të mirën në çdo gjë që bën, ashtu si edhe në recetat për revistën “Living” në këtë fundvit. Dëshiron të ketë një pastiçeri të vetën dhe shpreson që këtë ëndërr ta bëjë realitet sa më shpejt.

Brauni me ananas

Përbërësit:
4 vezë, 270 gr sheqer integral
200 gr çokollatë e zezë
150 gr gjalp
150 miell 00
70 gr kakao
1 majë luge çaji me sodë buke
1 majë luge çaji me kripë
Ananas të freskët

Vendosni në zjarr një tenxhere me ujë dhe sipër një enë apo një tenxhere më të vogël për të shkrirë të gjithë përbërësit.
Së pari vendosni gjalpin të shkrijë, me pas sheqerin.
Bashkoni miellin, kakaon, sodën e bukës dhe kripën.
Ndërkohë, shtoni vezët një nga një, duke i përzier mirë me një rrahëse dore.
Dhe në fund, duhet të prisni çokollatën për ta shtuar me përbërësit e tjerë.
Kur çokollata të jetë shkrirë, vendoseni masën në një tepsi me përmasa 26×38.
E dekoroni sipër me feta ananasi dhe e keni gati për pjekje. E vendosni në furrën e parangrohur në 180° për 20/25 min.

Kek i aromatizuarme kafe

Përbërësit:
300 gr miell 00
220 gr sheqer
3 vezë, 120 ml vaj
16 gr fryrës ëmbëlsirash
200 ml kafe ekspres ose kafe turke të kulluar

Për përgatitjen e shurupit:
200 gr sheqer pluhur
40 ml kafe ekspres të ngrohtë.

Në një enë të madhe, me ndihmën e një mikseri elektrik, rrihni për disa minuta vezët me sheqerin derisa të dyfishohet masa.
Bashkoni vajin dhe me pas kafen e ftohtë të përgatitur më parë.
Në mikser vendosni miellin me fryrësin e ëmbëlsirave të situr më parë dhe përzieni mirë të gjithë përbërësit.
Shtojeni masën e përgatitur në një tepsi të lyer me gjalp dhe spërkatur me miell.
Piqeni kekun në furrën e parangrohur për 40 min në 175°.
Sapo të jetë ftohur keku mund ti hidhni shurupin e përgatitur me sheqer pluhur dhe qumësht.