Fisi Capa, një histori dashurie dhe mbijetese


FISI CAPA NE MAQELLARE.
Ardhja e fisit Capa në zonën e Maqëllarës duhet të ketë ndodhur diku 150 vjet përpara. Nuk mendohet që hasmëria të ketë qenë shkaku i kësaj zhvendosje. Më shumë se sa kjo, shkaku duhet kërkuar tek toka e begatë e kësaj treve, sasia e madhe në sipërfaqe dhe të qënurit afër Dibrës së Madhe, një qytetërim shumë i zhvilluar i kohës. Një nga përfaqësuesit më të moshuar të këtij fisi, Mexhit Capa, banon në fshatin Kurtbeg. Ai tregon se stërgjyshi i tij pati zbritur nga Selishta, duke qenë se kishte marrë të shoqen tek fisi Keshi në Majtarë. Djali i tij, Beqiri u rrit në Majtarë, pranë trojeve të dajave të tij. Nga martesa e tij erdhën në jetë katër fëmijë, dy vajza dhe dy djem, Ymeri dhe Mehmeti, që është dhe babai i Mexhitit.
Në kujtimet e tij, Mexhiti e përshkruan xhaxhain e tij, Ymerin si një njeri të ditur e trim. Ka qenë diku viti 1917 dhe luftohej kundër serbit, që për të disatën herë shkelte trojet shqiptare dhe Dibrën në veçanti. Xhaxhai i tij me disa burra të tjerë, nën komandën e Halit Lleshit, ishin vendosur në një kullë në një fshat të Zerqanit. Forcat serbe rrethuan kullën dhe bënë thirrje për tu dorëzuar. Ymeri me disa shokë të tij çanë rrethimin nga ana e pasme dhe u larguan në pyllin që ndodhej ngjitur me shtëpinë. Kur shkoi te Halit Lleshi, komandanti i tij e vlerësoi dhe përgëzoi për trimërinë e treguar. Ymeri nuk jetoi gjatë. Ai u martua, lindi një vajzë dhe ndërroi jetë shpejt.
Dhe babai i tij Mehmeti, ishte njeri punëtor, bujar dhe trim. Pati tre djem, Dilaverin, Beqirin dhe Mexhitin. Si njeri nacionalist dhe i papërkulur, nuk u bashkua me lëvizjen dhe forcat komuniste dhe kjo nuk u pa me sy të mirë nga qeveritarët e rinj. Shumë shpejt do të fillonte hakmarrja mbi të, familjen e tij dhe mbi shumë të tjerë në zonë, që kishin mbajtur të njejtin qëndrim.
Ishte viti 1946. Komandanti famëkeq Mehdi Bilbili, ishte hedhur në aksion për të gjunjëzuar dhe eleminuar “kokat” e Maqëllarës dhe gjithë Dibrës . Në fshatin Bllatë e Sipërme kapën dhe arrestuan Dalip Lazrin, në Majtarë arrestojnë Lam Zeqën, në Allajbegi Haxhi Rushitin, në Grezhdan babain e Gafur Agës, në Kurtbeg Bit Demën, … Kurtullën në Pocest dhe Murat Daten në fshatin Erebarë. Këtë të fundit e pushkatojnë në përrua, akoma pa dalë në xhade, kurse të tjerët i nisin për në burgje dhe hetuesira. Po në këtë natë forcat e sigurimit rrethojnë dhe shtëpinë e Mehmet Capës dhe i bëjnë thirrje të dorëzohet. Armën e kishte. Mund dhe të vriste dy tre syresh, mund të çante dhe rrethimin e të ikte. Jo, nuk do ishte vendimi i duhur. Pas do të linte gjashtë fëmijë dhe dy gra. Do të shpëtonte jetën e tij dhe pas tij një familje, ku nuk do të kishte asnjë të mbijetuar. Makineria shtetërore komuniste nuk do të kursente as gratë dhe fëmijët. Dhe pse u dorëzua Mehmeti, shtëpia e tij i’u nënshtrua një kontrolli të pashembullt, i denjë për filmat horror. Mexhiti, fëmijë 5 – 6 vjeçar aso kohe, kujton pamjet e tmerrshme. Nënëmadhen, kështu quhej gruaja e parë e Mehmetit, e torturuan në mënyrë të pashembullt. Vëllain e madh, Dilaverin, që kishte mbushur vetëm 13 vjeç, e torturuan po aq mizorisht. “Kush ka ardhur te ju, nga njerëz të huaj? Na thoni emrat! Po Sabri begu, a ka qenë këtu te ju? Këto e shumë pyetje të tjera u bëheshin fëmijëve, të tmerruar nga veshjet e tyre, nga armët e tyre, nga zërat e çjerrë. E mbërthenin Dilaverin për fytit të njomë, gati për ta mbytur. U deshën më shumë se dy muaj, pas këtij episodi, që ti shërohej fyti dhe plagët e shkaktuara, prej atyre njerëzve të pashpirt.
Babain, vazhdon tregimin, Mexhit Capa, bashkë me të tjerët, i dërguan në burgun e Peshkopisë. Tortura e tortura të pafund. Të pakuptimta dhe absurde. As ai vetë nuk e dinte përsenë. Nuk kishin kaluar vetëm se dy muaj dhe babai , Mehmet Capa ndërroi jetë. E vranë, e helmuan, apo vdiq në tortura, askush nuk e mësoi të vërtetën. Bile sot e kësaj dite as varri nuk i dihet. Bashkë me dy bashkëvuajtës të tjerë mund të jenë në të njejtin varr, ose në Kamen, ose në Llasen, në hyrje të qytetit.
Nuk kaluan vetëm pak muaj nga këto ngjarje të tmerrshme, kur një tjetër aksion, po aq i lemerishëm, u shfaq në popullatë, aksioni i mbledhjes së armëve. Nuk kishte afate, as mirëkuptim për ti dorëzuar, vetëm urdhër dhe mundësi të arta, për të goditur ndonjë të pabindur. Mexhiti tregon se familja jonë dorëzoi dy pushkë, kurse një nagantë e fshehëm diku, për ta pasur për çdo rast. Qendrën e grumbullimit të armëve e kishin te xhamia e Bllatës së Sipërme. Ne kishim një kushëri të afërt, Osman Capën, babain e Ramiz Capës. Një ditë ai vjen te shtëpia jonë i zbehtë, i lodhur dhe tejet i mërzitur. Nënëmadhja e pyet se çfarë kishte ndodhur. – Më kanë rrahur e dërmuar, oj mixhavajc, – i thotë Osmani. – Shif si më kanë bërë! E ngren pak këmishën e bardhë tek ijet, aty ku dalloheshin të enjtura dhe plagë të mavijosura.- E dorëzova pushkën që kisha, por më kërkojnë një nagant dhe unë nuk kam ku e gjej.
Nënëmadhes i erdhi keq. Shkoi e mori nagantën që kishte fshehur, diku në hatulla dhe i’a dha në dorë. – Merre dhe shko dorëzoje. Kështu bëri Osmani i shkretë. E dorëzoi atë mjet të vogël vrasës, por torturat që i kishin bërë kishin qenë tepër ekstreme. Shkoi të mjekohej disa herë në spitalin e Dibrës së Madhe, por nuk e mori më veten. Në krye të gjashtë muajve ndërroi jetë si pasojë e plagëve që i shkaktuan policët e shtetit.

ARRATISJA
Kohë të vështira erdhën për familjen e Mehmet Capës. Ishin kohë krizash për gjithë vendin, për gjithë njerëzit, një varfëri ekstreme. Mungesa e kryefamiljarit ishte një sfidë shumë serioze për tetë anëtarët, ku pothuaj asnjeri në gjendje për të punuar. Jo vetëm kaq. Gjithë këtyre të këqiave, u shtohej dhe një e keqe akoma më e madhe. Në vend që dikush të na mëshironte e të na mbushte atë boshllëk që linte mungesa e babait, kjo ishte një arsye për të na poshtëruar akoma më shumë. Në një takim të fshatit vjen shefi i policisë, apo kryetari i degës, që do të deklaronte me solemnitet. Ja, dhe këtyre, duke na treguar ne me gisht, do t’jua nxjerrim shpirtin, siç bëmë me babain e tyre.
Pas shumë përpjekjesh, Mexhiti merr një leje pune për të punuar si zjarrmëtar në minierën e Bulqizës, në sektorin ku punonin të burgosurit. E çfarë mund ti bënin më shumë?! Çdo ditë në fronte të reja, në hapësira të rrezikshme, me materiale plasëse nëpër duar. Por dhe atje nuk e lanë. Një ditë, tregon Mexhiti, na thirrën, mua dhe dy kolegë të tjerë. Na kërkuan disa sqarime për biografinë tonë dhe na larguan nga puna. E shihnim që fati i zi po na ndiqte si gjarpër kudo. Nuk mund t’i fshiheshim, nuk mund të iknim gjëkundi. Kur të gjitha shtigjet ishin bllokuar, ndoshta vetëm një kishte mbetur hapur. Sytë e tyre u drejtuan tej kufirit, që nuk ishte vetëm disa qindra metra larg. Ata i dinin rreziqet e kësaj pune. E dinin që mund ti kapnin dhe duke e kaluar atë, e dinin që mund ti kthenin dhe pasi ta kishin kaluar atë. Por ata i besuan ëndrrës së tyre. Ndoshta vuajtjeve e poshtërimeve të vazhdueshme u kishte ardhur fundi?
Ashtu në heshtje bënë përgatitjet e fundit. Do të niseshin dy vëllezërit me familjet e tyre. Dilaveri, më i madhi i tre vëllezërve, nuk ishte përfshirë në këtë plan. Beqiri ishte vëllai i mesëm dhe kishte tre fëmijë, Jenen pesë vjeçare, Metin trevjeçar dhe Zenin vetëm një vjeç. Po sikur njëri nga dy çunat e vegjël të qajë dhe ti diktojnë? Kishin marrë dhe pak pambuk me vete, për të amortizuar sadopak qarjen e fëmijëve të vegjël, nëse kjo do të ndodhte.
Janar i vitit 1969. Dy familjet, bashkë me fëmijët e vegjël u nisën drejt të panjohurës. Mexhiti kujton se ishte borë dhe kufirin e kaluan diku poshtë fshatit të Kllopçishtit. Me vete kishin një armë, thjeshtë për të qetësuar vetët e tyre. Shkuan në Dibër të Madhe dhe u dorëzuan atje i mbajtën 17 ditë atje, derisa bënë verifikimet. Fati i keq i ndoqi sërish. Në atë kohë dy shtetet kishin një marrëveshje për rikthimin e të ikurve dhe kësisoj ata duhet të ktheheshin në Shqipëri. Sikur të mos mjaftonin hallet që kishin, tani do të gjykoheshin dhe për tradhti ndaj atdheut. Kthimin e bënë në Qafë të Thanës. Më pas i dërguan në Pogradec e që aty në Tiranë, ku i mbajtën pesë ditë në burg. Që aty, me autoburg i dërgojnë në birrucat e Peshkopisë, për t’ju nënshtruar hetimit të mëtejshëm. Shumë tragjik ka qenë momenti i ndarjes me fëmijët. Nuk ishte një ndarje sa për të shkuar një shëtitje, por 15 apo 25 vite pa i parë e pa u dëgjuar zërin. Daja i fëmijëve, Selman Rexhepi nga Hoteshi i mori për te shtëpia e tij. Që tani e tutje, ai do të ishte për ta,dajë, prind, edukator, kujdestar e çdo gjë tjetër, për tu zbutur sadopak dhimbjen e pikëllimin.
Gjashtë muaj ndenjën në birucat e Peshkopisë. Katër muaj nga kjo periudhë, pa dalë në gjyq. Të gjitha llojet e torturave u aplikuan në trupat e tyre. Lloj lloj spiuni u futën në qelitë e tyre. Ishte një ferr i vërtetë, që nuk dinin se kur do të përfundonte. Dhe ja tek erdhi dita e gjyqit. E zhvilluan te Kinemaja e qytetit. Vunë dhe altoporlantë, që të dëgjonin dhe qytetarët se si u jepej dënimi i merituar “ kriminelëve dhe tradhëtarëve” të vendit. Prokurori pyeste Mexhitin: Përse ike në Jugosllavi? Ti ishe me punë në Bulqizë! Mexhiti j’u përgjigj se ishin shtatë veta e nuk mund të jetonin me një kile bukë misri në ditë.
Gjyqi vazhdoi dy ditë rresht. Në seancën tjetër e hoqën altoporlantin. Kishin ardhur dhe civilë për të dëshmuar kundër nesh e që kërkonin dënimin tonë maksimal. Mexhiti kujton dhe shumë syresh, gjykimin e të cilëve ja ka lënë Zotit për kompetencë. Prokurori dha pretencën. Dy burrat të dënohen me pushkatim, kurse gratë me dhjetë e pesëmbëdhjetë vite burgim. Çfarë keni për të thënë si fjalë të fundit? Ngrihet Mexhiti e i thotë trupit gjykues, le të pushkatohej ai dhe të shpëtonte vëllai, se kishte tre fëmijë të vegjël. Sapo mbaroi ai fjalën, u ngrit i vëllai, Beqiri e thotë se ai është fajtori më i madh, se ai i kishte mbushur mendjen vëllait të vogël. Ashtu po “ziheshin “ dy vëllezërit, ku secili e kërkonte vdekjen për vete e jetën për vëllain e tij. Trupi gjykues u tmerrua nga ajo skenë e jashtëzakonshme e dashurisë së vëllait për vëllain e tij.
Pasdite u dha vendimi përfundimtar. Beqir Capa dënohej me pushkatim, Mexhiti me 25 vjet heqje lirie, e shoqja e Mexhitit me 15 vite, kurse kunata e tij me dhjetë vite, pasi ishte nëna e tre fëmijëve të vegjël. Pas apelimit në Gjykatën e Lartë, vendimi u la në fuqi, kurse një muaj më pas, Presidiumi e ktheu në 25 vjet dënimin me vdekje të Beqirit.

DEGEZIMI I RESHANIT
Një degë tjetër e këtij fisi të shquar u rrit dhe u zhvillua në Reshan, një lagje e vogël e fshatit të Bllatës së Poshtme. Si fillesë e tij përmendet Miftar Capa i vjetër, që nuk e pati jetën e gjatë. Një sëmundje e rëndë e ndau nga kjo botë në një moshë të re, duke lënë pas vetëm një djalë, Hasanin shtatë vjeç. Vetëm një vit më vonë një goditje tjetër e shokon djalin e vogël. Ndërron jetë dhe nëna e tij, duke e lënë dyfish jetim. Tofik Xharri nga Pesjaka, daja i jetimit, do të bëhej tani e tutje për të, nënë e baba, mësues dhe edukator. U rrit e u martua në Pesjakë tek dajat e më pas kërkoi të shkojë në vendlindje.
Në pamundësi për të bërë, apo për të blerë një shtëpi, ndenji disa vite në Bllatë të Sipërme, tek miq të familjes, tek Hamdi Dida, Hysen Arapi e së fundmi tek Lut Troca. Ndërkohë, disa familje të fisit Daci në Reshan, u larguan për në Turqi dhe në njërën prej tyre u fut Hasan Capa, me familjen e tij të re. Ai kishte njerëz të afërt tek fisi Sohodolli, në Kojnarë të Dibrës së Madhe, ndaj Sigurimi i shtetit e survejonte, se mos Hasani ndonjë ditë do të kalonte në anën tjetër të kufirit. Në fakt, nuk ndodhi ashtu. Hasani ju përvesh punës dhe bashkë me të shoqen, rritën gjashtë fëmijë, katër djem e dy vajza.
Vështirësitë ekonomike nuk u dhanë mundësi fëmijëve të Hasanit të shkollohen sa duhet dhe sikur dashuria për librin të ishte e madhe. Ata punuan fort, në sektorë të ndryshëm, me bujqësi e blektori, me minierë e me tregëti dhe falë Zotit, arritën të krijojnë familjet e tyre, të ndërtojnë shtëpi të bukura e të fitojnë respektin e komunitetit ku banojnë.
Miftari është më i madhi i tyre dhe i vetmi që ka mbetur në Reshan, atje ku u lindën dhe u rritën gjithë fëmijët. Shtatë fëmijë lindën dhe rritën, bashkë me Naimen dhe secili prej tyre sot ka krijuar familjen e tij. Djali i dytë Xhelali ka tre tre djem e një vajzë. Ka ngritur një vilë të bukur në Maqëllarë dhe po aty një market shumice, ku punon, bashkë me familjen e tij. Zeneli, i treti nga djemtë, ka vetëm një djalë, Benardin. Pas mbarimit të shkollës së mesme, ai studjoi në Universitetin e Tetovës për biznes. Bashkë me babain e tij kanë ngritur një biznes mjaft të suksesshëm, për prodhimin e jufkave. Zeneli dhe vëllai më i vogël, Hajriu kanë dy vila të bukura në rrugën që të çon për te dogana e Bllatës.
Të duket vërtet interesante puna e Krijuesit të Gjithësisë. Shumë e shumë vite më parë Hasan Capa ishte një jetim shtatë vjeçar, pa të dy prindërit, kurse tani, vetëm nga brezi i parë i fëmijëve kemi të paktën njëzetë veta.
Kështu, me punë, me përpjekje, me dinjitet dhe me besimin tek Zoti, kjo degë e fuqishme e fisit të nderuar Capa, po rrit gjithnjë e më tepër vlerat e saj.

FISI CAPA NE MAJTARE
I pari i fisit Capa, që zbriti nga Selishta, për në zonën e Maqëllarës, ishte Dan Capa. Ai kishte dy djem, Dalipin dhe Sherifin. Fillimisht, nuk u vendosën në Majtarë, ku banojnë dhe sot e kësaj dite. Vendqëndrimi i parë ishte fshati Reshan, që në atë kohë ishte çiflik i Dacit. Aty qëndruan plot 40 vjet si bujq, tek shtëpia e Dacit. Dan Capa dhe dy djemtë ishin punëtorë të mëdhenj dhe në shumë pak kohë e mëkëmbën ekonominë familjare. Duke parë përparimin e tyre, Lleshi e këshillon Dacin t’i largojë nga çifliku, pasi do ta zënë vendin.
Vërtetë pas një kohe të gjatë të qëndrimit atje, të ardhurit blenë një troje në fshatin Majtarë dhe aty do të qëndronin, punonin e krijonin familjet. Në trojen e posablerë, ndërtuan një kullë trekatshe, aty në të hyrë të shekullit të kaluar. Por në një nga bombardimet serbe, kulla u godit me top dhe njëri kat i saj u rrëzua, duke mbetur me dy katet e tjerë. Veç trojes, ata blenë dhe katër hektarë tokë, matanë përroit, pronë e Riza Camit. Dalipi la dy djem, Shaqirin dhe Nazifin, kurse djali tjetër Sherifi la Mersimin. Shaqiri pati tre djem, Laimin, Tofikun dhe Latifin. Në korrik të vitit 1950, Shaqirin e vranë në Gjoricë forcat e shtetit dhe më pas u deklarua se kjo gjë kishte ndodhur gabimisht. Por kjo nuk kaloi ashtu pa pasoja. Laimi qëishte oficer në atë kohë, u largua nga shërbimi dhe u hoq nga partia. Po kështu dhe djali tjetër, Tofiku u përjashtua nga partia. Telashe jo të vogla pati dhe për vëllain e Shaqirit, Nazif Capën. Atë e internuan për disa kohë në Tepelenë e më pas në Tiranë.
Pas këtyre trazirave, jeta e familjeve të fisit Capa rrodhi më e qetë. U shtuan fëmijët, u ndërtuan shtëpi të reja dhe fisi shtohej nga viti në vit. Nazifi u kthye shpejt nga internimi. Ai jetoi më se 90 vjet dhe la një djalë, Dalipin. Ky pati nëntë fëmijë, gjashtë djem dhe tre vajza. Zoti e jep rriskun e njeriut. Të gjithë fëmijët e Dalipit janë punëtorë e njerëz seriozë. Gjashtë djemtë e tij, Tushi, Bektashi, Bexheti, Tasimi, Vaiti dhe Besimikanë ndërtuar vila të bukura në Majtarë dhe në rrugën e Doganës. Ata kanë krijuar një kompani ndërtimi të tyren dhe punojnë në Itali, Francë a diku tjetër, duke dhënë një shembull të shkëlqyer se si fitohet pasuria me mund, djersë e punë të ndershme.
Shumë u shtua dhe degëzimi tjetër, familja e Mersimit. Ai pati katër djem Sherifin, Haxhiun, Rakipin dhe Danin. Secila prej këtyre familjeve u shtuan me djem e vajza . Vetëm djem janë katërmbëdhjetë, që punojnë e jetojnë në Shqipëri, Greqi, Itali, apo në vende të tjera të Europës.
Tre degët e fisit Capa në Maqëllarë jetojnë e punojnë në paqe me Krijuesin e Botës, në paqe me komunitetin dhe me njerëzit që i rrethojnë. E kanë prezantuar veten si njerëz të punës, të paqes, të besës dhe të trimërisë. Ata kanë treguar vlerat e bukura të malësorëve trima, ardhur nga Selishta, bile duke i ngritur këto vlera në nivele akoma më të larta, duke merituar vlerësimet tona maksimale.