Për misionin e Enver Kaloshit, arketipin Llan Kaloshi dhe Irfanin – një Kalosh


Enver Mehmet Kaloshi ka marrë përsipër një mision: Atë risk që për shkaqe politike fati i rëndë i rezervoi jetës së tij dhe gjithë sojit të tij gjatë komunizmit deri në krijimin e “Sagës së Kaloshëve”, siç e artikuloi me të drejtë shtypi pluralist, po e fikson në libra të dobishëm me vlerë që i kalojnë caqet e interesave personale, të familjes apo fisit. Tregimet verbale dhe ankesat për të kaluarën para njerëzve të lodhur deri në kapitje, ndonjëherë të venë dhe në pozitën e qaramanit, tregime që shpesh i merr era. Verba volant, scripta manent (fjalët fluturojnë = i merr era, të shkruarat mbeten), thotë latini. Me dije apo pa vetëdije, mbase edhe Enveri nuk don të përjetojë thënien e La Fontenit: – Vdiset dy herë, shkruan ai, vdekja e dytë është të jesh i harruar. Enveri assesí nuk don të mbetet i harruar. Lidhur me vlerën e të shkruarit, me këtë “hall njerëzor” dijetari islam Hasan Basri thotë: “Boja e shkrimit e dijetarëve krahasohet me gjakun e shehitëve (dëshmorëve), boja e dijetarëve vjen më e rëndë”. Kjo e bën të shkruarin mesazh hyjnor. Për këtë edhe Enveri është i fiksuar, i vendosur.
Të shkruarit bën që vuajtja dhe pësimi të shpërndahet e pjesëtohet në më shumë njerëz, si solucioni (i idhtë) në ujë. Kjo e lehtëson shpirtin e njeriut të vuajtur e të munduar. Ia lehtëson atij edhe të kaluarën dhe bën që ajo të mos i qëndrojë si gjyle e rëndë hekuri që duhet ta heqë zvarrë e në vetmi deri sa të vdesë. Kur shoqëria merr pjesë në një fatkeqësi njerëzore që kaplon një familje, një bashkësi, një krahinë apo mbarë kombin, atëherë misioni bëhet shoqëror, kombëtar. Kur dhemb një gjymtyrë, dhemb gjithë trupi. Vetëm atëherë mund të quhesh vërtet shoqëri njerëzore në kuptimin e plotë të fjalës. Vetëm atëherë mund të quhesh nacion, komb. Kështu i shërben më mirë dhe së ardhmes. Përndryshe shkon gjakhumbur, si individ, si shoqëri, si komb. Alem kalem, t’i drejtohemi Burimit të Parë që vjen nga qielli: “Nun. Betohem për penën dhe për atë që shkruajnë” (Kur’an, El-Kalem (Pena) – S: 68:1).
Duke ruajtur “pronësinë” e kapitalit, në këtë mision Enveri kërkon për ndihmë edhe shokë e miq. Në njëfarë kuptimi kërkon t’i shmanget subjektivizmit të mundshëm, kërkon konsensus, ndan përgjegjësinë. Kjo tregon urtësi e vetpërmbajtje. Më nderoi edhe mua duke më marrë si “argat” e duke më përzgjedhur si mik të vjetër të shkruaj diçka për “Kaloshët”, trungun fisnor, familjen e tij apo diçka më specifike. E quajta dhe e quaj përgjegjësi të madhe, sepse kjo lidhet me shkallën e njohjes dhe artin e të shkruarit, gjë që nuk ia njoh vetes. Dhe, kur nuk thua gjë, rrezikon t’i hysh në hak mikut dhe hyn në gjynah edhe me lexuesin. E ata janë “Kaloshë”. Nuk (m)bân puna.

Arketipi Llan Kaloshi – lavdia hyjnore dhe gjama një populli

Kaloshët janë një emër i madh. Kjo është sfida e parë kur merr të shkruash për ta. Unë nuk marr përsipër të bëj apologjinë apo historinë e madhe të lidhjes së Kaloshëve me Kastriotët, siç bën Fehmi Kaloshi me “Epopeja e Kastriotëve”, një libër me mbi 500 faqe, sepse ajo kërkon specializim të veçantë dhe një jetë e tërë nuk do të mjaftonte. Mbase ajo do të ishte historia e vërtetë e Shqipërisë dhe “Kaloshët” do të ishin në epiqendër të historisë kombëtare. Por edhe duke e anashkaluar me vetëdije atë tezë, ata, Kaloshët, qenë përsëri në qendër të kësaj historie. Në kohët e reja ata kanë vend dinjitoz në historinë e Shqipërisë. Historiografia shqiptare i ka anashkaluar deri në mohim për rolin që kanë luajtur e vendin që kanë ata dhe gjithë kategoria e tyre shoqërore në historinë e Shqipërisë. Kaloshët kanë histori tipike të racës shqiptare, tamam Histori Shqiptare, genuine (e vërtetë, e njimendtë, e sinqertë).
Kaloshët janë “racë” vitale, energjike, luftarake, palcë shqiptare. Ato pak gjëra që dua të them nisin me Kaloshët e Sinës, nënkrahina e Çidhnës (një ndër “Nantë Malet” e Dibrës), në Dibër të Poshtme. Në kushtet e zgjerimit të marrëdhënieve të tregut gjatë shekullit XIX një pjesë e Kaloshëve të Sinës u vendos në anën e tej Drinit, në Kandër e afër Kastriotit (Fajer = Fier), por brenda njësisë, Malit të Çidhnës, duke i ruajtur lidhjet me ata të përtej Drinit, të Sinës. Ashtu si më parë, ata përsëri mbetën një, “një fis e një farë”, Kaloshë, në sifat (cilësi, sjellje, virtyt) e nasihat (mësim).
Ndër Kaloshët, Llan Kaloshi përbën ndoshta prototipin e fatit dhe fatësisë së shqiptarit mbase qysh nga Pellazgët Hyjnorë e Ilirët e deri tek Arbërit e së fundmi, Shqiptarët. Si një fill e përshkon i njëjti fat këtë popull, “pa kundërshtim ma i moçmi i gjithë Evropës, ma i vjetër se grekët e se të gjithë të tjerët kombe që njihen prej historijet”, që “ka qenë gjithmonë një komb fund e krye luftëtar” siç shkruan Pashko Vasa në “Shqypnia dhe shqyptarët”. Llan Kaloshi është “arketipi” i genit të shqiptarit.
Për energjinë dhe forcën që tregonte, Turqia i dha Kaloshit edhe një gradë, “çaush” (rreshter), me ruejt kufinin nga bjeshkët e Hinoskës deri në Gramë. Kjo i dha dorë me u forcue dhe me u zgjerue nga ana ekonomike. Ndër Kaloshët, më tipiku dhe më epiku është Llani, Asllan Kaloshi. Ka qenë edhe më jetëgjati, më dramatiku e më heroiku, deri në kufijtë e legjendës. Jeta e tij, si në ciklin e kreshnikëve. Në historinë e jetës së tij duket se është mishëruar e koncentruar gjithë heroizmi dhe epizmi, mallkimi dhe drama e Kaloshëve në veçanti dhe e dibranit e shqiptarëve në përgjithësi.
Llan Kaloshi ishte kundërshtar i Turqisë. Po kështu edhe miqësia e tij. U dënua me 101 vjet në burgun e Manastirit. Atje e kishin vu në nji qoshe, sikur të kishte qenë nji krye vendi, me rroba të bardha, nji brez i ngushtë për mesi, çibukun e gjatë me dru abanozi e qelibar e mbante ndezun dhe kur i ndalej kishte të rinj që i jepshin zjarrm me dorë në zemër, shkruan Xhelal Ndreu në librin e tij “S’ka qetësi në Lisivalle”. Pastaj lirimi i tij nga të birt në stilin e çlirimit të detyruar të pengjeve, nga vetë Sulltani, një histori ku rreziku dhe heroizmi përzihen me aspektin komik.
Ndër të paktët, në mos i vetmi nga Malësia e Dibrës që kishte shkuar në Qabe dhe ishte ba “haxhi”, ndaj u quajt Haxhi Llani, me ç’rast në shtëpinë e Kaloshit u kurdis bukë e madhe në të cilën u shtrua i gjithë ‘Dheu’. Në një kohë zie buke, sofrat e Kaloshit s’mejshin tue u shtrue në shtëpi, oborr e livadhe jashtë. U njoh fort si bukëdhanë, madje edhe në kohë zie. Buka e dhanme në kohë zie asht nji bujari e teprueme. Në Çidhën e në Dibër shtëpia e Kaloshit ua kaloi dhe oxhaqeve të para, ia kaloi dhe Hetem Tajis së Persisë që përmend Sheh Sadiu në Gjylistan, shkruan Xh. Ndreu. -Shifshe, – vazhdon më tej ai, – gra e fëmijë familjarisht, të kapur dorë për dore tue ardhë si me drojtje, me sy të përhumbun e të përlotun, tue u ulë në sofrat e shtrueme jashtë n’oborre e livadhe, pa i thanë kujt “mirë se u gjeta” e pa u thanë kush “mirë se erdhe”. Ha e ngopu dhe merr dhe copa buke në dorë e shko; as faleminderit, as s’ka përse, s’dihej as kush e dha atë bukë, as kush e hangër, si në përrallat e vjetra, kur njerëzit hajshin sendet e blatueme nga qielli. Me të vërtetë, sofra e Kaloshit mbeti teprinë ç’mban Dibër. Kanga e popullit se “Karahasanit s’i del kush, as me sofër as me pushkë”, tashti i përshtatej ma shumë Kaloshit. Kamba e udhëtarit, pazarliut dhe e mikut prapë ndalej në Fajer te kullat e Llan Kaloshit. ”Sofra e Kaloshit, rana e Gjelagjoshit” (Xh. Ndreu, “S’ka qetësi në Lisivalle”, Korabi, Shtypshkronja “Ergei”, Tiranë 1996, f. 88).
Por, për Shqipërinë erdhën kohë edhe më të vështira, më të vështirat në historinë e saj mbi 2500-vjeçare. Shqiptarët kishin marrë pjesë në luftrat e përbashkëta me Perandorinë kundër armiqve të saj dhe të Shqipërisë. Tatëpjeta në të cilën Perëndimi e kishte hedhur Perandorinë Osmane, mori me vete edhe Shqipërinë. Luftrat e tyre po bëheshin gjithmonë e më të pafat. Në fyell e në çifteli u këndon dibrani kangën si elegji të asqerëve të mbretit, që i mbyti peksimeti i thatë, e tue u lutë me gjithë zemër “hej zot sjellna nji devër tjetër”. Shqiptarët deshën t’i ikin këtij fati, deshën ‘devrin’ e tyre, prandaj u ngritën në luftë për autonominë e vet, por për ta ishin bërë plane dhe prita ogurëzeza. Kësaj radhe puna e tyre kishte shkuar në zgrip, në teh të greminës. Kishte 150 vjet që shqiptarëve u shkonin punët vetëm teposhtë.
Asllan Kaloshi ishte edhe në moshë të tejshtyrë, edhe ‘haxhi’, dhe si i tillë kishte kohë që pushkën e kishte varë në kunj për të mos e kapur më. Por Atdheu ishte në rrezik. Llan Kaloshi mori vendim: rruajti mjekrën e ‘haxhiut’ se iu desht me kapë edhe nji herë pushkën, kur u thirr me mbledhë forca për të luftue me Karadakun – dhe në këtë luftë me Mal të Zi qëndroi si burrë me taborin dibran në llogoret e Taraboshit për tetë muaj rresht pa dalë prej istikamit, natë e ditë me pushkë për faqe pa e lëshue taben. Me bukë e pa bukë, me ujë e pa ujë, me tirqet e përllangët deri në gju, fshinë fytyrën nga djersët e filxhanin e kafesë me peshqir të nximë tetë muaj pa la. Edhe nga Taraboshi u kthye fitimtar dhe e bani detyrën e vet. Kështu e përshkruan nipi i Elez Isufit dhe i Kaloshëve, Xhelal Ndreu (f. 84). Ku krisi pushka për luftë dhe Kaloshët të mos ishin të tabe të parë: Që nga “Kriza Lindore” dhe Lidhja e Prizrenit e deri te Lufta e Dytë dhe e ashtuquajtura Luftë “Nacionalçlirimtare”. LDB dhe Lufta Civile i gllabëroi Kaloshët në syrin e ciklonit nga doli kënga vajtimtare e quajtur “Saga e Kaloshëve” me 23 të vrarë.
Por Kaloshët, ashtu si të gjithë shqiptarët kishin edhe një sindrom, të rëndë, shumë të rëndë: E kanë mbajtur “pushkën në gropë të zjarrmit”. Edhe për këtë personazhi ynë, që është person real, historik, Llan Kaloshi është më fatziu, arketipi, tipiku në “ambientin” tipik. Djemtë e tij, Hasani, Manja, Mahmuti dhe Sula ishin nipërit e Murres në Luzni (Selane). Lije Murrja, si Lije Murrja me za, burrneshë e meçme, e pritshme, bijë Murresh, e shoqja e Llan Kaloshit lindi katër djem si dragoj dhe pesë vajza. Nga pushka i shkuan të katër, nga “pushka në gropë të hinit”. Së pari Sula, djali i katërt i tij, i hollë e i gjatë si Ndue Lleshi i Mirditës, aq i pashëm, si yll drite, që u vra pahir (padashje) kur i patën dalë në pritë nji hasmi nga Luznija te Ura e Lushës n’Arras, shkruan autori i lartpërmendur (Xh. N.). Nuk ka mbetur pa arsye ajo fjala kobndjellëse për pushkën, se ajo virane “sa ka grykën ka nafakën”.
Kaloshit të Epërm dhe Kaloshit të Poshtëm, vllazën të nji zjarrmi e hiç ma pak, u hyni tenja, hynë në luftë e ranë në gjak me njëri-tjetrin. Një ditë, të tre të birt e Llanit gucnin me fjalë Halilin, për do hesape të vjetra, për të dalë e për t’u vrarë me të si burrat. Por ai u punoi një reng, la nji dajën e vet të flasë me ta dhe vetë doli përmbas shtëpish e u shkoi me nja tre vetë me armë ndër duer drejt e mbas shpine, nji thumbi e i lanë që të tre të vramë, tue u përpëlitë n’agoninë e vdekjes e tue shti duert në zorrët e mushkënitë e njeni tjetrit, që u kishin dalë jashtë dhe iu vinte era barut e gjak, derisa të tre vdiqën e mbaruen.
I ktheu kushrini për së mbari, u mbylli gojët e sytë…dhe shkoi e u mbyll në kullë. Ky qe kulmi i gjaksisë së Kaloshëve. Llan Kaloshi mbet në jetima, dy djemtë e të birve, njeni shtatë e tjetri tre vjeç dhe nji djalë i veti, sugjar me Bojkën, nji vjet e gjysmë. Haxhiu s’e kapte ma pushkën, u bani mortën të birve dhe me durim n’atë kryevendi priste miq e dashamirë, sehirxhi e hasëm, që vijshin për kryeshëndoshë (f. 85, 86).
Në raste të tilla vakijatesh bëheshin edhe bilance. Tue pi kafe e duhan, njerëzit në mortë i numruen sa të vramë e të plagosun kishin të dy palët, doemos nga gjaku e nga ndihmëtarët miq e nipní – i nxjerrshin deri njëqind e dymbëdhjetë. Edhe lufta midis shtetesh nuk korr aq shumë në një betejë. Vdekjen as’e kam pasë dhe as e kam për pesë (si asgjë) thoshte Haxhi Llani. Shqiptari në përgjithësi udhëtonte me qefin për brezi. Në odat e burrave, në mexheliset, vrasjet nuk kalonin pa gjykim. Kaloshit të poshtëm i eci pushka, por hije s’i pat, vrasje si me pabesi. Kësaj i thonë edhe pushkë e pagjetme siç ka edhe pushkë për të cilat thonë “i lumtë pushka”. Ndër të gjitha gjakësitë, odat e burrave nxirrnin ma të këqijat ato në vllazni e ato në pabesi. “Ta mbash pushkën në gropë të zjarrmit, asht teposhtë” (Xh. Ndreu, f. 55, 86, 90). Asht vu re edhe, se dibrani nuk asht vra kurrë ballë për ballë, por gjithnjë me pusi e prita. Ndërsa në Dibër thonë se vetëm shkodrani vritet ballë për ballë, sy për sy e gisht për gisht, burrash.
Tash që mbetën në mashkulli të mitur, disa nga kufitarët me tokë e me ara, filluen t’i prishin megjet, t’i zaptojnë ara e livadhe, i shtijshin gjanë e gjallë në meja e në arat e mbjella për të damtue, si në mall pa zot. Do nipa e stërnipa të tij ia prunë ma ngushtë. Të tjerë morën guxim dhe filluan t’i përzënë gjënë e gjallë të Llan Kaloshit, bile i përzunë dhe qetë në arë duke lëruar dhe zunë pendët e veta, kush në krye e kush në fund. Si Kont Ugolini që shkoi tre herë tek shpatat e të birve, ashtu dhe Llan Kaloshi u ngrit e shkoi te armët e të birve, vjerrë me gryka poshtë, zymtë-zymtë u kthye e u ul në vend të vet. Ndezi nji çibuk, u ngrit, mbathi këpucët dhe muer udhën për kah shtëpia e Halilit. Kur u afrua te porta e avllisë, gratë e shtëpisë e njohën, shkuen e i thanë Halilit të mshefet se po vjen babgjyshi e të mos i dalë para, as mos ta presë në dhomë.
U ul babgjyshi në krye të vendit pa folë e pa u përshëndet me asnji, tundi çibukun për votre tue bërtitë nji të madhe: “ku asht?” disa herë. Shkuen e i thanë Halilit të vinte se e kërkonte. Emën nuk i zu. E mbërrini Halili, me droje, kryevjerrë, u ul në fund të dhomës, kacipup pa ba za, pa i dalë ndër sy. Haxhi Llani i ra votrës me çibuk dy tri herë e me nji za të ngjirët e të mekun i përsëriti dy herë: “Or babgjysh, janë tûe më qitë” (nënvizimi B. Xh.) dhe bani në të ngrejtme, pa ndrrue ma asnji fjalë e shkoi pranë gjaksit, nipit dhe duel.
Llani nuk dinte shkrim e këndim. Nuk dinte dhe s’kish si të dinte për Homerin dhe Iliadën, por veprimi dhe fjala e tij ishte më homerike se edhe tek vetë Homeri. Shpejt, me “gjykim të shkurtuar” (po të flasim me gjuhën dhe praktikat e sotme juridike), por providencial, aty për aty mendoi dhe e zgjidhi: shkoi tek hasëm-vëllau a vëllau-hasëm; kurrkund tjetër dhe e “urdhëroi”. Edhe ai shpejt e kuptoi dhe iu përgjigj duke iu betuar, me fjalë dhe veprime saktësisht providenciale.
Te pragu i derës, zani i të nipit u ndigjue i kthjellët e kumbues që ta ndigjonte mirë: “Or babgjysh, shko pa merak, se, si të jetë Halili gjallë, ke me pa se ç’kam me bâ”. Nuk vonoi shumë, si shkoi Haxhi Llani te shpia e vet, Halili me disa njerëz të vet ua vu pushkën atyne që kishin hy në tokat e Llan Kaloshit, i zgjidhën qetë dhe sa mund hikshin për nga shtëpitë e veta, tue i lanë parmendat në ara. Kjo qe e papritme për miq e armiq, me Kaloshin s’qenka punë, Kaloshi asht Kalosh e s’e jep të vetin për të huejin. Sidoqë t’i kenë punët midis tyne, nuk e lanë ta shkelë i hueji, se gjaku s’bahet ujë. (f. 87, nënvizimi B. Xh.)

* * *
Or babgjysh që ke një shekull nën dhé! Or shqiptarë që keni mbetë mbi dhé, që jeni në këtë tokë “këtu e 40 shekuj më parë, përmendur në këngët e Homerit”, siç shkruan Pashko Vasa! “Janë tue na qitë”. Ka mbi 200 vjet që armiqtë nuk na e (n)dâjnë pushkën që të na “qesin fare”. E na e mbajmë pushkën në gropë të hinit, kundër njeni- tjetrit. Bjer njeni e bjer tjetri, njeni-tjetrit e tjetri njenit; sa mundet e si të mundet. Shqiptari me shqiptarin, shqiptari kundër shqiptarit, pa dâ e pa prâ, pa ndryshim kahje. Na i paskan ditë mirë huqet, na paskan njohtë mirë se për natyrë jemi edhe ujë i shtruem, shpirt i pastër, transparentë e xham kristali. Ja tregojmë ândrrën tjetrit ashtu siç e shohim.
Duke i ditur këto “cene” të shqiptarëve, nuk qe e vështirë që për Shqipërinë të bëhej gati një projekt politik perfid (djallëzor): Gjatë Luftës së Dytë Botërore vrasjen ndër vedi na e futën në sistem, e “konstituuan”, e bënë dhe na e bënë “zakon politik”.
Së pari krijuan “INSTRUMENTIN”, veglën, PKSH-në, natyrisht, pasi hoqën Mbretin dhe: … “LUFTË CIVILE”, në daç quaje Revolucion Popullor, Revolucion Komunist, Bolshevik, Nacional Demokratik, a, quaje si të duash. Me këtë le të merret doktrina.
Objekti ishte dhe është një: shqiptari të vrasë shqiptarin; Shqiptarët të vrasin veten me dorë të vet; Që ata të mos kenë edhe se kujt t’ia kërkojnë gjakun (sipas Kanunit). Kombi Shqiptar të vetëvritet. Shqiptari e ka qafën të shkurtër dhe gjakun të nxehtë. Atyre shpejt i bie gjaku në kokë dhe me lehtësi mund t’i ngresh në pallë. Shqiptari e ban dekën si me le (me vëllanë). Bijtë e nanës kuku për mu, / ju m’sho-shojnë, dynjaja m’ju. Programi mason i “luftës civile” vazhdoi në “socializëm” me “luftë klasash”. Pastaj, ndërroje modelin! Në të ashtuquajturin tranzicion e dhimokrati me “luftë partish” e bandash kriminale. Evropa na zhyti e na mbyti në antagonizëm. Kështu do të vijë edhe “hyrja” në BE. Atëherë Evropa luftën ndërshqiptare do ta bëjë “çështje të brendshme”. Kështu bëhet gjaku ujë e kombi masë homogjene pa identitet. Kjo ndodh vetëm me kombin shqiptar, se me të tjerët, si bie fjala Maqedoninë e maqedonasit i krijojnë, në fillim si “çeshtje” reformash e si popullsi, me miell hua, pastaj si shtet (edhe pse pa emër e pa shugurim) e më së fundmi edhe si “komb”, duke i nxjerrë nga sirtari, si Zeusi Athinanë nga koka. E na rrimë e diftojmë përralla folklori me besë e bujari, përralla dushkut e dokrra hinit. O shqiptari im! “Janë tûe më qitë”.
Shihe si lakohen, gjymtohen e shkurtohen pa mê e pa dâ kufijtë e Shqipërisë. Ka dyqind vjet që vetëm copëtohen e tkurren. S’ka si bahet namë ma e madhe për Shqipërinë. Mo Zo ma keq! Popull i rrezikuar me zhdukje. Para 150 vjetësh ishim sa dyfishi e serbëve, shkruan Ami Bue. Genocid. A e kanë forcën e Llan Kaloshit qeveritarët e Shqipërisë, të Kosovës, të Shqipërisë Lindore dhe shqiptarët kudo që janë për ta ndalë kthimin e gjakut në ujë? Apo janë bâ realistë politikë, kozmopolitë, modernë. Ruejna Zot, e mos na lësho doret!
Irfani – një “Kalosh”

Pas largimit tim (B. Xh.) nga shkolla teknike endé pa filluar mirë viti shkollor, nga gjysma e dytë e shtatorit 1960 i vazhdova mësimet në Pedagogjiken e Peshkopisë si i jashtëm. Në klasën e IIA ku u regjistrova, për mua pothuajse të gjithë ishin të njohur, sepse me shumicën prej tyre kisha qenë në shkollën 7 vjeçare “Demir Gashi”. Vetëm pak prej tyre ishin të panjohur për mua. Midis tyre ishin edhe dy Irfanat: një Sinë e një Kalosh. Këta kishin të përbashkët moshën më të madhe se të tjerët, si ndonja 3-4 vjet. Kishin patur peripeci në vazhdimin e shkollës dhe në Pedagogjike kishin penetruar me “sforcë”. Por kryesorja, ishin me hije në biografi, madje “hije” të rëndë, të “deklasuar”, siç klasifikoheshin në aspektin social-politik. Ky ishte “statusi” social i tyre.
Për një “Sinë” kam shkruar para nja dhjetë vjetësh, për Musa Sinën, një mik fort i dashtun për mua dhe për shumëkend, “Elegji për Musën” (tetor, 2009), një kushëri i Irfanit “tonë”. Sot po merrem me Irfan Kaloshin.
Në klasë Irfani rrinte në tavolinën e fundit nga e majta, në qoshe, sikur të desh të fshihej; Bashkë ne Rexhep Hoxhën nga Muhurri, “homogjenë” politikë. Irfani tjetër, Sina, ishte strehuar diku nga tavolinat e mesit të klasës, përzjerë me masën (proletare!). Në dukje, mbase kërkonte një tjetër “homogjenizim a integrim”. Ky i fundit, edhe kur përziehej në muhabete e shakara me ne më të rinjtë, fliste thjesht, me fjalë plaku e me “llaf vendi” dhe fjalët tona i shihte si të “axhamive” dhe shpesh i përsëriste duke i shoqëruar me një të qeshur ha, ha, e hi, hi. Kaloshi ishte dinjitoz e serioz. Në fillim rrallë kujtoj ta kem parë duke qeshur, por ma vonë iu zbut çehrja. Por jo i errët e i vranët, as i mërzitur. Ishte i hapur dhe mësonte mirë, madje, studionte. Nuk ish i pari në klasë, por ndër më të mirët. Kishte interesa intelektuale. Nuk i jepte vedit, si thonë në Shkodër.
Duke qenë nxënës i jashtëm, jo qytetar i Peshkopisë, me këtë kategori nxënësish unë pata të përbashkët të jem pjesë e “Konvikteve të rrugëve”, siç i quan shkrimtari dhe studiuesi dibran Xhafer Martini në librin “Pedagogjikja & Personalitete”. Por unë prapë se prapë nuk isha në pozitën e tyre. Mua dhe disa prej tyre, që hijen e biografisë e kishin më të lehtë, na lejuan të “akomodoheshim” në një dhomë në bodrumin e konviktit të shkollës, ndërsa të tjerët strehoheshin te “Hani i Seferit” poshtë në Pazar, ku era hynte e dilte në qejf të vet ose nëpër kolibe të sajuara anash rrugëve që “mo Zo ma keq”. Kështu e vazhdonin shkollën dy Irfanat tonë.
Unë në një farë mënyra, padashje bëra “kauzë të përbashkët” me këta, sidomos me Kaloshin. Si djalë me bonsens, me të ishin shokë edhe të tjerët, madje, disa më shumë se unë. Ishte i hijshëm dhe i kanshëm në shoqëri. Rexhepi e kishte të arsyetuar shokërinë me të. Por ai ishte shok i mirë edhe me Ramazanin (Ilnica), që ishte edhe sekretar i rinisë së klasës, me Lavdërimin (Shehu), me Surjain (Stafa). Me këta e lidhte më shumë edhe letërsia, sepse klasa jonë kishte lexues të mirë. Zani dhe Rakip Lasku nga Guri i Bardhë i Matit i përpinin romanet dhe, prirjet e përbashkëta bëjnë edhe “miq…të librit”. Pastaj edhe me të tjerët.
Na lidhte edhe varfëria. Irfani më kërkoi këpucët për një mbrëmje vallëzimi, këpucët me shollë dhe me majë, bërë me porosi, jo fabrike, 1800 lekë, të kuqe. I kisha me lekët nga puna gjatë verës në Rruga-Ura. Sa falenderime mora, sa me të ardhë keq. Ndërsa unë edhe sot ruaj si kujtim një fotografi, dalë te shatërvani, në Parkun “Rinia”, i zbukuruar me trikon prej leshi të Irfanit, të pangjyer, por me një patentë të vogël zinxhiri dhe që më rrinte aq mirë. Në atë moshë të gjitha gjërat na “rrinin bukur e mirë”.
Mua shpejt më bënë vend në konvikt dhe gjatë vitit të tretë ndjehesha gjithmonë e më i sigurt. Më dhanë edhe bursën, të plotë. Ndaj më “kërceu” nji çikë mendja dhe mora pak vrull adoleshentësh. Kështu ka ndodhur gjithmonë. Një ditë të bukur pranvere ia kandisa mëndjen edhe Irfanit për të lënë mësimin e për t’u hedhur në “divertiment” (largim, zbavitje). Fundja njeriu një ditë edhe të sëmuret. Për përgatitjen e herbariumeve, profesori i zoologjisë na kish dhënë detyrë të bëjmë nga një kapse fluturash, një shkop në të cilin ishte fiksuar një rreth teli mbështjellur me grykën e një strajce pëlhure. Me të në dorë, ashtu si ilegalët dolëm fshehurazi nga rruga e spitalit, në Kamén dhe pastaj u lëshuam përpjetë djerrinave e livadheve të Staravecit. Harbuam lart e poshtë në boshllëk, kapëm a s’kapëm ndonjë flutur dhe… filluam kuturisjen me gjithëfarë muhabetesh.
Irfani kishte prirje për letërsinë dhe lexonte edhe libra të verdhë, ndërsa unë më pak, prandaj ai drejtonte muhabetin. Fliste sidomos për poezinë, për autorët e rinj të asaj kohe dhe i recitonte, për Musa Vyshkën, Bilal Xhaferrin e ndonjë tjetër. Më komentonte Fishtën dhe sidomos Mjedën. Vargjet dhe strofat Mjeda sikur i gdhend me teskë (qeser), kishte lexuar diku. Por që shkriheshim që të dy, kur merrnim “Andrrën e jetës”: “Molla t’kputuna nji deget,/ Dy qershija lidh n’nji rrfanë,/ Ku fillojnë kufijt e geget, / Rrijnë dy çika me nji nanë”. Motive fshati, idilizëm. Më thoshte pastaj, se për vjershat gazetat edhe paguanin. Për një varg a për një stofë, gazeta “Drita” a “Zëri i Rinisë” paguante 14 lekë, gjë që ishte tunduese. Kush i dinte këto punë. Dhe aty për aty sajonte një apo dy strofa. Unë tani mund të fitoj 28 lekë dhe bënte një ha, ha, ha. Mesa duket llogariste drekën, që ai e kishte krejt të zbuluar, jo si unë që e kisha grazhdin gati. Kështu bëhesh edhe poet, edhe me pare. Se katër strofa bëjnë aq e kaq lekë dhe ashtu e kaluam kohën me “mësim në natyrë”, me llogje Kavaje e me “korr e mos lidh”.
U vërdallisëm sa mundëm, por koha nuk po shtyhej. U mërzitëm ndaj morëm tatëpjetën për kthim. Duke zbritur rrugës së spitalit, që nga dritaret e korridorit të shkollës dukej si në pëllëmbë të dorës, na kishte vënë re profesor Ismaili. Si profesor kujdestar ai përgjigjej edhe për disiplinën e klasës. Me të shpejtë na zuri pritë aty ku dhe do të shkonim, tek porta e hyrjes nga konviktit i vajzave, vend i sigurt nga mendonim të kalonim për t’u strehuar poshtë tek komodinat derisa të mbaronte mësimi. Sapo hodhëm hapin e parë tek pragu i derës befas u shfaq profesori, bëri me dorë një hark, një prapaktheu dhe na mori në gjendje arresti. “Shpejt! Pas meje! Pas meje! Keni ikur nga mësimi, a?” Asnjë fjalë më tepër dhe me pamje serte u lëshua me hap të shpejtë, siç e kishte zakon kur përshkonte shkallët dhe korridoret e shkollës. Ai para e ne prapa dhe drejt e në klasë, ku na zbrazi si thasët në një magazinë. Sapo kishte filluar ora e fundit e mësimit, e letërsisë. “Shoku drejtor! Pranoji këtë orë se këta kanë ikur nga mësimi”, – mbylli derën dhe çau e iku. Mirë na e bani, deshëm edhe të divertoheshim, ne burrat e mirë! Drejtori vazhdoi mësimin pa thënë ndonjë fjalë dhe në mbarim na thirri në drejtori.
Ishte hera e parë që hyja në atë drejtori. Nuk kisha qenë ndonjëherë për ndonjë gjë dhe kjo kishte qenë edhe hera e fundit. Kisha kuriozitet. Dritarja prapa karriges së drejtorit ishte edhe derë për të dalë në ballkonin e katit të dytë, që asnjëherë nuk e pashë të funksiononte. Kishte një perde të rëndë që e errësonte zyrën. Në faqe të murit pranë tavolinës ishte ngjitur një fotografi e Tolstojt, shkëputur nga ndonjë revistë, shkrimtar të cilin drejtori e kishte si idhull.
Të tre qëndruam në mes të drejtorisë, në këmbë, para tavolinës. Së pari, u muar me Irfanin. E nisi ashpër, me zë të lartë e gjithë sforcim, madje i bërtiti, që s’e kisha parë të bërtiste ndonjëherë. Ishte një e bërtitur si e shtirë, pa shpirt, e imponuar. Pse ke ikur nga mësimi, pse thyen disiplinën, kush të ka mësuar kështu? E shumë pyetje të kësaj natyre që tani nuk i mbaj mend. Një ashpërsi që ishte krejt jashtë natyrës së tij fisnike. Pastaj u kthye nga unë. I skuqur deri më majë të veshit, siç bëhem zakonisht edhe për gjënë më të vogël, mua më foli me ton më të butë (mbase bëri dallim klasor, mendova). “Ç’e ke atë fotografi të atij këngëtarit gërmuar mbi kitarë me gjunjë të përthyer kështu”, dhe i bashkoi konkavë shpinat e duarve. Ishte fjala për një fotografi koncertesh të Adriano Çelentanos të cilën e kishte një tjetër nxënës që e kishte vënë në kapak të komodinës. Por nuk hyra në sqarime, se vetë isha pulë e lagur. Atëherë shisnim mend me fotografi artistash e këngëtarësh që shpesh i ekspozonim në kapak të komodinës që të dukeshim me “kulturë” kur shokët e shoqet dilnin nga menca, ndërkohë që ndanim librat për studimin e pasdites.
Por me drejtorin shpejt e rregulluam, sidomos gjatë maturës. Orën e letërsisë e kishim forum diskutimesh të shumta për autorë, ide, e personazhe kryesore të veprave letrare. Me ato lekët e “Rruga-Urës” që fitoja gjatë verës, përveç një palë pantallona stofi 900-lekësh dhe një palë këpucë me majë, të tjerat i bleja libra dhe kinkalerira, por edhe gazetën “Drita” të së dielës. Aty përzgjidhja ndonjë shkrim me të cilin tërhiqja vëmendjen për të “pasuruar” programin e tekstit mësimor. Në diskutime prinin Zani, Hamdija, Irfani, Lavdërimi, Surjai, Rakipi edhe unë. Një herë kisha marrë me vete edhe një broshurë të Zhdanovit, me nënvizime siç e kisha zakon, që kur drejtori ma pa nën bankë, u çudit dhe kërkoi ta shihte. Mbase ishte simpatia e dikurshme e tij për të kur kishte qenë në Moskë, një student vërtet i shkëlqyer. Në orën e letërsisë së huaj, klasa jonë ziente nga diskutimet. Drejtori i nxiste me art debatet dhe nga kjo kënaqej.
Ditë pas dite Irfani, ashtu si dhe ne, rritej, mbushte shtatin, i buzëqeshte e ardhmja. Pse jo? Ishte i ri, i shëndetshëm, shulak, me trup të ngjeshur mirë, kishte trup mundësi. Edhe mendjen po e seliste me dije. Bleu apo i blenë edhe një orë dore, siç kanë qytetarët. Se katundarët mbajnë orë xhepi. Një UMF gjerman ishte (i Gjermanisë Lindore, se mos kujtosh atë qoftëlargen, Perëndimoren), nga më të lirat, 2000-lekëshe, se të tjerat kushtonin 5000 e 7000. Më të lirën, por ama vetëm ai nga nxënësit kishte orë në të gjithë shkollën, ndoshta në gjithë historinë e shkollës. Vëllai i tij i madh, Enveri, e kishte mbaruar pedagogjiken dhe ishte mësues. Madje vazhdonte me korrespondencë Universitetin e Tiranës për Histori-Gjeografi dhe ishte afër fundit. Edhe vëllai tjetër i tij, Kadriu, që vinte pas, po aty ishte strehuar, në Pedagogjike, për pak dije, të bëhej mësues. Kuuush?!!! Çfarë? Po ia merrnin me krahëmarrje diktaturës. Hëh!
Atë që diktatura e kishte pasë (dhe e kishte) në grykë të pushkës, Kaloshi filloi të shohë anën e butë të saj. Koha zbut gjithçka, si shiu tokën kur ajo çahet nga thatësira. Më në fund familja e Mehmet Kaloshit ishte mbledhur e tëra në shtëpi: I zoti i shtëpisë, shtylla e saj, Babë Meta, siç i thoshin për shkurt, gruaja e tij, Nanë Sibja dhe tre djemtë, Enveri, Irfani dhe Kadriu ishin përreth votrës së shenjtë të familjes. I kishte planifikuar Zoti me dorë të vet. Tre vllaznit motër nuk kishin, që t’i jepte më shumë rreze drite shtëpisë, por aní, s’ka dert. Ato janë punë të Allahut. Familja kishte ra “pushim”.
Babë Meta e kishte kryer të plotë me 15 vjet të rrasta “riedukimin”, siç i thoshin me eufemizëm burgut, me gjuhë të figurshme. Një jetë njeriu dhe në ma të mirën kohë, por shyqyr u kthye më së fundi në shtëpi. Nuk kishte shumë që kishte dalë nga hapsana, më 1961, nga ajo skëterrë. Kishte frikë ta kujtonte atë makth të stërgjatë dhe desh ta shtynte sa më tutje e të distancohej sa më shpejt prej tij. T’i gëzohej kësaj që i kishte kishte e që shihte. Sepse, jo pak nga shokët e tij vazhdonin të ishin atje ku i kishte lënë, në kaushë e në qelítë e mbushura plot e përplot, që kur i kujtonte i shkonin mornica në trup. Vërtet nuk ishte më parí (derë e Parë, thënë ndryshe, bajraktar), as uniformën e oficerit të ushtrisë kombëtare dhe kapelen me stemat mbretërore nuk i kishte, por kishte vu kësulën e bardhë të Dibrës dhe kishte kapë parmendën; tek e fundit si gjithë të tjerët, me gjithë të tjerët dhe si paraardhësit e tij.

Nënë Sibes me pamjen tipike të gruas mbi të cilën kishin rënë dhe ishin përplasur gjithë rrebeshet e shtëpisë, të burrit e të babës, iu kthye gazi. Bijë e Llan Destan Ndregjonit, asaj iu desh të përballojë si burrneshë vrasjen si burrat të babës, Llanit, kreshnikut nga Lukani i Qafë Murrës dhe heroit të luftës së 1918-1921 me serbët, ndër kontribuesit e shtetndërtimit të Shqipërisë së pavarur, kur më 1946 bashkë me burrin e saj, Mehmetin, u përballën me një batolion të tërë të forcave të ndjekjes së diktaturës. Simbol i vuajtjeve dhe stoicizmit deri tek s’(m)bân, siç është gruaja dibrane, siç janë Nanat Shqiptare, Sibja, me atë ballin e lartë dhe hundën pak të thyer që e bënte t’i shëmbëllejë Vojsavës së Kastriotit të përshkruar nga Noli, iu desh për 15 vjet të mbajë shtëpi e të rrisë fëmijët me kryet nga dera në pritje të kthimit të burrit nga burgu apo frikën e lajmësit për një fund të frikshëm.

Sina ishte zonë e thellë malore e Dibrës dhe sistemi i kooperativës bujqësore endé nuk kishte mbërritur deri atje, megjithë rrëmbimin e ethshëm e gërryes me të cilën ecte revolucioni agrar dhe çdo gjë shkatërrimtare në Shqipërinë e Enverit Hoxhës. Tokën e kishte të mirë Meta, jepte prodhim. Edhe zabele kishte, edhe bagëti mbante. Në familje shpërthyen energji të reja dhe trokitën rreze shprese e përtëritjeje. Djemtë e shpisë si diva, ishin të hallallit dhe po ecnin në rrugë të mbarë, kah e “përpjeta”. Dukej se shtëpia shkonte termâ. Kishte ra “paqja”. “Paqja”?!!!
Edhe diktatura nga ana e saj i kishte zbutur pak termat. Ajo bomba e Moskës mu në mes të Kremlinit më 1960 shyqyr e kishte shkëputur Shqipërinë nga B. Sovjetik, por sikur e kishte lënë pezull e në udhëkryq, mendonte Meta. Shqipëria i shkëput nga Jugosllavia dhe Rusia, por nuk po jepte shenjë se po shkonte andej nga e deshte Kaloshi. Nuk dihej mirë se si do të merrnin e nga do të merrnin punët e Shqipërisë. Sidoqoftë, një devër tjetër dukej se po vinte, por kur, çfarë devri dhe sido të vinte. Enver Hoxha deklaroi më 1961 se në vend ishte ndërtuar baza ekonomike e socializmit, se marrëdhëniet socialiste kishin “triumfuar” në të gjitha fushat e ekonomisë e jetës së vendit, se klasat shfrytëzuese ishin zhdukur e se nuk kishte asnjë rrezik për kthim mbrapa në kapitalizëm. Pasi mendoi se rreziku kaloi, diktatura filloi të merrte frymë, por me veshët përpjetë e këmbët në havá. Nuk i dihej, ç’bjen dekiku nuk bjen moti, – mendonte Kaloshi. Ngado që ta kthesh, mullini bluante më butë. Kalosh, gëzoju çastit, gëzoju kësaj që ke nëpër dorë se po të ikën koha.
Edhe djemtë e Kaloshit, fjalën e kam vetëm për të Mehmet Kaloshit, filluan të hapen, të promovojnë lirinë. Mbase të ekspozojnë në publik lirinë e shumëmunguar, e t’i thonë botës se çfarë ka kaluar nuk duan ta shohnin më, se do të shohin përpara e jo mbrapa. T’i thonë botës se edhe ne jemi si ju. Nuk jemi të burgut, jemi të punës, jemi të shkollës, të qetësisë, të paqes, të ndërtimit. Prandaj, të shtunat ose të dielat i shihje shpesh djemtë e Kaloshit e të Sinës të dilnin shëtitje bashkë në bulevardin e Peshkopisë. Tërhiqnin edhe ndonjë tjetër, për solidaritet. Përzihesha edhe unë me ta nganjëherë. Pa u thelluar, më kândej muhabeti.
Irfani na i qenkësh vënë edhe mësimit të frengjishtes. Eh! Po ky ku don të shkojë me këtë frengjishte? Ne edhe një rusishte që e kishim në programin mësimor e kishim samar mbi gungë. Meqë u prenë edhe shpresat për studime në Bashkimin Sovjetik, rusishtja na bëhej si zgjebe. Një copë mësues në katund do të ishim, sa për t’u ba idaire. Nuk duhet të shohësh shumë lart se e then qafën. Kështu këshillonte urtia popullore. A nuk thoshte edhe Migjeni “lene Zenelin të rrojë jetën stërgjyshore… mos e merr në qafë me e hypë ndër majat e nalta nga mund të thejë qafën i dëshpruem tue pa të vetët të dashtun tepër ultë”. Ndërsa Irfani na paska kapur edhe një frengjishte. Ç’i duhej? Apo për t’ia treguar vorrit.
Provimet e maturës erdhën. I pari, hartimi, ku do të zgjidhnim njërën nga dy temat. E para ishte për 20-vjetorin e çlirimit që do të vinte shpejt, ishte jubilare, ndërsa tjetra për Naim Frashërin. Irfani kishte marrë temën e parë… Hartimi i tij u vlerësua më i miri për të dy maturat. Një material i ngjeshur, i pasur në ide, shkruar me stil dhe plot figura, siç e komentoi drejtori. Tema e çlirimit mua më dukej si fjalimet që mbaheshin nëpër tribuna. Ato s’i kisha qejf fare. Pastaj nuk dija edhe se ç’të thosha, nuk më punonte fort mendja, sepse edhe nuk kërkoja për to. Ato, temat e luftës e të lirisë vinin vetë apo na i sillnin përditë e me bollëk nga të gjitha anët. Iu shtërngova Naimi Frashërit se shumë vargje nga veprat e tij i dija përmendësh. Sidomos nga “Historia e Skënderbeut” me të cilat të mbaja një ditë të tërë. Mendoja se kështu profesori do të sugjestionohej me vullnetin tim. Shkruaj vargje pa fund dhe bëj nga një sqarim si punë komenti, për Skënderbeun e për Kamanin, për Shqipërinë e për sulltanin, atë viranin e atë katranin, për ato dy persët e urryer që Skënderbeu i shtriu përtokë e plot të tjera, “baj e bjer”. Shkurt muhabeti, hartimi im, një thes me dushke lisi për t’ua shtruar dhenve në ahrin e bërë bërrakë nga bajgat.
Por Irfanit nuk i piu ujë as hartimi i shkëlqyer e as diploma e mësuesit që mori. Nuk e emëruan mësues qoftë edhe më ndonjë shkollë në zonat e thella të Dibrës. Jo vetëm Irfanit, por edhe Enverit që ishte mësues, i gjetën sebepin dhe e larguan nga puna.Madje i ndërprenë edhe studimet e larta. Ky kishte qenë apogjeu i Kaloshit. Tani fillonte tatëpjeta, diagrama e Nastradinit: Pas të përpjetës, tatëpjeta, e teposhta. Partia e Punës, alias Partia Komuniste e Shqipërisë filloi të karikojë bateritë e thellimit të luftës, luftës së klasave, me popullin e vet, se imperializmit t’ì rruante… atë menderin.
Mehmet Kaloshi u hodh në retrospektivë, filloi bilancet e jetës, bënte sintezën politike. Filloi të thellohej në to. Gjatë 15 vjetëve, shumë prej shokëve të burgut, herë pas here patën ulje të dënimit, amnistira dhe falje. Me rënien e grupit armiqësor të Koçi Xoxes pati shumë të liruar si viktima të tij, por Kaloshi jo. Pati data jubilare të 10-vjetorit të partisë dhe të çlirimit që u shoqëruan me lirime nga burgu e falje, por Kaloshin nuk e kapte lapsi. Edhe detanta hrushoviane që e zbuti fort luftën e klasave në gjithë Bllokun Komunist i kaloi tangent, pa e prekur Mehmetin. Pati edhe një lëvizje të fuqishme ndërkombëtare të partizanëve të paqes shoqëruar parrullat “Rroftë paqa në botë!”, që na ranë duart duke i shkruar kudo nëpër faqe kodrash si dhe ato “pëllumbat e paqes” që vizatoheshin ngado e kudo, nuk e trazuan statusin e tij si i burgosur.
Kaloshi u bind se pikërisht burgu i tij dhe i shokëve të sojit të tij ishte kredia dhe pengu shqiptar i “Paqes” për Ballkanin e Evropën. Ishte ujdia e Madhe e të Mëdhenjve. Shqiptarët do të paguanin edhe për luftën edhe për paqen. Për Kaloshin dhe nacionalistët si ai kishte lista të veçanta të burgosurish, lista që ishin të paprekshme. Nacionalizmi ishte “krimi” më i rëndë, më i pafalshëm në asnjë rrethanë. Ishte krim “ndërkombëtar”. Fashizmi e mori faturën të ndëshkimit me gjyqe ndërkombëtare. Ndërsa nacionalizmi ishte ne ndëshkim permanent dhe pa gjyq. Prandaj Babë Meta i bëri 15 vjetët e burgut pa luajtur nji centim. Në burg kishte hyrë për Shqypninë, për “Çështjen Shqiptare”. Ishte burg “i brendshëm”, jo në Yenkulé të Stambollit, as në Kalanë e Shkupit, as në kazamatet e Jugosllavisë që Beogradi i kishte mbushur me shqiptarë, por në Bodrum-Kala të Gjirokastrës ku frynin “bilbilat e Kristaqit me shokë”, burg në “vendin e vet”. Aty Meta pa edhe sivëllezërit e tij burra të Shqypnisë: djemtë e bajraktarit të Lurës, Ali Mena me vëllezërit e tij, Mexhitin e Ramizin, (se vëllanë tjetër, Isanë e kishin çuar në Tiranë); me Et-hem Haxhiademin – poet e dramaturg, Muharrem Dashin, Qamil Xhajën, Arshi Pipën, Islam Ndreun, vllaznit Pira e Xhafer Kurtin, me Deme e me Kaloshë, Selim Cekën dhe doktorin Luigj Radoja (“Mehmet Kaloshi, Portrete”, M&B, 2017, f. 105-107).

* * *
Pasi mbaruam maturën, me Irfanin nuk u pamë. Si çdo verë, unë përsëri shkova në Rruga-Ura për të fituar ndonjë lek me të cilët kaloja në “vetëfincim”, për harxhet emergjente, pa iu bërë barrë shtëpisë. Në fund të gushtit seksioni i arsimit thirri të gjithë arsimtarët për të komunikuar caktimin e kuadrit në të gjithë rrethin dhe të drejtat e studimit në shkollën e lartë. Mbledhja u bë në një sallë të madhe në “Demir Gashi”. Mua më doli e drejta e studimit në Univesitetin Shtetëror të Tiranës. Bashkë me të, edhe bursa e shtetit, 3000 lekë në muaj për dhjetë muajt e shkollës. Irfanit nuk i doli emërimi. Morëm rrugë të ndryshme dhe nuk u pamë.
Kisha kaluar në vitin e dytë të studimeve në Universitet kur aty nga dimri i 1966-s u takova me Irfanin në Teatrin e Estradës së Tiranës gjatë seancës së pushimit të shfaqjes. U pyetëm me njëri-tjetrin por jo “përzemërsisht”. M’u duk i ftohtë, pak i përhmbur. E pyeta për punën dhe më tha diçka që e harrova. Nuk kishte qejf të fliste. – Epo, ftohen, – mendova, – aq më tepër, që ai ka edhe biografinë. Ai me shkollë si unë, por pa punën e mësuesit, unë në shkollën e lartë. Nuk vonoi dhe mora vesh se Irfani ishte arratisur. – Gjë e pritshme, – mendova.
Irfani qe i pari që e ndjeu mbi kurriz “kthesën” e diktaturës. U soll nga u soll dhe kishte gjetur më së fundi një punë, në Fabrikën e Çimentos në Fushë-Krujë. Edhe vëllai i madh, pas iu ndërpre mësuesia iu vu ustallëkut, mur, llaç e gëlqere, me universitet. Diktatura e kaloi pikën e rrezikut dhe nxorri shpatën për “fazën” tjetër të revolucionit e të luftës së klasave. Në mars 1966 doli “Letra e Hapur” e KQ të PPSH që bënte thirrje për “luftë kundër burokratizmit”: Kjo qe dallëndyshja e parë e shpatës së zhveshur të revolucionit në thellim. Por kjo ishte fare pak. Në nëntor të ’66-ës kongresi i V e bëri të qartë se tani që u zhdukën klasat shfrytëzuese, lufta e klasave nuk do të pushojë. “Ajo (do të) zhvillohet dallgë – dallgë e me zigzage, herë ngrihet e herë ulet, herë acarohet e herë zbutet, por kurrë nuk ndërpritet e nuk shuhet”. (PPSH, “Dokumente kryesore V”, Tiranë, 1974, f. 152).
Periudha e “detantës” edhe për luftën e klasave mbaroi. Diktatura hoqi pritën dhe mprehu shpatën. Dallga e parë e saj do të binte mbi ish “klasat shfrytëzuese” dhe pastaj, siç na mësonte edhe Mao Ce Duni, do të shpërvjelej mirë “në gjirin e popullit” (f. 55). Shpejt do të vinte Fjala e 6 Shkurtit 1967 e shokut Enver që do të sillte “stuhinë revolucionare”, me tamtame e tramandame: kolektivizimin total të vendit, pra edhe të zonave të thella malore, (përfshirë Sinën), luftën kundër fesë, ideologjisë fetare e zakoneve prapanike, emancipimin e gruas (daljes së saj në punë të detyrueshme). Tre dynymshi u bë 1 dynym për çdo anëtar, pastaj u kthye në gjysëm dynymi e në çerek dynymi me ndarje kunorësh. Buka e gojës hyni në dry, llapa e gojës nën dhâmbë, “liria” e fjalës dhe e besimit ishin vulosur me dyllë. Shqipëria socialiste?! Nanë moj nane. Devër dynjaja. Por devri i Shqipërisë, më i ziu, më i mbrapshti. Ngado që ta kthesh, Irfanit nuk i dilte llogaria, nuk pati derë dhe asnjë grimë shprese. Iku, theu kufirin, u arratis, bafti i Zotit. Shkoi…në Amerikë. Të shtëpisë,… Zoti i pshtoftë! Kanë nafaken e vet.

EPILOG

Kur në fillim të të ’90-ve ra diktatura, që Shqipërisë veç se i ndërroi lëkurën e gjarpërit, edhe Irfani, si shumë të arratisur, u kthye (me na pa e me u pa). Gjithë mall e kureshtje u takuam e u pyetëm. Mendja ime kishte mbetur endé tek ato vjershat, letërsia. Pa fillur mirë Irfani e kuptoi: “I kam lanë krejt ato punë. Njeriu në jetë ka halle shumë. Pak kush e ka fatin dhe luksin t’u shkojë mbrapa prirjeve.” I dhashë të drejtë, aq më tepër, Irfanit. Por kur në librin “Mehmet Kaloshi, Portrete” lexova pjesën “Heroi im” të shkruar nga Irfani, qava. E kishte shkruar thjesht, bukur dhe me ndjenjë. Ishte ai Irfan që dinte të përjetonte dhimbjet e t’i përcillte emocionet direkt nga zemra në letër. Vërtet kishte plot gjëra për të thënë, ishte vetë subjekt romani, por edhe dinte se si ti thoshte. Ishte aty ai dell i dikurshëm i letrarit që kishte ndenjur i fshehur, por që u zgjua edhe pse i pakultivuar. Pse kjo prirje nuk u zhvillua më tej? Ku ta kultivonte Irfani dhuntinë e falur nga Zoti? Në Shqipëri? Shqipërisë po i përgatisnin gropën, jo më të rrije e të bëje edhe poezi. Krijime e këngë vaji e dhimbjeje mund edhe të bëje, por ku të veje me to? Kujt t’ia tregoje dhe pse? Të rrish e të qash natë-ditë me vjersha!
Më pas mora vesh se Irfani kishte ardhur nga Amerika dhe shkova ta takoja, në shtëpi, tek Enveri. Prindërit i kishte gjallë. Kishte ardhur disa herë nga Amerika por nuk kishim ndenjur përveç një rasti, edhe atëherë në këmbë. Më ndali për drekë. Të llafosemi më gjatë e të çmallemi. Ishte edhe Babë Meta aty, edhe Nanë Sibja, në konakun e ri e të bukur në Fushë Krujë, me një oborr të gjatë e lulishtë përpara mbushur me lule. Ndenjëm në sallon. Mehmeti zogist më shihte e më fliste plot kënaqësi, si “bashkidealist” dhe më përgëzonte për shkrimet që kisha bërë për Legalitetin e Mbretin. Më thoshin se për Mbretin Zog Meta nuk linte kënd të lehte e të cingërinte.
Erdhi Enveri dhe, pasi u përshëndetëm, më kërkoi leje sa të rruajë pak babën. Si duket e kishte detyrë funksionale. Unë nuk e bëja një gjë të tillë me babën tim, sepse jetonim larg, ai në Dibër e unë në Shkodër. Atëherë nuk mendova më gjatë, por kur edhe baba im u largua nga kjo botë, them me vete: “Si nuk e bëra një gjë të tillë me babën tim edhe unë siç bënte Enveri.” Edhe sikur mos të më lejonte vetë ai apo të tjerët, bëje pa pyetur kënd, tregohu këmbëngulës. Lum Enveri për atë gjest dhe për shërbimin që i bënte babës së vet. Merr bekimin sa nuk është vonë, është investim hyjnor. Është ibadet që i bëhet Allahut. Sa mangut kemi qenë.
Nënë Sibes i qeshnin sytë. Pse jo? I ishte mbushur shtëpia. Zemra plot e shtëpia plot. Më i largëti, ai që jetonte atje në Amerikën e largët, në anën tjetër të dheut, Irfani i dashtun, ishte aty.
Shtëpia dritë. Djemtë e nipat, hyn e del; nuset e nipave e vajzat e tyre, gjithashtu. Nusja e shtëpisë, e nipit të madh, bënte drekën. Dhe nanë Sibja me fytyrë të çelur, ndërsa shihte nga mysafiri plot gaz e mirësi shokun e vjetër të djalit të saj, i lutej Zotit ta merrte prej kësaj dynjaje kështu siç ishte, e ta linte të paprekur mbi tokë gjithë këtë mirësi që Ai i kishte falë, këtë gëzim e begati në Konakun e ri.
Me Irfanin dolëm në dhomën tjetër të kapim muhabetet tona e të kujtojmë. Politika dhe pesha e rëndë e halleve që kishin mbuluar vendin nuk na lanë për pak kthim mbrapa në kohë, për pak nostalgji për kohën e rinisë së pakthyeshme, veç me ca pak kujtime sa për relaks. I lamë mënjanë edhe ato më të bukurat e së kaluarës dhe u kapëm për aktualet që Shqipërisë nuk i mbarojnë kurrë. Megjithëse të një krahu politik, prapë se prapë bisedat dhe përfundimet qenë me jo pak zeher. Më shumë helmatisja unë me prurjet nga historia politike e diplomatike e çështjes shqiptare. Sidoqoftë, atmosferën dhe shëndetin i kishim shumë të mira dhe drekën e hëngrëm plotë shije, mbledhur të gjithë bashkë në një tryezë të madhe.
Kur të rinjtë martohen, në Dibër urimi që shkon për ta është: “Qoftë për hajër (dobi)! U trashëgofshin e u shumofshin me djem e vajza, me nipër e mbesa e u bafshin një katund.” Mehmet Kaloshi dhe Nanë Sibja u larguan nga kjo botë me zemrat plot, jetuan e punuan me nder, vuajtën e hoqën me nder, krenarë e faqebardhë duke lënë pas, jo një, por dy katunde me pasardhës të mbarë, të shpërndarë në dy kontinente, në Evropë dhe në Amerikë si dhe emrin e nderuar e të madh të pacënuar asnjë fije, këndej dhe andej oqeanit: KALOSHI.