Jeta në Bulqizë mes vdekjeve në miniera dhe padrejtësisë


Minator në njërën nga galeritë e nxjerres së kromit në zonën mineral mbajtëse “D” të Minierës së Bulqizës. Foto Geri Emiri/BIRN

Pas disa kthesave që gjarpërojnë në lagjen e Qytetit të Ri në Bulqizë, në këmbët e një pallati të vjetër të periudhës së ish-regjimit komunist, Flora Koçi ka ngritur një barakë prej llamarine ku mundohet të sigurojë të ardhura për veten dhe djalin e papunë, duke shitur mallra ushqimorë dhe kinkaleri.
“Unë isha në dyqan, erdhi një këtu tek kopshti se e kemi afër dhe më tha që burri jot është vrarë dhe po shkon tek spitali,” kujton 57-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve. “Mbrapa më morën në telefon që ka vdekur,” shtoi ajo.
Ruzhdi Koçi humbi jetën në një galeri kromi në Bulqizë më 10 nëntor 2016, ku kishte punuar për më shumë se 20 vjet. Drejtuesit e minierës i thanë familjes se 55-vjeçari vdiq nga një infarkt i papritur në zemër, por bashkëshortja jeton ende me dyshime.
“Këto thanë që i ka ranë infarkt, po infarkt nuk i ka rënë se nuk ka qenë sëmurë asnjëherë, as edhe një gjilpërë s’e ka pas bërë,” shprehet Flora Koçi.
“Për me pushu çështjen edhe për mos me e zgjat më andej, ata kanë thënë që i ka rënë infarkt dhe s’kanë dash me dhënë lekë më shumë, siç i takon një punëtori kur vitet në galeri,” shtoi ajo.
Sipas të dhënave të siguruar nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtën e informimit nga Inspektoriati Shtetëror i Punës, në 6 vitet e fundit, 38 punonjës humbën jetën dhe 152 të tjerë u plagosën në sektorin e minierave dhe karrierave. 27 prej viktimave i përkasin qarkut të Dibrës.
Edhe pse aksidentet e regjistruara në miniera janë të shumta, ato rrallëherë sjellin pasoja penale për kompanitë minerare, që fajësojnë viktimat dhe punëtorët për aksidentet.
Minatorët e aksidentuar janë shpesh të pasiguruar. Por edhe në rastet kur viktimat janë të siguruar, familjarët përballen me procese të gjata gjyqësore kundër kompanive të sigurimit për dëmshpërblimet.

Ky investigim është shkruar për reporter.al. Shkrimin origjinal e gjeni në linkun:
https://www.reporter.al/jeta-ne-bulqize-mes-vdekjeve-ne-miniera-dhe-padrejtesise/