Koronavirusi: ardhja dhe përhapja janë faje njerëzore


Një punonjës i bashkisë së Dibrës duke dezinfektuar xhaminë në qytetin e Peshkopisë. Foto: Bashkia Dibër

Ky virus le të bëhet shkak për njerëzit, për politikën dhe për drejtuesit e shteteve që aktualisht shpenzojnë miliarda dollarë për prodhim armësh vdekjeprurëse të njerëzimit deri në ato biologjike e kimike, të kujdesen më tepër për shëndetin e popullit, për shëndetësinë, për arsimin, për jetën e popullit.

Nga fundi i vitit 2019 e në vazhdim rreth 3 milionë njerëz në gjithë botën po përjetojnë vuajtje shpirtërore, fizike dhe ekonomike. Nga e përse erdhi ky virus kaq i vogël që po trondit botën njerëzore!? Ai erdhi dhe u përhap nga faje njerëzore. Burime të kësaj sëmundjeje janë papastërtia dhe të ushqyerit:
1-Feja islame detyron pastërti shembullore. Besimtari musliman e fillon ditën e re me pastrim të trupit dhe të shpirtit. Sa zgjohet është i detyruar të lajë duart, gojën, hundën, fytyrën, krahët deri tek brrylat dhe këmbët. Gjatë ditës në vazhdim e përsërit këtë pastrim 5 herë në ditë (çdo 3-5 orë). Njeriu është i urdhëruar të pastrojë duar e gojë para e pas çdo të ushqyerje. Gjatë javës ai bën 1 deri në 4 larje të detyruara të trupit. Islami detyron trup e shpirt të pastër, rroba të pastërta dhe vend faljeje e pune të pastra. Po të ishin zbatuar këto detyrime nga njerëzimi koronavirusi nuk do të kishte ardhur tek njeriu, që në fakt vetë është prodhues papastërtish. Bota sot numëron rreth 8 miliard njerëz. Mjafton të neglizhojë qoftë edhe një person, hapë rrugë për viruse të tilla.
2-Është shkruar se ky virus e ka burimin nga ngrënia e mishit të qenit, të gjarprit, lakuriqit të natës por edhe të derrit, edhe pse e fshehin. Feja islame i ndalon këto edhe kafshë të tjera të egra, mishin e të cilëve e përdorin për ushqim. Ata na përcjellin edhe sëmundje të tjera, nxisin tek njeriu shqetësime shpirtërore. Në vitin 1957 në Kinë u shfaq një virus i tillë i marrë nga mishi i derrit e që solli vdekjen e miliona njerëzve, shkruan Dr.Ibrahim Kazim në librin e tij, Ese. Në vitin që kaloi Bullgaria groposi brenda pak ditëve 100 mijë derra, që ishin rrezik epidemish. Kina kohët e fundit ndaloi të përdoret për ngrënie mishi i qenit dhe ai i maces. Nëse doni të shpëtoni popujt nga këso sëmundje duhet të ndalohen për ngrënie çfarë është caktuar në Kuran.
Këto fatkeqësi vdekjeprurëse dhe tërmetet nuk janë sprova për njerëzimin. Zoti nuk vret krijesat e veta, sidomos njeriun. Tërmetet janë fenomene natyre. Ato ndodhin ku ka dhe ku nuk ka njerëz. Kur ndërroi jetë djali i Profetit u errësua hëna. Profeti u tha njerëzve se hëna nuk ka lidhje me jetën e djalit tim. Këto ndodhi sjellin pësim dhe mësim. Pësimin e sjellë njeriu për veten e tij. Në suren “Nisa” ajeti 79, faqe 122, thuhet: ”Çfarëdo e mirë që të vjen është prej Zotit e çfardo e keq që të bie e ke nga vet ti”. Mishin e qenit, të maces, të lakuriqit e të derrit i hëngri njeriu dhe vet u sëmur. Mos prisni më tej. Duhet respektuar porosia e Kuranit. Mos hani mishin e tyre. Kurani nuk është libër vetëm i muslimanëve, por i të gjithëve.
Edhe në të ardhmen si në të kaluarën do të ketë të tilla fatkeqësi. Mbështetur në mësimet islame dhe përvojën profetike kërkohen veprime konkrete e të mos harrohen. Masa e parë e porositur nga Profeti Muhammed është të mbyllen rrugët e shfaqjes dhe të përhapjes sipas porosive të Kuranit: Të ushqehemi me ushqime hallall e të pastra. Po nëse shfaqen të tilla ndodhi dhe janë të mundura nga njerëz të pakujdesshëm dhe nga kafshë bartës të këtyre viruseve, ç’duhet bërë?! A ka patur raste zgjidhjeje? Po. Para rreth 1500 vitesh u përjetua sëmundja e Murtajës e ngjashme me Koronavirusin e sotëm. Profeti urdhëroi: “Nëse ndodheni në atë familje e më tej në zonën ku shfaqet një sëmundje e tillë, mos u largoni nga ajo familje dhe nga ajo zonë, mos dilni jashtë saj derisa të siguroheni se sëmundja nuk vepron më tej. Nëse jeni jashtë kësaj familjeje dhe kësaj zone mos shkoni atje deri sa të zhduket virusi (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)”. Po të ish kryer kjo porosi e Profetit Muhamed nuk do të kishte vuajtje për popujt. Përhapja e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse masive është faji njerëzor. Ka edhe një të keqe aq të madhe se po përdoret edhe për politikë.

Këto fatkeqësi vdekjeprurëse dhe tërmetet nuk janë sprova për njerëzimin. Zoti nuk vret krijesat e veta, sidomos njeriun. Tërmetet janë fenomene natyre. Ato ndodhin ku ka dhe ku nuk ka njerëz.

3-Muslimanët dhe jomuslimanët të jenë të bindur dhe të zbatojnë porositë e dhëna që pengojnë përhapjen e virusit vdekjeprurës. Nëse e bëjnë këtë vetë virusi do të vdesë shpejtë. Pejgamberi na udhëzon dhe na siguron kur para 1400 vitesh thotë: “Për çdo sëmundje është krijuar ilaçi, gjejeni dhe përdoreni”. Ai është në krijimet e Zotit: në lule, prodhime bujqësore në male dhe fusha. Është detyrë islame që shkenca ta kërkojë këtë ilaç. Në hadithin 1046 thuhet: “Shkenca është shtyllë dhe jetë e islamit (e njerëzimit), andaj kush mëson diçka Allahu do t’ja shtojë shpërblimin, kush mëson e vepron me të Allahu do ti mësojë atij atë që nuk din”. Më tej vazhdon: “Më i pikëlluari ditën e gjykimit do të jetë ai njeri që i është dhënë mundësia të mësojë e nuk e ka bërë atë”.(77). Nuk është as besim islam, as trimëri, as burrëri të mos zbatosh këto porosi. Mos zbatimi i porosive që synojnë luftën kundër këtij virusi, është faj. Sikur të ndodhë edhe një rast i vetëm që sjell vdekje nga ky virus si do t’u përgjigjen jetimëve, pleqve pa përkrahje, dhimbjes të njerëzve për të dashurit e tyre?! Askush nuk e din ndërrimin e jetës, andaj nuk kërkohet ajo.
Masat mbrojtëse duhen respektuar. Është detyrë fetare islame mosmarrja pjesë në tubime ku kërcënohet jeta nga ky lloj virusi. Feja islame i ka të sqaruara të tëra, edhe ato që do të vijnë. Falja kolektive kudo ka më shumë vlera sepse nxit bashkëjetesë paqësore, por në këso rastesh falja kryhet edhe individuale nëpër shtëpitë a në grupe të vogla ku mund të sigurohen mosmarrja e sëmundjeve ngjitëse. Pastrimi i trupit është domosdoshmëri islame. Edhe kur lind fëmija së pari lahet, por edhe kur ndërron jetë njeriu urdhërohet për t’u larë kufoma, të pastrohet mirë, të qefinoset pa shumë shpenzime e pastaj të varroset. Për raste si të ditëve të sotme tolerohet: Nëse vërtet mund të jetë burim për sëmundje të tilla kufoma qefinoset dhe mbi mbulesën e fundit përshkohet me duar të veshura me doreza e të lagura, jepet tejemum. Çdo hapje rruge për përhapje të sëmundjes ngjitëse e të rrezikshme është e ndaluar. Këto ditë problematike po bëhen më të vështira nga njerëzit. Qindra mijëra të vdekur, miliona të prekur e të trembur, mijëra të shtruar në spitale që jetojnë midis vdekjes e jetës, ndërsa miliarda në arrest shtëpie. Ja si i paguajnë popujt pakujdesitë duke filluar nga individi e në vazhdim me qeveritë. Duhet të kufizohen vizitat kolektive, të zbatohen tërë ato porosi që janë dhënë e luftojnë këto soj mikrobesh nga kushdoqoftë. Tregtarët nuk duhet të fshehin mallin e të ngrenë çmimet. Ju duket se fitojnë, por shumë shpejtë do të provojnë dënime në punën e tyre si varfëria dhe dënimin në jetën e pasosur. Edhe kjo do të vijë. Mësime për të tëra kemi e keni në Kuran. Në një nga ajetet e sures bekare, ajeti 195, faqja 59, thuhet: “Shpenzoni gjithçka: ”dije, kulturë, pasuri” etj, në rrugë të Zotit e mos e hidhni veten në humnerë, rrezik. Bëni mirë sepse me të vërtet Zoti i do dhe i shpërblen bamirësit. Në ajetin 32 të sures bekare thuhet: Sikur një njeri të bëhet shkak për të shpëtuar një person tjetër do të shpërblehet sa me shpëtuar tërë njerëzimin e nëse bëhet shkak për vdekjen e një njeriu do të ndëshkohet sa me vra gjithë njerëzit mbi tokë.
Ky virus le të bëhet shkak për njerëzit, për politikën dhe për drejtuesit e shteteve që aktualisht shpenzojnë miliarda dollarë për prodhim armësh vdekjeprurëse të njerëzimit deri në ato biologjike e kimike, të kujdesen më tepër për shëndetin e popullit, për shëndetësinë, për arsimin, për jetën e popullit. Nga ky popull i marrin fitimet e duhet t’ja u shpërblejnë me bamirësi, siç u thanë ajetin e mësipërm. Edhe agjërimi që po kryejmë i shërben këtij qëllimi. Ai pastron tërë organet trupore nga mbetjet vjetore si dhjamosja, ujërat e tepërta, mbetje djerse, çlodhje në tërësi të organizmit e bashkë me ta asgjëson mikrobe të shumta. Ai pastron edhe ndërgjegjen e njeriut, nefsin dhe mendjen, forcon organizmin dhe e bën atë më të qëndrueshëm për tu përballë me këso vështirësish për një jetë më të shëndetshme e më frutdhënëse në tërë jetën.
*Ish myfti i Dibrës
*Ish  kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar