Katastrofa ekologjike është ulur këmbëkryq në malet tona


Më poshtë po ju paraqesim një intervistë të tij dhënë dy vite më parë gazetarit Bashkim Koçi, përgatur për botim nga Abdurahim Ashiku, në shenjë nderi dhe respekti për Haki Kolën që iku pa e vënë në zbatim ëndrrën për një pylltari të kohës në të gjithë hapësirën e Shqipërisë dhe Kosovës.

Intervistoi: Bashkim Koçi, dhjetor 2018 

Inxhinier! Si është sipas jush gjendja, mund të jepni një informacion të shkurtër  rreth situatës që përjetojnë pyjet në vendin tonë?

– Sot kemi një situatë që nuk duam as ta besojmë dhe as ta pranojmë. Por nuk duhet të ishim befasuar. Pylli është pasuri e ripërtëritëshme. Por kjo nuk do të thotë se është një depo natyrale  e pafundme. Jetojmë një situatë që shteti ynë e ka ligjëruar “vdekjen” e aktiviteteve tregtare në pyje, çka nënkupton se vetë pylli që ne vazhdojmë të kemi në mendje, e ka humbur funksionin prodhues. Midis imagjinatës tonë se si e kemi natyrën,  pyllin dhe realitetit, ekziston një hendek i madh. Kush ka sy e veshë, kush gjykon për mjedisin ku lind e jeton, lëviz e sheh nëpër Shqipërinë tonë të vogël, apo thjeshtë informohet sadopak nga media, e ka bindjen që mbulesa e gjelbër e tokës tonë është dobësuar e pakësuar së tepërmi qoftë nga prerja apo zjarret e deri tek kullotja, gërmimet e gërryerjet.

-Situata, sipas jush, është e rëndë?

– Sigurisht. Një shoqëri normale duhet të reagonte me urgjencë. Qeverisjes duhej t’i kujtohej se pakësimi i bimësisë në male e kodra, është rrezik për tokën tonë, djepin që na ka lindur e na siguron jetesën. Nëse i bëhet krahasim gjendjes dhe ecurisë së mbulesës pyjore, nuk është e vështirë të konkludohet që në 20 vitet e fundit, shkatërrimet kanë qenë më të mëdha se sa për disa shekuj, që kur disponohen materiale e dëshmi  të shkruara e trashëguara. Realiteti është i  hidhur po të mendosh që shoqëria jonë pretendon se është në progres e aq me tepër po realizon kritere për t’u bërë e pranueshme nga bashkësia Evropiane. Praktikisht duket sikur nuk dimë të shohim, mendojmë e tregojmë. Të trishton paaftësia jonë për të reaguar, kur është cënuar djepi i jetës dhe e ardhmja e saj, në një atdhe me male pa bimë, e dalëngadalë pa tokë. Jetojmë një kohë që e ka sfiduar tokën, duke e rrezikuar deri në ekstrem zhdukjen pa rikthim të saj në shumë pjesë të vendit, për shkak të budallallëkut tonë, si dhe mungesën e përgjegjësisë personale të çdo individi të shoqërisë  karshi jetës për të sotmen e të nesërmen e shqiptarëve. Nëse shkatërrimi i pyjeve e bimësisë së maleve do të vinte për faktorë që janë jashtë kontrollit tonë, së paku secili nga ne do të ishte  i qetë në ndërgjegjen e tij. Por është fakt se  shkatërrimi vjen vetëm nga veprimi i gabuar e i verbër i pjesës sunduese  dhe  nga mosveprimi i pjesës së sunduar të shoqërisë tonë. E ky realitet monstruoz  e vendos gjeneratën e inteligjencës aktuale të vendit tonë në një situatë të vështirë morale. Kur fermerët evropianë i mundën mbretëritë e i detyruan që pjesën e pyllit dhe kullotës, për të plotësuar nevojat e tyre, ta merrnin në pronësi, Alpet Evropiane ishin pothuaj të zhveshura nga drurët. Shqiptarët ishin nën okupimin otoman dhe nuk arritën të bënin të njëjtën gjë.

– Konkretisht, ç’dëshiron të thuash?

-Ajo që të befason është mos interesimi për të ndërtuar marrëdhënie legale me shtetin qe e formuam para më shumë se 100 vitesh. Sipas meje mbetet një enigmë, një nga çudirat shqiptare, që çka e kishin bërë të pushtuar, duke e fiksuar në kanun e duke i vënë kufij guri të përjetshëm, nuk arritën t’ja prezantonin shtetit të tyre e ta bindin që këto kufij që vinin nga thellësia e shekujve, duheshin legalizuar. U mbetet studiuesve të historisë që t’i japin përgjigje kësaj sjelljeje  enigmatike, jo vetëm nga ana e Qeverive të pas epokës socialiste, por edhe e komuniteteve, sidomos e atyre malore.
Katastrofa ekologjike është ulur këmbëkryq në malet e kodrat tone. Çfarë ka ndodhur, nuk mund të zhbëhet. Kapërcimet që bëhen shpesh nga ata që shoqëria jonë i paguan për ta parandaluar këtë gjendje, shpejt do i përgjigjeshin arsyetimit tim: nuk kemi të dhëna të mjaftueshme e duhet bërë vlerësim. Në fakt tani secili duhet të bindë veten se është koha për veprim. Unë jam shumë i bindur në vetvete, që i vetmi resurs kritik që i duhet popullit është ai vetë. Tek vetvetja e secilit, nëse e organizojmë mendimin tonë, nëse marrim një vendim për të gjetur në mënyrë urgjente zgjidhjen  si komb. Dijet i kemi të mjaftueshme për ta gjetur atë. Dhe për më tepër, nëse shpëtojmë tokën tonë nga kjo katastrofe ekologjike, i  kemi shërbyer mbijetesës sonë e gjeneratave  që na vijnë pas.

Mendoni se shteti, qeveritë që e kanë drejtuar këtë vend kanë kapitulluar në menaxhimin e kësaj pasurie të çmuar kombëtare?

-Realiteti që jetojmë është kokëfortë dhe flet, sado të përpiqemi të bëjmë avokatin për shtetin, në të dy sistemet. Megjithatë duhet pranuar një fakt: Asnjëherë shqiptarët nuk e kanë patur me shumicë as tokën bujqësore, as atë pyjore apo kullosore. Historikisht është luftuar për mbijetesë në një hapësirë pabesueshmërisht të ngushtë në male tepër të brishta e akoma në formim, në kushtet e një klime mesdhetare shumë në favor të biodiversitetit, por jo shumë në favor të bollëkut, përsa i përket prodhimtarisë.  Pikërisht në situata kritike njerëzit mësojnë, ashtu siç mësuan edhe ne shqiptarët për të përdorur me kursim e rregulla pyllin, kullotën, malin e fushën, duke i kombinuar me njëra-tjetrën e përftuar nga sinergjia që krijon bashkëjetesa e bujqësisë, pyllit e kafshëve shtëpiake. I përvetësuam,  dhe mësimet e rregullat i fiksuan në kanune, ndoshta modele që aktualisht kërkohen nga shumë shkencëtarë e universitete. Këto thesare me dije të shkruara,  shoqëria jonë i prodhoi që në lashtësi (u shkrua në Kanunin e Lekë Dukagjinit), në kohën që u mundësuan që dijet shqiptare të bëhen legale. Shkolla e re moderne shqiptare  duket sikur u ka ndenjur larg dhe ka hezituar t’i pranojë këto dije. Sipas shkencëtarëve të universitetit të Berkeley të Kalifornisë menaxhimi i burimeve natyrore  nuk është një shpikje moderne. Ka departamente të veçanta  që studiojnë e argumentojnë rëndësinë e dijeve nga popullsi vendore që u larguan kur evropianët i pushtuan territoret e tyre. Nga kërkimet rezulton se njerëzit vendës kudo në glob, ashtu si edhe malësorët tanë, kanë praktikuar rrënjët e kësaj disipline të aplikuar për mijëvjeçarë. Peizazhet e globit, që shoqëria njerëzore i trashëgon sot, janë  një pasqyrim i proceseve historike, si natyrore ashtu edhe kulturore, mbajnë një gjurmë të pashlyeshme të një morie të teknikave të menaxhimit. Themelet e menaxhimit të bimëve dhe kafshëve të komuniteteve vendore përbëjnë një depo kolektive të njohurive rreth botës natyrore, depo që është e mbushur si një arkivë gjigande gjatë qindra vitesh nëpërmjet përvojës së drejtpërdrejtë dhe kontaktit me mjedisin. Kjo njohuri sot është rënë dakord  të njihet me emrin “njohuri tradicionale ekologjike”.  Gjeneratat që tashmë i quajmë të parët tonë, jo vetëm arritën ti njohin e vlerësojnë, por qenë ndër të paktët në Evropë që na i lanë të shkruara.

–Nëse ke vullnet, gjithnjë do të kesh një rrugëdalje. A ka vullnet, sipas jush, për të kapërcyer gjendjen e krijuar në shfarosjen e pyjeve?

-Që të jem i sinqertë me juve kjo pyetje më duket e vështirë dhe unë nuk guxoj t’i jap vetes atributin e vënies në peshore të vullnetit. Pylli ynë natyror është deklaruar i përfunduar, i vdekur,  apo në prag të përfundimit të materialit drusor me të cilën deri tani ka furnizuar shoqërinë tonë. Gjeneratës tonë i takoi që të ishte dëshmitare e mbylljes për shoqërinë shqiptare të stadit të shoqërisë grumbulluese. Pra që të shkosh në pyll dhe të marrësh atë që pylli  ta ka përgatitur e ta jep të gatshme. Ne shkatërruam pyjet dhe është koha të reflektojmë pasi sistemi që po e përcjellim  është i vetmi sistem që natyra e ka pajisur me një veçori, që i mungon si bujqësisë, ashtu edhe të gjithë sistemeve të tjera që kontribuojnë për njerëzimin. Sistemi i pyllit natyror e siguron ushqimin dhe energjinë e tij, brenda përbrenda vetes, duke u mundësuar dhurata të pafundme qenieve të tjera. Të gjitha sistemet e tjera varen nga energji të importuara, të cilat janë të parinovueshme, dhe ndërsa vihen në punë nga njerëzimi  shkaktojnë ndotje të planetit e rrezik për jetën.
Unë jam i sigurt që situata në të cilën janë aktualisht pyjet, i ka bërë të ndjeshëm jo vetëm banorët e zonave rurale, por çdo njeri që kontakton nga media apo e sheh me sytë e tij situatën. Kjo gërryerje e jetës së maleve, në të gjitha kuptimet, është thirrje e që na vë para dilemës: ta lemë të vazhdojë shkatërrimi, duke u pakësuar hapësirën e jetës gjeneratave të ardhshme, apo të gjithë së bashku t’i kërkojmë e t’i gjejmë shtigjet për të rikthyer jetën në malet tona.
Të kthehemi edhe njëherë në esencën e problemit. Ka një sensibilizim që shprehet me një ligj që ka shpallur moratoriumin për aktivitetet e shfrytëzimit të pyllit për qëllime tregtare.  Ka edhe një treg krejt të boshatisur, që për çdo vit duhet të mbushet me rreth dy milionë metër kub dru për ngrohje. Kjo fjali i ngjan një medalje me dy anë: tregtarët janë të ndaluar të marrin material nga pylli, e nga ana tjetër tregu ka një kërkesë të lartë për dru zjarri. Cila mund të jetë zgjidhja? Ka shumë vite që edhe në Shqipëri është prodhuar, nëpërmjet kultivimit, veçanërisht në zonat tona fushore, në formën e brezave mbrojtës si në fushën e Korçë-Devollit  në formën e brezave mbrojtës nga përmbytjet apo edhe në fushat e pjesë perëndimore të Shqipërisë. Janë tetë  lumenj që e përshkojnë dhe shpesh e përmbytin tokën bujqësore, me gjithë prodhimet në fushën perëndimore, por edhe në fushat e Korçës e Devollit. Bashkimi Evropian ka strategji e objektiva sfiduese për të shtuar prodhimin e biomasës dhe të zëvendësojë naftën e fosilet e tjera ndotëse të mjedisit me biomasë druri i cili, kur është në rritje, e thith të gjithë gazin karbonik që çlirohet kur ajo digjet e prodhon energji të quajtur “e rinovueshme”.

-Muaji dhjetor është konsideruar si “muaji i pyjeve”. Kujtohet kush për ta shpallur dhjetorin si periudhë për mbjelljen e fidanëve pyjorë?

-Këto ditë pritet që qeveria të shpallë zyrtarisht një fushatë të madhe për të mbjellë brenda këtij viti mbi 20 milionë fidanë pyjorë. Është një shifër goxha e mirë,  por e keqja është se deri më tani nuk është prezantuar ndonjë plan veprimi. Dhe meqë jemi në kohën e duhur për mbjelljen e fidanëve pyjorë më duhet të tërheq vëmendjen për diçka të rëndësishme. Aktualisht ka shumë eksperienca evropiane që kultivohen drurë me rritje të shpejtë siç është plepi apo shelgu. Ata janë me cikle të shkurtra shfrytëzimi. Pra në një kohë relativisht  të shkurtër japin prodhim të bollshëm të energjisë, duke realizuar edhe mbrojte të brigjeve të lumenjve nga përmbytjet, pastrimin  e tokave që ndoten nga derdhja e ujërave të zeza në anë të qyteteve të mëdha si Tirana, Fieri etj. Por ka edhe rritje të kërkesave të biznesit, veçanërisht për lëndën e drurit të plepit  për arka amballazhi për prodhimet bujqësore. Pra, sado i gjatë që duket “tuneli”, një shkëndijë në fund të tij ndjehet se mund të jetë shpresëdhënës.  Se sa do jetë inercia e shoqërisë tonë për të kaluar nga stadi i grumbullimit në atë të prodhimit,  do jetë koha ajo që do ta tregojë.

Bota u përket atyre që digjen, jo atyre që ngrohen! Jeni edhe ju në një mendje me këtë sentencë të thënë nga populli lidhur më përpjekjet që bëjnë teknikët dhe inxhinierët e pyjeve për t’i thënë “jo më” degradimit që po u bëhet pyjeve?

-Unë, në fakt, megjithëse jam koshient për atë që ka ndodhur, futem tek optimistët e pakorrigjueshëm, pasi vetë përvoja e jetës më ka dhënë privilegjin të njoh aftësitë e jashtëzakonshme të natyrës. Shqipëria e ka në prag të zhdukjes funksionin prodhues të pyjeve të lartë, që aktualisht zënë gati 1/3 e sipërfaqes së vendit. Por janë prezent në vendin tonë edhe pyjet e ulta dhe shkurret të cilat zënë rreth 2/3 e sipërfaqes pyjore. Por, duke qenë se përbëhen nga drurë e shkurre me dimensione të vogla, ne pylltarëve dhe dashamirësve të pyjeve të lartë (si ato që përshkruan Naim Frashëri) na duken siç i përshkruajnë shpesh kolegët tonë kosovarë si “kallamishte” dhe jo si pyll real, me të cilin jemi mësuar të krenohemi.
Unë mendoj se pikërisht sipërfaqja e mbetur me mbulesë shkurre apo pyll të ulët, është pylli që është përdorur nga të parët tanë që kur ky vend ka filluar të banohet nga qeniet njerëzore. Janë formacione më të pastudiuara e të nënvleftësuara nga shkenca e re pyjore shqiptare, megjithëse mbulojnë kodra, shpate e lugina me potencial ekologjik prodhues më të lartë se sa ne jemi të informuar deri më tani. Meqenëse e nisa me më të voglin vëlla të Rilindësve tanë të mëdhenj, tani mundem besoj të kaloj tek një këshillë që i madhi Sami Frashëri e jep në librin “Shqipëria çka qënë, ç’është e ç’do të bëhet”, botuar ne vitin 1899, kur Shqipëria ishte akoma nën sundimin otoman.“Pas diturisë, këshillon Samiu, kujdes’ e shqipëtarëvet e m’e madhe nevoj’ e tyre do të jetë përpunërat’ të përgjithçime, të cilatë do të sjellinë begati e pasje të madhe në Shqipëri. Udhëtë, udhët’ e hekurta, limanetë, të hapurit’ e lumenjet e kënetave, metaletë, pyjetë etj, janë më të nevojshimet’ e më të vyerat’ e punëravet, që dotë bënjë Shqipëria, me të pasurë duart’ e këmbëtë xgjidhurë”
Dhe më pas kollosi i Rilindjes shqiptare vijon me rekomandime mbi praktikat më të mira për menaxhimin e mbulesës pyjore: “Çdo pyll do të ndahetë me disa ngastra edhe, gjersa të vinjë radha të pritetë ngastr’ e funditë, gastra q’u pre të parenë herë, do të jet’ e arrirur për sërish; e kështu gjithnjë do të pritete lëndë nga pyjet edhe kurrë pyjetë do të mos mbarohenë, po do të përsëriten’ e të jenë kurdo të lulëzuarë.:

Nuk ka nevojë për komente rekomandimi shkencor i dhënë nga shqiptari largpamës e kolos i dijeve, Sami Frashëri.

– Sipas opinionit të njerëzve pyjet kanë pësuar dëmtime ndoshta të pariparueshme. Cili është mendimi juaj si një nga specialistët më me zë në fushën e pylltarisë?

– Unë jam i mendimit, por edhe shpresëplotë, që mund të përmbyset gjendja e krijuar. Shembull, i cili shihet me sy e preket me dorë, është ai i ri ngritjes së pyjeve në zonën e Dumresë. Nga ç’ishte dhe ku është. Vërtetë është e pabesueshme. Për të treguar këtë realitet është përgatitur edhe një film dokumentar të titullur “Nga shkretëtira në park”, përgatitur nga gazetari i mirënjohur Fuat Memeli. Me pak fjalë rikthimi i pyllit të Dumresë,  e cila të mahnit nëse e krahason me gjendjen ku ishte katandisur  disa vite më parë, është një fakt që të ngjall shpresën për ringjalljen e pyjeve, tashmë të shkatërruara. Ajo që po vijojmë të bëjmë  në Dumre është që, në bashkëpunim me Bashkinë e Belshit e Fakultetin e Shkencave Pyjore, të eksperimentojmë atë që na këshilloi Sami Frashëri 119 vite më parë, që pylli të ndahet në pjesë, dhe kur të kemi prerë pjesën e fundit të jetë rritur dhe të jetë gati për prerje pjesa e parë. Krahas ringjalljes së pyjeve të ulta, që ishte rezultat i financimeve nga donatorët, por edhe i mbështetjes së jashtëzakonshme  të komuniteteve, unë kam besim qe e njëjta gjë është e mundur edhe për formacionet me shkurre, ku me trajtim sistematik e marrëveshje me banorët vendas, prodhimi vjetor brenda një dhjetëvjeçari mund të shumëfishohet, duke u dhënë jetë kodrave e sipërfaqeve në zonat e ulta. Dua të them këtu dy fakte që dikujt do t’i duken të pabesueshme: Nga inventari kombëtar i pyjeve, në vitin 2004 volumi drusor i një pylli në një hektar me shkurre, si mesatare ka rezultuar në 0.46 m3/hektar. Ilia Mitrushi në librin “Drurët e shkurret e Shqipërisë” dëshmon se një hektar me shkurre të maresë e ka potencialin të prodhojë deri në 150 metër kub dru për hektar, duke e prerë me metodën e rekomanduar nga Sami Frashëri në çdo 15 vite. Secili mund të llogarisë se sa potencial të papërdorur kemi tek shkurret. Ky është potencial që vendi ynë duhet të fillojë ta shfrytëzojë sa më shpejt të jetë e mundur, duke filluar vitet e para në formë eksperimentale, nën përkujdesjen e Fakultetit të Shkencave Pyjore. Kam shume besim që për të filluar këtë projekt do gjejmë përkrahje nga Bashkia Tiranë, e me rezultatet që do të demonstrohen do tërhiqet vëmendja e të merret përkrahje financiare nga projektet IPARD të BE-së. Kjo mund të kthehet edhe si një shkollë shqiptare  se si transformohen ekosistemet e degraduara në pyje me prodhimtari të lartë në cikle të shkurtra kohore.

-Kam bindjen se ka goxha specialist  apo mbarështues të pyjeve, por duke parë që zërin e tyre nuk e dëgjon kush, ata ndjehen të lodhur, të zhgënjyer për çka kërkojnë. Mendimi juaj?

-Unë i besoj idesë që, nëse në shkallë vendi e fillojmë nismën për përmirësimin e shkurreve të degraduara, për të gjithë kolegët, përfshirë edhe studentët e pedagogët,  do të hapet një “autostradë”  me punë e që  do jetë shumë frytdhënëse për t’i ndryshuar  pamjen vendit,  me ekonomi të mbështetur tek e gjelbra e përjetshme që mund të zëvendësojë naftën e qymyrin e gurit.

– Demokracia nuk vjen vetëm kur voton i lirë. Demokracia e vërtetë vjen kur njerëzit marrin pjesë në menaxhimin e pasurive të tyre të përbashkëta, siç janë pyjet. Mund të sillni argument për këtë çka po them?

-Pyetja që ju keni formuluar koincidon me fjalën që i ndjeri ish ambasadori amerikan Limpreht, i tha në ish komunën e Bubqit një ish- ministri të Bujqësisë. Unë do të shtoja që jo vetëm pyjet, por menaxhimi i të gjitha burimeve natyrore që i ka dhuruar natyra vendit tonë duhet të kenë pjesëmarrjen e komuniteteve, çka u përpoqa të ilustroj me rastin e pyllit të rilindur jo vetëm në Dumre, por edhe në Ulëz, Bulqizë, Zerqan, Peshkopi e kudo ku komuniteteve u është deleguar një e drejtë e tillë.