Duke lexuar librin historiko-biografik “Atdhetarët Shatku”


Nëse do të bënim një panoramë të shkurtër gjeo-historike të Dibrës, ia vlen të ndalemi në disa momente më pikante të saj. Padyshim, duke qenë zonë kufitare, por edhe atdhetare, në trevat e saj janë zhvilluar pak më shumë se gjysma (18 gjithsej) e betejave që kreu Skënderbeu kundër turqve (18 gjithsej). Në vitin 1909 zhvilloi punimet Kongresi i Dibrës së Madhe me delegatë nga e gjithë Shqipëria dhe që mbështeti kërkesat e Lidhjes së Prizrenit (1878) Lidhjes së Pejës dhe Kongresit të Manastirit (1908), ku u vendos alfabeti i gjuhës shqipe. E pse të mos përmendet, me këtë rast, edhe fakti që mbas zmbrapsjes tri herë të forcave ushtarake turke të Shefqet Dërgut Pashës (1910-1911), kryesisht nga luftëtarët e Dibrës së Epërme e të Poshtme, dibranët i rrokën sërish armët, duke shfaqur një qëndresë të paepur për jetë a vdekje gjatë Luftërave Ballkanike, (shtator-tetor), 1912, kundër synimeve aneksioniste të serbëve e bullgarëve, derisa u Shpall Pavarësia. Nga delegatët e Dibrës, Vehbi Dibra (Agolli), e Hafiz Sherif Lëngu, i pari u zgjodh në qeverinë e Ismail Qemalit, kryetar i Pleqësisë(senatit), kurse dibrani Nikollë Kaçorri u zgjodh Nënkryetar.
Por, ende pa u kredhur më tej në historinë e mëtejshme të Dibrës së Madhe, ia vlen të ndalemi në një pikë të veçantë kulmore të historisë e kulturës dibrane: hapja e shkollës së parë shqipe në vitin 1888, për t’u rihapur më 1893 e për t’u shoqëruar më tej me 11 shkolla fillore, 2 medrese e 1 shkollë Ruzhdije (e mesme), ku dhanë mësim misionarë të arsimit shqip, si: Seit Najdeni, Hoxhë Muglica, Sheh Sula, Shaqir Daci, Shyqyri Qoku, Ali Zeqja, Hamdi Ohri, Dervish Hima e Zenepe Hima, Josif Bageri e të tjerë mësues të nderuar, që i kthyen shkollat ( fillimisht, shtëpi e dyqane) jo vetëm në vatra dije, por edhe i mbruajtën nxënësit me ndjenjën kombëtare të atdhedashurisë.
Autorët e librit, Saimir Shatku e Qatip Mara, me një gjuhë të thjeshtë e komunikuese, na tregojnë se Izet, Faik e Shefki Shatku zanafillën e formimit të tyre mëmëdhetar e gjejnë që në ato mexhilizet dhe kuvendet e pleqësisë dibrane, ku u bëhej jehonë betejave e bëmave luftarake, besëlidhjes së të parëve dibranë, pajtimit të gjaqeve, për të qenë të bashkuar ngaherë para synimeve grabitqare të armiqve nga çdo anë. Pikërisht në këto mjedise të shëndetshme tradicionale dhe në shkollat e Dibrës së Madhe, gjendet zanafilla e edukimit të Shatkollarëve, për të vazhduar rrugën e arsimimit, si shumë dibranë të tjerë, në shkollat e larta të Turqisë e gjetiu.
Nëse nuk do ta merrni për mungesë modestie, lejomëni të vë në dukje një thënie të Barletit se “Dibra është çelësi i shqiptarizmës” dhe një vlerësim për dibranët nga Eqrem bej Vlora që “Dibranët janë fisi më luftarak i shqiptarëve”. Dhe, sa për humor, le të zënë vend në këto rreshta edhe disa cilësi të tjera të dibranëve, sipas Fan Nolit: “ Njerëz të zgjuar me lezet/ që i gjen në çdo anë,/ që të bëjnë muhabet,/ këta janë mjeshtrit dibranë”
Është i mirënjohur fakti historik që, e para-Dibra, kundërshtoi me armë në dorë vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913) për t’ia falur Serbisë Dibrën e Madhe (1913). Siç dihet, përparimet në luftime të forcave dibrane në mbrojtje të territoreve shqiptare nga shovinistët serbë, u shuan mbas një kundërmësymjeje me artileri, masakrash e një terrori të paparë nga fqinjët aneksionistë.
Në këto rrethana, popullata e Dibrës së Madhe, familjet më në zë të asaj periudhe e më parë, duke përfshirë edhe derën e Shatkëve, u detyruan të braktisnin trojet e të parëve, të linin mall e pasuri dhe të merrnin rrugën e muhaxhirllikut, kryesisht drejt Tiranës, Elbasanit e Durrësit. E paharruar do të mbetet për muhaxhirët dibranë pritja e përzemërt, në hyrje të Tiranës, e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, zotit Zyber Hallulli. Bujarinë e treguan edhe njerëz të thjeshtë të shtresës së mesme, por edhe familjet më në zë të asaj kohe, si: Bargjini, Kusi e Toptani; Kërçiku, Vorpsi e Karapici, Mëniku (Beliu), Bakalli, Bogdani, Tafaj, Petrela, Këlliçi, Kaceli, Preza e shumë të tjera. Dibranët u befasuan nga bujaria tiranase dhe, ku me qira e ku falas, si tipa punëtorë e kërkues ndaj jetës, dora-dorës, nisën të mëkëmben e arritën të krijonin ekonominë e tyre të pavarur, duke ngritur shtëpi dykatëshe me oxhak e të bardha nga badama e duke u shkrirë aktivisht me vendasit. Nuk është e rastit që në organet e administratës së asaj kohe, një pjesë dibranësh të shkolluar drejtuan edhe institucione të ndryshme, për shembull, Bashkinë e Tiranës nga Izet Shatku, duke dhënë një kontribut të çmuar edhe në disa fusha të veprimtarisë politike, ekonomike e shoqërore.
( Në shenjë respekti e mirënjohjeje të kësaj lidhjeje, të tiranasve autoktonë e dibranëve të Tiranës, tashmë të shkrirë e të bërë njësh, autorët Saimir Shatku e Qatip Mara, me vendimin e kryesisë së shoqatës “Bashkësia dibrane” kanë vendosur që me të ardhurat të cilat do të sigurohen nga shitja e këtij libri, të ngrihet një Memorial fare pranë Selvisë, në Tiranë.)
Përveç disa të tjerëve, ishin Izet Shatku, Faik Shatku e Shefki Shatku, ata që evidentuan vlerat morale e njerëzore, aftësitë juridike e ushtarake në fushat e shkelura prej tyre, u përballën me lakmitë, dredhitë dhe korrupsionin e administratës së asaj kohe, duke arritur të mbajnë një qëndrim objektiv e parimor në respekt ttë ligjeve shtetërore. Izet, Faik e Shefki Shatku dhanë një kontribut të çmuar në ecjen përpara të shtetit shqiptar, në konsolidimin e institucioneve shtetërore me kritere e parime Perëndimore europiane, gjithnjë me synimin final për ta integruar Shqipërinë në familjen e madhe europiane.
Këto cilësi dhe të tjera, pasqyrohen në librin “Atdhetarët Shatku” të autorëve Saimir Shatku e Qatip Mara, libër që na paraqet jo vetëm trashëgiminë atdhetare të kësaj familjeje elitare, si shumë familje të tjera dibrane, por na njeh me mjedisin e Dibrës së Madhe, me copëza historie nga periudha e mbretërimit të Zogut e pragpushtimit fashist të Shqipërisë. Kështu që, libri i kalon kufijtë e një trajtimi të lokalizuar e nacionalist të tre brezave të familjes Shatku, familje autoktone në Dibër qysh prej 350 vjetësh, por fiton edhe vlera njohëse të historiografisë shqiptare, që nga fundi i shekullit XIX, deri në shekullin XX. Është e rëndësishme të theksojmë se kemi të bëjmë me një periudhë historike mjaft dramatike për ne, kur interesat e atdheut kërcënoheshin prej lakmisë, nga njëra anë, dhe dritëshkurtësisë e orekseve të kulltukofagëve, nga ana tjetër. E pse të mos vëmë në dukje këtu edhe periudhën e diktaturës enveriste, që me parimin famëkeq të luftës klasore, burgosi e shoi plot intelektualë të shkolluar jashtë shteti dhe internoi e dëboi plot figura të njohura, si Izet Shatku (i dëbuar në Shkodër), ku iu pre rruga e përfaqësimit të Shqipërisë jashtë kufijve tanë, basketbollistit të shquar të kombëtares së basketbollit, Luan Izet Shatku. Me një ndjenjë keqardhjeje shprehemi, gjithashtu, për fatin e hidhur që pati edhe Geri Burhan Shatku, futbollist i talentuar pranë skuadrës së të rinjve të Torinos të Italisë dhe të cilit iu pre jeta në moshën 19-vjeçare.
Natyrisht, nuk është e rastit që Izet Shatkun do ta ndeshim në shmë pozicione të rëndësishme e të larta shtetërore, si guvernator i disa rajoneve në Perndorinë Turke, por edhe në Shqipëri me detyrat e nënprefektit e prefektit në disa qarqe, drejtor i përgjithshëm i reformës agrare, mandej të zgjedhur si deputet e Ministër i Punëve Botore, ku shkëlqeu me aftësitë e tij organizative e me sensin praktik në materializimin e problemeve të përditshme.
Faik Shatku, gjithashtu, me një formim të konsoliduar në fushën e jurisprudencës, avokat, prokuror, sekretar i përgjithshëm në administratën e lartë publike e këshilltar, hartues ligjesh, njeri i përgatitur me kulturë juridike, me vizion dhe horizont të gjerë arriti që në vitet 1936-1938 të emërohet Ministër i Arsimit (Edukimit Kombëtar), kohë në të cilën formohet Kabineti i fundit qeveritar, i kryesuar nga Kryeministri Koço. Duke vlerësuar meritat e tij në jurisprudencë, si një intelektual i devotshëm dhe atdhetar i përkushtuar në shërbim të kombit të vet, Faik Shatku zgjidhet Ministër Drejtësie (1938-1939).
Mbreti Ahmet Zogu mbahet mend nga bashkëkohësit për përpjekjet e shumta në drejtim të vendosjes së rregullave të qytetërimit dhe të një qetësie relative në qytet e në fshat. Për realizimin e një disipline serioze, një paqeje shoqërore, kur ajo, tradicionalisht nuk ishte në lartësinë e duhur, kishte nevojë për një dorë të fortë në krye të xhandarmërisë shqiptare, prandaj Naltmadhnia solli edhe disa këshilltarë nga jashtë shteti. Ishte pikërisht Shefki Shatku, që u zgjodh Komandant Xhandarmërie në vitet 1931-1939, duke punuar me prefektët e nënprefektët, kryetarët e komunave për sigurimin e një rendi publik të sigurtë.
Në mbyllje të këtij libri, që i kalon kufijtë e një monografie, jetëshkruese të një familjeje të veçantë elitare, siç është ajo e derës Shatku, i sigurojmë lexuesit se autorët Saimir Shatku e Qatip Mara e kanë pasuruar librin me copëza tërheqëse historie, me vlera njohëse e artistike, por edhe me ilustrime të shumta, që ngjallin interes për këdo e, doemos, për ata që e quajnë veten dibranë e kanë debulesë për Dibrën e Epërme e të Poshtme.