“Zenel Sadiku i Muralikajve”
Mendime rreth librit me autorë Besnik Muratin dhe Flutura Bushkashin


Nga Mevlud BUCI

Edhe para se të lexoja librin kisha dëgjuar për matjanin e fisnikërisë, birin e Muralikajve, prejardhja e hershme e të cilit është nga Mazhica e Dibrës, të paharruarin, Zenel Sadik Murati. Pasi e rilexova, na emocionoi fakti se ky libër është shkruar thjeshtë, kuptueshëm, me kujtime e mbresa, ku secila të ngjall dashuri e krenari, secila flet për gjurmët e jetës, nderimin për birin e Shëlliut të Matit, ku pasqyrohet jeta në plotësi, gjurmët e përkushtimit, në luftë e në punë, nderimi për familjen e fisin, lidhjet e ngushta me fëmijtë, shokët e miqtë.
Ia vlen të theksojmë qysh në fillim, se libra të tillë janë, si të thuash, një “arkiv”, një “muze”, që dritëson jetën, punën e vlerat njerëzore. Të shkruarit me realizëm e frymëzim, gjetjet artistike, faktet, episode, që shpërfaqen në kujtimet e mbresat, e bëjnë këtë libër tërheqës e të veçantë, si një testament i artë njerëzor, për çdo kohë e çdo njeri.
Jeta e njeriut është shumë e shkurtër, kjo ka kuptim kur vihet në shërbim të shoqërisë, të atdheut, të detyrës, të familjes e të farefisit.
I thjeshtë si e vërteta, i përkushtuar e zemërdritë, dashamirës e kurdoherë i dashur e i respektuar, qe dhe mbeti biri i Muralikajve të Shëlliut, Zenel Sadiku. Është mjaft domethënëse ajo që shkruan, midis të tjerash, poeti e redaktori Basir Bushkashi: “Libri ‘Zenel Sadiku i Muralikajve’ i autorëve Besnik Murati e Flutura Bushkashi, motër e vëlla, sjell para lexuesve portretin e një njeriu, që e deshi shumë vendin e tij, duke përfshirë edhe Kosovën martire, që vuri jetën në rrezik për lirinë e saj, që i deshi dhe i respektoi njerëzit e tij të afërm, miqtë dhe shokët e shumtë, që respektoi detyrat që iu dhanë dhe i kreu ato me ndërgjegje të lartë e me dinjitet, duke i dhënë nur e dritë çdo pune, që iu besua nëpër kohëra të vështira” (fq. 3).
Kompozicioni i këtij libri, kronika e jetës, kujtimet e mbresat, fotot e gjithçka e gdhendur tregojnë me urtësi, vërtetësinë e thjeshtësinë se si rritet njeriu, se si dritësohet jeta, se si kurrë nuk vyshken lufta, puna, respekti, virtytet, vlerat, dashuria për fisin, shokët e miqtë.
Një libër kronikal për gjurmët jetësore, libër monument për vlerat e njeriut, dëshmi e të vërtetave, ku rrezatojnë: fisnikëria, kultura, dashamirësia, krenaria legjitime e fëmijëve për babain, që jetën e ka vënë në shërbim të luftës, të punës, të familjes e të traditave, duke lartësuar kështu fisin, kohën dhe brezat. Është obligim shpirtëror dhe detyrë njerëzore të gdhendësh pak rreshta për libra të tillë, si ky, kushtuar atdhetarit e veteranit të lirisë, intelektualit të paharruar e gjurmëlënës, Zenel Sadikut të Muralikajve.
Libri nis me shkrimin “Muralikajt” të shkruar me çiltërsi e argument nga kolonel Besnik Murati, i biri i tij, i cili thekson: “Në këtë fis kujtohet me respekt akademik Ali Murati, që mori pjesë në Kuvendin e Suçit, në vitin 1911, me Dali Hysën, siç dëshmon autori Ali Gjoka në librin e tij: “Shëlliu dhe Gjoka i Skënderbeut”. (fq. 72) Një figurë e njohur popullore e këtij fisi është dhe Sadik Murati, që në rininë e tij kishte emigruar dymbëdhjetë vite në Stamboll, ku punoi dhe u arsimua dhe që id ha emër fisit në kohën e tij si gjyqtar popullor me dokument (licencë) dhënë nga shteti i athershëm, ku zgjidhi shumë mosmarrveshje” (fq. 8). Më poshtë ky autor përmend dhe një fragment nga libri “Matja në gur e në dru” me autor Artan Kurtin, ku pasi lartësohen vlerat e Shëlliut, që ndër vite mban emërtimin “Kryeprell” për provat e dhëna tregon se si vëllazëria Muralikajve ka ruajtur një shtizë që mbante bajrakun e zonës në luftrat e 1912-13 në Kakarriq dhe “Shkallë të Deshëve” (fq. 8). Në vazhdim për fisin e Muralikajve janë përmendur dhe fakte nga historiani Sefer Duka dhe publicisti e poeti Qemal Cenaj.
Janë vërtet prova mençurie e bese tre episode: qëndrimi i njërit prej Muralikajve para vezirit të Shkodrës, burrëria dhe besnikëria e kullës së Muralikajve për mikun (ngjarje e dhimbshme, por domethënëse) (fq. 10), si dhe maturia, durimi dhe qëndresa burrërore thënë përmes episodit të tretë. Është dhënë qartë pema e familjes së Sulë Muratit të Parë dhe Demir Muratit të Parë, hartuar nga Flutura Bushkashi e Fadil Murati. Jepen të arsimuarit me shkollë të lartë, të këtij fisi, me arsim të mesëm profesional e studentë e studente, po nga ky fis, formuluar nga Qazim e Fadil Murati.
Pas titullit “Drejt jetës” pasqyrohet kujtimi i Zenel Sadikut për jetën e tij në Shëlli e më gjërë, jeta në shkollën e aspirantëve të këmbësorisë në Tiranë, në vitin 1928, lidhet me kushëri Sejdinin, përpjekjet për dije, puna si togkomandant këmbësorie, emërimi në Gardën Mbretërore, si oficer i shërbimit në pallatin mbretëror. Në vijimësi të librit, pas titullit “Në ortekun e luftës”, botohen fragmente ditari, që nis nga 7 prill 1939, deri më 26 qershor 1945. (fq. 26-54) Pasqyrohet qëndresa, lufta, sakrificat për lirinë e atdheut, gjurmët në aksionet luftarake, guximi, maturia dhe zelli prej atdhetari e luftëtari për flamur e për liri. Midis të tjerash, në kujtimet e luftës, Zenel Sadiku shkruan: “Me besim tek njëri-tjetri, filloi dhe puna ime në ilegalitet, shumë më e vështirë se lufta me armë e automatik.”(fq. 28). E bukur dhe e madhërishme është edhe kujtimi i shënuar me 3 gusht 1942, ku lexojmë: “Nisemi në këmbë me batalionin dhe arritëm në Qafë-Shtamë, me datën 6 gusht. Me 17 gusht me Batalionin “Gramozi”, nga Qafë-Shtama marrim udhën për në Prizren e në fshatin Kabash u bashkuam me batalionin tim “Korata” (fq. 31).
Kujtime të shkruara qartë, me shpirt prej luftëtari, duke përshkruar betejat, shokët, sakrificat sublime në emër të lirisë së atdheut, në shtigje të vështira lufte, në rrethime e prita për të çarë përpara për jetë, liri a vdekje. Gjurmët e luftës e të qëndresës, fotot me shtabin e Batalionit “Kosova”, parakalimi me rastin e çlirimit të Ferizajt, me komisarin e kompanisë, Bardhylin, pasqyrojnë veprimtarinë luftarake, qëndresën dhe shpirtin liridashës të luiftëtarit trim, birit të Muralikajve: Zenel Sadik Murati, burrë i sakrificave, misionar, e vizionar për detyrat, shembull i korrektësisë dhe i përpjekjeve për çështjen e lirisë në ato vite tepër të vështira.
Provat e luftës dhe të pasluftës dëshmojnë se si Zenel Sadiku tregoi me vepra atdhetarinë dhe sakrificat prej luftëtari në shërbim të lirisë, në shërbim të popullit. Në një fragment bie në sy: “26 qershor 1945 Emërohem komandanti i policisë së Gjakovës, ku qëndroj mbi tre muaj. Detyra jonë ishte të vendosnim rendin dhe të pastronim rrethin nga elementet reaksionarë të arratisur e keqbërës.” (fq. 54).
Tek “Vite pune, vite jete” pasqyrohen qartë besnikëria, vrulli në punë, përgjegjësia për t’i shërbyer atdheut të pasluftës. Puna si shef policie në Lezhë, shërbimi si shef i rendit publik në Durrës, shef i rendit publik për katër rajone në Tiranë, përballja e triumfi ndaj akuzave të pavërteta, puna më pas si referent hekurishtesh pranë Ministrisë së Tregëtisë, si i plotëfuqishëm i Ndërmarrjes së Grumbullimit në Mat, drejtotr i NSHGB për rrethin e Matit Mirditës dhe Peshkopisë, shef plani në Dibër, kryetar i kooperativës së parë në Shëlli, shef plani në Komitetin Ekzekutiv në Mat, kryeekonomist statistike në plan, deri sa doli në pension më 1 maj 1972, Zenel Sadiku tregoi vitalitet, thjeshtësi, zotësi e shëmbëllim prej intelektuali të devotshëm. Kurdoherë mirënjohës, i papërtuar, i dashur e masovik, me shpirt prej luftëtari e organizatori, priu në detyrat e besuara, kudo që ai shërbeu. Është nder për familjen, fisin, Shëlliun, Matin e brezat e mbarë kombit, se një jetë si kjo e Zenel Sadikut, rrezaton me madhështinë e luftës e të punës, mbetet modeli se si dritësojnë vlerat njerëzore, kur ke lejtmotiv atdheun, lirinë, punën dhe kulturën në shërbim të popullit. Ky “maratonomak” i lirisë e i punës është dekoruar me “Medaljen e trimërisë” nga shteti ish-jugosllav në vitin 1945 për kontributin e shquar për çlirimin e Kosovës, nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë me “Medaljen e trimërisë”, “Medaljen e çlirimit” dhe me medaljen “Për shërbime të shquara shtetërore e shoqërore”.
Çdo e re, çdo zhvillim, apo ndërtim, që kryhej në rrethin e Matit, Zenel Murati i regjistronte në bllokun e tij të punës. Dhe këto në formë statistikash janë përfshirë në libër për lexuesit kuriozë. Kjo është një meritë e tij, sepse sot, këto të dhëna, vështirë t’i gjesh edhe nëpër arkiva.
Pasioni dhe korrektësia, sinqeriteti e dashamirësia, lidhjet shpirtërore më njerëzit dhe detyrat ishin shinat ku mbështetej e ecte përpara Zenel Murati i Shëlliut të Matit.
Janë tërheqëse e të mirërealizuara shkrimet: “Nënë Pemja dhe mami Alija” përshkruar nga Fetije Llalla dhe Flutura Bushkashi, “Krushqitë e fëmijëve” ku përfshihen shtatë fëmijët e Zenel dhe Alije Muratit me bashkëshortët dhe trashëgimtarët e tyre, “Në zemrat e të tjerëve” ku radhiten kujtime e mbresa nga bashkëkohësit-kolegë e të njohur, vargjet e Rustem Beshkut ku ndër të tjera shkruan:
“Ish burrë bajraku, atdhetar,
Flamurin e kombit gdhendur në oxhak,
Se kombin e deshi të pandarë
E për çdo pëllëmbë mund të derdhte gjak

Ai çdo detyre i bënte nder
Sa hije i kishte puna dhe fjala!
Mes shëllinjakëve i mbylli sytë,
U prehtë parajsës me lule të bardha…”

Këto mbresa të bashkëkohësve, miqve e familjarëve, bëjnë që ky libër të marrë vlera si nga përmbajtja, gjetjet njerëzore dhe mjeshtëria artistike. Fotot e sendet e saktësuara me përkujdesje, dëshmojnë qartazi se nuk vdes intelektuali human e i përkushtuar, se si duhet të jetë ai, të cilit populli i beson e që kurrë s’e harron.
Në krah, Zenelit, i erdhi dhe bashkëshortja, Alija, fëmijtë, nipërit e mbesat. Alija ishte e bija e të nderuarit Destan Bushi nga Lukani i Katër Grykëve të Dibrës, me banim në lagjen “Varani” të Qafëmurrës, mbesa e atdhetarit të flaktë, Hoxhë Bushi (Ibrahim Bushi), ku muza epike popullore thotë:
“Çaj hoxhë Bushi n’at Gjurë-Vali
Po vikat si arushë mali,
Kjo Selishta gurë-kala
Luftë po bakan burra e gra…”

Nëse do të zbërthenim shkrimet e përfshira në këtë libër do të duheshin, të paktën, edhe dy-tre shkrime studimore, por lexuesit dashamirë e inteligjentë do të kenë mundësinë ta shijojnë vetë, emocionalisht, brenda rubrikave dhe faqeve të këndshme të këtij libri. Nuk mund të lë pa përmendur një thënie shpirtërore e vlerësuese të ekonomistit Haxhi Cenaj kur thotë një opinion të bashkëfshatarëve të tij shëllinjakë: “Ai (Zenel Murati) ka qenë ‘deputet’ për ne”.
Meritojnë mirënjohje e falenderim autorët e librit Besnik Murati e Flutura Bushkashi, vëlla e motër, që me përkushtim të rrallë mblodhën e sistemuan kujtimet e tyre dhe të të tjerëve, si dhe përgatitën këtë libër për ta përcjellë tek lexuesi me gjithë dritësinë njerëzore, si një shembull kombëtar për nderimin ndaj prindërve.